Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

A e sheh dorën e Perëndisë në jetën tënde?

A e sheh dorën e Perëndisë në jetën tënde?

‘Dora e Jehovait do t’u bëhet e njohur shërbëtorëve të tij.’ISA. 66:14.

KËNGËT: 65, 26

1, 2. Çfarë mendojnë disa për Perëndinë?

SHUMË njerëz mendojnë se ajo që bëjnë ata s’ka lidhje me atë që bën Perëndia. Në fakt, disa besojnë se Perëndisë nuk i intereson fare se ç’u ndodh njerëzve. Në nëntor 2013, pasi supertajfuni Haijan bëri kërdinë në Filipinet Qendrore, kryetari i bashkisë së një qyteti të madh tha: «Zoti duhet të ketë qenë diku tjetër.»

2 Ka edhe nga ata që sillen sikur Perëndia s’mund ta shohë se çfarë bëjnë. (Isa. 26:10, 11; 3 Gjon. 11) Këta u ngjajnë njerëzve që përshkroi apostulli Pavël kur tha: «Nuk pranuan të kishin njohuri të saktë për Perëndinë.» Ata ishin «plot me padrejtësi, ligësi, lakmi, të keqe».Rom. 1:28, 29.

3. (a) Cilat pyetje mund t’i bëjmë vetes për Perëndinë? (b) Për çfarë e ka fjalën zakonisht Bibla kur përmend ‘dorën’ e Jehovait?

3 Ç’të themi për ne? Ndryshe nga njerëzit e sapopërmendur, ne e kemi të qartë se syrit të Jehovait nuk i shpëton asgjë që bëjmë. Por, a e dallojmë edhe si interesohet për ne dhe si na zgjat dorën? Veç kësaj, a jemi mes atyre njerëzve që Jezui tha se «do të shohin Perëndinë»? (Mat. 5:8) Që ta kuptojmë  se ç’do të thotë kjo, në fillim le të ndalemi pak te shembujt biblikë të atyre që e panë si vepron dora e Perëndisë dhe të atyre që i mbyllën sytë para kësaj. Pastaj do të mësojmë si mund ta shohim qartë dorën e Jehovait në jetën tonë me sytë e besimit. Teksa shqyrtojmë këto pika, të mbajmë në mend se kur flet për ‘dorën’ e Perëndisë, Bibla shpesh e ka fjalën për fuqinë e tij në veprim. Këtë fuqi Jehovai e përdor për të ndihmuar shërbëtorët e tij dhe për të mposhtur kundërshtarët.Lexo Ligjin e përtërirë 26:8.

NUK ARRITËN TA SHIHNIN DORËN E PERËNDISË

4. Pse nuk arritën ta shihnin dorën e Perëndisë kundërshtarët e Izraelit?

4 Në fillimet e historisë së Izraelit, njerëzit patën mundësinë të shihnin e të dëgjonin se çfarë bëri Perëndia për kombin e tij. Me anë të mrekullive, Jehovai i çliroi izraelitët nga Egjipti dhe pastaj, para syve të tyre, mposhti mbretër njëri pas tjetrit. (Jos. 9:3, 9, 10) Por pavarësisht nga sa panë e dëgjuan, thuajse tërë mbretërit në perëndim të Jordanit «zunë të mblidheshin të gjithë tok për të luftuar bashkërisht kundër Josiut dhe kundër Izraelit». (Jos. 9:1, 2) Edhe pasi nisën luftën, ata patën plot mundësi ta shihnin qartë dorën e Perëndisë. Me urdhër të Jehovait, «dielli u ndal dhe hëna qëndroi pa lëvizur, gjersa kombi u hakmor kundër armiqve të tij». (Jos. 10:13) Por Jehovai lejoi që «zemra [e kundërshtarëve] të ngurtësohej, e kështu t’i shpallnin luftë Izraelit». (Jos. 11:20) Me kokëfortësi, kundërshtarët e Izraelit nuk deshën ta pranonin se për Izraelin luftonte Perëndia, prandaj pësuan disfatë.

5. Çfarë nuk deshi të pranonte me kokëfortësi mbreti i lig Akab?

