Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 JETËSHKRIM

Dashuria e fillimit më ka dhënë forcë të qëndroj

Dashuria e fillimit më ka dhënë forcë të qëndroj

ISHTE fillimi i verës së vitit 1970. Dergjesha në shtratin e Spitalit të Përgjithshëm të Velli-Forxhit në Feniksvill të Pensilvanisë, Shtetet e Bashkuara. Një infermier më maste tensionin çdo gjysmë ore. Isha një ushtar 20-vjeçar që vuaja nga një sëmundje e rëndë infektive. Infermieri, pak më i madh se unë në moshë, dukej në merak. Ndërsa tensioni vazhdonte të më binte, i thashë: «S’paske parë kurrë ndonjë njeri të vdesë, ë?» Ai u pre në fytyrë dhe ma ktheu: «Jo.»

Në atë kohë e ardhmja ime dukej e zymtë. Po si përfundova në spital? Më lini t’ju tregoj diçka nga jeta ime.

SI U NJOHA ME LUFTËN

U sëmura ndërsa shërbeja si specialist në një sallë operacioni gjatë luftës në Vietnam. Më pëlqente të ndihmoja të sëmurët e të plagosurit dhe synoja të bëhesha kirurg. Mbërrita në Vietnam në korrik të vitit 1969. Si gjithë të sapoardhurit, më lanë një javë kohë që të përshtatesha me ndryshimin e orarit dhe me vapën mbytëse.

Pak pasi u paraqita në punë në një spital kirurgjik në deltën e Mekongut, në Dong-Tam, arritën shumë helikopterë plot me viktima lufte. Isha patriot i flaktë dhe s’ia përtoja punës, prandaj doja të përvishja mëngët menjëherë. Të plagosurit i bënin gati dhe i futnin urgjent në barakat e vogla metalike me ajër të kondicionuar që shërbenin si salla operacioni. Në atë vend tepër të ngushtë, rrinin ngucur një kirurg, një anestezist dhe dy infermiere, që bëheshin copë të shpëtonin jetë. Vura re se nga helikopterët një ngarkesë me qese të mëdha të zeza nuk u shkarkua. Më thanë se qeset kishin pjesë trupi të ushtarëve që ishin hedhur në erë në beteja. Ja pra, kështu u njoha me luftën.

NË KËRKIM TË PERËNDISË

Në djalëri u njoha pak me të vërtetën

Në djalëri u njoha pak me të vërtetën që mësojnë Dëshmitarët e Jehovait. Mamaja ime e shtrenjtë studioi Biblën me Dëshmitarët, por nuk përparoi deri në pagëzim. Më pëlqente sa s’thuhet të rrija aty teksa ajo studionte. Mirëpo qëlloi që në atë periudhë, unë dhe njerku kaluam pranë  një Salle Mbretërie. E pyeta: «Ç’është kjo?» Ma ktheu: «Kurrë mos iu afro atyre njerëzve!» E doja njerkun dhe i besoja, prandaj ia vura veshin. Kështu i humba lidhjet me Dëshmitarët e Jehovait.

Pas kthimit nga Vietnami, ndjeva nevojën që Perëndia të ishte pjesë e jetës sime. Kujtimet e dhimbshme më kishin mpirë shpirtërisht. Dukej se askush nuk e kuptonte vërtet ç’po ndodhte në Vietnam. Më kujtohen demonstrata ku protestuesit i quanin ushtarët amerikanë vrasës foshnjash, ngaqë kishte zëra se në luftë po vriteshin fëmijë të pafajshëm.

Që të shuaja etjen frymore, nisa të frekuentoja shërbesat fetare në kisha të ndryshme. Gjithmonë e kisha dashur Perëndinë, por ajo që pashë në kisha s’më la shije të mirë. Si përfundim, shkova në një Sallë Mbretërie të Dëshmitarëve të Jehovait në qytezën Plazhi Delrei në Florida. Ishte një e diel shkurti e vitit 1971.

Kur hyra, fjalimi publik po mbaronte, kështu që ndenja për studimin e Kullës së Rojës pas tij. S’e mbaj mend për çfarë u fol, por s’më shlyhen nga kujtesa fëmijët e vegjël që shfletonin Biblat e tyre për të gjetur shkrimet. Kjo më bëri shumë përshtypje. Dëgjoja dhe vëzhgoja në heshtje. Kur po dilja nga Salla e Mbretërisë, m’u afrua një vëlla i dashur nja 80 vjeç. Quhej Xhim Gardner. Më zgjati një libër me titull E vërteta që të çon në jetën e përjetshme dhe më pyeti: «A mund ta pranosh këtë të lutem?» Lamë takim për të filluar studimin e Biblës të enjten në mëngjes.

