«Edhe sikur të vonojë, rri në pritje të tij.»—HAB. 2:3.

KËNGËT: 128, 45

1, 2. Cili qëndrim ka qenë gjithnjë tipik për adhuruesit e Jehovait?

ADHURUESIT e Jehovait prej kohësh kanë ndenjur në pritje të përmbushjes së profecive të frymëzuara. Për shembull, Jeremia profetizoi se Juda do të shkretohej dhe pikërisht ashtu ndodhi kur Babilonia pushtoi vendin në vitin 607 p.e.s. (Jer. 25:8-11) Isaia, që paratha nën frymëzim se Jehovai do ta rimëkëmbte vendin, deklaroi: «Lum ata që presin të veprojë ai!» (Isa. 30:18) Mikea, i cili profetizoi për popullin e lashtë të Perëndisë, u shpreh i vendosur: «Unë do t’i mbaj sytë te Jehovai.» (Mik. 7:7) Për shekuj me radhë, shërbëtorë të tjerë të Perëndisë ndenjën në pritje të përmbushjes së profecive për Mesinë, ose Krishtin.Luka 3:15; 1 Pjet. 1:10-12. *

2 Edhe shërbëtorët e Perëndisë sot rrinë në pritje, sepse profecitë për Mesinë po vazhdojnë të përmbushen. Me anë të Mbretërisë Mesianike, së shpejti Jehovai do t’u japë fund vuajtjeve duke shkatërruar të ligjtë dhe duke e çliruar popullin e tij nga kjo botë e paqëndrueshme që dergjet nën pushtetin  e Satanait. (1 Gjon. 5:19) Prandaj le të qëndrojmë syçelë dhe plotësisht të vetëdijshëm se fundi i këtij sistemi po vjen me të shpejtë.

3. Ç’pyetje mund të ngrihet nëse kemi pritur për shumë vjet që të vijë fundi?

3 Si shërbëtorë të Jehovait mezi presim që vullneti i tij ‘të bëhet si në qiell, edhe në tokë’. (Mat. 6:10) Megjithatë, pasi e kanë pritur me shumë dëshirë fundin e këtij sistemi për një kohë në dukje goxha të gjatë, ndoshta disa pyesin veten: «A ia vlen akoma të rrimë në pritje?» Le ta shohim.

PSE TË RRIMË NË PRITJE?

4. Cila është një arsye e fortë për të qëndruar vigjilentë?

4 Bibla e thotë troç se ç’qëndrim duhet të kemi për shkatërrimin që i kanoset këtij sistemi. Jezui u tha dishepujve ‘të qëndronin vigjilentë’ dhe ‘të rrinin zgjuar’. (Mat. 24:42; Luka 21:34-36) Pra një arsye e fortë për të qëndruar në pritje është thjesht se kështu na urdhëron Jezui. Organizata e Jehovait është shembullore në këtë drejtim. Ajo na ka nxitur përherë me anë të botimeve që ‘të presim dhe të mbajmë gjithnjë në mend praninë e ditës së Jehovait’, si edhe t’i varim shpresat te bota e re që ka premtuar ai.Lexo 2 Pjetrit 3:11-13.

5. Pse është urgjente të tregohemi vigjilentë sot?

5 Nëse ishte me vend që të krishterët e hershëm të qëndronin në pritje, aq më tepër është e rëndësishme për ne sot. Pse? Sepse po jetojmë gjatë pranisë së Krishtit. Shenja e pranisë së tij është dukur qartë që nga viti 1914. Kjo shenjë, që përfshin shumë aspekte, ku futen përkeqësimi i kushteve botërore dhe predikimi për Mbretërinë në mbarë botën, tregon se tani po jetojmë në ‘përfundimin e sistemit’. (Mat. 24:3, 7-14) Përderisa Jezui nuk tha sa do të zgjaste kjo periudhë para fundit, duhet të tregohemi tejet vigjilentë, syhapur.