5 Kohë më pas, mbreti i lig Akab pati mundësi të shkëlqyera ta shihte dorën e Perëndisë në disa raste. Elija i tha: «Nuk do të bjerë as vesë, as shi, përveçse me urdhrin tim!» (1 Mbret. 17:1) S’diskutohet se pas atyre fjalëve qëndronte Jehovai, por me kokëfortësi Akabi nuk i pranoi provat. Më vonë, ai pa të zbriste zjarr nga qielli kur Elija u lut të digjej blatimi i tij. Pastaj Elija zbuloi se Jehovai do t’i jepte fund thatësirës kur i tha Akabit: «Zbrit para se të të zërë shiu!» (1 Mbret. 18:22-45) Akabi kokëfortë i pa të gjitha këto, por nuk deshi ta pranonte se ishin shfaqje madhështore të fuqisë së Perëndisë. Nga këta shembuj nxjerrim një mësim të rëndësishëm: duhet të dallojmë si vepron dora e Jehovait.

E PANË DORËN E JEHOVAIT

6, 7. Çfarë dalluan qartë disa në kohën e Josiut?

6 Në kontrast me mbretërit e ligj të përmendur më sipër, kishte të tjerë në të njëjtën situatë që e panë dorën e Perëndisë. Për shembull, ndryshe nga shumica e kombeve që luftuan kundër Izraelit në kohën e Josiut, gibeonitët bënë paqe me Izraelin. Pse? Ata thanë: «Shërbëtorët e tu vijnë . . . për hir të emrit të Jehovait, Perëndisë tënd, sepse dëgjuam për famën e tij, për gjithë sa bëri.» (Jos. 9:3, 9, 10) Me mençuri, e kuptuan se ai që mbështeste Izraelin ishte Perëndia i vërtetë.

7 Edhe Rahaba e dalloi dorën e Perëndisë në ngjarjet e ditëve të saj. Pasi kishte marrë vesh si e çliroi Jehovai popullin e tij, ajo u tha dy zbuluesve izraelitë: «Unë e di se Jehovai ka për t’jua dhënë vendin.» Ky qëndrim mund ta fuste në shumë rreziqe. Megjithatë, Rahaba shprehu  besimin se Jehovai mund ta shpëtonte atë tok me familjen.Jos. 2:9-13; 4:23, 24.

8. Si e dalluan disa izraelitë dorën e Perëndisë?

8 Ndryshe nga mbreti i lig Akab, disa izraelitë që panë me sytë e tyre si iu përgjigj Jehovai provës së zjarrit që bëri Elija, e dalluan dorën e Perëndisë. Kur vërejtën se zjarri nga Jehovai përpiu blatimin, ata thirrën: «Jehovai është Perëndia i vërtetë!» (1 Mbret. 18:39) Për ta, ky ishte përfundim i padiskutueshëm.

9. Si mund ta shohim sot Jehovain dhe dorën e tij?

9 Nga shembujt pozitivë dhe negativë që kemi parë, mund të kuptojmë ç’do të thotë të shohësh Perëndinë ose dorën e tij. Teksa e njohim Jehovain, edhe ne mund ta shohim dorën e tij, sepse dallojmë me «sytë e zemrës» cilësitë dhe veprimet e tij. (Efes. 1:18) Patjetër që duam të jemi si besnikët e së kaluarës dhe të ditëve tona që e kanë parë qartë si e mbështet Jehovai popullin e tij. Sidoqoftë, a kemi vërtet prova se Perëndia vepron në jetën e njerëzve sot?

PROVA SE DORA E PERËNDISË VEPRON SOT

10. Ç’prova kemi se Jehovai po i ndihmon njerëzit sot? (Shih figurën hapëse.)

10 Kemi arsye pa fund të besojmë se Jehovai vazhdon t’i ndihmojë njerëzit. Kushedi sa herë kemi dëgjuar përvoja se si dikush iu lut Perëndisë për drejtim dhe ai e ndihmoi. (Psal. 53:2) Tek predikonte shtëpi më shtëpi në një ishull të vogël në Filipine, Alani takoi një grua që nisi të qante. Ai tregon: «Tamam atë mëngjes, ajo iu lut Jehovait që ta gjenin Dëshmitarët e tij. Në adoleshencë kishte studiuar Biblën me Dëshmitarët, por i kishte humbur lidhjet me ta ngaqë u martua dhe u transferua në atë ishull. Perëndia iu përgjigj aq shpejt lutjes së saj, sa gruaja s’i mbajti dot lotët.» Brenda një viti ajo ia kushtoi jetën Jehovait.

