Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Pse të lutemi në emër të Jezuit?

Pse të lutemi në emër të Jezuit?

JEZUI i mësonte shpesh të tjerët si të luteshin. Në kohën e tij udhëheqësit fetarë judenj luteshin «nëpër qoshet e udhëve të gjera». Pse? ‘Që të dukeshin.’ Ishte e qartë se donin t’i admironin si fetarë të mëdhenj. Mjaft prej tyre bënin lutje të gjata e të përsëritura, sepse mendonin se duheshin ‘përdorur shumë fjalë’ që lutja të dëgjohej. (Mateu 6:5-8) Jezui i demaskoi këto zakone si të kota, dhe kështu i ndihmoi njerëzit e sinqertë të kuptonin se çfarë duhej të shmangnin kur të luteshin. Megjithatë, ai nuk tregoi vetëm si nuk duhet të lutemi.

Jezui mësoi se lutjet duhet të shprehin dëshirën tonë që të shenjtërohet emri i Perëndisë, të vijë Mbretëria e Tij dhe të bëhet vullneti i Tij. Gjithashtu, ai mësoi se është e përshtatshme t’i kërkojmë ndihmë Perëndisë për çështjet personale. (Mateu 6:9-13; Luka 11:2-4) Me anë të ilustrimeve, Jezui tregoi se duhet këmbëngulje, besim e përulësi që lutjet të na dëgjohen. (Luka 11:5-13; 18:1-14) Dhe i përforcoi mësimet e tij nëpërmjet shembullit të vet.Mateu 14:23; Marku 1:35.

Pa dyshim këto mësime i ndihmuan dishepujt të bënin lutje më domethënëse. Mirëpo, Jezui priti deri natën e tij të fundit në tokë që t’u mësonte dishepujve gjënë më të rëndësishme për lutjen.

 «Një pikë kthese në historinë e lutjes»

Jezui e kaloi pjesën më të madhe të natës së tij të fundit duke i inkurajuar apostujt besnikë. Ky ishte momenti i duhur për të zbuluar diçka të re. «Unë jam udha, e vërteta dhe jeta,—tha Jezui.—Askush nuk vjen tek Ati, përveçse nëpërmjet meje.» Më vonë u bëri këtë premtim inkurajues: «Çfarëdo që të kërkoni në emrin tim, unë do ta bëj, që Ati të marrë lavdi në lidhje me Birin. Nëse kërkoni ndonjë gjë në emrin tim, unë do ta bëj.» Në fund të bisedës ai tha: «Deri tani nuk keni kërkuar as edhe një gjë të vetme në emrin tim. Kërkoni dhe do të merrni, që gëzimi juaj të bëhet i plotë.»Gjoni 14:6, 13, 14; 16:24.

Këto fjalë ishin mjaft të rëndësishme. Një vepër referimi e përshkruan këtë si «një pikë kthese në historinë e lutjes». Jezui nuk kishte ndër mend të thoshte se lutjet duhej t’i drejtoheshin atij, e jo Perëndisë. Përkundrazi, ai po u zbulonte dishepujve një udhë të re për t’iu afruar Perëndisë Jehova.

Sigurisht, Perëndia i ka dëgjuar gjithnjë lutjet e shërbëtorëve të tij besnikë. (1 Samuelit 1:9-19; Psalmi 65:2) Por, që kur Perëndia bëri besëlidhje me Izraelin, ata që donin t’u dëgjoheshin lutjet, duhej të pranonin se Izraeli ishte kombi i zgjedhur i Perëndisë. E, më vonë, që nga koha e Solomonit, duhej ta pranonin tempullin si vendin e zgjedhur nga Perëndia për të bërë flijime. (Ligji i përtërirë 9:29; 2 Kronikave 6:32, 33) Megjithatë, kjo mënyrë adhurimi ishte e përkohshme. Siç shkroi apostulli Pavël, Ligji që iu dha Izraelit dhe flijimet që paraqiteshin në tempull, ishin ‘një hije e gjërave të mira që do të vinin, por jo vetë thelbi i gjërave’. (Hebrenjve 10:1, 2) Por hija do të bëhej realitet. (Kolosianëve 2:17) Që prej vitit 33 të e.s., marrëdhënia e njerëzve me Jehovain nuk varet më nga bindja ndaj Ligjit të Moisiut. Përkundrazi, ajo bazohet te bindja ndaj atij të cilit i referohej Ligji—Krishtit Jezu.Gjoni 15:14-16; Galatasve 3:24, 25.

Një emër ‘mbi çdo emër’ tjetër

Jezui vendosi një bazë më të mirë për t’iu afruar Jehovait. Ai e paraqiti veten si një mik të fuqishëm, falë të cilit lutjet tona mund të dëgjohen nga Perëndia e të marrin përgjigje. Pse Jezui është në gjendje ta bëjë këtë gjë për ne?

