«Kundërvijuni [Satanait], të fortë në besim.»1 PJET. 5:9.

1. (a) Pse sot lufta jonë kundër Satanait është tejet e rëndësishme? (b) Nga e dimë se mund të dalim fitimtarë në betejën kundër Satanait?

SATANAI po lufton kundër mbetjes së mirosur dhe ‘deleve të tjera’. (Gjoni 10:16) Synimi i Djallit është të gllabërojë sa më shumë shërbëtorë të Jehovait brenda asaj pak kohe që i mbetet. (Lexo Zbulesën 12:9, 12.) A mund të dalim fitimtarë në luftën kundër Satanait? Pa diskutim! Bibla thotë: «Kundërvijuni Djallit, e ai do të ikë nga ju.»Jak. 4:7.

2, 3. (a) Pse ideja se Satanai nuk ekziston u shërben synimeve të tij? (b) Nga e di ti se Satanai është real?

2 Shumë veta tallen madje dhe me idenë se Satanai ekziston. Satanai dhe demonët janë për ta veçse personazhe të trilluara të romaneve, të filmave horror dhe të videolojërave. Sipas tyre asnjë inteligjent nuk beson te frymërat e liga. Por a mendon se Satanai bezdiset që atë dhe hordhitë e tij të padukshme i shohin thjesht si personazhe përrallash? Aspak! Në fund të fundit, e ka më kollaj t’ua verbojë mendjen atyre që dyshojnë se ai ekziston. (2 Kor. 4:4) Përhapja e idesë se frymërat nuk ekzistojnë është një nga taktikat e shumta që përdor Satanai për të mashtruar njerëzit.

 3 Si shërbëtorë të Jehovait, s’jemi mes të mashtruarve. Ne e dimë se Djalli është real, sepse ai që i foli Evës nëpërmjet një gjarpri ishte Satanai. (Zan. 3:1-5) Ai që e sfidoi me qesëndi Jehovain për Jobin ishte prapë Satanai. (Jobi 1:9-12) Po ashtu ishte pikërisht Satanai ai që u orvat të tundonte Jezuin. (Mat. 4:1-10) E pas lindjes së Mbretërisë së Perëndisë më 1914, vetë Satanai filloi «të luftonte» me mbetjen e të mirosurve. (Zbul. 12:17) Jemi ende në valën e asaj lufte ndërsa Satanai përpiqet t’i shkatërrojë besimin mbetjes së 144.000-ve dhe deleve të tjera. Që ta fitojmë betejën, duhet t’i kundërvihemi Satanait e të qëndrojmë të fortë në besim. Në këtë artikull shqyrtohen tri mënyra si ta bëjmë këtë.

MOS I LËR VEND KRENARISË

4. Si e ka treguar Satanai se është plot krenari?

4 Satanai s’ka pikë përulësie. Në fakt, që një krijesë frymore të sfidojë paturpësisht sovranitetin e Jehovait dhe të ngrihet si perëndi rival është kulmi i krenarisë dhe shembulli më skandaloz i dikujt që s’di të mbajë vendin e vet. Prandaj, një mënyrë si mund t’i kundërvihemi Satanait është të mos i lëmë vend krenarisë e të kultivojmë përulësi. (Lexo 1 Pjetrit 5:5.) Por ç’është krenaria? A është gjithmonë e keqe?

5, 6. (a) A është gjithmonë e keqe krenaria? Shpjegoni. (b) Ç’lloj krenarie është e rrezikshme, dhe cilët shembuj biblikë e tregojnë këtë?

5 Një fjalor e përkufizon krenarinë si «dinjitet dhe respekt për veten» dhe «një ndjenjë kënaqësie që provon ngaqë ti vetë ose njerëzit e tu të dashur keni bërë ose zotëroni diçka të mirë». Këtu s’ka asnjë të keqe. Apostulli Pavël u tha selanikasve: «Ne ndihemi krenarë për ju nëpër kongregacionet e Perëndisë, falë qëndrueshmërisë dhe besimit tuaj në të gjitha përndjekjet dhe shtrëngimet që po duroni.» (2 Sel. 1:4) Pra mund të jetë gjë e mirë të ndihemi të kënaqur për arritjet e të tjerëve, madje edhe të kemi njëfarë krenarie brenda vetes. S’ka pse të na vijë turp për familjen tonë, kulturën a zonën ku jemi rritur.Vep. 21:39.