6. Pse presim që kushtet botërore të shkojnë keq e më keq ndërsa i afrohemi fundit?

6 Mbase pyesim: «Mos vallë ‘përfundimi i sistemit’ i referohet një periudhe në të ardhmen kur bota do të katandiset akoma më keq?» Qartë, Bibla thotë se «në ditët e fundit» ligësia do të shtohet shumë. (2 Tim. 3:1, 13; Mat. 24:21; Zbul. 12:12) Pra, ndonëse kushtet botërore tashmë janë të këqija, mund të presim që situata të rëndohet më tej.

7. Çfarë tregon Mateu 24:37-39 për kushtet e botës gjatë ditëve të fundit?

7 Por, sa mendon se do të rëndohet situata para ‘shtrëngimit të madh’? (Zbul. 7:14) Për shembull, a pret që të ketë luftë në çdo vend, skamje në çdo shtëpi dhe sëmundje në çdo familje? Po të ishte kështu, edhe skeptikët do të detyroheshin të pranonin se po përmbushet profecia e Biblës. Mirëpo, Jezui tha se shumica e njerëzve ‘nuk do t’i kushtonin vëmendje’ pranisë së tij e do të jetonin si normalisht derisa të ishte tepër vonë. (Lexo Mateun 24:37-39.) Ndaj, Shkrimet tregojnë se kushtet e botës gjatë ditëve të fundit nuk do të bëheshin aq ekstreme sa njerëzit të besonin se s’bën që fundi është afër.Luka 17:20; 2 Pjet. 3:3, 4.

8. Çfarë është e qartë për ata që ia vënë veshin urdhrit të Jezuit ‘që të qëndrojnë vigjilentë’?

8 Nga ana tjetër, përmbushja e shenjës duhej të ishte aq e qartë sa të tërhiqte vëmendjen e atyre që do t’i bindeshin këshillës së tij ‘për të qëndruar vigjilentë’, sepse kjo ishte arsyeja pse e dha  Jezui shenjën. (Mat. 24:27, 42) Dhe kështu ka ndodhur që nga 1914-a. Që nga ai vit, aspektet e shenjës po plotësohen. S’ka dyshim se pikërisht tani po jetojmë në ‘përfundimin e sistemit’—periudha e shkurtër që përfshin kohën para se të shkatërrohet ky sistem i lig dhe vetë shkatërrimin e tij.

9. Për cilat arsye duhet të rrimë në pritje të fundit të këtij sistemi?

9 Pse, pra, duhet të rrinë në pritje shërbëtorët e Perëndisë sot? Rrimë në pritje ngaqë i bindemi Jezu Krishtit. Gjithashtu e dallojmë shenjën e pranisë së tij, por jo ngaqë jemi naivë e besojmë çdo gjë. Ajo që presim bazohet në dëshmi të forta biblike që na detyrojnë të qëndrojmë vigjilentë, zgjuar, gjithë sy e veshë dhe gati për fundin e këtij sistemi.

EDHE SA KOHË?

10, 11. (a) Për cilat mundësi i përgatiti Jezui dishepujt? (b) Çfarë duhej të bënin dishepujt nëse pritja e tyre për fundin do të zgjaste më tepër se ç’mendonin? (Shih figurën hapëse.)

10 Mjaft prej nesh kanë qëndruar zgjuar frymësisht për dekada të tëra. Megjithatë të mos lejojmë që me kalimin e kohës të na gërryhet vendosmëria për të qëndruar në pritje. Duhet të jemi gati për ardhjen e Jezuit si Ekzekutuesi që do t’i japë fund këtij sistemi. Të mos harrojmë këshillën që u dha Jezui dishepujve: «Mbani sytë hapur dhe rrini zgjuar, sepse nuk e dini se kur është koha e caktuar. Është si një njeri që e la shtëpinë e vet dhe udhëtoi për në dhe të huaj. Ai u dha autoritet skllevërve të tij dhe secilit i ngarkoi një punë, kurse portierin e urdhëroi të qëndronte vigjilent. Prandaj, qëndroni vigjilentë, sepse nuk e dini kur vjen i zoti i shtëpisë, në të ngrysur a në mesnatë, kur të këndojë gjeli a herët në mëngjes, që kur të mbërrijë befas, të mos ju gjejë në gjumë. Atë që po jua them juve, ua them të gjithëve: qëndroni vigjilentë.»Mar. 13:33-37.

