Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Si mund të të shpëtojë vdekja e Jezuit?

Si mund të të shpëtojë vdekja e Jezuit?

RRETH 2.000 vjet më parë, në pashkën judaike të vitit 33 të e.s., një njeri i pafajshëm vdiq që të jetonin të tjerët. Kush ishte ai? Jezui i Nazaretit. Cilët mund të nxjerrin dobi nga ky akt fisnik? I gjithë njerëzimi. Një varg i njohur biblik e përmbledh me këto fjalë këtë flijim jetëshpëtues: «Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.»Gjoni 3:16, Diodati i Ri.

Ndonëse shumë mund ta njohin këtë shkrim, në të vërtetë pak mund ta kuptojnë domethënien e tij. Ata pyesin veten: ‘Pse kemi nevojë për flijimin e Krishtit? Si është e mundur që vdekja e një njeriu të shpëtojë njerëzimin nga vdekja e pashmangshme?’ Bibla jep përgjigje të qarta e të kënaqshme për këto pyetje.

Si arriti të mbretëronte vdekja mbi njerëzimin?

Disa besojnë se njerëzit u krijuan për të jetuar për një kohë të shkurtër në tokë, të kalonin disa sprova, të gëzonin njëfarë lumturie e më pas të vdisnin dhe të shkonin në një vend më të mirë. Sipas këtij mendimi, duket sikur vdekja është pjesë e qëllimit të Perëndisë për njerëzimin. Mirëpo, Bibla tregon se ka një arsye tjetër pse vdesin njerëzit. Ajo thotë: «Ashtu si mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu të vetëm, dhe vdekja nëpërmjet mëkatit, ashtu edhe vdekja u përhap në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë kishin mëkatuar.» (Romakëve 5:12) Ky varg tregon se njerëzit vdesin si pasojë e mëkatit. Por, kush është ‘njeriu i vetëm’ nëpërmjet të cilit pasojat vdekjeprurëse të mëkatit prekën njerëzimin?

The World Book Encyclopedia thotë se shumica e shkencëtarëve besojnë se të gjithë njerëzit rrjedhin nga i njëjti burim dhe Bibla e tregon qartë se cili është ky burim—‘një njeri i vetëm’. Te Zanafilla 1:27 lexojmë: «Perëndia e krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet, po, e krijoi sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Ai i krijoi ata mashkull dhe femër.» Kështu, Bibla thotë se çifti i parë njerëzor ishte kurorëzimi i lavdishëm i krijimit tokësor të Perëndisë së Plotfuqishëm.

Tregimi i Zanafillës jep hollësi të mëtejshme të jetës së njeriut pasi Perëndia Jehova krijoi çiftin  e parë. Është domethënëse që në krejt tregimin, Perëndia nuk e përmendi vdekjen, përveçse kur foli për pasojën e mosbindjes. (Zanafilla 2:16, 17) Ai donte që njerëzit të jetonin në një tokë të bukur parajsore të lumtur e të shëndetshëm përgjithmonë. Perëndia nuk donte që njerëzit të vuanin pasojat e pleqërisë dhe në fund të vdekjes. Atëherë, si arriti të mbretëronte vdekja mbi gjithë njerëzimin?

Te kapitulli i 3-të i Zanafillës është shkruar se si çifti i parë njerëzor me dashje mori vendimin për të mos iu bindur Jetëdhënësit të tyre, Perëndisë Jehova. Si pasojë, Perëndia zbatoi vendimin që ua kishte bërë të njohur që më përpara. Ai i tha njeriut: «Ti je pluhur, dhe në pluhur do të kthehesh.» (Zanafilla 3:19) Siç kishte thënë Perëndia, dy njerëzit e pabindur në fund vdiqën.

Por nga kjo nuk u dëmtua vetëm çifti i parë njerëzor. Mosbindja shkatërroi shpresën e jetës së përsosur që do të kishin pasur pasardhësit e tyre. Jehovai përfshiu në qëllimin e tij edhe këta pasardhës, kur i tha Adamit dhe Evës: «Jini të frytshëm, shumohuni dhe mbusheni tokën e sundojeni, mbani të nënshtruar peshqit e detit, krijesat fluturuese të qiejve dhe çdo krijesë të gjallë që lëviz në tokë.» (Zanafilla 1:28) Me kalimin e kohës, familja njerëzore do ta mbushte tokën dhe do të gëzonte një jetë shumë të lumtur pa vdekje. Mirëpo Adami, ‘njeriu i vetëm’, i shiti si skllevër të mëkatit dhe ata do të kishin si fund të pashmangshëm vdekjen. Apostulli Pavël, një pasardhës i njeriut të parë, shkroi: «Unë jam mishor, i shitur që të jem skllav i mëkatit.»—Romakëve 7:14.