Atë të diel isha në punë natën. Punoja në urgjencën e një spitali privat në qytezën Boka-Raton në Florida. Turnin e merrja në orën 11 të natës dhe e lija në 7 të mëngjesit. Ngaqë ishte natë e qetë, pata mundësi të lexoja librin E vërteta. Një kryeinfermiere m’u afrua, ma rrëmbeu nga dora librin, pa kapakun dhe bërtiti: «Mos më thuaj që do të bëhesh një nga këta!» Ia rrëmbeva prapë librin dhe i thashë: «Vetëm gjysmën kam lexuar, por ashtu them të bëj!» Më la rehat, dhe atë natë e lexova gjithë librin.

Mësuesi im i Biblës ishte Xhim Gardneri, një i mirosur që e kish njohur personalisht Çarls Tejz Rasëllin

Para se të nisnim studimin e Biblës e pyeta vëllanë Gardner: «Atëherë ç’do të studiojmë?» Ai u përgjigj: «Librin që të dhashë.» Ia ktheva: «Atë e kam lexuar unë.» Me mirësjellje vëllai Gardner më tha: «Po mirë, ja të shohim vetëm kapitullin e parë.» Mbeta gojëhapur kur kuptova sa shumë gjëra s’kisha kapur. Ai më nxiste të lexoja shumë shkrime në Biblën time King James, një botim ku thëniet e Jezuit janë me shkronja të kuqe. Më në fund po mësoja për Perëndinë e vërtetë, Jehovain. Atë mëngjes vëllai Gardner, që e quaja përzemërsisht Xhim, studioi me mua tre kapituj të librit E vërteta. Pas kësaj studionim tre kapituj çdo të enjte në mëngjes. Sa kënaqesha nga ato orë studimi! Dhe çfarë privilegji të më mësonte ai vëlla i mirosur që e kish njohur personalisht Çarls Tejz Rasëllin!

 Pas ca javësh më miratuan si lajmëtar të lajmit të mirë. Xhimi më ndihmoi në gjithë shqetësimet që kisha, përfshirë vështirësinë për të predikuar shtëpi më shtëpi. (Vep. 20:20) Teksa shërbeja krah Xhimit, mësova ta shijoja veprën e predikimit. Edhe sot e kësaj dite e shoh shërbimin si privilegjin tim më të madh. Sa gjë e bukur të jesh bashkëpunëtor i Perëndisë!1 Kor. 3:9.

DASHURIA E FILLIMIT PËR JEHOVAIN

Tani dua t’ju tregoj për diçka tepër personale, pra për dashurinë e fillimit për Jehovain. (Zbul. 2:4) Kjo dashuri për Jehovain më ka ndihmuar të përballoj kujtimet e dhimbshme të luftës dhe plot sprova të tjera.Isa. 65:17.

Dashuria për Jehovain më ka ndihmuar të përballoj kujtimet e dhimbshme të luftës dhe plot sprova të tjera

U pagëzova në korrik 1971 gjatë kongresit krahinor «Emri hyjnor» në stadiumin «Jenki»

Mbaj mend një ditë të veçantë në pranverën e vitit 1971. Pak kohë më parë më kishin dëbuar nga apartamenti ku më kishin lënë të banoja prindërit e mi. Njerku s’duronte dot as idenë që të kishte një Dëshmitar të Jehovait në pronën e tij. Në atë moment isha ngushtë nga gjendja. Spitali ku punoja më paguante çdo dy javë, dhe sapo kisha harxhuar thuajse gjithë rrogën për rroba serioze që ta përfaqësoja denjësisht Jehovain në shërbim. Kisha ca para mënjanë, por gjendeshin në një bankë në Miçigan, shteti ku u rrita. Kështu m’u desh të flija në makinë për disa ditë. Rruhesha dhe lahesha në banjat e pikave të karburantit.

