Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 JETËSHKRIM

Bekimet e Jehovait ma kanë pasuruar jetën

Bekimet e Jehovait ma kanë pasuruar jetën

LINDA më 1927, në fshatin Wakaw të Saskaçevanit në Kanada. Ishim shtatë fëmijë, katër djem e tri vajza, prandaj që në vogëli mësova se ç’do të thoshte të kishe kallabëllëk në shtëpi.

Familja jonë i ndjeu pasojat e mjerimit ekonomik të viteve 30, i njohur si Kriza e Madhe. Nuk qemë të pasur, ama ushqimi nuk na mungonte. Kishim disa pula dhe një lopë, prandaj nuk ishim kurrë keq për vezë, qumësht, djathë e gjalpë. Siç mund ta merrni me mend, çdokush në familje kishte detyrat e veta në fermë.

Kam plot kujtime të bukura nga ajo kohë, si për shembull, aroma e këndshme e mollëve që mbushte dhomën. Në vjeshtë, kur babai shkonte në qytezë për të shitur prodhimet e fermës, shpesh sillte një arkë me mollë të sapovjela. Sa qejf që mund të shijonim çdo ditë nga një mollë plot lëng!

FAMILJA MËSON TË VËRTETËN

Isha gjashtë vjeçe kur prindërit dëgjuan të vërtetën. Ja ç’kishte ndodhur kohë përpara: prindërve u vdiq fëmija i parë, Xhoni, pak pas lindjes. Pikë e vrer pyetën priftin: «Ku është tani Xhoni?» Ai u tha se ngaqë foshnja s’ishte pagëzuar, nuk kishte vajtur në qiell, por në limbo. Prifti u tha edhe se po ta paguanin, do të lutej që Xhoni të dilte nga limbo e të shkonte në qiell. Si do të ishit ndier në vend të tyre? Babai dhe mamaja mbetën aq të zhgënjyer sa nuk i folën më me gojë priftit. Megjithatë, akoma vritnin mendjen se ku ndodhej Xhoni.

Një ditë mamasë i ra në dorë broshura Ku janë të vdekurit?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. E lexoi e etur. Kur u kthye babai, gjithë entuziazëm i tha: «Unë e di ku është Xhoni! Tani po fle, por një ditë do të zgjohet.» Atë mbrëmje im atë e lexoi nga fillimi në fund broshurën. Mamaja e babai u ngushëlluan kur morën vesh që Bibla thotë se të vdekurit janë në gjumë dhe se në të ardhmen do të ketë ringjallje.—Ekl. 9:5, 10; Vep. 24:15.

Ajo që zbuluan prindërit na e ndryshoi jetën për mirë dhe na solli ngushëllim e gëzim. Ata filluan të studionin Biblën me Dëshmitarët e të ndiqnin mbledhjet me kongregacionin e vogël në Wakaw, ku shumica ishin me prejardhje ukrainase. S’kaloi shumë dhe filluan të dilnin në predikim.

Pak kohë më vonë, u transferuam në Kolumbinë Britanike dhe kongregacioni na mirëpriti ngrohtësisht. E kujtoj me mall se si e përgatitnim familjarisht Kullën e Rojës për mbledhjen e së dielës. Të gjithë po ushqenim një dashuri të thellë për Jehovain dhe për të vërtetën biblike. Shihja si po pasurohej jeta jonë dhe si po na bekonte Jehovai.

Natyrisht, ne fëmijët s’e kishim dhe aq kollaj t’u flitnim të tjerëve për bindjet tona. Mirëpo unë  dhe motra e vogël, Eva, shpesh përgatitnim prezantimin e muajit dhe bënim një demonstrim në Mbledhjen e Shërbimit, e kjo na ndihmoi goxha. Edhe pse qemë të ndrojtura, kjo ishte një mënyrë fantastike që të mësonim t’u flitnim të tjerëve për Biblën. Sa mirënjohëse jam për këtë stërvitje!

Ndër momentet më të bukura të fëmijërisë ishin rastet kur mikpritnim vëllezër e motra në shërbimin e plotkohor. Sa qejf kur mbikëqyrësi qarkor, Xhek Nejthëni, vizitonte kongregacionin e rrinte në shtëpinë tonë. * Ç’kënaqësi ishte të dëgjoje historitë e pafundme që na tregonte! Lavdërimet e tij nga zemra na shtonin dëshirën t’i shërbenim besnikërisht Jehovait.

Më kujtohet që thosha me vete: «Kur të rritem, dua të bëhem si vëlla Nejthëni.» As që më vente mendja atëherë se shembulli i tij po më përgatiste për një karrierë në shërbimin e plotkohor. Në moshën 15-vjeçare, isha e vendosur t’i shërbeja Jehovait. Më 1942 unë dhe Eva u pagëzuam.