6 Në krahun tjetër, ekziston një lloj krenarie që mund të na gërryejë marrëdhëniet me të tjerët dhe të na cenojë miqësinë me Jehovain. Kush ka këtë lloj krenarie nuk i pranon me përulësi këshillat e nevojshme, por i ka zët e i hedh poshtë. (Psal. 141:5) Kjo krenari është përkufizuar si «vetëvlerësim i tepruar» ose «qëndrim fodull i njerëzve që mendojnë, shpesh kot, se janë më të mirë se të tjerët». Jehovai e urren krenarinë arrogante. (Ezek. 33:28; Amo. 6:8) Ama kushedi sa kënaqet Satanai kur vëren se njerëzit mburren gjithë krenari, sepse kjo pasqyron arrogancën e vet. Kushedi sa do t’i jetë bërë qejfi kur burra të tillë, si Nimrodi, faraoni dhe Absalomi u mbajtën me të madh. Të gjithë ata ranë pre e krenarisë së pavend. (Zan. 10:8, 9; Dal. 5:1, 2; 2 Sam. 15:4-6) Krenaria luajti rol edhe në rrënimin e Kainit. Ai mori këshilla nga vetë Perëndia, por ishte tepër krenar për të pranuar ndreqjen. Me kokëfortësi e shpërfilli nxitjen që i dha Jehovai dhe u turr drejt katastrofës.Zan. 4:6-8.

7, 8. (a) Ç’është racizmi, dhe pse mund të jetë një formë krenarie? (b) Shpjegoni si mund ta prishë krenaria paqen e kongregacionit.

7 Njerëzit sot e shfaqin krenarinë në shumë mënyra shkatërrimtare. Nganjëherë krenaria plekset me racizmin. Një fjalor e përkufizon racizmin si «paragjykim ose armiqësi kundrejt njerëzve të racave të tjera» dhe «bindje se njerëzve të racave të tjera u mungojnë disa cilësi e  aftësi dhe se disa raca nga natyra janë më të larta ose më të ulëta». Krenaria raciale ka çuar në trazira, luftëra dhe vrasje në masë.

8 S’diskutohet, në kongregacionin e krishterë s’ka vend për gjëra të tilla. Gjithsesi, mund të ndodhë që fërkimet mes bashkëbesimtarëve, që ndonjëherë kanë në rrënjë krenarinë, të dalin jashtë kontrollit. Duket se kështu ngjau me disa të krishterë në shekullin e parë. Jakovi u drejtoi atyre këtë pyetje zhbiruese: «Nga vijnë luftërat dhe nga vijnë zëniet mes jush?» (Jak. 4:1) E pra, ndjenjat e rrënjosura të armiqësisë dhe të epërsisë mund të ndikojnë te fjalët dhe te veprimet tona, duke i lënduar jashtë mase të tjerët. (Prov. 12:18) Është e qartë se krenaria mund të prishë paqen në kongregacion.

9. Si na ndihmon Bibla të luftojmë racizmin dhe forma të tjera të krenarisë së pavend? (Shih figurën hapëse.)

9 Nëse kemi prirjen të ndihemi më të mirë se të tjerët, të mos harrojmë se «njerëzit me zemër krenare janë të pështirë për Jehovain». (Prov. 16:5) Bëjmë mirë edhe të shqyrtojmë ç’pikëpamje kemi për ata që i përkasin një race, kombi a kulture tjetër. Po të ushqejmë krenarinë raciale ose kombëtare, do të shpërfillim faktin se Perëndia ‘i bëri të gjitha kombet nga një njeri i vetëm’. (Vep. 17:26) Në këtë kuptim, ekziston vetëm një racë sepse gjithë njerëzimi ka një paraardhës të përbashkët, Adamin. Sa absurde është, pra, të mendosh se disa raca janë krijuar më të larta ose më të ulëta! Këto mendime do t’i shkonin për shtat Satanait që kurdis intriga për të zbehur dashurinë dhe për të prishur unitetin mes nesh. (Gjoni 13:35) Që ta fitojmë betejën kundër Satanait, duhet të luftojmë çdo formë krenarie të pavend.Prov. 16:18.

SHMANG MATERIALIZMIN DHE DASHURINË PËR BOTËN

10, 11. (a) Pse mund të hedhë kollaj rrënjë në zemër dashuria për botën? (b) Si mund të ketë ndikuar te Dema dashuria për botën?

