«Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet.»JAK. 4:8.

1. Pse duhet ta mbajmë të fortë marrëdhënien me Jehovain?

A JE një Dëshmitar i kushtuar dhe i pagëzuar i Jehovait? Nëse po, zotëron diçka të vyer—një marrëdhënie personale me Perëndinë. Mirëpo kjo marrëdhënie është shënjestra e presioneve që vijnë jo vetëm nga bota e Satanait, por edhe nga papërsosmëria jonë. Të gjithë të krishterët përballen me këtë situatë sprovuese. Prandaj, duhet ta mbajmë sa më të fortë marrëdhënien me Jehovain.

2. (a) Çfarë përfshin marrëdhënia mes dy vetave? (Shih shënimin.) (b) Si mund ta forcojmë marrëdhënien me Jehovain?

2 Sa reale është për ty marrëdhënia që ke me Jehovain? A dëshiron ta forcosh? Jakovi 4:8 tregon si mund ta bësh këtë. Atje lexojmë: «Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet.» Shihet qartë se ky është proces i dyanshëm. * Teksa hedhim hapa që t’i afrohemi Perëndisë, ai na përgjigjet duke hedhur hapa drejt nesh. Falë këtij veprimi reciprok që përsëritet shpesh, marrëdhënia jonë me Jehovain forcohet përherë e më shumë.  Si rrjedhojë, kjo marrëdhënie bëhet jashtëzakonisht reale për ne. Zhvillojmë atë siguri që ndiente Jezui kur tha: «Ai që më dërgoi, është real dhe . . . unë e njoh.» (Gjoni 7:28, 29) Por çfarë hapash konkretë mund të bësh që t’i afrohesh më shumë Jehovait?

Si mund të komunikosh me Perëndinë? (Shih paragrafin 3.)

3. Si arrijmë të komunikojmë me Jehovain?

3 Komunikimi i rregullt me Jehovain është jetësor për t’u afruar me të. Si mund të komunikosh me Perëndinë? Po ja, si komunikon për shembull me një mik që jeton larg? Ka të ngjarë t’i shkruani njëri-tjetrit dhe të flisni në telefon shpesh. Me Jehovain flet nëpërmjet lutjeve të shpeshta që i bën. (Lexo Psalmin 142:2.) Pastaj lejon që Jehovai të të flasë kur lexon Fjalën e tij të shkruar dhe mediton për të rregullisht. (Lexo Isainë 30:20, 21.) Le të shohim tani si na e forcon lidhjen me Jehovain ky komunikim i dyanshëm, duke na e bërë gjithnjë e më reale marrëdhënien me të.

STUDIMI I BIBLËS—JEHOVAI TË FLET

4, 5. Si komunikon Jehovai me ty nëpërmjet Fjalës së tij të shkruar? Jep një shembull.

4 Pa dyshim që e pranon se Bibla përmban mesazhin e Perëndisë për mbarë njerëzimin. Por a tregon Bibla edhe si mund t’i afrohesh Jehovait ti personalisht? Patjetër! Po si? Teksa e lexon dhe e studion rregullisht Biblën, shqyrto si reagon përbrenda ndaj asaj që thotë dhe bluaj në mend si mund ta zbatosh në rrethanat e tua; kështu e lejon Jehovain të të flasë nëpërmjet Fjalës së tij. Kjo të çon drejt një marrëdhënieje më të ngushtë me të.—Hebr. 4:12; Jak. 1:23-25.

5 Për shembull, lexo dhe medito për këto fjalë të Jezuit: «Mos grumbulloni më thesare në tokë.» Nëse mendon se jeta jote tanimë është e përqendruar tek interesat e Mbretërisë, ndien sikur Jehovai po të thotë: «Të lumtë!» Nga ana tjetër, nëse sheh se duhet ta thjeshtosh jetën dhe të përqendrohesh më tepër tek interesat e Mbretërisë, atëherë Jehovai të ka sinjalizuar për një pikë ku mund të punosh ti për t’iu afruar më shumë.—Mat. 6:19, 20.

6, 7. (a) Si ndikon studimi i Biblës te dashuria jonë për Jehovain dhe te dashuria e tij për ne? (b) Çfarë synimi duhet të kemi kur studiojmë?

6 Por studimi i Shkrimeve nuk nxjerr në pah vetëm pika ku duhet të përmirësohemi nga ana frymore. Na thellon edhe vlerësimin për mënyrën si vepron Jehovai dhe për cilësitë e tij, që na bëjnë  për vete. Si rrjedhojë e duam akoma më fort. E kur dashuria jonë për Perëndinë shtohet, edhe dashuria e tij për ne rritet, e kështu forcohet lidhja me të.—Lexo 1 Korintasve 8:3.