SPROVA BESIMI

Gjatë Luftës II Botërore kur patriotizmi kishte arritur kulmin, zonjusha Skot, një mësuese aspak tolerante, përjashtoi nga shkolla dy motrat e mia dhe njërin nga vëllezërit. Pse? Sepse nuk pranonin të përshëndetnin flamurin. Pastaj foli me mësuesen time dhe e nxiti të më përjashtonte edhe mua. Por mësuesja ime i tha: «Jetojmë në një shtet të lirë dhe kemi të drejtën të mos përfshihemi në ceremoni patriotike.» Pavarësisht nga presionet e shumta të zonjushës Skot, mësuesja ime i tha prerazi: «Këtë e vendos unë.»

Zonjusha Skot ia ktheu: «Jo, këtë nuk e vendos ti. Po nuk e përjashtove Melitën, do të ankohem lart për ty.» Mësuesja ime u shpjegoi prindërve se, për të mos humbur punën, s’kishte rrugë tjetër veçse të më përjashtonte, edhe pse ishte e bindur se kjo qe e gabuar. Sidoqoftë, gjetëm tekstet mësimore që të studionim në shtëpi. Pak më vonë, u transferuam në një vend afro 32 kilometra larg, ku na pranuan në një shkollë tjetër.

Gjatë viteve të luftës literatura jonë u ndalua, por prapë shkonim shtëpi më shtëpi vetëm me Bibël. Si rezultat, mësuam ta predikonim me mjeshtëri lajmin e mirë për Mbretërinë drejtpërdrejt nga Shkrimet. Kjo na ndihmoi të rriteshim frymësisht dhe të provonim mbështetjen e Jehovait.

NIS SHËRBIMIN E PLOTKOHOR

Kisha talent për parukiere e madje fitova disa çmime

Me të mbaruar shkollën, unë dhe Eva nisëm të shërbenim si pioniere. Në fillim gjeta punë në një dyqan të madh. Më pas nisa një kurs gjashtëmujor për parukiere, diçka që e bëja për qejf në shtëpi. Gjeta punë në një sallon bukurie dy ditë në javë, si edhe u mësoja zanatin të tjerëve dy herë në muaj. Kështu mbaja veten në shërbimin e plotkohor.

Më 1955 doja të ndiqja kongresin «Mbretëria triumfuese» në qytetin e Nju-Jorkut, SHBA, dhe në Nuremberg, Gjermani. Megjithatë, para se të nisesha për në Nju-Jork, takova vëllanë Nejthën Nor nga selia botërore. Bashkë me të shoqen po ndiqte një kongres në Vankuver, Kanada. Gjatë vizitës së tyre më kërkuan t’i rregulloja flokët motrës Nor. Vëlla Nejthënit i pëlqeu puna ime dhe  donte të më takonte. Në muhabet e sipër, i thashë se kisha në plan të shkoja në Nju-Jork para se të udhëtoja për në Gjermani. Më ftoi të punoja nëntë ditë në Bethelin e Bruklinit.

Ai udhëtim më ndryshoi jetën. Në Nju-Jork takova një vëlla që quhej Teodor (Ted) Xharaz. Pak pasi e takova, u habita kur më pyeti: «A je pioniere?» «Jo»,—ia ktheva. Shoqes sime LaVonës ia zuri veshi këtë dhe ndërhyri: «Po, është.» I çuditur, Tedi e pyeti LaVonën: «Po kush e di më mirë, ti apo ajo?» I shpjegova se kisha qenë pioniere dhe kisha ndër mend të nisja sërish me t’u kthyer nga kongreset.

BURRI IM QË E DONTE SHUMË JEHOVAIN

Tedi lindi më 1925 në Kentaki, SHBA, dhe në moshën 15-vjeçare simbolizoi kushtimin e tij ndaj Jehovait. Edhe pse asnjë nga familjarët e tij nuk e përqafoi të vërtetën, ai u bë pionier i rregullt dy vjet më pas. Kështu filloi një karrierë gati 67-vjeçare në shërbimin e plotkohor.

Në korrik 1946, në moshën 20-vjeçare, Tedi u diplomua në klasën e shtatë të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit. Pas shkollës shërbeu si mbikëqyrës udhëtues në Klivlend, Ohajo. Rreth katër vjet më vonë, u caktua shërbëtor dege në Australi.

