Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Prindër, stërvitini adoleshentët që t’i shërbejnë Jehovait

Prindër, stërvitini adoleshentët që t’i shërbejnë Jehovait

«Jezui rritej në mençuri, në shtat dhe fitonte gjithnjë e më shumë pëlqimin e Perëndisë dhe të njerëzve.»LUKA 2:52.

KËNGËT: 41, 89

1, 2. (a) Çfarë meraku kanë disa prindër kur fëmijët bëhen adoleshentë? (b) Në ç’mënyra mund të ecin mbarë fëmijët e krishterë gjatë adoleshencës?

S’KA të krahasuar gëzimi që ndiejnë prindërit e krishterë kur u pagëzohet fëmija. Berenisa, e cila ka katër fëmijë që u pagëzuan para se të mbushnin 14 vjeç, thotë: «Ishte një përvojë që na preku pa masë. S’do mend, na kënaqej shpirti që fëmijët donin t’i shërbenin Jehovait. Ama,—shton ajo,—e dinim se gjatë adoleshencës do të hasnin shumë sfida.» Nëse fëmija yt është adoleshent ose po i afrohet asaj moshe, mund ta kuptosh merakun e Berenisës.

2 Një specialist në fushën e zhvillimit të fëmijëve e pranon se adoleshenca mund të jetë sfiduese qoftë për prindërit, qoftë për fëmijët. Megjithatë thotë: «Adoleshenca nuk është koha kur fëmija është ‘i shkalluar’ ose ‘i papjekur’. Është një kohë tejet e rëndësishme kur ndjenjat intensifikohen, kur përfshihet më shumë në shoqëri dhe kur zhvillohen aftësitë krijuese.» Në adoleshencë fëmijët mund të zhvillojnë një miqësi më domethënëse me Jehovain, mund të vënë e të ndjekin synime për shërbimin dhe të marrin më shumë iniciativë ndërsa i kushtohen Atij dhe jetojnë  në lartësinë e kushtimit. Për ta adoleshenca mund të jetë një periudhë e frytshme rritjeje frymore, ashtu siç ishte për Jezuin. (Lexo Lukën 2:52.) Ç’rol luan ti si prind gjatë këtyre viteve vendimtare? Të shohim si tregoi dashuri, përulësi dhe gjykim të thellë Jezui pasi u rrit. Si mund të të hyjnë në punë këto cilësi ndërsa stërvit fëmijën adoleshent që t’i shërbejë Jehovait?

DUAJE ME GJITHË ZEMËR FËMIJËN ADOLESHENT

3. Pse Jezui mund t’i quante miq apostujt e tij?

3 Jezui ishte një mik i dashur dhe besnik. (Lexo Gjonin 15:15.) Në kohët biblike, zakonisht një zotëri nuk hapej me skllevërit e tij për mendimet dhe ndjenjat e veta. Mirëpo, Jezui tregoi se ishte jo vetëm zotëri, po edhe mik për apostujt e tij besnikë. Kalonte kohë me ta, u hapej për ndjenjat e veta dhe i dëgjonte me vëmendje kur i çelnin zemrën. (Mar. 6:30-32) Një komunikim i tillë i dashur krijoi një lidhje të ngrohtë mes Jezuit e apostujve të tij, dhe i përgatiti ata për përgjegjësitë që i pritnin në shërbim të Perëndisë.

4. Si mund të bëhesh mik me fëmijën pa humbur autoritetin si prind? (Shih figurën hapëse.)

4 Majkëlli, që ka dy fëmijë, thotë: «Si prindër, s’mund të jemi moshatarë me fëmijët tanë, ama mund të jemi miq me ta.» Miqtë kalojnë kohë me njëri-tjetrin. Prandaj shqyrto në lutje nëse mund të përshtatësh orarin e punës ose aktivitete të tjera që të rrish më shumë me fëmijët e tu. Gjithashtu, miqtë kanë interesa të përbashkëta. Ndaj përpiqu të kënaqesh me gjërat që kënaqet fëmija yt adoleshent—me muzikën, sportet ose filmat e tij të preferuar. Ilaria, që jeton në Itali, thotë: «Prindërit nisën të interesoheshin për muzikën që dëgjoja. Ç’është e vërteta, babi u bë shoku im më i mirë dhe flisja pa teklif me të, madje edhe për gjëra delikate.» Kur bëhesh mik me fëmijët e tu adoleshentë dhe i ndihmon të gëzojnë «miqësi të ngushtë» me Jehovain, s’do të thotë se po heq dorë nga autoriteti si prind. (Psal. 25:14) Përkundrazi tregon se i do e i respekton dhe ua bën më të lehtë të të afrohen. Si rrjedhojë, ka më shumë të ngjarë të të hapen për gjërat që i shqetësojnë.