Ashtu si vandalët që dëmtojnë vepra arti të çmuara, Adami, duke mëkatuar, dëmtoi seriozisht krijimin e mrekullueshëm të Perëndisë—njerëzimin. Bijtë e Adamit lindën bij, pastaj nipër e kështu me radhë. Brezat lindën njëri pas tjetrit, u rritën, lindën pasardhës dhe më pas vdiqën. Përse? Ngaqë të gjithë erdhën nga Adami. Bibla thotë: «Nga shkelja e një njeriu të vetëm vdiqën shumë veta.» (Romakëve 5:15) Sëmundjet, pleqëria, prirja për të bërë gjëra të gabuara dhe madje vdekja janë pasoja të trishtueshme të tradhtisë së Adamit ndaj familjes së vet. Në këtë familje përfshihemi të gjithë ne.

Në letrën drejtuar të krishterëve në Romë, apostulli Pavël shkroi për gjendjen e mjerë të njerëzve të papërsosur, duke përfshirë edhe  veten, dhe për betejën e mundimshme kundër pasojave të mëkatit. Ai tha: «Ç’njeri i mjerë që jam! Kush do të më çlirojë nga trupi që i nënshtrohet kësaj vdekjeje?» A nuk është një pyetje me vend? Kush do ta shpëtonte Pavlin—dhe të gjithë ata që dëshironin me zjarr—nga skllavëria e mëkatit dhe e vdekjes? Vetë Pavli na e dha përgjigjen: «Faleminderit Perëndisë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotërisë tonë!» (Romakëve 7:14-25) Po, Krijuesi ynë ka marrë masa për të na shpëtuar nëpërmjet Birit të vet, Jezu Krishtit.

Roli i Jezuit në shpëtimin që do të sjellë Perëndia

Jezui përshkroi rolin e tij në shpëtimin e njerëzimit nga skllavëria vdekjeprurëse e mëkatit. Ai tha: «Biri i njeriut . . . erdhi . . . të japë shpirtin [jetën, Diodati i Ri] e vet si shpërblesë për shumë njerëz.» (Mateu 20:28) Si shërbeu jeta e Jezuit si shpërblesë? Ç’dobi kemi nga vdekja e tij?

Jezui dha jetën e tij si baraspeshë për pasojat e mëkatit të Adamit

Bibla thotë se Jezui ishte «pa mëkat» dhe «i ndarë nga mëkatarët». Gjatë gjithë jetës, Jezui iu bind në mënyrë të përsosur Ligjit të Perëndisë. (Hebrenjve 4:15; 7:26) Prandaj, vdekja e Jezuit nuk ishte pasojë e mëkatit dhe e mosbindjes, siç ishte vdekja e Adamit. (Ezekieli 18:4) Përkundrazi, Jezui pranoi një vdekje që nuk e meritonte, me qëllim që të plotësonte vullnetin e Atit të tij për të shpëtuar njerëzimin nga mëkati dhe vdekja. Siç u tha më sipër, Jezui erdhi me gatishmëri ‘për të dhënë jetën e vet si shpërblesë’. Me një dashuri të paparë në histori, Jezui me dëshirë ‘shijoi vdekjen për çdo njeri’.—Hebrenjve 2:9.

Jeta që flijoi Jezui ishte barasvlerës i saktë i jetës që humbi Adami kur mëkatoi. Cili ishte rezultati i vdekjes së Jezuit? Jehovai e pranoi këtë flijim si «një shpërblesë përkatëse për të gjithë». (1 Timoteut 2:6) Në fakt, Perëndia përdori vlerën e jetës së Jezuit për të shpenguar ose riblerë racën njerëzore nga skllavëria e mëkatit dhe e vdekjes.

