Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Cili është qëllimi i jetës?

Cili është qëllimi i jetës?

 Cili është qëllimi i jetës?

PSE KA RËNDËSI PËRGJIGJJA? Pak gjëra e shqetësojnë më shumë njeriun sesa ideja se jeta nuk ka as kuptim dhe as qëllim. Nga ana tjetër, një njeri që ka qëllim të qartë në jetë është i paepur përballë vështirësive. Viktor E. Frankli, neurolog dhe një i mbijetuar i Holokaustit, shkroi: «Guxoj të them se asgjë në botë s’mund ta ndihmojë më shumë njeriun të mbijetojë edhe në kushtet më të rënda, sesa dijenia se jeta e tij ka kuptim.»

Sidoqoftë, ka një mori opinionesh kontradiktore rreth kësaj çështjeje. Shumë mendojnë se njeriu e ka në dorë vetë të vendosë qëllimin e jetës. Në krahun tjetër disa që besojnë tek evolucioni, thonë se jeta në thelb nuk ka ndonjë kuptim.

Gjithsesi, rruga më logjike për të zbuluar qëllimin e jetës është t’i drejtohemi Jetëdhënësit, Perëndisë Jehova. Vër re se çfarë thotë Fjala e tij për këtë temë.

Çfarë thotë Bibla?

Bibla tregon se Perëndia Jehova kishte një qëllim të përcaktuar për burrin dhe gruan kur i krijoi. Jehovai u dha këtë urdhër prindërve tanë të parë.

Zanafilla 1:28. «Jini të frytshëm, shumohuni dhe mbusheni tokën e sundojeni, mbani të nënshtruar peshqit e detit, krijesat fluturuese të qiejve dhe çdo krijesë të gjallë që lëviz në tokë.»

Qëllimi i Perëndisë ishte që Adami, Eva dhe fëmijët e tyre ta kthenin mbarë tokën në parajsë. Nuk kishte ndër mend që njerëzit të plakeshin e të vdisnin dhe as nuk donte që ata të dëmtonin mjedisin. Mirëpo, si pasojë e zgjedhjes së gabuar të prindërve tanë të parë kemi trashëguar mëkatin dhe vdekjen. (Zanafilla 3:2-6; Romakëve 5:12) Prapëseprapë qëllimi i Jehovait nuk ka ndryshuar. Së shpejti toka do të bëhet parajsë.—Isaia 55:10, 11.

Jehovai na krijoi edhe me aftësitë fizike, edhe me ato intelektuale për të përmbushur qëllimin e tij. Ai nuk na bëri për të jetuar të pavarur prej tij. Shiko se si vargjet vijuese të Biblës nxjerrin në pah qëllimin e Perëndisë për ne.

Eklisiastiu 12:13. «Përfundimi i çështjes, pasi është dëgjuar çdo gjë, është: frikësoju Perëndisë së vërtetë dhe përmbushi urdhërimet e tij. Sepse ky është tërë detyrimi i njeriut.»

Mikea 6:8. «Çfarë kërkon në këmbim Jehovai nga ti, veçse të tregosh drejtësi, të duash mirëdashjen dhe të jesh modest ndërsa ecën me Perëndinë tënd?»

Mateu 22:37-39. «‘Duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.’ Ky është urdhërimi i parë dhe më i madhi. I dyti, i ngjashëm me këtë, është: ‘Duaje të afërmin tënd si veten.’»

Si na sjell paqe të brendshme përgjigjja e Biblës?

Që të punojë mirë, çdo pajisje e ndërlikuar duhet përdorur për atë qëllim dhe në atë mënyrë që kishte ndër mend ai që e bëri. Po kështu, që të mos e dëmtojmë veten—nga ana shpirtërore, mendore, emocionale ose fizike —duhet ta jetojmë jetën në mënyrën që kishte ndër mend Bërësi ynë. Mendo se si njohuria për qëllimin e Perëndisë mund të na sjellë paqe të brendshme në këto fusha të jetës:

Kur përcaktojnë se cilat janë gjërat më të rëndësishme, shumë veta ia kushtojnë jetën e tyre pasurive. Mirëpo Bibla paralajmëron se «ata që janë të vendosur të pasurohen, bien në tundim, në lak dhe në shumë dëshira të pamenda e të dëmshme».—1 Timoteut 6:9, 10.

Nga ana tjetër ata që mësojnë të duan Perëndinë në vend të parasë, zbulojnë sekretin si të jenë të kënaqur në jetë. (1 Timoteut 6:7, 8) Kuptojnë vlerën e punës së palodhur dhe e dinë se kanë përgjegjësinë të sigurojnë nevojat e veta. (Efesianëve 4:28) Por marrin seriozisht edhe paralajmërimin e Jezuit: «Askush s’mund të jetë skllav i dy zotërinjve: ose do të urrejë njërin e do të dojë tjetrin, ose do të ngjitet pas njërit e do të përbuzë tjetrin. Ju s’mund të jeni skllevër edhe të Perëndisë, edhe të Pasurisë.»—Mateu 6:24.

Prandaj, për ata që duan Perëndinë, vendin e parë në jetë nuk e zë puna ose rendja pas pasurisë, por meraku kryesor është të bëjnë vullnetin e Tij. Ata e dinë se po ta kenë vullnetin e Perëndisë si boshtin e jetës, Perëndia Jehova do të kujdeset për ta. Jehovai e sheh si çështje besnikërie ta përmbushë këtë detyrim.—Mateu 6:25-33.

Në marrëdhënie me të tjerët, shumë veta vënë në radhë të parë interesin e tyre. Sot në botë nuk ka paqe, dhe kjo vjen kryesisht ngaqë mjaft njerëz janë bërë «të dashuruar me veten, . . . pa përzemërsi të natyrshme». (2 Timoteut 3:2, 3) Kur dikush i zhgënjen ose nuk është në një mendje me ta, shfryjnë tërë «zemërim, furi, të bërtitur dhe sharje». (Efesianëve 4:31) Kjo mungesë vetëkontrolli nuk u sjell aspak paqe të brendshme, por vetëm sa «ndez grindje».—Proverbat 15:18.

Krejt e kundërta, ata që i binden urdhrit të Perëndisë për t’i dashur të tjerët si veten, janë ‘mirëdashës me njëri-tjetrin, zemërdhembshur, dhe e falin njëri-tjetrin bujarisht’. (Efesianëve 4:32; Kolosianëve 3:13) Edhe kur të tjerët nuk i trajtojnë mirë, ata përpiqen të imitojnë Jezuin, i cili kur e shanin, «nuk e kthente sharjen». (1 Pjetrit 2:23) Ashtu si Jezui, ata e kuptojnë se njeriu ndien kënaqësi të vërtetë kur u shërben të tjerëve, madje edhe atyre që ndoshta nuk e çmojnë të mirën që u bëhet. (Mateu 20:25-28; Gjoni 13:14, 15; Veprat 20:35) Perëndia Jehova u jep frymën e vet njerëzve që imitojnë Birin e tij, dhe kjo frymë u sjell në jetë një ndjenjë paqeje të vërtetë.—Galatasve 5:22.

Por si mund të ndikojë në paqen e brendshme mënyra si e sheh të ardhmen?

[Diçitura në faqen 6]

Njeriu ka nevojë për një qëllim të qartë në jetë

[Figura në faqen 7]

Jezui na mëson si të gjejmë paqe të brendshme