5. Si i ndihmoi Jezui dishepujt e tij të provonin gëzimin që sjell një jetë plot aktivitet në shërbim të Jehovait?

5 Jezui donte që dishepujt dhe miqtë e tij të dashur të provonin gëzimin që sjell një jetë plot aktivitet në shërbim të Jehovait. Ja pse dëshironte të merrnin pjesë me entuziazëm në gjëra frymore dhe donte të ishin të zellshëm në veprën e bërjes së dishepujve. Jezui i siguroi me dashuri se do t’i ndihmonte t’ia dilnin mbanë.Mat. 28:19, 20.

6, 7. Pse është e dashur nga ana e prindërve të vendosin e të mbajnë një program frymor për fëmijët?

6 Ju doni që fëmijët adoleshentë të mbeten të fortë frymësisht. Edhe Perëndia do që t’i rritni fëmijët sipas ‘disiplinës dhe normës mendore [këshillës] të Jehovait’. (Efes. 6:4) Prandaj merreni përsipër përgjegjësinë që ju ka dhënë Ai duke vendosur dhe duke mbajtur një program frymor. Ta ilustrojmë: ju këmbëngulni që fëmijët të arsimohen sepse arsimimi është i rëndësishëm, si edhe shpresoni t’u futni në gjak etjen për dijen. Po njësoj, si prindër të dashur, ju këmbëngulni që fëmijët të përfitojnë nga ‘këshilla e Jehovait’ falë mbledhjeve të kongregacionit dhe programeve të tjera frymore. Meqë arsimimi hyjnor është jetësor, përpiqeni t’u futni në gjak etjen për gjërat frymore dhe dëshirën që të fitojnë mençuri. (Prov. 24:14) Ashtu si Jezui që i  ndihmoi dishepujt, edhe ju përpiqeni t’i ndihmoni adoleshentët t’ia dalin mbanë në shërbim. Prandaj u ushqeni dëshirën që t’u mësojnë të tjerëve Fjalën e Perëndisë dhe i ndihmoni të ndjekin besnikërisht një program të mirë për shërbimin.

7 Si mund t’i ndihmojë adoleshentët një program i qëndrueshëm frymor? Erina, e cila jeton në Afrikën e Jugut, pranon: «Ne fëmijët qaheshim dhe ankoheshim shpesh kur ishte fjala për studimin e Biblës, mbledhjet dhe shërbimin. Nganjëherë bënim rrëmujë kastile gjatë studimit familjar që t’i bënim bisht. Por prindërit nuk dorëzoheshin.» Ajo shton: «Kjo stërvitje më mësoi të ngulmoja. Tani, nëse më prishet programi frymor, mezi pres t’i kthehem prapë sa më shpejt. S’ma ha mendja se do të ndihesha kështu sikur prindërit të mos e kishin ndjekur me vendosmëri programin frymor. Po të ishin dorëzuar, jam e sigurt se sot s’do ta kisha dhe aq problem të humbja mbledhjet ose aktivitete të tjera frymore.»

MËSOJI PËRULËSINË ME SHEMBULLIN TËND

8. (a) Si e pranoi Jezui se kishte kufizime? (b) Si ndikoi te dishepujt përulësia e Jezuit?

8 Edhe pse Jezui ishte i përsosur, e pranonte me përulësi se kishte kufizime dhe se mbështetej te Jehovai. (Lexo Gjonin 5:19.) A iu zbeh dishepujve respekti për Jezuin ngaqë ai ishte i përulur? Aspak. Në fakt, sa më shumë mbështetej te Jehovai, aq më shumë kishin besim tek ai dishepujt. Më pas, ata e imituan përulësinë e Jezuit.Vep. 3:12, 13, 16.

9. Kur me përulësi kërkon falje dhe pranon kufizimet e tua, si mund të ndikojë kjo tek adoleshenti?

9 Ne kemi shumë kufizime dhe, ndryshe nga Jezui, jemi të papërsosur e gabojmë. Ja pse duhet t’i pranojmë me përulësi kufizimet dhe gabimet tona. (1 Gjon. 1:8) Tek e fundit, kë respekton më shumë ti? Një shef që e pranon kur e ka gabim apo një që nuk kërkon kurrë falje? Kur fëmija adoleshent të dëgjon që kërkon falje për gabimet e tua, ka të ngjarë t’i shtohet respekti për ty. Gjithashtu mund të mësojë të pranojë gabimet e veta. Rozmaria, që ka tre fëmijë të rritur, thotë: «I pranonim gabimet që bënim, dhe kjo i shtynte fëmijët të na hapeshin kur kishin ndonjë problem. I kishim të qarta kufizimet tona, prandaj u mësonim fëmijëve ku t’i gjenin zgjidhjet më të mira për problemet e tyre. Kur kishin nevojë për ndihmë, përherë i drejtonim te literatura e bazuar në Bibël dhe luteshim bashkë me ta.»