A sheh prova se Jehovai e ndihmon popullin e tij sot? (Shih paragrafët 11-13.)

11, 12. (a) Në ç’mënyra po i ndihmon Jehovai shërbëtorët e tij? (b) Tregoni përvojën e dikujt që e ndihmoi Perëndia.

11 Shumë shërbëtorë të Perëndisë kanë parë si i ndihmoi ai të hiqnin vese skllavëruese, si duhani, droga dhe shikimi i pornografisë. Disa thonë se u përpoqën sa e sa herë ta linin vetë atë ves, por nuk ia dolën. Megjithatë, kur i kërkuan ndihmë Jehovait, ai u dha ‘fuqi përtej asaj që është normale’, dhe më në fund fituan mbi dobësinë e tyre.2 Kor. 4:7; Psal. 37:23, 24.

12 Jehovai ka ndihmuar shumë shërbëtorë të tij të përballojnë momente të vështira në jetë. Për shembull, Emi s’e pati të lehtë kur u caktua të ndihmonte në ndërtimin e një Salle Mbretërie dhe të një shtëpie misionare në një ishull të vogël të Paqësorit. Ajo thotë: «Rrinim në një hotel të vogël dhe çdo ditë çanim përmes rrugëve të përmbytura që të venim në kantier.» Gjithashtu i duhej të përshtatej me zakonet e vendit, dhe shpesh atje s’kishte drita ose ujë. Emi shton: «Si për t’i vënë vulën, ia shfreva nervat një motre që punonte me ne. Kur shkova në hotel, ndihesha një hiç. Në dhomën e errët, ia zbraza zemrën Jehovait dhe i kërkova ndihmë.» Pasi erdhën dritat, Emi mori të lexonte një numër të Kullës së Rojës ku kishte një artikull për një diplomim Galaadi. Atje flitej për të gjitha vështirësitë me të cilat po luftonte: një kulturë tjetër, malli për shtëpinë dhe përshtatja me një shoqëri të re. Ajo thotë: «Atë mbrëmje m’u duk se Jehovai po fliste me mua. Kjo më motivoi të mos hiqja dorë nga caktimi im.»Psal. 44:25, 26; Isa. 41:10, 13.

13. Ç’provë kemi se Jehovai e mbështet popullin e tij «në mbrojtjen dhe në themelimin ligjërisht të lajmit të mirë»?

 13 Një provë tjetër se dora e fuqishme e Jehovait i mbështet Dëshmitarët e tij janë sukseset «në mbrojtjen dhe në themelimin ligjërisht të lajmit të mirë». (Filip. 1:7) Disa qeveri janë orvatur ta ndalin plotësisht veprën e popullit të Perëndisë. Por çfarë shohim kur hedhim vështrimin pas? Dëshmitarët e Jehovait kanë fituar të paktën 268 çështje në gjykatat e larta, përfshirë 24 fitore në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut që nga viti 2000. Prandaj është e qartë se askush nuk mund t’ia ndalë dorën Perëndisë.Isa. 54:17; lexo Isainë 59:1.

14. Si e shohim dorën e Perëndisë te vepra e predikimit dhe tek uniteti që gëzojmë?

14 Predikimi i lajmit të mirë në mbarë botën kryhet vetëm falë ndihmës së Perëndisë. (Mat. 24:14; Vep. 1:8) Veç kësaj, sot vëllazëria e bashkuar e shërbëtorëve të Jehovait nga të gjitha kombet është diçka që bota s’e imiton dot. Ja pse edhe ata që s’janë Dëshmitarë e pranojnë: «Perëndia është vërtet mes jush.» (1 Kor. 14:25) Pra, kemi prova me bollëk se Perëndia vepron në të mirën tonë si popull. (Lexo Isainë 66:14.) Por ç’të themi për ty personalisht? A e sheh qartë dorën e Jehovait në jetën tënde?

A E SHEH DORËN E JEHOVAIT NË JETËN TËNDE?