Meqë të gjithë kemi lindur në mëkat, asnjë vepër që mund të bëjmë ose asnjë flijim që mund të paraqitim nuk mund të na pastrojë   nga kjo njollë dhe as nuk mund të na japë të drejtën për të pasur një marrëdhënie me Perëndinë tonë të shenjtë, Jehovain. (Romakëve 3:20, 24; Hebrenjve 1:3, 4) Por Jezui dha jetën e tij të përsosur njerëzore dhe shleu mëkatet e njerëzve që mund të pajtoheshin me Perëndinë. (Romakëve 5:12, 18, 19) Tani, të gjithë ata që duan të pastrohen nga mëkatet, kanë mundësinë të arrijnë një qëndrim të pastër para Jehovait dhe të gëzojnë «lirshmëri në të folur» para Perëndisë, por vetëm nëse tregojnë besim te flijimi i Jezuit dhe luten në emër të tij.Efesianëve 3:11, 12.

Kur lutemi në emër të Jezuit, tregojmë besim në të paktën tri aspekte të rolit të tij në përmbushjen e qëllimit të Perëndisë: (1) Ai është «Qengji i Perëndisë», flijimi i të cilit siguron një bazë për faljen e mëkatit. (2) Atë e ringjalli Jehovai dhe tani shërben si «kryeprift» për të vënë në zbatim dobitë e shpërblesës. (3) Vetëm ai është «udha» për t’iu afruar Jehovait me anë të lutjes.Gjoni 1:29; 14:6; Hebrenjve 4:14, 15.

Kur lutemi në emër të Jezuit, e nderojmë atë. Ky nderim është me vend, sepse vullneti i Jehovait është që «në emër të Jezuit, të përkulet çdo gju . . . dhe çdo gjuhë të pranojë hapur se Jezu Krishti është Zotëri në lavdi të Perëndisë, Atit». (Filipianëve 2:10, 11) Por ajo që është më e rëndësishme, kur lutemi në emër të Jezuit, i japim lavdi Jehovait, i cili dha Birin e vet për ne.Gjoni 3:16.

Duhet të lutemi me «gjithë zemër», e jo mekanikisht

Që të kuptojmë domethënien e pozitës së Jezuit, Bibla përdor tituj dhe emra të ndryshëm për ta përshkruar. Këta na ndihmojnë të kuptojmë dobitë e shumta që vijnë falë asaj që Jezui ka bërë, po bën dhe do të bëjë ende për ne. (Shih kutinë « Roli jetësor i Jezuit».) Po, Jezuit i është dhënë ‘emri që është mbi çdo emër’ tjetër. * Atij i është dhënë çdo autoritet në qiell e në tokë.Filipianëve 2:9; Mateu 28:18.

Jo thjesht një zakon

Vërtet, nëse duam që Jehovai të na i dëgjojë lutjet, duhet të lutemi në emër të Jezuit.  (Gjoni 14:13, 14) Por asnjëherë nuk duam të përsëritim frazën «në emër të Jezuit» thjesht si zakon. Pse?

Të shqyrtojmë një ilustrim. Kur merrni një letër nga një biznesmen, ndoshta ajo përfundon me frazën e zakonshme «me respekt». A mendoni se kjo frazë është një shprehje e sinqertë e ndjenjave të biznesmenit apo ai thjesht po përdor fjalë standarde? Në të vërtetë përdorimi i emrit të Jezuit në lutjet tona duhet të ketë më shumë kuptim sesa fjalët formale që mbyllin një letër biznesi. Megjithëse duhet ‘të lutemi pa pushim’, këtë duhet ta bëjmë me «gjithë zemër», e jo mekanikisht.1 Selanikasve 5:17; Psalmi 119:145.

Çfarë mund të bëni që të mos e përdorni sa për të thënë frazën «në emër të Jezuit»? Pse të mos meditoni për cilësitë e Jezuit që të ngrohin zemrën? Mendoni për atë që ka bërë dhe është i gatshëm të bëjë për ju. Në lutje falënderojeni Jehovain dhe lëvdojeni për gjërat e mrekullueshme që ka bërë nëpërmjet Birit të tij. Ndërsa veproni kështu, do të ndiheni edhe më të sigurt për premtimin e Jezuit: «Po t’i kërkoni Atit ndonjë gjë, ai do t’jua japë në emrin tim.»Gjoni 16:23.

^ par. 14 Sipas një fjalori biblik, fjala greke e përkthyer «emër», mund t’i referohet «gjithçkaje që nënkupton një emër, domethënë, autoritetit, karakterit, rangut, madhështisë, fuqisë [dhe] shkëlqesisë».Expository Dictionary of New Testament Words, nga Vajni.