Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 Mësoji fëmijët

Timoteu—Gati për të shërbyer dhe i papërtuar

Timoteu—Gati për të shërbyer dhe i papërtuar

«A JE gati?» A ta kanë bërë ndonjëherë këtë pyetje? . . . Ai që të ka pyetur donte të dinte nëse ishe përgatitur. Për shembull, mund të nënkuptonte: a i ke librat, a ke mësuar? Siç do të shohim, Timoteu ishte gati.

Gjithashtu, ai ishte edhe i papërtuar. A e di ç’do të thotë kjo? . . . Kur e ftuan t’i shërbente Perëndisë, Timoteu u tregua i gatshëm si një tjetër shërbëtor i Perëndisë, që tha: «Ja ku jam! Më dërgo mua!» (Isaia 6:8) Ngaqë ishte gati për të shërbyer dhe i papërtuar, Timoteu bëri një jetë interesante. A do të të pëlqente të dëgjoje për të? . . .

Timoteu lindi në Listër, qindra kilometra larg Jerusalemit. Gjyshja e tij, Loida, dhe nëna, Eunika, i studionin seriozisht Shkrimet. Madje, ato filluan t’i mësonin Fjalën e Perëndisë që kur ishte foshnjë.2 Timoteut 1:5; 3:15.

Çfarë ka ndodhur?

Ka të ngjarë që Timoteu të ishte ende adoleshent, kur apostulli Pavël i shoqëruar nga Barnaba, vizitoi Listrën në udhëtimin e parë të gjatë si misionar. Ka të ngjarë që në këtë kohë nëna dhe gjyshja e Timoteut të jenë bërë të krishtere. A do të të pëlqente të dëgjoje ç’probleme hasën Pavli dhe Barnaba? . . . Po ja, njerëz që nuk i pëlqenin të krishterët, e goditën me gurë Pavlin, e rrëzuan përtokë dhe e tërhoqën zvarrë jashtë qytetit. Ata kujtuan se kishte vdekur.

Njerëz që besonin çfarë mësonte Pavli, u mblodhën rreth tij dhe ai u ngrit. Të nesërmen, Pavli dhe Barnaba u larguan, por s’kaloi shumë dhe u kthyen prapë në Listër. Kur ishin atje, Pavli mbajti një fjalim dhe u tha dishepujve: «Do të hyjmë në mbretërinë e Perëndisë duke kaluar shumë shtrëngime.» (Veprat 14:8-22) A e di çfarë donte të thoshte Pavli? . . . Donte të thoshte se ata që i shërbenin Perëndisë, do të kishin probleme. Më vonë, Pavli i shkroi Timoteut: ‘Të gjithë ata që dëshirojnë të jetojnë me përkushtim hyjnor, do t’i përndjekin.’2 Timoteut 3:12; Gjoni 15:20.

Pasi u larguan nga Listra, ai dhe Barnaba u kthyen në shtëpi. Disa muaj më vonë, Pavli mori me vete Silën, dhe së bashku u kthyen t’u jepnin zemër dishepujve të rinj në vendet që kishte vizituar. Sa i gëzuar duhet të ketë qenë Timoteu që Pavli kishte ardhur përsëri në Listër! U gëzua edhe më shumë kur Pavli dhe Sila e ftuan të shkonte me ta. Ai e pranoi ftesën. U tregua i gatshëm dhe i papërtuar.Veprat 15:40–16:5.

Të tre udhëtuan së bashku. Në fillim ecën shumë kilometra më këmbë, pastaj morën një barkë. Kur dolën në bregun tjetër, shkuan në Selanik të Greqisë. Atje shumë u bënë të krishterë. Por të tjerë ishin të nevrikosur dhe mblodhën një turmë. Pavli, Sila dhe Timoteu ishin në rrezik për jetën, ndaj u nisën për në Bere.Veprat 17:1-10.

Pavli ishte në merak për besimtarët e rinj në Selanik, prandaj dërgoi përsëri atje Timoteun. A e di pse? . . . Më vonë u shpjegoi të krishterëve në Selanik: ‘Që t’ju bëjë të patundur dhe t’ju ngushëllojë që askush të mos shkurajohet.’ A e di pse dërgoi të riun Timote në një caktim kaq të rrezikshëm? . . . Timoteu nuk ishte dhe aq i njohur për kundërshtarët dhe ishte i papërtuar. Kjo kërkonte goxha guxim. Si shkoi vizita? Kur u kthye te Pavli, Timoteu i tregoi sa besnikë ishin vëllezërit në Selanik. Atëherë Pavli u shkroi: «U ngushëlluam falë jush.»1 Selanikasve 3:2-7.

Timoteu shërbeu me Pavlin edhe për dhjetë vite të tjera. Pastaj Pavli u burgos në Romë, dhe Timoteu që sapo kishte dalë vetë nga burgu, shkoi tek ai. Ndërkohë që ishte në burg, Pavli u shkroi një letër filipianëve, e ndoshta përdori si sekretar Timoteun. Pavli tha: ‘Shpresoj t’ju dërgoj Timoteun, pasi nuk kam askënd tjetër kaq besnik e që t’ju shërbejë kaq mirë.’Filipianëve 2:19-22; Hebrenjve 13:23.

Sa duhet të jetë gëzuar Timoteu! Pavli e donte shumë, sepse ai ishte gati për të shërbyer dhe i papërtuar. Shpresojmë t’i kesh edhe ti këto cilësi.