11 Me të kuptuar se prania e Krishtit filloi më 1914, dishepujt e Jezuit me të drejtë nisën të përgatiteshin për fundin që mund të vinte nga çasti në çast. Këtë e bënë duke intensifikuar veprën e predikimit për Mbretërinë. Por Jezui tha se mund të vinte edhe më vonë, ‘kur të këndonte gjeli a herët në mëngjes’. Si duhej të vepronin dishepujt e tij po të ndodhte kështu? Ai u tha: «Qëndroni vigjilentë.» Pra, pritja e gjatë nuk do t’i justifikonte që të mendonin se fundi ishte larg ose që ta humbnin fare shpresën.

12. Ç’pyetje i bëri Habakuku Jehovait, dhe si iu përgjigj ai?

12 Mendo për profetin Habakuk, i cili u caktua të parathoshte shkatërrimin e Jerusalemit. Kur filloi caktimin, paralajmërimet për shkretimin e qytetit kishin jehuar prej vitesh. Gjendja kishte arritur deri aty sa ‘i ligu rrethonte të drejtin dhe drejtësia shtrembërohej’. Prandaj jo më kot Habakuku pyeti: «Deri kur, o Jehova, do të thërras për ndihmë?» Në vend që t’i përgjigjej drejtpërdrejt asaj pyetjeje, Jehovai e siguroi profetin e tij besnik se shkatërrimi i parathënë ‘nuk do të vononte’. Ai i tha Habakukut ‘të rrinte në pritje’.—Lexo Habakukun 1:1-4; 2:3.

13. Çfarë mund të kishte menduar Habakuku, dhe pse mendime të tilla do të ishin të rrezikshme?

13 Ta zëmë se Habakukun do ta kishte lëshuar zemra e do të mendonte: «Kam vite që dëgjoj për shkatërrimin e Jerusalemit. Po sikur të jetë ende shumë larg? Është e kotë të profetizoj se qyteti do të  shkatërrohet befas. Më mirë ta bëjnë të tjerët.» Nëse do të kishte menduar kështu, do ta kish humbur miratimin e Jehovait, e ndoshta edhe jetën gjatë shkatërrimit të Jerusalemit nga babilonasit.

14. Pse mund të jemi të sigurt se nuk do të zhgënjehemi po të rrimë në pritje të fundit?

14 Në botën e re do të kemi arsye të mendojmë thellë se si u plotësuan pikë për pikë ngjarjet e parathëna për përfundimin e sistemit. Kur të meditojmë se si rrodhën gjërat, do të na forcohet besimi te Jehovai dhe te premtimet ende të papërmbushura. (Lexo Josiun 23:14.) Patjetër, do të jemi mirënjohës që Perëndia, i cili ‘ka vendosur kohët ose stinët me autoritetin e vet’, na nxiti të qëndronim vigjilentë ndërsa ‘fundi i të gjitha gjërave ishte afruar’.Vep. 1:7; 1 Pjet. 4:7.

TË RRISH NË PRITJE DO TË THOTË TË VEPROSH

A po e predikon me zell lajmin e mirë? (Shih paragrafin 15.)

15, 16. Pse gjëja më e mençur në këto kohë është të intensifikojmë predikimin?

15 Mund të presim që organizata e Jehovait të na kujtojë pareshtur se duhet t’i shërbejmë Perëndisë me ndjenjë urgjence. Këta përkujtues nuk jepen thjesht që të jemi aktivë në shërbim të Perëndisë, por edhe që të mbetemi të vetëdijshëm se shenja e pranisë së Krishtit po përmbushet sot. Cili është veprimi më i mençur duke marrë parasysh kohën që jetojmë? Të vazhdojmë të kërkojmë së pari Mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij duke predikuar me zell lajmin e mirë.Mat. 6:33; Mar. 13:10.