Bibla e përmend vazhdimisht këtë akt të madh dashurie të Krijuesit të njeriut. Pavli u kujtoi të krishterëve se ‘u blenë me një çmim’. (1 Korintasve 6:20; 7:23) Pjetri u shkroi të krishterëve se Perëndia nuk përdori ar ose argjend, por gjakun e Birit të vet për t’i çliruar nga kjo lloj jete që do të përfundonte në vdekje. (1 Pjetrit 1:18, 19) Me flijimin shpërblyes të Krishtit, Jehovai bëri të mundur shpëtimin e njerëzve nga fundi i vdekjes së përhershme.

A do të nxjerrësh dobi nga shpërblesa e Krishtit?

Në lidhje me dobitë e shumta të shpërblesës së Krishtit, apostulli Gjon shkroi: «[Jezu Krishti] është një flijim pajtues për mëkatet tona, madje jo vetëm për tonat, por edhe për ato të të gjithë botës.» (1 Gjonit 2:2) Po, shpërblesa e Krishtit vlen për të gjithë njerëzimin. A do të thotë kjo  se çdo njeri do të nxjerrë dobi automatikisht nga kjo masë e çmuar? Jo. Kujto rastin e shpëtimit të minatorëve të përmendur në artikullin e mëparshëm. Skuadrat e shpëtimit që u përpoqën të shpëtonin minatorët e bllokuar, zbritën një kafaz shpëtimi, por secili minator duhej të futej në kafaz. Në mënyrë të ngjashme, ata që dëshirojnë të nxjerrin dobi nga flijimi shpërblyes i Krishtit nuk mund të presin duarkryq bekimet e Perëndisë. Duhet të bëjnë diçka.

Çfarë kërkon Perëndia që të bëjnë? Gjoni 3:36 thotë: «Ai që tregon besim te Biri, ka jetë të përhershme, kurse ai që nuk i bindet Birit, nuk do të shohë jetë, por zemërimi i Perëndisë mbetet mbi të.» Perëndia kërkon që të kemi besim te flijimi i Krishtit. Por kërkohet edhe diçka tjetër. «Nga kjo e dimë se kemi arritur ta njohim [Jezuin]: nëse vazhdojmë të zbatojmë urdhërimet e tij.» (1 Gjonit 2:3) Është e qartë, pra, se çelësi për të shpëtuar nga mëkati dhe vdekja është të kemi besim te shpërblesa e Krishtit dhe t’u bindemi urdhërimeve të tij.

Një mënyrë e rëndësishme për të shfaqur besim te shpërblesa e Jezuit është të tregojmë mirënjohje për vdekjen e tij, duke e përkujtuar atë, siç urdhëroi ai. Para se të vdiste, Jezui themeloi me apostujt besnikë një darkë simbolike dhe u tha: «Vazhdoni ta bëni këtë në kujtimin tim.» (Luka 22:19) Dëshmitarët e Jehovait e çmojnë shumë miqësinë me Birin e Perëndisë dhe i binden këtij urdhërimi. Këtë vit, Përkujtimi i vdekjes së Jezu Krishtit do të mbahet të shtunën, më 22 mars, pas perëndimit të diellit. Përzemërsisht të ftojmë të vish në këtë mbledhje të veçantë për t’iu bindur urdhërimit të Jezuit. Dëshmitarët e Jehovait në zonën tënde mund të të tregojnë kohën dhe vendin ku do të mbahet kjo mbledhje. Në Përkujtim do të mësosh më shumë se çfarë duhet të bësh që shpërblesa e Krishtit të të çlirojë nga pasojat vdekjeprurëse të mëkatit të Adamit.

Sot pak njerëz e çmojnë plotësisht sakrificën e madhe që Krijuesi i tyre dhe Biri i tij kanë bërë për t’i shpëtuar nga shkatërrimi. Ata që tregojnë besim në të përjetojnë lumturi të veçantë. Apostulli Pjetër shkroi për të krishterët: «Ju tregoni besim tek [Jezui] dhe po gëzoni shumë, me një gëzim të papërshkrueshëm e të madh, ndërsa arrini rezultatin e besimit tuaj, shpëtimin e shpirtrave tuaj.» (1 Pjetrit 1:8, 9) Duke ushqyer dashuri për Jezu Krishtin dhe besim te flijimi i tij shpërblyes, mund ta mbushësh jetën me gëzim tani dhe të shpresosh që të shpëtosh nga mëkati dhe vdekja.