Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Ji syçelë—Satanai do që të të gllabërojë!

Ji syçelë—Satanai do që të të gllabërojë!

«Jini syçelë. Kundërshtari juaj, Djalli, vjen rrotull si një luan që ulërin, duke kërkuar të gllabërojë dikë.»1 PJET. 5:8.

1. Shpjegoni si u bë Satana një krijesë frymore.

DIKUR ai kishte qëndrim të shkëlqyer para Jehovait. Mirëpo, në një moment, kjo krijesë frymore filloi të dëshirojë adhurimin nga njerëzit. Në vend që ta shuante atë dëshirë të papërshtatshme, e ushqeu dhe e la të rritej derisa ajo lindi mëkatin. (Jak. 1:14, 15) Këtë krijesë e njohim si Satanai, i cili «nuk qëndroi i vendosur në të vërtetën». Ai u rebelua kundër Jehovait dhe u bë «ati i gënjeshtrës».—Gjoni 8:44.

2, 3. Ç’tregojnë për armikun më të madh të Jehovait termat «Satana», «Djall», «gjarpër» dhe «dragua»?

2 Që nga ai rebelim, Satanai ka treguar qartë se është armiku më i madh i Jehovait, dhe s’do mend që nuk ka qenë aspak mik i njerëzimit. Titujt që i janë vënë Satanait nxjerrin në pah sa të thella i ka rrënjët korruptimi i tij. Satana do të thotë «Kundërshtar», çka tregon se kjo krijesë e ligë frymore jo vetëm që nuk e mbështet sovranitetin e Perëndisë, por e urren dhe e lufton egërsisht. Mbi gjithçka tjetër, Satanai do që të marrë fund sovraniteti i Jehovait.

3 Sipas Zbulesës 12:9, Satanai quhet Djall, që do të thotë «Shpifës». Kjo na kujton se ai e ka përlyer emrin e Jehovait  duke e quajtur gënjeshtar. Fjalët «gjarpri i hershëm» na sjellin ndër mend ditën e kobshme në Eden kur Satanai përdori një gjarpër për të mashtruar Evën. Shprehja «dragoi i madh» të krijon përfytyrimin e një përbindëshi të llahtarshëm. Ky është një përshkrim i goditur i lakmisë shtazarake të Satanait për të penguar qëllimin e Jehovait e për të shkatërruar popullin e Tij.

4. Për çfarë do të flasim në këtë artikull?

4 S’diskutohet, Satanai është kërcënimi më i madh për integritetin tonë. Me të drejtë Bibla na nxit: «Ruani gjykimin, jini syçelë. Kundërshtari juaj, Djalli, vjen rrotull si një luan që ulërin, duke kërkuar të gllabërojë dikë.» (1 Pjet. 5:8) Duke mbajtur parasysh këtë paralajmërim, te ky artikull do të trajtojmë tri karakteristika të Satanait që theksojnë sa e nevojshme është të ruhemi nga ky armik i paskrupull i Jehovait dhe i popullit të Tij.

SATANAI ËSHTË I FUQISHËM

5, 6. (a) Jepni shembuj që tregojnë se krijesat frymore janë ‘shumë të fuqishme’. (b) Në ç’kuptim Satanai ka «mjetet për të shkaktuar vdekjen»?

5 Krijesat frymore që quhen engjëj janë ‘shumë të fuqishme’. (Psal. 103:20) Ato janë krijesa më të larta se njerëzit, ndaj kanë zgjuarsi dhe fuqi më të madhe. Natyrisht, engjëjt besnikë e përdorin për mirë fuqinë e tyre. Për shembull, në një rast një engjëll i Jehovait goditi 185.000 ushtarë armiq asirianë—bëmë e pamundur për një njeri të vetëm, madje e vështirë edhe për një ushtri të tërë. (2 Mbret. 19:35) Një herë tjetër, një engjëll përdori mendjeshkathtësinë dhe fuqinë e tij të mbinatyrshme për të çliruar nga burgu apostujt e Jezuit. Ajo krijesë frymore i shmangu masat e sigurisë, hapi dyert e kyçura, nxori apostujt e pastaj i kyçi dyert prapë—e gjithë kjo teksa rojat vigjilonin aty pranë.Vep. 5:18-23.

