S’ISHTE hera e parë që Bezaleli dhe Oholiabi punonin në ndërtim. Mbase u kishte ardhur në majë të hundës puna me tulla që bënë si skllevër në Egjipt. Por kjo i përkiste së kaluarës. Tani do të bëheshin mjeshtra në punë artizanale, ngaqë u caktuan të merrnin drejtimin në ndërtimin e tabernakullit. (Dal. 31:1-11) Megjithatë, fare pak veta do ta shihnin punën e tyre mahnitëse. A do të mërziteshin që do të mbeteshin pothuajse mjeshtra anonimë? A kishte vërtet rëndësi se kush do ta vërente punën e tyre? Po punën tënde, a ka rëndësi kush e vë re?

VEPRA PËRRALLORE QË I PANË FARE PAK VETA

Disa nga orenditë e tabernakullit ishin kryevepra të pashoqe. Për shembull, të mendojmë për kerubinët prej ari sipër arkës së besëlidhjes, që Pavli i quajti ‘të lavdishëm’. (Hebr. 9:5) Përfytyro bukurinë marramendëse të atyre figurave prej ari të punuara me çekan.Dal. 37:7-9.

Po të ekzistonin ende kryeveprat e Bezalelit dhe të Oholiabit, patjetër që do të paraqiteshin në muzetë më të mirë për kënaqësinë e sa e sa vizitorëve. Por sa veta i panë vërtet ato vepra madhështore në kohën kur u bënë? Kerubinët ndodheshin në Më të Shenjtën, ndaj i shihte vetëm kryeprifti që hynte atje veç një herë në vit, Ditën e Shlyerjes. (Hebr. 9:6, 7) Ja pse ato kryevepra i panë fare pak veta.

TË KËNAQUR NDONËSE PA LAVDINË E NJERËZVE

Po të ishe në vend të Bezalelit ose të Oholiabit e do të ishe robtuar për të bërë ato vepra arti përrallore, si do të ndiheshe që i panë aq pak veta? Në kohën tonë njerëzit mendojnë se arrijnë njëfarë suksesi kur të tjerët i lëvdojnë e i admirojnë. Për ta kjo është një mënyrë për të përcaktuar rëndësinë e punës. Por shërbëtorët e Jehovait janë ndryshe. Ashtu si Bezaleli dhe Oholiabi, edhe ne kënaqemi ngaqë bëjmë vullnetin e Jehovait dhe kemi miratimin e tij.

Në ditët e Jezuit udhëheqësit fetarë e kishin zakon të bënin lutje që tërhiqnin vëmendjen e të tjerëve. Mirëpo, Jezui sugjeroi këtë: të lutemi nga zemra e të mos kërkojmë vëmendje nga të  tjerët. Cili do të jetë rezultati? «Ati yt që sheh në fshehtësi, do të të shpërblejë.» (Mat. 6:5, 6) Qartë, ajo që ka rëndësi është çfarë mendon Jehovai për lutjet tona, jo çfarë mendojnë të tjerët. Vlerësimi i tij i bën lutjet tona vërtet të vyera. E njëjta gjë vlen për gjithçka që bëjmë në shërbimin e shenjtë. Vlera e shërbimit tonë s’ka të bëjë me pëlqimin e të tjerëve. Ajo që ka rëndësi është pëlqimi i Jehovait, «që sheh në fshehtësi».

Kur tabernakulli u përfundua, ‘një re nisi të mbulonte tendën e takimit dhe lavdia e Jehovait mbushi tabernakullin’. (Dal. 40:34) Sa shenjë e dukshme e miratimit të Jehovait! Imagjino si u ndien në atë moment Bezaleli dhe Oholiabi. Megjithëse emrat nuk iu gdhendën në asnjë nga veprat artistike, patjetër u kënaqën ngaqë e dinin se Jehovai e kishte bekuar punën e tyre. (Prov. 10:22) Sigurisht që u ngrohej zemra teksa shihnin se me kalimin e viteve veprat e tyre vazhduan të përdoreshin në shërbim të Jehovait. Kur Bezaleli dhe Oholiabi të ringjallen në botën e re, pa dyshim që do të emocionohen tej mase kur të marrin vesh se tabernakulli u përdor në adhurimin e vërtetë për afro 500 vjet.

Edhe sikur asnjeri të mos e vërejë shërbimin tënd të përulur e të zellshëm, Jehovai e vë re

Sot në organizatën e Jehovait, gjithë stafi i filmave vizatimorë, artistët, muzikantët, fotografët, përkthyesit dhe shkrimtarët bëjnë punë anonime. Në njëfarë kuptimi, asnjë nuk «e vë re» atë që bëjnë ata. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për një pjesë të mirë të punës që bëhet në mbi 110.000 kongregacionet anekënd botës. Kush e sheh shërbëtorin e llogarisë tek plotëson formularët e nevojshëm në fund të muajit? Kush e sheh sekretarin që përgatit raportin e shërbimit të kongregacionit? Kush e sheh një vëlla a një motër që bën ndonjë riparim në Sallën e Mbretërisë?

Në fund të jetës, Bezalelit dhe Oholiabit nuk u dhanë trofe, medalje as nuk u ngritën përmendore për projektet magjepsëse e për ndërtimin cilësor. Ama fituan diçka ku e ku më të vyer: miratimin e Jehovait. Të jemi të sigurt se Jehovai e vuri re punën e tyre. Le të imitojmë shembullin e tyre duke bërë një shërbim të përulur e të zellshëm.