10. Si tregonte përulësi Jezui kur u jepte urdhra dishepujve të tij?

10 Jezui kishte autoritet t’u jepte urdhra dishepujve të tij. Por me përulësi shpesh u tregonte arsyet pse ua jepte një urdhër. Për shembull, nuk u mjaftua thjesht t’i udhëzonte dishepujt të kërkonin në radhë të parë Mbretërinë dhe drejtësinë e Perëndisë, por tha: «Dhe të gjitha këto gjëra të tjera do t’ju shtohen.» Pasi tha «mos i gjykoni më të tjerët», Jezui dha këtë arsye: «Që të mos gjykoheni, sepse ju do të gjykoheni me po atë gjykim që gjykoni.»Mat. 6:31–7:2.

11. Kur është me vend, pse është e mençur që prindërit të shpjegojnë arsyet e një rregulli a vendimi?

11 Sa herë të jetë me vend, shpjego arsyet pse po e vë një rregull ose pse po e merr një vendim. Nëse adoleshenti e kupton si arsyeton për një çështje, ka më shumë gjasa të të bindet me dëshirë. Beri, që rriti katër fëmijë, thotë: «Kur tregon arsyet, adoleshentët e kanë më kollaj të kenë besim te ti, sepse kuptojnë se nuk i merr vendimet me kokën tënde ose se ashtu të teket, por me logjikë.» Ndërkohë, një adoleshent  po bëhet avash-avash një i rritur i pjekur me ‘fuqinë e tij për të arsyetuar’. (Rom. 12:1) Në lidhje më këtë, Beri shpjegon: «Adoleshentët duhet të mësojnë të marrin vendime të mençura që bazohen tek arsyeja dhe jo te ndjenjat.» (Psal. 119:34) Adoleshenti mund ta ndiejë se ti e pranon që po bëhet më i pjekur kur me përulësi i tregon arsyet e vendimeve të tua. Kështu mëson t’i marrë vendimet vetë me ‘fuqinë e tij për të arsyetuar’.

TREGO GJYKIM TË THELLË DHE KUPTOJE ADOLESHENTIN

12. Si përdori gjykim të thellë Jezui për të ndihmuar Pjetrin?

12 Jezui tregonte gjykim të thellë dhe e kuptonte ku kishin nevojë për ndihmë dishepujt. Për shembull, apostulli Pjetër u nis nga e mira kur e nxiti të ishte i mirë me veten që të mos e vritnin. Por Jezui e dinte se fjalët e Pjetrit pasqyronin një arsyetim të shtrembër. Për të ndihmuar atë dhe dishepujt e tjerë, dha një këshillë troç. Gjithashtu tregoi ç’pasoja vijnë nëse dikush ka prirjen të kursejë veten dhe nxori në pah bekimet e një fryme vetëmohuese. (Mat. 16:21-27) Pjetri nxori mësim nga kjo.1 Pjet. 2:20, 21.

13, 14. (a) Nga se mund ta kuptosh se besimi i fëmijës tënd po lëkundet? (b) Si mund të përdorësh gjykim të thellë që ta kuptosh e ta ndihmosh vërtet djalin a vajzën?

13 Lutju Jehovait për gjykim të thellë që të kuptosh ku ka nevojë për ndihmë adoleshenti. (Psal. 32:8) Për shembull, nga se mund ta kuptosh se po i lëkundet besimi? A i ka humbur disi gëzimi? A flet në mënyrë kritike për bashkëbesimtarët? A të duket se nuk të flet aq hapur sa dikur? Mos nxirr menjëherë përfundimin se këto janë shenja të një jete të dyfishtë që përfshin ndonjë mëkat të rëndë. * Nga ana tjetër, mos i mbyll sytë para shenjave të tilla ose mos e shpërfill veçimin e adoleshentit thjesht si një fazë kalimtare.

Krijo mundësi bashkë me fëmijët për të lidhur miqësi brenda kongregacionit (Shih paragrafin 14.)