6 Ndërkohë që krijesat frymore besnike e përdorin për mirë fuqinë, Satanai e përdor fuqinë për të bërë ligësi. E çfarë fuqie dhe ndikimi ka ai! Shkrimet e quajnë «sundimtari i kësaj bote», «perëndia i kësaj bote». (Gjoni 12:31; 2 Kor. 4:4) Satana Djalli madje ka «mjetet për të shkaktuar vdekjen». (Hebr. 2:14) Kjo s’do të thotë se i vret të gjithë njerëzit drejtpërdrejt. Sidoqoftë fryma e tij vrastare ka marrë dhenë. Për më tepër, ngaqë Eva i besoi gënjeshtrës së Satanait dhe Adami nuk iu bind Perëndisë, mëkati e vdekja u përhapën te të gjithë njerëzit. (Rom. 5:12) Në këtë kuptim Djalli ka pasur «mjetet për të shkaktuar vdekjen». Është tamam siç e quajti Jezui: «Vrasës.» (Gjoni 8:44) Çfarë armiku të fuqishëm kemi përballë!

7. Si e kanë shfaqur demonët fuqinë e tyre?

7 Kur i kundërvihemi Satanait, dalim jo vetëm kundër tij, por edhe kundër gjithë atyre që kanë marrë anën e tij në çështjen e sovranitetit universal. Mes tyre është një grup goxha i madh rebelësh të tjerë frymorë, që ndryshe quhen demonë. (Zbul. 12:3, 4) Demonët e kanë shfaqur sa e sa herë fuqinë e mbinatyrshme, duke u shkaktuar vuajtje të tmerrshme atyre që kanë torturuar. (Mat. 8:28-32; Mar. 5:1-5) Kurrë të mos e nënvlerësojmë fuqinë e këtyre engjëjve të ligj dhe të «sundimtarit të demonëve»! (Mat. 9:34) Pa ndihmën e Jehovait s’e fitojmë dot kurrsesi luftën kundër Satanait.

SATANAI ËSHTË KATIL

8. (a) Çfarë synimi ka Satanai? (Shih figurën hapëse.) (b) Nga ç’ke parë, si e pasqyron kjo botë frymën katile të Satanait?

8 Apostulli Pjetër e krahasoi Satanain  me «një luan që ulërin». Sipas një vepre referimi, fjala greke e përkthyer «që ulërin» nënkupton «ulërimën e një bishe që e ka mbërthyer keq uria». Çfarë përshkrimi i goditur për natyrën katile të Satanait! Edhe pse gjithë bota tashmë dergjet nën kthetrat e tij, Satanai është i babëzitur për më shumë viktima. (1 Gjon. 5:19) Për të, bota mund të jetë thjesht «një meze» që i hap oreksin. Faktikisht, Satanai i ka sytë te «pjata kryesore», pra te mbetja e të mirosurve, me të cilët janë bashkuar shokët e tyre, ‘delet e tjera’. (Gjoni 10:16; Zbul. 12:17) Satanai është i vendosur të gllabërojë popullin e Jehovait. Dallgët e përndjekjes që ka lëshuar kundër dishepujve të Jezuit që nga shekulli i parë e deri më sot flasin për frymën e tij katile.

9, 10. (a) Si u orvat Satanai të pengonte qëllimin e Perëndisë për kombin e Izraelit? (Jepni shembuj.) (b) Pse Satanai kishte arsye të veçantë që ta vinte në shënjestër Izraelin e lashtë? (c) Si mendon se ndihet Djalli kur një shërbëtor i Jehovait sot kryen ndonjë mëkat të rëndë?

9 Në orvatjet e tij për të penguar qëllimin e Perëndisë, Satanai tregon se është katil edhe në një mënyrë tjetër. Një luan që e ka mbërthyer uria s’ka pikë mëshire për prenë e vet. Nuk ndien fare dhembshuri para se ta vrasë dhe nuk i vjen hiç keq më pas. Po ashtu, Satanai nuk ka pikë mëshire për ata që orvatet t’i gllabërojë. Mendo pak: kushedi sa shpesh Satana Djalli përgjonte tinëzisht teksa izraelitët binin në mëkate të tilla, si imoraliteti seksual dhe lakmia. Për shembull, kur lexon për pasojat tragjike që patën Zimri imoral dhe Gehazi lakmitar, a «e sheh» luanin që ulërin të ngazëllejë tërë ligësi për fitoren e vet?Num. 25:6-8, 14, 15; 2 Mbret. 5:20-27.

Satanai kënaqet kur një shërbëtor i Jehovait kryen ndonjë mëkat (Shih paragrafin 10.)