16 Një motër tha: «Me anë të predikimit të lajmit të mirë për Mbretërinë e Perëndisë . . . i ndihmojmë të tjerët të shpëtojnë nga vdekja e sigurt në katastrofën botërore që duket në horizont.» Ajo e di ç’do të thotë të shpëtosh sepse bashkë me të shoqin mbijetuan në një nga katastrofat detare më të mëdha të historisë, në fundosjen e anijes luksoze Wilhelm Gustloff më 1945. Edhe përballë një rreziku të tillë, dikush mund të ketë pikëpamjen e gabuar për atë që është më e rëndësishme. Motra kujton një grua që ulërinte: «Obobo valixhet e mia! Valixhet e mia! Bizhuteritë e mia! Të gjitha janë atje poshtë në kabinë. Humba gjithçka.» Ndryshe nga ajo, disa pasagjerë të dhembshur rrezikuan jetën duke u bërë copë të shpëtonin njerëzit që kishin rënë në ujërat e akullta. Ashtu si ata pasagjerë altruistë, edhe ne bëjmë çmos të ndihmojmë të tjerët. E kemi shumë të qartë sa urgjente është vepra e predikimit, ndaj para se të jetë tepër  vonë i ndihmojmë të tjerët të mbijetojnë në katastrofën botërore që është te dera.

A merr vendime të mençura që asnjë shpërqendrim të mos ta shuajë ndjenjën e urgjencës?(Shih paragrafin 17.)

17. Ç’arsye kemi të besojmë se fundi mund të vijë në çdo moment?

17 Ngjarjet përreth botës tregojnë qartë se profecitë biblike po përmbushen tani dhe se fundi i këtij sistemi të lig është pranë. Prandaj të mos mendojmë se duhet ende shumë kohë që gjendja e kësaj bote të arrijë në pikën ku «dhjetë brirët» dhe «bisha» e Zbulesës 17:16 t’i vërsulen Babilonisë së Madhe, perandorisë botërore të fesë së rreme. Të mos harrojmë se Perëndia ‘do t’ua shtjerë në zemër’ të veprojnë kështu, dhe kjo mund të ndodhë sa hap e mbyll sytë e në çdo moment. (Zbul. 17:17) Fundi i gjithë këtij sistemi nuk është larg. Kemi arsye të forta t’ia vëmë veshin paralajmërimit të Jezuit: «Kushtojini vëmendje vetes, që të mos ju rëndohen zemrat nga të ngrënët e tepërt, nga pirja e tepërt dhe nga ankthet e jetës, që ajo ditë të mos bjerë befas mbi ju si një lak.» (Luka 21:34, 35; Zbul. 16:15) Qofshim të vendosur t’i shërbejmë Jehovait me ndjenjë urgjence, të sigurt se ‘vepron në dobi të atyre që vazhdojnë ta presin’!Isa. 64:4.

18. Ç’pyetje do të shqyrtojmë në artikullin tjetër?

18 Ndërsa presim fundin e këtij sistemi të lig, le t’u kushtojmë vëmendje fjalëve të frymëzuara të dishepullit Judë: «O të dashur, duke u forcuar mbi themelin e besimit tuaj shumë të shenjtë dhe duke u lutur me frymë të shenjtë, ruani veten në dashurinë e Perëndisë, ndërsa pritni mëshirën e Zotërisë tonë Jezu Krisht, me sytë nga jeta e përhershme.» (Jud. 20, 21) Por si mund të tregojmë se po jetojmë me sytë nga bota e re që ka premtuar Perëndia dhe se e presim me padurim? Këtë do ta shqyrtojmë në artikullin tjetër.

^ par. 1 Për profeci të tjera biblike për Mesinë dhe përmbushjen e tyre, shih faqen 200 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?