«Për çdo gjë ka një kohë të caktuar.»EKL. 3:1.

1, 2. Çfarë kanë vërejtur mbikëqyrësit qarkorë në shumë kongregacione?

MBIKËQYRËSI qarkor po mbaronte mbledhjen me trupin e pleqve. Tek i vështronte, ndiente se i kishte në zemër ata barinj të palodhur, disa nga të cilët ishin baballarët e tij në moshë. Mirëpo e brente edhe një merak, prandaj i pyeti: «Vëllezër, ç’keni bërë për të stërvitur të tjerë që të marrin përsipër më shumë përgjegjësi në kongregacion?» Ata e mbanin mend mirë se gjatë vizitës së kaluar mbikëqyrësi qarkor i kishte nxitur t’i kushtonin më tepër vëmendje stërvitjes së të tjerëve. Si përfundim, një nga pleqtë rrëfeu: «Ta themi hapur, kemi bërë fare pak.» Pleqtë e tjerë pohuan me kokë.

2 Nëse je plak i krishterë, a je gjendur ndonjëherë në një situatë të tillë? Ka shumë të ngjarë që po. Mbikëqyrës qarkorë përreth botës kanë vërejtur se në shumë kongregacione duhet bërë më tepër për të stërvitur vëllezër—të çfarëdo moshe qofshin—që të ndihmojnë në kujdesin për kopenë. Por kjo s’është e lehtë. Pse vallë?

3. (a) Si e nxjerrin në pah Shkrimet rëndësinë e stërvitjes, dhe pse kjo duhet të na interesojë të gjithëve? (Shih shënimin.) (b) Pse disa pleq mund ta kenë të vështirë të stërvitin të tjerë?

 3 Si bari, pa dyshim e kupton se është e rëndësishme ta stërvitësh dikë personalisht. * E di se duhen më shumë vëllezër që kongregacionet ekzistuese të qëndrojnë të forta frymësisht dhe të krijohen kongregacione të reja. (Lexo Isainë 60:22.) Gjithashtu e di se Fjala e Perëndisë të nxit ‘të mësosh edhe të tjerë’. (Lexo 2 Timoteut 2:2.) Prapëseprapë, sikurse pleqtë e përmendur në fillim, mund ta kesh të vështirë. Pasi je kujdesur për nevojat e familjes, detyrimet e punës, përgjegjësitë e kongregacionit dhe për çështje të tjera urgjente, duket se nuk ngelet hiç kohë për të stërvitur të tjerët në kongregacion. Duke mbajtur parasysh këtë, le të shohim sa rëndësi i duhet kushtuar stërvitjes së të tjerëve.

STËRVITJA KA PËRPARËSI

4. Cila mund të jetë një arsye pse hera-herës stërvitja shtyhet për më vonë?

4 Cila mund të jetë një arsye pse disa pleq e kanë të vështirë të lënë kohë për të stërvitur të tjerët? Ndoshta disa mendojnë: «Stërvitja ka rëndësi, por s’është aq urgjente sa çështje të tjera të kongregacionit që nuk presin dot. Nëse më duhet ta shtyj stërvitjen për njëfarë kohe, kongregacioni prapë do të funksionojë.» Vërtet, ka plot çështje që kërkojnë t’u kushtosh vëmendje në çast. Ama nëse e zvarrit stërvitjen, mund të dëmtohet mirëqenia frymore e kongregacionit.

5, 6. Ç’mund të mësojmë nga shembulli i shoferit dhe nga pikëpamja e tij për mirëmbajtjen e motorit? Si mund të zbatohet kjo për stërvitjen brenda kongregacionit?

5 Mendo për këtë shembull: një shofer mund ta dijë se që ta mirëmbajë makinën dhe të punojë motori, duhet të ndërrojë vajin rregullisht. Prapëseprapë, kjo mbase nuk i duket aq urgjente sa të mbushë serbatorin me karburant. Se xhanëm, po nuk hodhi karburant, makina pas pak s’do të lëvizë nga vendi. Shoferi mund të arsyetojë: «Nëse s’kam kohë të ndërroj vajin, motori prapë do të punojë, të paktën për njëfarë kohe.» Po ku qëndron rreziku? Po vazhdoi ta shtyjë mirëmbajtjen e motorit, do të vijë dita që makina të uturijë e të ndalet në vend. E po të ndodhë kështu, do t’i duhet të harxhojë goxha kohë e pará që makina të riparohet dhe të ecë prapë. Ç’mësim nxjerrim nga kjo?