10 Satanai kishte arsye të veçantë që ta vinte në shënjestër Izraelin e lashtë. Në fund të fundit, nga ai komb do të dilte Mesia—pikërisht ai që do t’i shtypte kokën Satanait dhe do të shfajësonte sovranitetin e Jehovait. (Zan. 3:15) Satanai nuk donte që izraelitëve t’u shkonte mbarë dhe përpiqej mizorisht t’i fëlliqte me anë të mëkatit. Mos pandeh që Satanait i erdhi gjynah për Davidin kur kreu  kurorëshkelje ose që i erdhi keq për profetin Moisi kur humbi privilegjin të hynte në Tokën e Premtuar. Përkundrazi, s’do mend që Satanai kënaqet kur një shërbëtor i Perëndisë njolloset nga ndonjë mëkat i rëndë. Në fakt, fitore të tilla mund të jenë ndër gjërat që përdor Djalli për ta sfiduar me qesëndi Jehovain.Prov. 27:11.

11. Për ç’arsye mund ta ketë vënë në shënjestër Satanai Sarën?

11 Satanai e kishte halë në sy linjën familjare nga do të rridhte Mesia. Për shembull, mendo ç’ndodhi pak pasi Abrahamit iu tha se do të bëhej ‘një komb i madh’. (Zan. 12:1-3) Kur Abrahami dhe Sara ishin në Egjipt, faraoni urdhëroi t’ia sillnin Sarën në shtëpi—me sa duket që të bëhej gruaja e tij. Mirëpo, Jehovai ndërhyri dhe e shpëtoi Sarën nga ajo grackë morale. (Lexo Zanafillën 12:14-20.) Pak para se të lindte Isaku, ndodhi një incident i ngjashëm në Gerar. (Zan. 20:1-7) A vepronte Satanai pas skene në ato ngjarje? Mos ndoshta shpresonte që Sara, e cila la pas Urin e begatë për të banuar në tenda, të joshej nga pallatet luksoze të faraonit dhe të Abimelekut? A mendonte vallë Satanai se Sara do të tradhtonte të shoqin—dhe Jehovain—e do të martohej duke shkelur kurorën? Bibla nuk thotë gjë për këtë, por kemi arsye të forta të besojmë se Djalli do të kënaqej pa masë sikur ta bënte Sarën të padenjë për të lindur farën e premtuar. Satanain s’do ta brente aspak ndjenja e fajit sikur asaj gruaje të mirë t’i prishej martesa, reputacioni dhe qëndrimi i mirë para Jehovait. Sa katil është Satanai!

12, 13. (a) Si e tregoi Satanai natyrën e tij katile pas lindjes së Jezuit? (b) Si mendon se ndihet Satanai për fëmijët dhe të rinjtë sot që e duan Jehovain e përpiqen t’i shërbejnë?

12 Shekuj pas Abrahamit lindi Jezui. Mos pandeh se Satanai e pa si një foshnjë të shtrenjtë, të bukur e ledhatar. Jo, sepse e dinte se, kur të rritej, ai fëmijë i sapolindur do të bëhej Mesia i premtuar. Vërtet, Jezui ishte pjesa kryesore e pasardhjes së Abrahamit dhe më vonë ‘do të zhbënte veprat e Djallit’. (1 Gjon. 3:8) A do të arsyetonte Satanai se vrasja e një foshnje do të ishte e paimagjinueshme? Satanai nuk ka asnjë kod moral fisnik. E në rastin e fëmijës Jezu, ai veproi pa një pa dy. Çfarë bëri?

13 Kur astrologët e pyetën mbretin Herod për ‘mbretin e judenjve që kishte lindur’, ky u tërbua dhe ishte i vendosur ta vriste. (Mat. 2:1-3, 13) Që të sigurohej për këtë, urdhëroi të ekzekutoheshin gjithë djemtë dy vjeç e poshtë në Betlehem dhe në rrethinat e tij. (Lexo Mateun 2:13-18.) Vërtet, Jezui shpëtoi nga masakra e llahtarshme, por ç’na tregon ajo për armikun tonë, Satanain? Është e qartë se për Djallin jeta e njerëzve s’ka pikë vlere. Madje atij s’i dhimbsen as fëmijët. Satanai është vërtet «një luan që ulërin». Kurrë të mos e nënvlerësojmë sa katil është!

SATANAI ËSHTË MASHTRUES

14, 15. Si ‘ua ka verbuar mendjen jobesimtarëve’ Satanai?

14 Satanai s’mund t’i kthejë njerëzit kundër Perëndisë së dashur, Jehovait, pa i mashtruar. (1 Gjon. 4:8) Nëpërmjet mashtrimeve i pengon të bëhen «të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë». (Mat. 5:3) Kështu ‘ua ka verbuar mendjen jobesimtarëve, që ndriçimi i lajmit të mirë të lavdishëm për Krishtin, i cili është shëmbëlltyra e Perëndisë, të mos depërtojë’.2 Kor. 4:4.

