Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Jehovai është Perëndia i dashurisë

Jehovai është Perëndia i dashurisë

«Perëndia është dashuri.»1 GJON. 4:8, 16.

KËNGËT: 18, 91

1. Cila është cilësia mbizotëruese e Perëndisë, dhe si ndikon kjo te ndjenjat e tua për Të?

FJALA e frymëzuar e Jehovait, Bibla, tregon se «Perëndia është dashuri». Ajo nuk thotë thjesht se dashuria është një nga cilësitë e shumta të admirueshme që ka ai, por se «Perëndia është dashuri». (1 Gjon. 4:8) Kjo është cilësia e tij mbizotëruese, më e rëndësishmja. Jehovai jo vetëm që ka dashuri, por është personifikimi i saj. Sa bukur të dish se Krijuesi i universit dhe i tërë gjallesave është Perëndi i dashurisë! Gjithçka që bën, udhëhiqet nga kjo cilësi.

2. Për çfarë na siguron dashuria e Perëndisë? (Shih figurën hapëse.)

2 Përzemërsia e ngrohtë dhe dhembshuria që ka Perëndia për krijesat e veta na siguron se të gjitha qëllimet e tij për familjen njerëzore do të plotësohen në mënyrën më të mirë dhe do t’u sjellin dobinë më të madhe atyre që pranojnë autoritetin e tij. Për shembull, i shtyrë nga dashuria, Jehovai «ka caktuar një ditë, kur ka si qëllim të gjykojë me drejtësi tokën e banuar nëpërmjet një njeriu që ka emëruar», Jezu Krishtit. (Vep. 17:31) S’kemi pikë dyshimi se kështu do të ndodhë. Gjykimi  i favorshëm që do të marrin njerëzit e bindur e me zemër të drejtë do t’u sjellë një të ardhme plot bekime e cila s’do të marrë fund jetë e mot.

Ç’KA TREGUAR HISTORIA

3. Si mendon se do të ishte jeta sikur Perëndia të mos e donte njerëzimin?

3 Përfytyro pak si do të ishte jeta sikur Perëndia të mos e donte njerëzimin. Mjafton të shohim historinë skandaloze të kësaj bote me qeveritë njerëzore nën ndikimin e perëndisë së saj zemërgur dhe të tërbuar, Satana Djallit. (2 Kor. 4:4; 1 Gjon. 5:19; lexo Zbulesën 12:9, 12.) Kjo tregon sa e tmerrshme do të ishte e ardhmja nëse universi do të funksiononte pa dashurinë e Perëndisë.

4. Pse e lejoi Jehovai rebelimin kundër qeverisjes së tij të drejtë?

4 Kur Djalli u rebelua kundër autoritetit të Jehovait, e shtyu çiftin e parë njerëzor që të bënte si ai. Ai sfidoi faktin se Perëndia ka të drejtën të jetë Sovrani i universit dhe se e ushtron me drejtësi sovranitetin e tij. Me fjalë të tjera, Satanai pretendoi se qeverisja e tij do të ishte më e mirë se ajo e Krijuesit. (Zan. 3:1-5) Jehovai e lejoi Satanain të përpiqej të provonte nëse kishte të drejtë në këtë çështje, por vetëm përkohësisht. Me mençurinë e tij të madhe, Jehovai ka lejuar të kalojë aq kohë sa të duket sheshit sa e mangët është çdo qeverisje tjetër përveç së tijës. E kaluara e mjerueshme e njerëzimit tregon se as njerëzit, as Satanai nuk mund të na sigurojnë atë që na nevojitet nga një qeveri e mirë.

5. Çfarë tregon qartë historia e njerëzimit?

5 Vetëm në 100 vitet e fundit, janë vrarë mbi 100 milionë veta në luftërat e kombeve. Sot bota po katandiset gjithnjë e më keq. Ka ndodhur tamam siç kishte parathënë Fjala e Perëndisë për «ditët e fundit» të këtij sistemi, kur ‘njerëzit e ligj dhe mashtrues do të shkonin keq e më keq’. (2 Tim. 3:1, 13) Provat që jep historia nuk lënë fije dyshimi se janë të vërteta këto fjalë të Biblës: «Unë e di mirë, o Jehova, se nuk i përket njeriut udha e tij. Njeriut që ecën, nuk i takon as të drejtojë hapat e vet.» (Jer. 10:23) Jo, Jehovai nuk i krijoi njerëzit as me të drejtën, as me aftësinë që t’i drejtojnë punët e tyre të pavarur nga ai.