6 Pleqtë duhet të kujdesen për gjithë ato çështje të rëndësishme që kërkojnë vëmendje të menjëhershme, përndryshe kongregacioni do të vuajë pasojat. Pra, ashtu si shoferi në ilustrim sigurohet që makina të furnizohet vazhdimisht me karburant, pleqtë duhet ‘të sigurohen për gjërat më të rëndësishme’. (Filip. 1:10) Mirëpo, disa pleq janë kaq të zënë me çështje të ngutshme, sa mund ta lënë pas dore stërvitjen e të tjerëve, pra si të thuash, mirëmbajtjen e motorit. Por nëse pleqtë vazhdojnë ta shtyjnë këtë stërvitje të nevojshme, herët a vonë kongregacioni nuk do të ketë mjaft vëllezër të kualifikuar që të kujdesen për gjithë sa duhet bërë.

7. Si duhet t’i shohim pleqtë që lënë kohë për të stërvitur të tjerët?

7 Pra është e qartë: asnjëherë nuk duhet të mendojmë se stërvitja s’është urgjente.  Pleqtë largpamës që investojnë kohë për të stërvitur vëllezër me më pak përvojë, janë kujdestarë të mençur dhe një bekim i vërtetë për tërë kongregacionin. (Lexo 1 Pjetrit 4:10.) Por, si nxjerr dobi kongregacioni?

NJË INVESTIM I MENÇUR

8. (a) Cilat mundësi dhe cilësi i nxitin pleqtë të stërvitin të tjerët? (b) Ç’përgjegjësi urgjente kanë pleqtë që shërbejnë atje ku ka më shumë nevojë? (Shih kutinë « Një mision urgjent».)

8 Edhe pleqtë më me përvojë duhet ta pranojnë me modesti se për shkak të moshës, dalëngadalë nuk do të bëjnë dot aq sa tani për kongregacionin. (Mik. 6:8) Gjithashtu, është realiste të mbajnë parasysh se si pasojë e ‘kohëve të vështira dhe ngjarjeve të paparashikuara’, befas mund të mos jenë më aq të aftë të kujdesen për përgjegjësitë në kongregacion. (Ekl. 9:11, 12; Jak. 4:13, 14) Prandaj, nga meraku i thellë për mirëqenien e deleve të Jehovait, pleqtë largpamës ua përcjellin në kohë vëllezërve më të rinj përvojën e fituar gjatë viteve të shërbimit me besnikëri.—Lexo Psalmin 71:17, 18.

9. Cila ngjarje e së ardhmes e bën jetësore stërvitjen?

9 Cila është një arsye tjetër pse pleqtë që stërvitin të tjerët janë bekim për kopenë? Sepse forcojnë mbrojtjen e kongregacionit. Në ç’mënyrë? Falë përpjekjeve të pleqve për të stërvitur të tjerët, më shumë vëllezër do të jenë gati ta ndihmojnë kongregacionin të qëndrojë i patundur dhe në unitet, jo vetëm sot, por sidomos kur t’ia behin kohë të trazuara gjatë shtrëngimit të madh. (Ezek. 38:10-12; Mik. 5:5, 6) Prandaj, pleq të dashur, ju përgjërohemi ta bëni stërvitjen pjesë të rregullt të shërbimit tuaj sot!

10. Çfarë mund t’i duhet të bëjë një plaku që të ketë kohë të stërvitë të tjerët?

10 Natyrisht, e kuptojmë se me gjithë atë kohë që harxhoni duke u kujdesur për punë të rëndësishme të kongregacionit, mund të ndiheni se tashmë keni arritur aty ku s’mban më. Prandaj, ndoshta duhet të hiqni mënjanë ca nga kjo kohë dhe ta përdorni për të stërvitur të tjerët. (Ekl. 3:1) Kështu do të bëni një investim të mençur.

KRIJIMI I KUSHTEVE TË DUHURA

11. (a) Çfarë bie në sy te sugjerimet që dhanë për stërvitjen pleq nga vende të ndryshme? (b) Sipas Proverbave 15:22, pse është dobiprurëse të shqyrtohen sugjerimet e pleqve të tjerë?