10 Satanai është «sundimtari i kësaj bote», dhe ajo dergjet nën pushtetin e tij. (Gjoni 12:31; 1 Gjon. 5:19) Prandaj, shumë nga gjërat që na nxit të bëjmë kjo botë bien ndesh me normat e Biblës. S’diskutohet, jo gjithçka që na vë para bota është e ligë. Megjithatë, pritet që Satanai ta përdorë botën e tij për të shfrytëzuar dëshirat tona dhe për të na joshur drejt mëkatit. Ose mund të na nxitë të ushqejmë dashuri për botën dhe të lëmë pas dore adhurimin e Jehovait.Lexo 1 Gjonit 2:15, 16.

11 Me sa duket, dashuria për botën ndikoi te disa të krishterë në shekullin e parë. Për shembull, Pavli shkroi: «Dema më braktisi, ngaqë donte këtë botë.» (2 Tim. 4:10) Bibla nuk tregon tamam se cili aspekt i botës ia prishi mendjen Demës dhe e bëri të braktiste Pavlin. Mbase Dema filloi të donte më shumë gjërat materiale, sesa synimet frymore. Nëse ishte kështu, ai humbi privilegje frymore fantastike. Dhe për çfarë?! A mund t’i ofronte vallë bota Demës ndonjë gjë më të mirë se bekimet që mund t’i jepte Jehovai ndërsa shoqëronte Pavlin?!Prov. 10:22.

12. Si mund të biem pre e ‘fuqisë mashtruese të pasurisë’?

12 Diçka e ngjashme mund të na ndodhë edhe neve. Si të krishterë, është normale që duam të sigurojmë gjërat e nevojshme materiale për veten dhe për familjen. (1 Tim. 5:8) Jehovai dëshiron të jetojmë në kushte të mira. Kjo shihet qartë kur mendojmë ç’ambient të bukur u siguroi Adamit dhe Evës. (Zan. 2:9) Por Satanai mund t’i shfrytëzojë dëshirat tona normale me anë të ‘fuqisë mashtruese të  pasurisë’. (Mat. 13:22) Shumë mendojnë që lumturia vjen nga paratë ose që të mirat materiale janë çelësi i suksesit. Ky është kryekëput një mendim mashtrues dhe mund të bëjë të humbim gjënë më të vyer që zotërojmë—miqësinë me Jehovain. Jezui i paralajmëroi dishepujt: «Askush s’mund të jetë skllav i dy zotërinjve: ose do të urrejë njërin e do të dojë tjetrin, ose do të ngjitet pas njërit e do të përbuzë tjetrin. Ju s’mund të jeni skllevër edhe të Perëndisë, edhe të Pasurisë.» (Mat. 6:24) Nëse jemi skllevër të Pasurisë, nuk po i shërbejmë më Jehovait, dhe pikërisht këtë do Satanai. Mos lejofshim kurrë që paratë ose gjërat që blihen me to të bëhen më të rëndësishme se miqësia me Jehovain! Që të luftojmë Satanain, duhet të mbajmë një pikëpamje të ekuilibruar për gjërat materiale.Lexo 1 Timoteut 6:6-10.

BËJI BALLË IMORALITETIT SEKSUAL

13. Si ka përhapur kjo botë një pikëpamje të shtrembër për martesën dhe seksin?

13 Një grackë tjetër e botës së Satanait është imoraliteti seksual. Sot shumë njerëz e shohin besnikërinë martesore—e madje edhe vetë martesën—si kufizuese dhe jashtë mode. Për shembull, një aktore e famshme tha: «Për të dyja gjinitë monogamia është e pamundur. Nuk njoh askënd që të jetë besnik ose të dojë të jetë.» Një aktor tha: «S’jam i sigurt nëse është vërtet në natyrën tonë të qëndrojmë me dikë gjithë jetën.» Sa i kënaqur duhet të jetë Satanai kur figurat e shquara të kësaj bote e përbaltin këtë dhuratë të Perëndisë, martesën! Pa dyshim, Djallit as që i shkon ndër mend ta përkrahë martesën dhe nuk do që ajo të ketë sukses. Prandaj, që ta fitojmë betejën kundër Satanait, duhet ta përvetësojmë e ta përkrahim pikëpamjen e Perëndisë për martesën.

14, 15. Si mund t’i bëjmë ballë imoralitetit seksual?