Një ditë gjatë periudhës kur flija në makinë, vajta në Sallën e Mbretërisë nja dy orë para se të mblidhej grupi për shërbim. Sapo kisha mbaruar turnin në spital. Teksa rrija mbrapa Sallës së Mbretërisë larg syve të të tjerëve, filluan të më  vërshonin kujtimet e Vietnamit—era e mishit të njerëzve të djegur dhe skenat e gjakut e të kasaphanës së llahtarshme. I dëgjoja dhe i shihja si t’i kisha para syve djemtë që më përgjëroheshin: «A do të shpëtoj dot? A do të shpëtoj dot?» Unë e dija se do të vdisnin, por përpiqesha t’i ngushëlloja sa mundja dhe bëja kujdes të mos e lexonin të vërtetën në sytë e mi. Tek rrija ulur aty, po më mbytnin emocionet.

Kam bërë çmos që kurrë të mos e humb dashurinë e fillimit për Jehovain, sidomos përballë sprovave dhe vështirësive

Lutesha dhe lotët më rridhnin lumë. (Psal. 56:8) Fillova të bluaja në mend shpresën e ringjalljes. Befas m’u kthjellua gjithçka: me anë të ringjalljes, Perëndia Jehova do të ndreqë gjithë dëmet e masakrave që kisha parë dhe dhimbjen emocionale që unë e të tjerë kishim përjetuar. Perëndia do t’i kthejë në jetë ata djem, të cilët do të kenë rast të mësojnë të vërtetën për të. (Vep. 24:15) Në atë moment, zemra më gufonte nga dashuria për Jehovain që e ndieja gjer në skutat e shpirtit. Ajo mbetet një ditë tepër e veçantë për mua. Qysh atëherë kam bërë çmos që kurrë të mos e humb dashurinë e fillimit për Jehovain, sidomos përballë sprovave dhe vështirësive.

JEHOVAI KA QENË I MIRË ME MUA

Njerëzit bëjnë gjëra të tmerrshme në luftë. Edhe unë nuk isha ndryshe. Por më ka ndihmuar meditimi për dy nga shkrimet që kam për zemër. I pari është Zbulesa 12:10, 11, që thotë se Djalli mposhtet jo vetëm me fjalën e dëshmisë sonë, por edhe me anë të gjakut të Qengjit. I dyti është Galatasve 2:20. Ky varg më siguron se Krishti Jezu vdiq «për mua». Jehovai më shqyrton mua nëpërmjet gjakut të Jezuit dhe më ka falur për ato që kam bërë. Ky fakt më ka ndihmuar të kem një ndërgjegje të pastër dhe më ka motivuar t’i ndihmoj pa u kursyer të tjerët që të njohin të vërtetën për Perëndinë tonë të mëshirshëm, Jehovain.Hebr. 9:14.

Kur hedh vështrimin pas, ndiej mirënjohje të thellë që Jehovai është kujdesur gjithmonë për mua. Për shembull, po atë ditë që Xhimi mori vesh se po flija në makinë, më njohu me një motër që jepte dhoma me qira në shtëpinë e saj. Sinqerisht besoj se Jehovai i përdori Xhimin dhe atë motër të dashur për të më siguruar një strehë të këndshme. Sa i dhembshur është Jehovai! Ai kujdeset me merak për adhuruesit e tij besnikë.

MËSOJ TA EKUILIBROJ ZELLIN ME TAKTIN

Në maj 1971, m’u desh të shkoja në Miçigan që të kujdesesha për ca punë. Para se të largohesha përkohësisht nga kongregacioni i Plazhit Delrei në Florida, e mbusha bagazhin e makinës me literaturë dhe mora rrugën drejt veriut në autostradën 75. Bagazhi u boshatis pa dalë akoma nga shteti fqinj i Xhorxhias. E predikova tërë zell lajmin e mirë të Mbretërisë gjithandej. Ndalesha të predikoja në burgje e madje u jepja fletushka burrave në banjat e vendndalimeve të udhëtarëve. Sot e kësaj dite, pyes veten nëse ndonjë nga farat që mbolla mbiu më vonë.1 Kor. 3:6, 7.

Por, të them të drejtën, kur njoha të vërtetën, nuk kisha shumë takt, sidomos kur flisja me familjarët. Dashuria e fillimit për Jehovain më digjte si zjarr në gji, prandaj u predikoja me guxim, por troç. I dua fort vëllezërit e mi, Xhonin dhe Ronin, e mundohesha t’ua jepja të vërtetën me forcë. Më vonë m’u desh t’u kërkoja falje që nuk kisha treguar respekt për ndjenjat e tyre. Sidoqoftë, nuk i resht kurrë lutjet që ata ta pranojnë të vërtetën. Qysh atëherë, Jehovai më ka gdhendur që të kem më shumë takt kur predikoj e mësoj.Kolos. 4:6.