6. Cili qëllim arrihet ngaqë Perëndia e ka lejuar përkohësisht ligësinë?

6 Pra, duke e lejuar përkohësisht ligësinë, Perëndia ka treguar sa i kotë është sundimi njerëzor. Por kjo i shërben edhe një qëllimi afatgjatë: dëshmon një herë e përgjithmonë se vetëm qeverisja e Perëndisë mund të ketë sukses. Nëse ndokush do ta sfidojë prapë mënyrën e dashur si qeveris Ai pasi të ketë zhdukur ligësinë dhe ata që e shkaktojnë, Jehovai s’do të ketë pse ta lejojë këtë sfidë ose padi. Mund ta përdorë historinë njerëzore si bazë të drejtë për t’i asgjësuar në çast rebelë të tillë, pa i lejuar ta futin sërish ligësinë në botë.

SHPREHJE TË DASHURISË SË JEHOVAIT

7, 8. Cilat janë disa nga mënyrat e shumta si e ka shprehur Jehovai dashurinë e tij të madhe?

7 Jehovai e ka shprehur në shumë mënyra dashurinë e tij të madhe. Të mendojmë për shembull për madhështinë e universit. Ka me miliarda galaktika, e secila përmban miliarda yje e planetë. Në galaktikën tonë, Udha e Qumështit, njëri nga yjet është dielli ynë, pa të cilin nuk do të ekzistonin gjithë këto forma të larmishme jete në tokë. Tërë ky krijim dëshmon se Jehovai është vërtet Perëndi dhe flet për cilësitë e tij, si fuqia,  mençuria dhe dashuria. Vërtet, «cilësitë e tij të padukshme, madje edhe fuqia e tij e përjetshme dhe Hyjnia e tij, shihen qartë që nga krijimi i botës, pasi dallohen nga gjërat e bëra».Rom. 1:20.

8 Në tokë, Jehovai e krijoi gjithçka për të mirën e krijesave të tij që i bëri enkas për të jetuar këtu. Njerëzve u bëri një kopsht të bukur parajsor e u dha një mendje të përsosur dhe një trup që kishte potencialin të jetonte përgjithmonë. (Lexo Zbulesën 4:11.) Veç kësaj, ai «i jep ushqim çdo krijese, sepse dashamirësia e tij zgjat përjetë».Psal. 136:25.

9. Veç dashurisë, çfarë ndien hera-herës Jehovai, dhe pse?

9 Ndërkohë që tregon se është Perëndia i dashurisë, Jehovai shpreh edhe urrejtje për të keqen. Për shembull, Psalmi 5:4-6 thotë për Jehovain: «Ti nuk je një Perëndi që pëlqen ligësinë. . . . Ti i urren të gjithë ata që merren me të këqija.» Pastaj shton: «Jehovai ndien neveri për atë që derdh gjak dhe mashtron.»

SË SHPEJTI, FUNDI I LIGËSISË

10, 11. (a) Si do të veprojë Jehovai me të ligjtë? (b) Si do t’i shpërblejë Jehovai njerëzit e etur për drejtësi?

10 Meqë është Perëndi i dashurisë dhe e urren të keqen, Jehovai ka si qëllim ta fshijë ligësinë nga toka—e nga mbarë universi—kur çështja e qeverisjes të zgjidhet siç i pëlqen atij. Fjala e Perëndisë premton: «Keqbërësit do të shfarosen, kurse ata që shpresojnë te Jehovai, do të trashëgojnë tokën. Edhe pak dhe i ligu nuk do të jetë më. . . . Armiqtë e Jehovait do të jenë si bari dhe lulet që veshin livadhet. Ata do të marrin fund e do të kthehen në tym.»—Psal. 37:9, 10, 20.