14 Qofshim të martuar a beqarë, duhet t’i bëjmë ballë me të gjitha forcat çdo forme të imoralitetit seksual. A është një luftë e lehtë? Aspak! Për shembull, nëse je një i ri a re, ka gjasa të dëgjosh shokët e klasës teksa mburren që kanë shkuar me dikë thjesht për seks ose që kanë bërë sexting, një praktikë që në disa vende konsiderohet njësoj si shpërndarja e pornografisë me fëmijë. Bibla thotë: «Ai që praktikon kurvërinë [imoralitetin seksual], mëkaton kundër trupit të vet.» (1 Kor. 6:18) Përhapja e sëmundjeve të transmetuara me rrugë seksuale kanë mbjellë vuajtje dhe vdekje. E sipas një ankete, pjesa dërrmuese e të rinjve të pamartuar që humbin virgjërinë thonë se janë pishman për këtë. Realiteti i marrëdhënieve imorale është krejt ndryshe nga ç’e paraqesin filmat dhe bota e spektaklit, që duan të na mbushin mendjen se do t’ia hedhim pa u lagur po të shkelim ligjet e Perëndisë. Si pasojë e këtij mendimi, njerëzit bien pre e ‘fuqisë mashtruese të mëkatit’.Hebr. 3:13.

15 Ç’mund të bësh nëse lufton me tundimin për të kryer imoralitet seksual? Pranoje dobësinë që ke. (Rom. 7:22, 23) Lutju Perëndisë për forcë. (Filip. 4:6, 7, 13) Shmangi situatat që mund të të çojnë në imoralitet. (Prov. 22:3) E kur të përballesh me ndonjë tundim, hidhe poshtë pa e zgjatur.Zan. 39:12.

16. Si reagoi Jezui ndaj tundimeve të Satanait, dhe ç’mund të mësojmë nga ky shembull?

16 Shembulli i Jezuit është një ndihmë e fuqishme për t’u bërë ballë tundimeve. Ai nuk u gënjye nga premtimet e Satanait, as nuk u ndal të peshonte anët e mira dhe të këqija të tyre. Përkundrazi, ia ktheu menjëherë: «Është shkruar.» (Lexo Mateun 4:4-10.) Jezui e njihte mirë Fjalën  e Perëndisë, e falë kësaj arrinte të vepronte në çast e të citonte shkrime kur ndeshte tundime. Që të fitojmë betejën kundër Satanait, nuk duhet t’ia lejojmë vetes të tundohemi për të kryer imoralitet seksual.1 Kor. 6:9, 10.

FITOJE BETEJËN ME ANË TË QËNDRUESHMËRISË

17, 18. (a) Çfarë armësh të tjera ka Satanai në arsenalin e tij, dhe pse nuk çuditemi nga kjo? (b) Çfarë e pret Satanain, dhe pse kjo të jep zemër të qëndrosh?

17 Krenaria, materializmi dhe imoraliteti seksual janë vetëm tri armë në arsenalin e Satanait. Por ka edhe sa e sa të tjera. Për shembull, disa vëllezër e motra hasin kundërshtime nga familjarët, tallje nga shokët e shkollës ose madje përballen me kufizime që i vë qeveria veprës së predikimit. Nuk na çuditin vështirësi të tilla, sepse Jezui i paralajmëroi dishepujt: «Për shkak të emrit tim do t’ju urrejnë të gjithë njerëzit, por ai që qëndron deri në fund, do të shpëtojë.»Mat. 10:22.

Satanain e pret asgjësimi i plotë (Shih paragrafin 18.)

18 Si mund ta luftojmë Satanain e të dalim fitimtarë? Jezui u tha dishepujve: «Me qëndrueshmërinë tuaj do të fitoni shpirtrat tuaj.» (Luka 21:19) Çfarëdo gjëje që mund të bëjnë njerëzit nuk do të na sjellë dëm të përhershëm. Askush nuk na e grabit dot miqësinë e vyer me Perëndinë, veç në e lejofshim vetë këtë. (Rom. 8:38, 39) Madje as vdekja e një shërbëtori të Jehovait nuk do të thotë fitore për Satanain, sepse Jehovai do ta ringjallë padyshim. (Gjoni 5:28, 29) Nga ana tjetër, e ardhmja e Satanait është e zezë sterrë. Pasi të shkatërrohet sistemi i tij i paperëndishëm, Satanai do të mbyllet në humnerë për 1.000 vjet. (Zbul. 20:1-3) Në fund të Mbretërimit Mijëvjeçar të Jezuit, Satanai «do të lirohet nga burgu i tij» për pak kohë që të bëjë një orvatje të fundit për të mashtruar njerëzimin e përsosur. Pas kësaj, Djalli do të asgjësohet. (Zbul. 20:7-10) Satanain e pret shkatërrimi i sigurt, por nuk është kështu me ty. Kundërviju, i fortë në besim. Ti mund ta luftosh Satanain dhe të dalësh fitimtar!