11 Kohët e fundit, një grupi pleqsh që korrin fryte të mira ndërsa i ndihmojnë vëllezërit të rriten frymësisht, iu bë kjo pyetje: ç’metodë përdorni kur stërvitni? * Ndonëse këta vëllezër kanë rrethana goxha të ndryshme, të bie në sy se këshillat që dhanë ishin të ngjashme. Ç’tregon ky fakt? Se ata që duan të mësojnë, mund të nxjerrin dobi nga stërvitja biblike «kudo çdo kongregacion», siç ndodhte në kohën e apostullit Pavël. (1 Kor. 4:17) Ndaj në këtë artikull dhe në tjetrin do të shqyrtojmë disa sugjerime që dhanë këta pleq. (Prov. 15:22) Për thjeshtësi, ata që japin stërvitje do të quhen «mësues», kurse ata që stërviten «nxënës».

12. Ç’duhet të krijojë një mësues, dhe pse?

12 Mësuesi duhet të krijojë kushtet e duhura për stërvitje. Ashtu si një kopshtar duhet ta kultivojë, ose ta shkriftojë, dheun para se të mbjellë farë, edhe një mësues duhet t’ia përgatitë, ose  t’ia ngrohë, zemrën nxënësit para se t’i mësojë aftësi të reja. Por, si i krijojnë mësuesit kushtet e duhura për të stërvitur? Duke ndjekur një metodë të ngjashme me atë që përdori një profet i lashtësisë. Si veproi ai?

13-15. (a) Çfarë caktimi mori profeti Samuel? (b) Si e kreu detyrën Samueli? (Shih figurën hapëse.) (c) Pse ky tregim biblik për Samuelin duhet të jetë me interes të veçantë për pleqtë sot?

13 Një ditë, mbi 3.000 vjet më parë, Jehovai i tha profetit të moshuar Samuel: «Nesër, rreth kësaj ore, do të të dërgoj një njeri nga vendi i Beniaminit dhe ti mirose si prijës të popullit tim, Izraelit.» (1 Sam. 9:15, 16) Kur e kuptoi se nuk do të kishte më rolin e prijësit dhe se Jehovai e kishte caktuar të miroste një pasues, Samueli duhet të ketë menduar: «Si mund ta përgatit këtë burrë për detyrën që e pret?» Atëherë i lindi një ide dhe bëri një plan.

14 Të nesërmen, kur profeti Samuel pa Saulin, Jehovai i tha: «Ja ku është.» Sakaq Samueli veproi sipas planit. E ftoi Saulin të hanin tok në një sallë ngrënieje. Atje i uli Saulin dhe shërbëtorin e tij në vendet më të mira. Saulit i dha një pjesë të zgjedhur nga mishi dhe i tha: «Ha, sepse e kanë ruajtur për ty, për këtë rast.» Pas kësaj, Samueli dhe Sauli zbritën për në shtëpinë e profetit dhe rrugës bënë muhabet. Samueli donte ta shfrytëzonte mirë atmosferën e këndshme që kishte krijuar vakti i shijshëm dhe shëtitja. Kështu e ftoi Saulin të ngjiteshin në tarracë. Në flladin e freskët të mbrëmjes, Samueli «vazhdoi të fliste me Saulin» gjersa ranë të flinin. Të nesërmen, Samueli e mirosi Saulin, e puthi e i dha udhëzime të tjera. Pastaj e nisi për udhë, të përgatitur për ngjarjet që e pritnin.—1 Sam. 9:17-27; 10:1.

15 Doemos, të mirosësh një burrë që të jetë prijësi i një kombi nuk është njësoj si të stërvitësh një vëlla që të jetë plak a shërbëtor ndihmës në kongregacion. Gjithsesi, pleqtë sot mund të nxjerrin disa mësime me vlerë nga metoda e Samuelit. Le të ndalemi te dy prej tyre.

MËSUES TË GATSHËM DHE SHOKË TË VËRTETË

16. (a) Çfarë ndjenjash provoi Samueli kur Izraeli kërkoi një mbret? (b) Me çfarë qëndrimi e kreu Samueli caktimin për të mirosur Saulin?

16 Ji i gatshëm, mos ngurro. Kur mori vesh se izraelitët donin një mbret njerëzor, Samueli u ndie i zhgënjyer dhe i hedhur poshtë nga populli i vet. (1 Sam. 8:4-8) Në fakt, ngurronte aq shumë të bënte atë që kërkonte populli, sa Jehovai e pa të nevojshme t’i thoshte tri herë që t’ua vinte veshin. (1 Sam. 8:7, 9, 22) Gjithsesi, Samueli nuk lejoi të hidhte rrënjë në zemër mllefi ose vreri ndaj atij që do ta zëvendësonte. Kur Jehovai i tha të miroste Saulin, profeti u bind, jo me ngurrim thjesht nga ndjenja e detyrës, por me një gatishmëri që buronte nga dashuria për Jehovain.