15 Një nga armët më të fuqishme të Satanait për të mashtruar njerëzit është feja  e rreme. Sa i bëhet qejfi kur i sheh të adhurojnë paraardhësit, natyrën ose kafshët—këdo a çfarëdo tjetër përveç Jehovait, ‘i cili kërkon t’i përkushtohemi vetëm atij’! (Dal. 20:5) Madje edhe shumë veta që mendojnë se po e adhurojnë Perëndinë siç duhet janë prangosur pas bindjeve të rreme e riteve të kota. Janë në një gjendje për të ardhur keq, ashtu si ata njerëz që Jehovai iu përgjërohet: «Pse shpenzoni para për diçka që nuk është bukë? Pse derdhni mund për diçka që nuk ju ngop? Më dëgjoni me vëmendje dhe hani atë që është e mirë. Shpirti juaj le të kënaqet jashtë mase me ushqim plot yndyrë.»Isa. 55:2.

16, 17. (a) Pse Jezui i tha Pjetrit «largohu nga unë, Satana»? (b) Si mund të na e ulë Satanai ndjenjën e urgjencës me anë të mashtrimeve?

16 Satanai mund t’ua hedhë madje edhe shërbëtorëve të zellshëm të Jehovait. Për shembull, mendo ç’ndodhi kur Jezui u tha dishepujve të tij se pas pak do ta vritnin. Doemos i nisur nga motive të mira, apostulli Pjetër e mori mënjanë dhe i tha: «Ji i mirë me veten, Zotëri. Ti nuk ke pse të përfundosh kështu.» Jezui ia ktheu prerë: «Largohu nga unë, Satana!» (Mat. 16:22, 23) Pse Jezui e quajti Pjetrin «Satana»? Sepse e kishte të qartë ç’do të ndodhte së shpejti. Po afrohej çasti kur do të vdiste si flijim shpërblyes dhe do të provonte se Djalli është gënjeshtar. Në atë orë vendimtare të historisë së njerëzimit, nuk ishte momenti që Jezui të tregohej «i mirë me veten». Tamam këtë do të donte Satanai: që ai të ulte vigjilencën.

17 Ndërsa i afrohemi fundit të këtij sistemi, edhe ne jetojmë në kohë kritike. Satanai do që të ulim vigjilencën, të jemi ‘të mirë me veten’ dhe të zëmë një qoshe të ngrohtë në këtë botë, e kështu të humbim ndjenjën e urgjencës. Mos lejo të të ndodhë kjo! Përkundrazi, ‘qëndro vigjilent’. (Mat. 24:42) Kurrë mos i zër besë propagandës mashtruese të Satanait se fundi është larg ose që nuk do të vijë fare.

18, 19. (a) Si mund të përpiqet Satanai të na mashtrojë kur vjen puna te pikëpamja që kemi për veten? (b) Si na ndihmon Jehovai të ruajmë gjykimin e të rrimë syçelë?

18 Satanai përpiqet të na mashtrojë edhe kur bëhet fjalë për mënyrën si na sheh Jehovai. Ai do që të besojmë se nuk e meritojmë që Perëndia të na dojë dhe se mëkatet tona janë të pafalshme. Gjithë kjo është pjesë e propagandës mashtruese të Satanait. Fundja, kush është personi kryesor që vërtet nuk e meriton dashurinë e Jehovait? Vetë Satanai. Kush është vërtet i pafalshëm? Prapë Satanai. Kurse ne Bibla na siguron: «Perëndia nuk është i padrejtë, që të harrojë veprën tuaj dhe dashurinë që treguat për emrin e tij.» (Hebr. 6:10) Jehovai i vlerëson përpjekjet që bëjmë për t’i pëlqyer, dhe shërbimi ynë nuk është i kotë. (Lexo 1 Korintasve 15:58.) Pra, le të mos na e hedhë Satanai me propagandën e tij mashtruese!

19 Siç e kemi parë, Satanai është i fuqishëm, katil dhe mashtrues. Si mund ta fitojmë betejën kundër këtij armiku që të kall frikën? Jehovai nuk na lë të pambrojtur. Fjala e Tij hedh dritë mbi strategjitë e Satanait, dhe «nuk jemi në padije të intrigave të tij». (2 Kor. 2:11) Kur i kuptojmë taktikat e Satanait, e kemi më kollaj të ruajmë gjykimin e të rrimë syçelë. Por nuk mjafton vetëm t’i njohim intrigat e Satanait. Bibla thotë: «Kundërvijuni Djallit, e ai do të ikë nga ju.» (Jak. 4:7) Në artikullin tjetër do të flitet për tri pika ku mund të luftojmë kundër Satanait e të dalim fitimtarë.