7 Ama, që t’i afrohemi Jehovait, është jetësore të studiojmë me synimin e duhur. Gjoni 17:3 thotë: «Që të marrin jetën e përhershme, duhet të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që dërgove, Jezu Krishtin.» Vërtet, mund të mësojmë plot gjëra të reja e interesante kur lexojmë Biblën, por synimi ynë kryesor është të njohim më mirë Jehovain.—Lexo Daljen 33:13; Psal. 25:4.

8. (a) Çfarë meraku mund të na lindë kur lexojmë te 2 Mbretërve 15:1-5 si e trajtoi Jehovai mbretin Azariah? (b) Si na e davarit çfarëdo dyshimi për veprimet e Jehovait njohuria që kemi për të?

8 Ndërsa e njohim Jehovain më thellë, nuk merakosemi tepër nëse disa tregime biblike na lënë në mëdyshje pse ai veproi në njëfarë mënyre. Për shembull, si reagon kur lexon si veproi Jehovai ndaj Azariahut, mbretit të Judës? (2 Mbret. 15:1-5) Vër re se, ndonëse ‘populli flijonte ende në vende të larta dhe paraqiste në to tymin e blatimit’, vetë Azariahu «bëri atë që ishte e drejtë në sytë e Jehovait». Prapëseprapë, «Jehovai e goditi me plagë mbretin, dhe ai mbeti i lebrosur deri ditën kur vdiq». Pse? Tregimi nuk e thotë. A duhet të shqetësohemi ose të na lindë dyshimi se Jehovai e ndëshkoi Azariahun pa ndonjë arsye të fortë? Aspak, nëse i njohim thellë udhët e Jehovait, pra cilësitë e tij dhe mënyrën si vepron. Kjo përfshin edhe sigurinë se Jehovai disiplinon gjithmonë «në masën e duhur». (Jer. 30:11) Falë kësaj njohurie jemi të bindur se, edhe sikur të mos e dimë pse Jehovai veproi ashtu me Azariahun, mund të kemi besim të plotë se gjykimi i Tij ishte i drejtë.

9. Cilat fakte hedhin dritë mbi arsyet pse Jehovai e goditi me lebër Azariahun?

9 Gjithsesi, në këtë rast kemi hollësi të mëtejshme në fragmente të tjera të Biblës. Mbreti Azariah njihej edhe si mbreti Uziah. (2 Mbret. 15:7, 32) Sipas tregimit paralel te 2 Kronikave 26:3-5, 16-21, edhe pse Uziahu bëri për njëfarë kohe atë që ishte e drejtë në sytë e Jehovait, më vonë «zemra e tij u bë fodulle aq sa e rrënoi». Me arrogancë, u orvat të kryente detyra priftërore që ishin jashtë caqeve të autoritetit të tij. Tetëdhjetë e një priftërinj u ballafaquan me të dhe u përpoqën ta ndreqnin. Si reagoi Uziahu? E tregoi sheshit deri ku kishte arritur krenaria e tij kur «u tërbua» kundër priftërinjve. S’është çudi që Jehovai e goditi me lebër.

10. Pse nuk na duhet një shpjegim për çdo veprim të Jehovait? Si mund ta forcojmë sigurinë se të gjitha udhët e Jehovait janë të drejta?

10 Po le të mos harrojmë thelbin e çështjes. Ç’do të bëje sikur në Fjalën e Perëndisë të mos kishte hollësi sqaruese, siç ndodh me tregime të tjera biblike të rrëfyera përmbledhtas? A do të të lindnin dyshime për drejtësinë e Perëndisë? Apo do të arsyetoje se Bibla përmban mjaft informacione që na sigurojnë se Jehovai bën gjithnjë atë që është e drejtë, madje është modeli për të përcaktuar të drejtën dhe të gabuarën? (Ligj. 32:4) Ndërsa e njohim më mirë Jehovain, dashuria dhe vlerësimi për udhët e tij do të na rriten aq sa nuk do të duam një shpjegim për çdo gjë që bën. Të jesh i sigurt se, sa më shumë të studiosh dhe të meditosh për  atë që thotë Perëndia nëpërmjet Fjalës së shkruar, aq më shumë do të thellohet ky vlerësim. (Psal. 77:12, 13) Si rezultat, marrëdhënia jote me Jehovain do të forcohet e do të bëhet gjithnjë e më reale.

LUTJA—TI FLET ME JEHOVAIN

11-13. Pse je i sigurt se Jehovai t’i dëgjon lutjet? (Shih figurën hapëse.)

11 Kur lutemi, afrohemi me Jehovain. I thurim lavde, e falënderojmë dhe kërkojmë drejtimin e tij. (Psal. 32:8) Mirëpo që marrëdhënia jote me Jehovain të jetë reale, duhet të jesh i bindur se ai t’i dëgjon lutjet.