11 Nga ana tjetër, në Fjalën e Perëndisë gjejmë edhe këtë premtim: «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.» (Psal. 37:29) Këta të drejtë «do të kënaqen pa masë me paqen e pafund». (Psal. 37:11) Do të ndodhë vërtet kështu, sepse Perëndia ynë i dashur bën gjithmonë atë që është më e mira për besnikët e tij. Bibla thotë: «Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme shkuan.» (Zbul. 21:4) Ç’e ardhme fantastike na pret të gjithëve ne që e çmojmë nga zemra dashurinë e Jehovait dhe i bindemi si Sovrani ynë!

12. Kush mund të quhet ‘i paqortueshëm’?

12 Fjala e Jehovait na thotë: «Vështroje të paqortueshmin dhe mbaji sytë mbi të drejtin, sepse e ardhmja e atij njeriu do të jetë paqësore. Kurse shkelësit do të shfarosen të gjithë njëherësh, dhe të ligjve do t’u shkatërrohet e ardhmja.» (Psal. 37:37, 38) ‘I paqortueshmi’ arrin ta njohë Jehovain dhe Birin e tij, si edhe i bindet nga zemra vullnetit të Perëndisë. (Lexo Gjonin 17:3.) Ai e merr seriozisht atë që thuhet te 1 Gjonit 2:17: «Bota po kalon, e po kështu edhe dëshirat e saj, kurse ai që bën vullnetin e Perëndisë, mbetet përgjithmonë.» Ndërsa kësaj bote po i vjen fundi, është urgjente ‘të shpresojmë te Jehovai dhe të ndjekim udhët e tij’.Psal. 37:34.

AKTI MADHËSHTOR I DASHURISË SË PERËNDISË

13. Cilin akt madhështor dashurie ka kryer Jehovai për mëkatarët?

13 Edhe pse jemi të papërsosur, ne mund ‘t’i ndjekim udhët e Jehovait’. Mund të kemi edhe një marrëdhënie të ngushtë personale me Jehovain falë aktit madhështor të dashurisë së tij. Ai siguroi flijimin shpërblyes të Jezu Krishtit,  duke u hapur rrugën njerëzve të bindur të çlirohen nga mëkati dhe vdekja që trashëguan nga Adami. (Lexo Romakëve 5:12; 6:23.) Jehovai kishte besim të plotë te Biri i tij i vetëmlindur, i cili i kishte qëndruar besnik në qiell për epoka të tëra. Si Atë i dashur, s’do mend që Perëndisë i pikoi në shpirt kur pa sa padrejtësisht e trajtuan Jezuin këtu në tokë. Megjithatë, Jezui mbështeti besnikërisht sovranitetin e Perëndisë dhe tregoi se një njeri i përsosur mund ta mbajë integritetin ndaj Jehovait edhe në rrethanat më të rënda.

Plot dashuri, Perëndia dërgoi në tokë Birin e tij, që erdhi me dëshirë (Shih paragrafin 13.)

14, 15. Çfarë u arrit falë vdekjes së Jezuit?

14 Jezui e ruajti integritetin dhe mbështeti sovranitetin e Jehovait në sprovat më të ashpra dhe vdiq si shërbëtor besnik i Atit të tij. Sa mirënjohës duhet të jemi që Jezui pagoi me vdekjen e tij edhe çmimin e shpërblesës! Falë kësaj, mund ta shpengojë njerëzimin dhe t’i çelë udhën drejt jetës së përhershme në botën e re të premtuar nga Perëndia. Apostulli Pavël tregoi sa i dashur ishte ky akt si nga ana e Jehovait, edhe nga ana e Jezuit, kur tha: «Në të vërtetë, kur ne ishim akoma të dobët, Krishti vdiq në kohën e caktuar për njerëz të paperëndishëm. Vështirë të vdesë dikush për një njeri të drejtë, kurse për një njeri të mirë, mbase dikush edhe guxon të vdesë. Por Perëndia na e shfaq dashurinë e vet në  atë që, kur ishim akoma mëkatarë, Krishti vdiq për ne.» (Rom. 5:6-8) Apostulli Gjon shkroi: «Perëndia e shfaqi dashurinë e tij ndaj nesh, duke dërguar Birin e tij të vetëmlindur në botë, që ne të fitonim jetën nëpërmjet tij. Në këtë qëndron dashuria: jo se ne e deshëm Perëndinë, por se ai na deshi dhe dërgoi Birin e tij si një flijim pajtues për mëkatet tona.»1 Gjon. 4:9, 10.