 DASHURI TË TJERA NË JETËN TIME

Ndërkohë që e mbaj ndezur dashurinë për Jehovain, nuk harroj edhe dashuritë e tjera në jetën time. Dashuria ime e dytë pas Tij është Suzana, gruaja ime e shtrenjtë. E kisha të qartë se më duhej një shoqe që të më bëhej krah në veprën e Mbretërisë. Suzana është grua me karakter dhe ka një marrëdhënie të fortë me Jehovain. Më kujtohet si sot një ditë kur shkova ta takoja gjatë kohës që po njiheshim. Suzana ishte ulur në verandën e shtëpisë së prindërve në Krenstën, Roud-Ajlënd. Po lexonte Kullën e Rojës bashkë me Biblën. Më bëri përshtypje që po lexonte një artikull dytësor e po kërkonte shkrimet. Thashë me vete: «Ja një grua e lidhur fort me Jehovain!» U martuam në dhjetor të vitit 1971, dhe jam mirënjohës që qysh atëherë më ka qëndruar përkrah e më ka mbështetur. Ajo që çmoj tej mase te Suzana është se më do mua, por do akoma më shumë Jehovain.

Me time shoqe, Suzanën, dhe djemtë tanë, Polin e Xhesin

Suzana dhe unë jemi bekuar me dy djem, Xhesin dhe Polin. Teksa rriteshin, Jehovai ishte me ta. (1 Sam. 3:19) E bënë të tyren të vërtetën, e kështu na kanë nderuar mua dhe Suzanën. I kanë shërbyer pareshtur Jehovait ngaqë e mbajnë ndezur dashurinë e tyre të fillimit. Secili nga djemtë ka mbi 20 vjet në shërbimin e plotkohor. Ndihem krenar edhe për dy nuset e tyre të hijshme, Stefaninë dhe Rakelën, që i kam si vajzat e mia. Të dy  djemtë janë martuar me gra që kanë marrëdhënie të fortë me Perëndinë Jehova dhe e duan me gjithë shpirt e zemër.Efes. 6:6.

Kënaqeshim në shërbim si familje në territore të predikuara rrallë

Pasi u pagëzova, shërbeva 16 vjet në Roud-Ajlënd ku zura miqësi të vyera. I kujtoj me ëndje pleqtë e shkëlqyer me të cilët shërbeva. U jam mirënjohës edhe mbikëqyrësve qarkorë për ndikimin e mirë që patën tek unë. Ata janë aq të shumtë sa nuk i përmend dot të gjithë. Sa privilegj të punoje krah atyre burrave që e kanë mbajtur ndezur dashurinë e fillimit për Jehovain! Më 1987 u transferuam në Karolinën e Veriut që të shërbenim ku kishte më shumë nevojë. Atje zumë miqësi të tjera të bukura. *

Duke drejtuar një mbledhje për shërbim kur isha mbikëqyrës udhëtues

Në gusht 2002, Suzana dhe unë pranuam ftesën që të bëheshim pjesë e familjes Bethel në Paterson në Shtetet e Bashkuara. Unë punoja në Repartin e Shërbimit, kurse Suzana në lavanderi. Vdiste për atë punë. Pastaj, në gusht 2005, m’u dha privilegji të shërbeja si anëtar i Trupit Udhëheqës. Ndihesha fare i vogël para atij caktimi. Gruas sime të shtrenjtë ia zinte frymën mendimi për përgjegjësitë, punën dhe udhëtimet që nënkuptonte ky caktim. Suzana gjithmonë e kish pasur siklet fluturimin me avion, por ne bëjmë goxha udhëtime të tilla. Ajo thotë se komentet e bëra me dashuri nga gratë e anëtarëve të tjerë të Trupit Udhëheqës, e kanë ndihmuar të jetë e vendosur që të më përkrahë sa më shumë të jetë e mundur. Tamam kështu ka bërë, dhe e dua fort për këtë.

Zyrën e kam plot me fotografi që janë të shtrenjta për mua. Ato më kujtojnë sa fantastike ka qenë jeta ime. Tashmë kam shijuar mjaft shpërblime të mrekullueshme ngaqë kam bërë çmos ta mbaj ndezur dashurinë e fillimit për Jehovain.

Koha që kaloj me familjen time më mbush me gëzim

^ par. 31 Hollësi për shërbimin e plotkohor të vëlla Morisit mund të gjeni në Kullën e Rojës të 15 marsit 2006, faqja 26.