Çfarë mësojmë nga Jezui

Për Perëndinë e vërtetë

A ka emër Perëndia?

Jezui mësoi se Perëndia ka emër. Ai tha: «Ju lutuni në këtë mënyrë: ‘Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt.’» (Mateu 6:9) Bibla tregon se Perëndia e ka emrin Jehova. (Psalmi 83:18) Kur iu lut Atit të tij, Jezui tha për dishepujt: «Unë ua kam bërë të njohur emrin tënd.»Gjoni 17:26.

Kush është Jehovai?

Jezui e quajti Jehovain ‘i vetmi Perëndi i vërtetë’, sepse Jehovai është Krijuesi. (Gjoni 17:3) Jezui tha: «A nuk e keni lexuar se ai që i krijoi që nga fillimi, i bëri ata mashkull dhe femër?» (Mateu 19:4) Gjithashtu, ai tha: «Perëndia është Frymë.» (Gjoni 4:24) Prandaj nuk mund ta shohim Perëndinë.Dalja 33:17-20.

 Çfarë kërkon Perëndia prej nesh?

Kur dikush e pyeti Jezuin se cili ishte urdhërimi më i madh, ai iu përgjigj: «I pari është: ‘Dëgjo, o Izrael, Jehovai, Perëndia ynë, është një Jehova, dhe duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde dhe me gjithë forcën tënde.’ I dyti është: ‘Duaje të afërmin tënd si veten.’»Marku 12:28-31.

Si ta tregojmë dashurinë për Perëndinë?

Jezui tha: «Unë e dua Atin.» Si e tregoi këtë dashuri? Ai tha: «Ashtu si Ati më ka urdhëruar të bëj, kështu po bëj.» (Gjoni 14:31) Veç kësaj tha: «Bëj gjithmonë gjërat që i pëlqejnë atij.» (Gjoni 8:29) Mund ta gëzojmë Perëndinë duke mësuar për të. Ndërsa lutej për dishepujt e tij, Jezui tha: «Që të marrin jetën e përhershme, duhet të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë.»Gjoni 17:3; 1 Timoteut 2:4.

Si mund të mësojmë për Perëndinë?

Një mënyrë se si ta njohim Perëndinë, është duke vëzhguar veprat e duarve të tij. Për shembull, Jezui tha: «Vështroni me kujdes zogjtë e qiellit: ata nuk mbjellin, nuk korrin dhe nuk mbledhin në depo, e megjithatë Ati juaj qiellor i ushqen. A nuk vleni ju më shumë se ata?» Ç’donte të na mësonte Jezui? Nuk duhet ta lejojmë ankthin për gjërat e nevojshme të jetës të na pengojë t’i shërbejmë Perëndisë.Mateu 6:26-33.

Mënyra më e mirë për të njohur Jehovain është të studiojmë Fjalën e tij, Biblën. Jezui i quajti Shkrimet ‘fjala e Perëndisë’. (Luka 8:21) Ai i tha Perëndisë: «Fjala jote është e vërteta.»Gjoni 17:17; 2 Pjetrit 1:20, 21.

Jezui i ndihmoi njerëzit të mësonin të vërtetën për Jehovain. Njëri nga dishepujt tha për Jezuin: «A nuk na digjej zemra kur ai na fliste rrugës dhe na i zbërthente plotësisht Shkrimet?!» (Luka 24:32) Që të njohim Perëndinë, duhet të jemi të përulur, të gatshëm për të mësuar. Jezui tha: «Po të mos ktheheni e të bëheni si fëmijë të vegjël, nuk do të hyni kurrë në mbretërinë e qiejve.»Mateu 18:3.

Pse njohuria e Perëndisë sjell lumturi?

Perëndia na plotëson nevojën që të kuptojmë qëllimin e jetës. Jezui tha: «Lum ata që janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë.» (Mateu 5:3) Jehovai na mëson si ta jetojmë sa më mirë jetën. «Lum ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e zbatojnë!»—tha Jezui.Luka 11:28; Isainë 11:9.

Për më shumë informacion, shih kapitullin 1 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla? *

[Shënimi]

^ par. 17 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Figura në faqen 16]

«Unë ua kam bërë të njohur emrin tënd.»Gjoni 17:26

[Figurat në faqet 16, 17]

Mund të mësojmë për Jehovain nga krijimi dhe nga Bibla