15 Jezui tha për dashurinë e Perëndisë ndaj njerëzimit: «Perëndia e deshi aq shumë botën [njerëzit që mund të shpengohen], sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.» (Gjoni 3:16) Kaq e madhe është dashuria e Perëndisë për njerëzit, sa nuk u kursen asgjë të mirë, pavarësisht se sa i kushton atij vetë. Dashuria e tij zgjat përgjithmonë. Ajo nuk do të na zhgënjejë kurrën e kurrës. Pavli shkroi: «Jam i bindur që as vdekja, as jeta, as engjëjt, as qeveritë, as gjërat e tanishme, as gjërat që do të vijnë, as fuqitë, as lartësia, as thellësia, as ndonjë krijim tjetër, nuk do të na ndajnë dot nga dashuria e Perëndisë, që është shprehur përmes Krishtit Jezu, Zotërisë tonë.»Rom. 8:38, 39.

TANI MBRETËRIA PO QEVERIS

16. Çfarë është Mbretëria mesianike, dhe kujt ia ka besuar Jehovai qeverisjen e saj?

16 Dashuria e Perëndisë për njerëzimin duket qartë te masa që ka marrë për të formuar Mbretërinë mesianike. Jehovai tashmë e ka lënë këtë qeveri në duart e Birit të tij, i cili e do njerëzimin dhe është i kualifikuar si s’ka më mirë për të qeverisur. (Prov. 8:31) Kur ringjallen, 144.000 bashkëtrashëgimtarët qiellorë të Jezuit mbartin me vete përvojën e jetës si njerëz. (Zbul. 14:1) Mbretëria ishte tema kryesore e mesazhit të Jezuit, dhe ai i mësoi dishepujt të luteshin kështu: «Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë.» (Mat. 6:9, 10) Çfarë bekimesh do të shijojnë njerëzit e bindur kur më në fund të përmbushet kjo lutje!

17. Shpjegoni kontrastin mes qeverisjes së Jezuit dhe asaj të qeveritarëve mëkatarë në tokë.

17 Sa i thellë është kontrasti midis mbretërimit të dashur qiellor të Jezuit dhe qeverisjes së njerëzve që kanë bërë të vriten miliona në luftëra! Jezui merakoset sinqerisht për nënshtetasit e tij dhe pasqyron cilësitë e mrekullueshme të Perëndisë, sidomos dashurinë. (Zbul. 7:10, 16, 17) Ai tha: «Ejani tek unë, të gjithë ju që po robtoheni dhe që jeni të ngarkuar, e unë do t’ju freskoj. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse jam me natyrë të butë e i përulur në zemër, dhe ju do të gjeni freskim për shpirtin. Sepse zgjedha ime është e këndshme dhe ngarkesa ime është e lehtë.» (Mat. 11:28-30) Sa premtim i ngrohtë!

18. (a) Çfarë ka bërë Mbretëria e Perëndisë që nga koha kur u vendos? (b) Ç’do të shqyrtojmë në artikullin tjetër?

18 Profecitë e Biblës tregojnë se Mbretëria qiellore e Perëndisë u vendos më 1914, kur filloi prania e Krishtit. Që nga ajo kohë, është mbledhur mbetja e atyre që do të qeverisin me Jezuin në qiell, si edhe ‘një shumicë e madhe’ njerëzish që do t’i mbijetojë fundit të këtij sistemi dhe do të hyjë në botën e re. (Zbul. 7:9, 13, 14) Sa veta numëron sot shumica e madhe? Çfarë kërkohet prej atyre që përbëjnë këtë grup? Këto pyetje do të shqyrtohen në artikullin tjetër.