Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Pse i lejon Perëndia vuajtjet?

Pse i lejon Perëndia vuajtjet?

  Lexuesit pyesin

Pse i lejon Perëndia vuajtjet?

Perëndia nuk është shkaktari i vuajtjeve të njerëzve. Bibla thotë: «Larg qoftë që Perëndia i vërtetë të veprojë me ligësi!» (Jobi 34:10) Po atëherë, kush është shkaktari kryesor i mjerimeve?

Jezui e quajti Satanain ‘sundimtar të botës’. (Gjoni 14:30) Po, Jehovai është Sovrani i universit. Ai nuk do të heqë dorë kurrë nga kjo pozitë. Gjithsesi, për njëfarë kohe, Perëndia e ka lejuar Satanain të sundojë mbi pjesën dërrmuese të njerëzimit.1 Gjonit 5:19.

Ç’lloj sundimtari ka qenë Satanai? Që kur hyri për herë të parë në marrëdhënie me njerëzit, Satanai ka qenë një vrasës dhe një mashtrues. Ai bën kërdinë në shoqërinë njerëzore. Jezui e akuzoi me këto fjalë: «Ai ishte vrasës që nga fillimi dhe nuk qëndroi i vendosur në të vërtetën, sepse e vërteta nuk është në të. Kur thotë gënjeshtra, i thotë se ashtu e ka natyrën, sepse ai është gënjeshtar dhe ati i gënjeshtrës.» (Gjoni 8:44) Jezui tha edhe se njerëzit që donin ta vrisnin, ishin fëmijë të vrasësit të parë. Ata u bënë fëmijë të tij ngaqë vepruan si ai. Siç thotë shprehja: «Bëmë baba, të të ngjaj.»

Edhe sot e kësaj dite Satanai ndikon në zemrat e njerëzve dhe ushqen qëndrime vrastare. Për shembull, sipas R. J. Rumelit, Profesor nderi i Universitetit të Havait, SHBA, nga viti 1900 deri në vitin 1987, qeveri të ndryshme vranë 169.198.000 veta gjatë spastrimeve politike, gjenocideve dhe akteve të dhunës së shfrenuar. Këtyre viktimave u shtohen dhjetëra milionë të vrarë në fushën e betejës, gjatë së njëjtës periudhë.

Nëse Perëndia nuk i shkakton vuajtjet, atëherë pse i lejon? Sepse shumë kohë më parë u ngritën disa çështje morale me rëndësi universale që ende nuk janë zgjidhur. Le të ndalemi vetëm te njëra prej tyre.

Në agim të historisë njerëzore, Adami dhe Eva morën anën e Satanait. Ata hodhën poshtë sundimin e Perëndisë dhe vendosën të sundonin vetë të pavarur, që në të vërtetë do të thoshte se mbi ta do të sundonte Djalli.Zanafilla 3:1-6; Zbulesa 12:9.

Standardi i Jehovait për drejtësinë kërkonte të lihej kohë që të mblidheshin prova. Cili është përfundimi i pamohueshëm? Sundimi i njeriut nën ndikimin e Satanait sjell veç vuajtje. Vërtet, fakti që Perëndia ka lejuar kohë, përfundimisht ka dalë në të mirë të njeriut. Përse? Kush i shqyrton provat dhe i beson, ka mundësi të tregojë se dëshiron të drejtohet nga Perëndia. Veç kësaj, kush mëson normat e Jehovait dhe i ndjek ato, ka perspektivën të jetojë përgjithmonë.Gjoni 17:3; 1 Gjonit 2:17.

Sot për sot Satanai e ka mbërthyer botën në darën e ligësisë. Por jo dhe për shumë kohë. Së shpejti, me anë të Birit të tij, Jehovai ‘do të zhbëjë veprat e Djallit’. (1 Gjonit 3:8) Nën drejtimin e Perëndisë, Jezui do të shërojë zemrat e vrara dhe do të mëkëmbë jetët e rrënuara. Ai do të ringjallë në tokë miliarda njerëz që kanë vuajtur dhe kanë vdekur në rrjedhën e shekujve.Gjoni 11:25.

Ringjallja e Jezuit është një shembull i fitores së Perëndisë mbi veprat e Djallit, një tregues i asaj që i pret njerëzit që zgjedhin sundimin e Perëndisë. (Veprat 17:31) Bibla na e drejton vëmendjen tek e ardhmja me këto fjalë ngushëlluese: «Vetë Perëndia do të jetë me [njerëzit]. Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme shkuan.»Zbulesa 21:3, 4.