Tedi ishte në kongresin e Nurembergut, Gjermani. Kaluam ca kohë së bashku, dhe lulëzoi një lidhje romantike. Isha e kënaqur që synimet e tij përqendroheshin te shërbimi me gjithë shpirt ndaj Jehovait. Ishte shumë i devotshëm. Edhe pse e merrte seriozisht përkushtimin ndaj Jehovait, qe tip i gjindshëm dhe miqësor. E vërejta se vinte interesat e të tjerëve para të vetave. Pas atij kongresi, Tedi u kthye në Australi, kurse unë në Vankuver. Megjithatë i shkruanim njëri-tjetrit.

Tedi u kthye në Shtetet e Bashkuara pas afro pesë vjetësh në Australi, e pastaj erdhi të shërbente si pionier në Vankuver. Më bëhej qejfi kur shihja se familja ime linte kokën për të. Vëllai i madh, Majkëlli, më mbronte me merak dhe shpesh shqetësohej kur ndonjë vëlla tregonte interes për mua. Megjithatë, Tedi i hyri shpejt në zemër. Majkëlli më tha: «Melita, ke një zotni burrë këtu. Bën mirë ta trajtosh si duhet dhe hap sytë se mos të ikën nga duart.»

Pasi u martuam më 1956, kaluam plot vite të gëzuara tok në shërbimin e plotkohor

Edhe mua më kish hyrë në zemër Tedi. U martuam më 10 dhjetor 1956. Shërbyem bashkë si pionierë në Vankuver, pastaj në Kaliforni, e më vonë u caktuam në veprën qarkore në Misuri dhe në Arkanzas. Për afro 18 vjet, rrinim çdo javë në shtëpi të ndryshme gjatë veprës udhëtuese në një zonë të gjerë të Shteteve të Bashkuara. Shijuam përvoja fantastike në shërbim, si edhe shoqëri të bukur me vëllezërit e motrat. Falë këtyre, i përballonim me zemër të lehtë parehatitë që sillte jeta gjithmonë në udhëtim.

Një gjë që admiroja në veçanti te Tedi ishte që s’i mungonte kurrë mirënjohja për marrëdhënien e tij me Jehovain. E çmonte shërbimin e shenjtë ndaj Personit më të madh në univers. Na pëlqente sa s’thuhet të lexonim e të studionim Biblën tok. Në darkë, para se të flinim, binim në gjunjë afër krevatit dhe Tedi lutej për të dy. Pastaj bënim lutje veç e veç. Gjithmonë e dalloja kur Tedi ishte në merak për ndonjë çështje serioze, sepse çohej, binte prapë në gjunjë dhe lutej gjatë në heshtje. E vlerësoja pa masë që fliste me Jehovain në lutje për gjëra të vogla e të mëdha.

Disa vjet pas martesës, Tedi më shpjegoi se do të fillonte të merrte simbolet e Përkujtimit. Më tha: «Jam lutur me zjarr për këtë që të jem absolutisht  i sigurt se po bëj atë që do Jehovai nga unë.» Nuk më erdhi edhe aq çudi që ishte mirosur me frymën e Perëndisë për të shërbyer më pas në qiell. Çfarë privilegji që tani do të mbështetja një nga vëllezërit e Krishtit!Mat. 25:35-40.

NJË FORMË E RE SHËRBIMI TË SHENJTË

Sa u habitëm kur, në vitin 1974, Tedin e ftuan të bëhej anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait. Më pas na ftuan të shërbenim në Bethelin e Bruklinit. Ndërkohë që Tedi kujdesej për përgjegjësitë e tij në Trupin Udhëheqës, unë pastroja dhomat ose punoja në parukeri.

Një nga përgjegjësitë e Tedit ishte të vizitonte degë të ndryshme. Interesohej në veçanti për veprën e predikimit në vendet përtej Perdes së Hekurt. Një herë, gjatë një pushimi mjaft të nevojshëm në Suedi, Tedi më tha: «Melita, në Poloni vepra e predikimit është e ndaluar, dhe dua shumë t’i ndihmoj vëllezërit atje.» Kështu, morëm vizën dhe shkuam në Poloni. Tedi u takua me disa vëllezër që kujdeseshin për veprën dhe bëri një shëtitje të gjatë me ta, që askush të mos e përgjonte dot bisedën. Për katër ditë vëllezërit bënë mbledhje të stërgjata. Megjithatë, isha e gëzuar kur shihja sa i kënaqur ishte Tedi që po ndihmonte familjen e tij frymore.

Në nëntor 1977 shkuam prapë në Poloni. Atëherë Frederik U. Franci, Daniel Sidliku dhe Tedi bënë vizitën e parë zyrtare nga anëtarë të Trupit Udhëheqës. Edhe pse vepra ishte akoma nën ndalim, të tre arritën të flitnin me mbikëqyrës, me pionierë dhe me vëllezër e motra në qytete të ndryshme që ishin Dëshmitarë prej vitesh.