12 Disa mendojnë se lutja ka vetëm dobi psikologjike. Sipas tyre, nëse mendon se lutja jote ka marrë përgjigje, kjo vjen thjesht ngaqë i shprehe mendimet me fjalë, dallove problemin dhe e shtrydhe trurin që të gjeje zgjidhje. Por përveç dobive të tilla, si mund të jesh i sigurt se Jehovai i dëgjon vërtet lutjet e tua të sinqerta?

13 Mendo për këtë: që para se të vinte në tokë si njeri, Jezui e pa me sytë e tij si u përgjigjej Jehovai lutjeve të njerëzve që i shërbenin. Pastaj, gjatë shërbimit në tokë, Jezui i përdori lutjet si një mjet për t’ia zbrazur ndjenjat Atit të tij në qiell. A do ta kishte bërë këtë—madje a do të kalonte një natë të tërë duke u lutur—sikur të mendonte se Jehovai nuk e dëgjonte vërtet? (Luka 6:12; 22:40-46) A do t’i kishte mësuar dishepujt të luteshin sikur të mendonte se lutjet ishin veç një patericë a lehtësim psikologjik? S’ka dyshim që Jezui e dinte mirë se lutja është komunikim real me Jehovain. Në një rast, ai tha: «Të falënderoj, o Atë, që më ke dëgjuar! Vërtet, e dija se ti gjithmonë më dëgjon.» Edhe ne mund të jemi të sigurt se Jehovai është ‘Dëgjuesi i lutjes’.—Gjoni 11:41, 42; Psal. 65:2.

14, 15. (a) Si nxjerrim dobi kur bëjmë lutje specifike? (b) Si e ndihmuan lutjet një motër që ta forconte lidhjen me Jehovain?

14 Kur bën lutje specifike, i dallon më kollaj përgjigjet e Jehovait, edhe pse mund të mos jenë aq të dukshme. Këto lutje që marrin përgjigje do të ta bëjnë më real Jehovain. Veç kësaj, sa më shumë  t’ia shprehësh Jehovait shqetësimet që ke në skutat e zemrës, aq më shumë do të të afrohet ai.

15 Të mendojmë për përvojën e Ketit. * Ajo nuk gjente kënaqësi në shërbim, edhe pse dilte rregullisht. Keti shpjegon: «S’e kisha me qejf shërbimin, po hiç fare ama. Kur dola në pension, një plak kongregacioni më tha se shpresonte të bëhesha pioniere e rregullt; madje më dha një kërkesë. Vendosa të shërbeja si pioniere, por njëkohësisht nisa t’i lutesha përditë Jehovait që të më ndihmonte ta kisha qejf shërbimin.» A iu përgjigj Jehovai lutjeve të saj? Ajo rrëfen: «Ky është viti i tretë që shërbej si pioniere. Ngaqë kaloj më shumë kohë në shërbim dhe mësoj nga motrat e tjera, avash-avash jam bërë më e aftë për të predikuar. Sot nuk e kam me qejf shërbimin—vdes për shërbimin. E ç’është më e rëndësishmja, tani marrëdhënia ime me Jehovain është shumë më e ngushtë.» Vërtet, lutjet e ndihmuan Ketin ta bënte reale marrëdhënien me Jehovain.

TË BËJMË PJESËN TONË

16, 17. (a) Ç’duhet të bëjmë që marrëdhënia jonë me Jehovain të bëhet gjithnjë e më e fortë? (b) Te cila vështirësi do të ndalemi në artikullin tjetër?

16 Ndërtimi i një marrëdhënieje më të ngushtë me Jehovain zgjat gjithë jetën. Duhet të bëjmë hapa për t’iu afruar Perëndisë, nëse duam që edhe ai të hedhë hapa drejt nesh. Pra, le të bëjmë çmos të mbajmë një komunikim të rregullt me Perëndinë me anë të studimit të Biblës dhe lutjeve. Si rezultat, marrëdhënia gjithnjë e më e fortë me Jehovain do të na ndihmojë t’u bëjmë ballë sprovave.

Ndërtimi i një marrëdhënieje më të ngushtë me Jehovain zgjat gjithë jetën (Shih paragrafët 16, 17.)

17 Mirëpo, situata mund të bëhet më e vështirë kur problemet tona vazhdojnë pavarësisht nga lutjet e zjarrta. Në raste të tilla mund të na lëkundet besimi te Jehovai. Ndoshta nisim të dyshojmë nëse Jehovai na i dëgjon lutjet, e madje nëse na sheh vërtet si mikun a miken e tij. Si mund t’i përballojmë këto situata me besim të patundur se marrëdhënia jonë me Jehovain është reale? Për këtë do të flasim në artikullin tjetër.

^ par. 2 Një përkufizim i fjalës «marrëdhënie» është: mënyra si ndihen dhe si sillen dy veta kundrejt njëri-tjetrit. Pra, të dyja palët janë goxha të përfshira.

^ par. 15 Emri është ndryshuar.