15. Shpjegoni pse hera-herës mund të mos e shohim qartë dorën e Jehovait në jetën tonë.

15 Cilat janë disa arsye pse mund të mos e shohim qartë dorën e Perëndisë në jetën tonë? Ndoshta na e zënë frymën peripecitë e jetës. Kur ndodh kështu, mund të harrojmë si na ka ndihmuar Jehovai deri në atë moment. Kur mbretëresha Jezebelë e kërcënoi profetin Elija se do ta vriste, edhe ai e harroi për një çast si i kishte dalë krah Perëndia. Bibla thotë se Elija «kërkoi që të vdiste». (1 Mbret. 19:1-4) Cila ishte zgjidhja për problemin e  tij? Duhej të mbështetej te Jehovai për inkurajim.1 Mbret. 19:14-18.

16. Ç’mund të bëjmë që ta shohim Perëndinë siç e pa Jobi?

16 Jobi u shpërqendrua aq shumë nga telashet e veta, sa nuk arrinte t’i shihte gjërat ashtu si Perëndia. (Jobi 42:3-6) Njësoj si Jobi, mbase edhe ne duhet të përpiqemi më fort që të shohim Perëndinë. Si mund ta bëjmë këtë? Duhet të meditojmë nën dritën e Shkrimeve për rrethanat tona. Ndërsa dallojmë si na mbështet Jehovai, ai do të bëhet më real për ne. Atëherë mund të themi ashtu si Jobi: «Veç kisha dëgjuar për ty, por tani syri im të sheh.»

A po të përdor Jehovai që të ndihmosh edhe të tjerët ta shohin? (Shih paragrafët 17, 18.)

17, 18. (a) Si mund ta dallojmë dorën e Jehovait në jetën tonë? (b) Tregoni një përvojë që nxjerr në pah si na ndihmon Perëndia sot.

17 Si mund ta shohim dorën e Jehovait? Ja disa shembuj: kur mendon se si e more të vërtetën, mbase je i sigurt se ishte dora e Perëndisë. Ose a ke thënë ndonjëherë për një pjesë që dëgjove në mbledhje «tamam ajo që më duhej»? Apo ndoshta provove si iu përgjigj Jehovai një lutjeje. Mbase vendose të zgjeroje shërbimin dhe u mahnite si u dha udhë gjërave Jehovai. Apo mos ndoshta le një punë për hir të gjërave frymore dhe pastaj pe plotësimin e premtimit të Perëndisë: «Kurrsesi nuk do të të braktis.» (Hebr. 13:5) Po të jemi syçelë frymësisht, mund të dallojmë si na ka ndihmuar Jehovai në sa e sa mënyra.

18 Sara nga Kenia tregon këtë përvojë: «U luta për një studente që më dukej se nuk e vlerësonte studimin e Biblës. I kërkova ndihmë Jehovait që të kuptoja nëse duhej ta ndërpritja studimin. Me të thënë ‘amin’, ra zilja e telefonit. Ishte studentja e Biblës që më pyeti nëse mund të vinte në mbledhje me mua. Mbeta gojëhapur.» Po të jesh syçelë, edhe ti mund të shohësh si vepron Perëndia në jetën tënde. Rona, një motër që jeton në Azi, thotë: «Duhet njëfarë përvoje që të diktosh drejtimin e Jehovait. Por pasi arrin ta bësh këtë, mahnitesh kur vëren sa merak ka për ne.»

19. Çfarë na duhet tjetër që të jemi mes atyre që shohin Perëndinë?

19 Jezui tha: «Lum ata me zemër të kulluar, sepse do të shohin Perëndinë!» (Mat. 5:8) Si mund të kemi një «zemër të kulluar»? Duhet të jemi të pastër nga brenda dhe të heqim dorë nga çdo sjellje e keqe. (Lexo 2 Korintasve 4:2.) Dora-dorës që thellojmë lidhjen tonë me Jehovain dhe mbajmë një sjellje të mirë, do të jemi mes atyre që mund ta shohin Perëndinë. Në artikullin tjetër do të ndalemi te diçka që mund të na ndihmojë të dallojmë edhe më qartë si ndikon Jehovai në jetën tonë—te besimi ynë.