Tedi dhe të tjerë para Ministrisë së Drejtësisë në Moskë pasi vepra jonë u njoh zyrtarisht

Vitin pasues, kur Milton Hensheli dhe Tedi vizituan Poloninë, u takuan me autoritete që po bëheshin më tolerantë ndaj nesh e ndaj veprës sonë. Më 1982, qeveria polake i lejoi vëllezërit të mbanin asamble njëditore. Vitin tjetër, u mbajtën asamble më të mëdha, shumica në salla të marra me qira. Më 1985, ndërsa vepra ishte ende nën ndalim, na lejuan të mbanim katër kongrese në stadiume të mëdha. Pastaj, në maj 1989, teksa bëheshin plane për kongrese edhe më të mëdha, qeveria polake i njohu ligjërisht Dëshmitarët e Jehovait. Kjo ishte një nga ngjarjet më të gëzueshme në jetën e Tedit.

Kongres krahinor në Poloni

PROBLEME ME SHËNDETIN

Në vitin 2007 po udhëtonim që të merrnim pjesë në kushtimin e degës në Afrikën e Jugut. Në Angli, Tedi pati probleme me tensionin e lartë dhe mjeku e këshilloi të mos e vazhdonte udhëtimin. Si e mori veten, u kthyem në Shtetet e Bashkuara.  Mirëpo pas ca javësh, i ra një iktus i rëndë që e paralizoi në anën e djathtë.

Tedi e mori veten ngadalë dhe në fillim nuk ishte në gjendje të shkonte në zyrë. Po shyqyr që nuk kishte probleme me të folurin. Me gjithë kufizimet, mundohej të ndiqte programin e rregullt. Madje merrte pjesë në mbledhjet e përjavshme të Trupit Udhëheqës duke u lidhur me telefon nga dhoma.

Tedi ishte shumë mirënjohës për fizioterapinë e shkëlqyer që bënte në infermierinë e Bethelit. Avash-avash e rifitoi goxha mirë aftësinë për të lëvizur. Arrinte të kryente disa nga caktimet teokratike dhe gjithmonë ia dilte të ruante gëzimin.

Pas tre vjetësh, pësoi një iktus tjetër dhe vdiq pa dhembje të mërkurën, më 9 qershor 2010. Gjithnjë e kisha pasur të qartë se Tedi duhej të përfundonte jetën e tij në tokë. Po prapë nuk kam fjalë ta përshkruaj sa e dhimbshme ka qenë humbja e tij dhe sa më merr malli për të. Sidoqoftë, e falënderoj përditë Jehovain që pata mundësi t’i bëhesha krah Tedit. Së bashku gëzuam mbi 53 vjet në shërbim të plotkohor. Tedi më ndihmoi të afrohesha më shumë me Atin tim qiellor dhe e falënderoj Jehovain për këtë. Nuk kam fije dyshimi se caktimi i ri i sjell Tedit kënaqësi të papërshkrueshme.

VËSHTIRËSI TË REJA

Puna dhe stërvitja e motrave në parukerinë e Bethelit më falte shumë kënaqësi

Pas gjithë atyre viteve të vrullshme e të lumtura me tim shoq, s’e kam pasur të lehtë të përshtatem me vështirësitë e sotme. Mua dhe Tedit na pëlqente shumë kur njiheshim me ata që vinin mysafirë në Bethel dhe në Sallën e Mbretërisë. Tani që Tedi im i shtrenjtë nuk është më këtu dhe unë s’jam më e fortë si dikur, nuk arrij të qëndroj aq shumë në shoqëri me të tjerët. Prapëseprapë, kënaqem kur rri me vëllezërit dhe motrat e mia të dashura në Bethel e në kongregacion. Nuk është aq kollaj të ndjekësh programin e Bethelit, ama është burim gëzimi t’i shërbesh Perëndisë në këtë mënyrë. E dashuria për veprën e predikimit nuk më është venitur aspak. Ndonëse lodhem shpejt dhe nuk rri dot gjatë në këmbë, kënaqem tej mase kur jap dëshmi rrugore dhe kur drejtoj studime biblike.

Tek shoh gjithë gjërat e tmerrshme që ndodhin në botë, jam e lumtur që i kam shërbyer Jehovait përkrah një bashkëshorti të mrekullueshëm. E them me plot gojën se bekimet e Jehovait ma kanë pasuruar jetën!Prov. 10:22.

^ par. 13 Jetëshkrimi i Xhek Nejthënit doli në Kullën e Rojës të 1 shtatorit 1990, f. 10-14, anglisht.