17. Si e imitojnë pleqtë sot qëndrimin e Samuelit, dhe si ndihen nga kjo?

17 Ashtu si Samueli, sot pleqtë me përvojë shfaqin qëndrim dashamirës ndaj atyre që stërvitin. (1 Pjet. 5:2) Nuk stepen t’i stërvitin nga frika se mos u duhet të heqin dorë nga ca privilegje në kongregacion dhe t’ua kalojnë nxënësve. Mësuesit me zemër të madhe nuk i shohin nxënësit që duan të mësojnë si konkurrentë, por si «bashkëpunëtorë»—si dhurata të çmuara për kongregacionin. (2 Kor. 1:24; Hebr. 13:16) E si u gufon zemra këtyre mësuesve vetëmohues kur vërejnë se nxënësit i përdorin aftësitë  për të mirën e kongregacionit!—Vep. 20:35.

18, 19. Si mund t’ia përgatitë zemrën një plak atij që stërvit, dhe pse është e rëndësishme të ndjekë këtë metodë?

18 Ji shok, jo thjesht mësues. Ditën që takoi Saulin, profeti Samuel thjesht mund të kishte nxjerrë një poç vaji, t’ia kishte derdhur shpejt e shpejt në kokë Saulit dhe ta kishte nisur për udhë mbretin e ri—plotësisht të mirosur, por krejtësisht të papërgatitur. Në vend të kësaj, me dashuri Samueli gjeti kohë që t’i përgatiste zemrën Saulit pak nga pak. Vetëm pas një vakti të shijshëm, një shëtitjeje të këndshme, një bisede të shtruar dhe një pushimi të mirë, profeti pa se kish ardhur momenti i duhur që ta miroste Saulin.

Hapi i parë i stërvitjes është krijimi i një lidhjeje miqësore (Shih paragrafët 18, 19.)

19 Edhe sot, një mësues duhet ta nisë stërvitjen duke gjetur kohë për të krijuar një atmosferë të çlirët dhe një lidhje miqësore me nxënësin. Se çfarë hapash do të bëjë konkretisht një plak për të krijuar këtë marrëdhënie të ngrohtë do të varet deri diku nga vendi, nga rrethanat dhe tradita. Por, pavarësisht se ku jeton, nëse lë kohë në programin e ngjeshur si plak për të ndenjur me atë që stërvit, është sikur po i thua: «Për mua je i rëndësishëm.» (Lexo Romakëve 12:10.) Të gjithë ata që duan të mësojnë, do ta kuptojnë qartë këtë mesazh pa fjalë dhe do ta çmojnë nga zemra.

20, 21. (a) Si do ta përshkruaje një mësues të suksesshëm? (b) Ç’do të shqyrtohet në artikullin vijues?

20 Pleq, mos harroni: mësues i suksesshëm është ai që jo vetëm ka qejf të stërvitë një tjetër, por edhe e do personin që stërvit. (Krahaso Gjonin 5:20.) Ky aspekt thelbësor i qëndrimit të mësuesit i bie në sy menjëherë nxënësit dhe ndikon jashtëzakonisht te mënyra si reagon ndaj stërvitjes. Prandaj, pleq të dashur, ndërsa stërvitni vëllezërit, jini më shumë se mësues: jini shokë.—Prov. 17:17; Gjoni 15:15.

21 Pasi i përgatit zemrën nxënësit, një plak dëshiron t’i mësojë aftësitë e nevojshme. Ç’metoda mund të përdorë? Kjo do të shqyrtohet në artikullin vijues.

^ par. 3 Edhe pse ky artikull dhe tjetri janë shkruar sidomos për pleqtë, informacioni duhet t’u interesojë gjithë pjesëtarëve të kongregacionit. Pse? Sepse do t’i ndihmojë të gjithë burrat e pagëzuar të kuptojnë se u nevojitet stërvitje që të mbajnë ngarkesën e punës bashkë me të tjerë. E falë kësaj do të nxjerrin dobi të tërë.

^ par. 11 Këta pleq jetojnë në Afrikën e Jugut, Australi, Bangladesh, Belgjikë, Brazil, Francë, Guajanën Franceze, Japoni, Kore, Meksikë, Namibi, Nigeri, Reunion, Rusi dhe në Shtetet e Bashkuara.