14 Imito Jezuin duke bërë pyetje me respekt e ngrohtësi. Kjo është si të nxjerrësh ujë nga pusi. Po ta nxjerrësh kovën me ngut, do ta derdhësh një pjesë. Po njësoj, nëse i kërkon llogari adoleshentit dhe e  detyron të flasë, mund të të ikë nga duart një mundësi e mirë që të kuptosh mendimet dhe qëllimet e zemrës së tij. (Lexo Proverbat 20:5.) Ilaria, e cituar më sipër, thotë: «Gjatë adoleshencës, kisha një luftë të brendshme: nga njëra anë doja të ecja në të vërtetën, nga ana tjetër doja të rrija më shumë me shokët e klasës. Kjo ndikoi te humori im, dhe prindërve u ra në sy. Një mbrëmje, thjesht zunë në gojë se kishin vërejtur që nuk dukesha dhe aq në terezi e më pyetën nëse kisha ndonjë problem. Ia plasa të qarit, u shpjegova situatën dhe u kërkova ndihmë. Më përqafuan, thanë se më kuptonin dhe premtuan se do të më ndihmonin.» Prindërit filluan ta ndihmonin menjëherë Ilarian që të zinte miqësi të reja dhe më të mira në kongregacion.

15. Shpjegoni si tregonte gjykim të thellë Jezui me të tjerët.

15 Jezui tregoi gjykim të thellë jo vetëm duke dalluar ku kishin nevojë për ndihmë dishepujt, po edhe ku shkëlqenin. Për shembull, kur një burrë që quhej Natanael dëgjoi se Jezui vinte nga Nazareti, tha: «A mund të dalë ndonjë gjë e mirë nga Nazareti?» (Gjoni 1:46) Duke u bazuar te ky koment, si do ta quaje ti Natanaelin? Kritikues? Paragjykues? Pa besim? Jezui tregoi gjykim të thellë dhe kërkoi anët e mira te Natanaeli. Ai e quajti «një izraelit i vërtetë, tek i cili nuk ka mashtrim». (Gjoni 1:47) Jezui mund të lexonte zemrat dhe e përdori këtë aftësi që të kërkonte anët e mira te të tjerët.

16. Si mund ta ndihmosh adoleshentin të zhvillojë cilësi të mira?

16 Ti nuk i lexon dot zemrat, por falë ndihmës së Perëndisë mund të tregosh gjykim të thellë. A do ta përdorësh këtë aftësi që të kërkosh anët e mira tek adoleshenti? Askush nuk ka qejf t’i vënë vulën «ngatërrestar». Kurrë mos i vër vulën djalit a vajzës «adoleshent rebel» ose «fëmijë problematik», as me fjalë, as me mendje. Edhe nëse adoleshenti ka ca vështirësi, siguroje se vëren potencialin dhe dëshirën e tij të sinqertë për të bërë të mirën. Dallo çdo shenjë se është përmirësuar e po ecën para, dhe lavdëroje. Ndihmoje t’i zhvillojë cilësitë e mira që ka duke i dhënë më tepër përgjegjësi sa herë që është e mundur. Kështu veproi Jezui me dishepujt. Afro një vit e gjysmë pasi takoi Natanaelin (që quhej edhe Bartolome), Jezui e zgjodhi si apostull, dhe Natanaeli tregoi se ishte një i krishterë i zellshëm. (Luka 6:13, 14; Vep. 1:13, 14) Lavdërimet dhe inkurajimi yt do ta ndihmojnë fëmijën të mos ndihet si një njeri që s’e bën kurrë tamam atë që pritet nga ai, por si një i krishterë i zoti që mund të jetë i vlefshëm në duart e Jehovait.

STËRVITJE QË SJELL GËZIM TË PAPËRSHKRUESHËM

17, 18. Cili mund të jetë rezultati i përpjekjeve ngulmuese për ta ndihmuar adoleshentin t’i shërbejë Jehovait?

17 Ndërsa rritni fëmijët, mund të ndiheni ndonjëherë si apostulli Pavël, i cili u bë baba frymor për shumë veta. Ai përjetoi ‘shtrëngim dhe ankth të madh në zemër’ ngaqë ‘i donte shumë’ fëmijët e tij frymorë në Korint. (2 Kor. 2:4; 1 Kor. 4:15) Viktori, që ka rritur dy djem e një vajzë, thotë: «Vitet e adoleshencës nuk qenë të lehta. Sidoqoftë, sfidat që hasnim nuk ishin gjë hiç para kohëve të bukura që kaluam tok. Falë ndihmës së Jehovait, shijuam një miqësi të ngushtë me fëmijët tanë.»

18 Ju prindër, vazhdoni të punoni pa u lodhur që t’i stërvitni fëmijët t’i shërbejnë Jehovait. Tregojeni sa e thellë është dashuria juaj për ta. Urojmë të provoni gëzimin e papërshkrueshëm që t’i shihni të përqafojnë të vërtetën dhe të qëndrojnë në radhët e fëmijëve frymorë që «vazhdojnë të ecin në të vërtetën»!3 Gjon. 4.

^ par. 13 Mund të jetë mirë që prindërit të lexojnë Të rinjtë pyesin. . . Përgjigje praktike, vëll. 1, f. 317 dhe vëll. 2, f. 136-141.