Çfarë do të sjellë e ardhmja?

PSE KA RËNDËSI PËRGJIGJJA? Mënyra si e shohim të nesërmen ndikon në mënyrën si veprojmë sot. Për shembull, ata që nuk kanë dhe aq shpresë për të ardhmen përvetësojnë pikëpamjen: «Le të hamë e të pimë, se nesër do të vdesim.» (1 Korintasve 15:32) Ky qëndrim shpesh bën që ta teprojnë me të ngrëna e të pira dhe të jenë në ankth, e nuk sjell aspak paqe të brendshme.

Kuptohet, sikur e ardhmja të ishte vetëm në dorë të njeriut, perspektiva jonë do të ishte e zymtë. Ajri, uji dhe toka po ndoten si kurrë më parë. Rreziku i luftës bërthamore dhe i sulmeve terroriste sa vjen e rritet. Sëmundjet dhe varfëria kanë mbërthyer miliarda njerëz në mbarë botën. Prapëseprapë ka arsye të forta për të pasur shpresë.

Ndërkohë që njerëzit nuk mund ta parashikojnë me saktësi të ardhmen, Perëndia Jehova tregon se është «Ai që thotë përfundimin qysh në fillim dhe që prej shumë kohësh gjërat që ende nuk kanë ndodhur». (Isaia 46:10) Çfarë thotë Jehovai për atë që presim në të ardhmen?

Çfarë thotë Bibla?

Jehovai nuk do të lejojë që toka ose jeta në të, të dëmtohen aq sa nuk mund të ripërtërihen më. Në fakt Bibla premton se Perëndia ‘do të rrënojë ata që rrënojnë tokën’. (Zbulesa 11:18) Me anë të Mbretërisë ose qeverisë së tij qiellore, Jehovai do të fshijë nga toka ligësinë dhe do të sjellë ato kushte që kishte si qëllim. (Zanafilla 1:26-31; 2:8, 9; Mateu 6:9, 10) Vargjet e mëposhtme biblike janë si një dritare që sheh nga e ardhmja, pasi përshkruajnë ngjarje që së shpejti do të ndikojnë te çdo individ në tokë.

Psalmi 46:8, 9. «Ejani dhe shihni veprat e Jehovait, se si ka bërë të ndodhin ngjarje befasuese në tokë. Ai i pushon luftërat deri në skaj të dheut; thyen harkun dhe e bën copë-copë heshtën; karrocat i djeg në zjarr.»

Isaia 35:5, 6. «Në atë kohë do të hapen sytë e të verbërve dhe veshët e të shurdhërve. I çali do t’i ngjitë të përpjetat si një dre dhe gjuha e memecit do të lëshojë britma hareje. Në shkretëtirë do të vërshojnë ujërat dhe në rrafshinën e shkretë përrenjtë.»

Isaia 65:21, 22. «Ata do të ndërtojnë shtëpi e do të banojnë në to, do të mbjellin vreshta e   do të hanë frytin e tyre. Nuk do të ndërtojnë që të banojë një tjetër dhe nuk do të mbjellin që të hajë një tjetër.»

Danieli 2:44. «Perëndia i qiellit do të vendosë një mbretëri që nuk do të shkatërrohet kurrë. Kjo mbretëri nuk do t’i kalojë asnjë populli tjetër. Ajo do të thërrmojë dhe do t’u japë fund të gjitha këtyre mbretërive, dhe vetë do të qëndrojë përgjithmonë.»

Gjoni 5:28, 29. «Po vjen ora, kur të gjithë ata që janë në varre, do ta dëgjojnë zërin e [Jezuit] dhe do të dalin.»

Zbulesa 21:3, 4. «Vetë Perëndia do të jetë me ta. Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme shkuan.»

Si na sjell paqe të brendshme përgjigjja e Biblës?

Në pamje të parë tabloja e mësipërme mund të duket tepër e bukur për të qenë e vërtetë. Por këto premtime i bën Perëndia, jo njeriu. E Perëndia Jehova «nuk mund të gënjejë».—Titit 1:2.

Nëse mëson të besosh te premtimet e Perëndisë dhe të jetosh sipas ligjeve të tij, do ta ruash paqen e brendshme edhe në rrethanat më të rënda. As lufta, varfëria, sëmundjet, madje as vështirësitë e pleqërisë ose afrimi i vdekjes, nuk do të ta grabitin krejt paqen. Pse? Sepse do të jesh i bindur se Mbretëria e Perëndisë do të zhdukë çdo gjurmë që kanë lënë pas këto të zeza.

Si mund ta fitosh këtë shpresë për të ardhmen? Duhet ‘të përtërish mendjen’ dhe të vërtetosh se cili është «vullneti i mirë, i pranueshëm e i përsosur i Perëndisë». (Romakëve 12:2) Mbase ke nevojë për më tepër prova që tregojnë se premtimet e Biblës janë të besueshme. Ia vlen të bësh një shqyrtim të tillë. Pak gjëra në jetë do të të sjellin kaq shumë paqe të brendshme.

[Figurat në faqet 8, 9]

Çfarë thotë Fjala e Perëndisë për të ardhmen?

Isaia 35:5

Isaia 35:6

Gjoni 5:28, 29