NJË minierë qymyrguri në Pitsburg të Pensilvanisë, SHBA, papritur u përmbyt nga miliona litra ujë. Nëntë minatorë mbetën të bllokuar në një xhep ajri që ndodhej 73 metra nën tokë. Tri ditë më pas ishin sërish në sipërfaqe shëndoshë e mirë. Si shpëtuan?

Me ndihmën e hartave të minierës dhe të Sistemit Global të Pozicionimit (GPS), skuadrat e shpëtimit hapën një vrimë 65 centimetra të gjerë dhe zbritën një kafaz në formë kapsule te vendi ku ishin mbledhur minatorët. Një nga një, me ndihmën e kafazit, minatorët i nxorën në sipërfaqe jashtë vendit që mund të ishte bërë varri i tyre. Të gjithë ishin të lumtur, të lehtësuar dhe mirënjohës që shpëtuan.

Shumica prej nesh ndoshta nuk do të mbesim ndonjëherë të bllokuar nën tokë si ata nëntë minatorë dhe as do të rrezikojmë jetën në ndonjë katastrofë. Megjithatë, të gjithë kemi nevojë për shpëtim, sepse nuk mund të shmangim pasojat e sëmundjeve, të pleqërisë dhe në fund të vdekjes. «Njeriu i lindur nga një grua është jetëshkurtër dhe i mbytur me halle,—tha patriarku besnik Jobi.—Si lulja çel e këputet, ikën me të shpejtë si hija dhe nuk është më.» (Jobi 14:1, 2) Sot, rreth 3.500 vjet më vonë, këto fjalë vazhdojnë të jenë të vërteta, sepse kush prej nesh mund t’i shpëtojë fundit fatal, pra, vdekjes? Pavarësisht se ku jetojmë ose sa kujdesemi për shëndetin, kemi nevojë të shpëtojmë nga kthetrat e vuajtjeve, të pleqërisë dhe të vdekjes.

Shkencëtarë dhe të tjerë përpiqen fort ta zgjatin jetën përtej asaj që njerëzit e konsiderojnë jetëgjatësi normale. Një organizatë thotë se ka si mision «të mposhtë plagën e pashmangshme të vdekjes» dhe «t’i ndihmojë anëtarët e saj që të arrijnë pavdekësinë fizike». Por deri tani shkenca e përparuar dhe vetëm forca e vullnetit nuk e kanë zgjatur kaq shumë jetën e njeriut përtej 70 a 80 vjetëve, siç kishte thënë edhe Moisiu 3.500 vjet më parë.Psalmi 90:10.

Je apo s’je dakord me mendimin e Jobit për jetën dhe vdekjen, është e pashmangshme që, teksa vitet kalojnë, edhe ti ‘do të ikësh me të shpejtë si hija’, larg miqve, familjes, shtëpisë dhe gjithçkaje që ke arritur—do të vdesësh. Mbreti i mençur i Izraelit të lashtë, Solomoni, shkroi: «Të gjallët janë të vetëdijshëm se do të vdesin, por të vdekurit s’janë të vetëdijshëm për asgjë; ata nuk kanë më asnjë shpërblim, sepse kujtimi i tyre është harruar.»Eklisiastiu 9:5.

Realiteti i trishtueshëm, siç e thekson Bibla, është se vdekja ka ‘mbretëruar’ mbi njerëzimin si një sundimtar tiran. Po, vdekja është armiku i fundit nga i cili ka nevojë të shpëtojë njerëzimi. (Romakëve 5:14; 1 Korintasve 15:26) Edhe skuadrat më të stërvitura e më të pajisura të shpëtimit nuk mund të të shpëtojnë njëherë e mirë nga vdekja. Megjithatë, Krijuesi i njeriut, Perëndia Jehova, ka bërë të mundur shpëtimin.