Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

A e dini?

A e dini?

 A e dini?

Sa ujë mbante deti prej metali të derdhur në tempullin e Solomonit?

Tregimi te 1 Mbretërve 7:26 thotë se deti mbante «dy mijë bato ujë» që përdorej nga priftërinjtë. Kurse tregimi paralel te 2 Kronikave 4:5 tregon se ai mbante «tre mijë bato ujë». Kjo ka bërë që disa të thonë se mospërputhja erdhi nga gabimi i një skribi teksa kopjonte librin e Kronikave.

Megjithatë, Përkthimi Bota e Re na ndihmon të kuptojmë pse të dyja shkrimet janë të sakta. Te 1 Mbretërve 7:26 lexojmë: «Deti mbante dy mijë bato ujë.» Por, vëreni se te 2 Kronikave 4:5 thuhet: «Deti mund të mbante tre mijë bato ujë.» Pra, 2 Kronikave 4:5 tregon kapacitetin e plotë të legenit të tempullit, domethënë sa mund të mbante, kurse 1 Mbretërve 7:26 tregon sasinë e ujit që hidhej zakonisht në legenin e tempullit. Me fjalë të tjera, ai nuk mbushej asnjëherë gjer në buzë. Me sa duket, zakonisht mbushnin vetëm dy të tretat e tij.

Përse Jezui dhe Pjetri e paguan taksën e tempullit vetëm me një monedhë?

Në kohën e Jezuit, çdo mashkull izraelit që i kishte mbushur të 20-at, duhej të paguante çdo vit taksën e tempullit prej dy drahmash ose një didrahmë. Kjo ishte afërsisht sa rroga e dy ditëve. Kur u ngrit një çështje për pagimin e kësaj takse, Jezui e udhëzoi Pjetrin: «Shko në det, hidh grepin dhe, peshkut të parë që do të kapësh, hapi gojën e do t’i gjesh një monedhë statere. Merre dhe jepua për mua e për vete.»—Mateu 17:24-27.

Shumë studiues mendojnë se monedha e staterës që përmendet në këtë shkrim ishte tetradrahma. Kjo ishte sa katër drahma ose e barabartë me vlerën e taksës së tempullit për dy veta. Tetradrahma përdorej shumë më tepër dhe gjendej më kollaj se didrahma. Një fjalor, The New Bible Dictionary, komenton: «Me sa duket, izraelitët shpesh bëheshin dy veta bashkë që të paguanin taksën e Tempullit.»

Veç kësaj, kush donte ta paguante taksën vetëm për një njeri duhej të paguante një tarifë për këmbimin ose thyerjen e parave. Kjo kuotë mund të ishte 8 për qind e vlerës. Kurse ata që e jepnin taksën për dy veta nuk e paguanin këtë tarifë. Pra, edhe në këtë hollësi, tregimi i Mateut përputhet me atë që dimë sot për zakonet e kohës së Jezuit.

[Figura në faqen 15]

Tetradrahmë e zmadhuar