«Ki besim tek ai në çdo kohë, o popull!»—PSAL. 62:8.

1-3. Si iu forcua besimi te Jehovai Pavlit? (Shih figurën hapëse.)

ISHTE kohë e rrezikshme për të krishterët në Romë. Dishepujt e Krishtit hiqnin në kurriz një armiqësi të egër, ngaqë i fajësonin se i vunë zjarrin qytetit më 64 të e.s. dhe i akuzonin se urrenin njerëzit. Po të ishe i krishterë asokohe, do të përballeshe çdo ditë me rrezikun e arrestimit dhe të torturave. Ndoshta disa nga motrat e vëllezërit e tu në besim i bënin copë-copë kafshët e egra ose i gozhdonin në shtyllë dhe i digjnin të gjallë për të ndriçuar natën si pishtarë.

2 Tamam në këtë situatë shpërthyese, apostullin Pavël duhet ta kenë burgosur për të dytën herë në Romë. A do t’i bëheshin krah të krishterët e tjerë? Në fillim Pavli mbase ishte ca në merak, sepse i shkroi Timoteut: «Në mbrojtjen time të parë, askush nuk m’u gjend pranë, dhe të gjithë më braktisën—e kjo të mos u llogaritet.» Sidoqoftë Pavli e pranoi se nuk kishte qenë fare pa ndihmë. Ai shkroi: «Zotëria më qëndroi pranë dhe më mbushi me fuqi.» E pra, Zotëria Jezu i dha Pavlit fuqinë e nevojshme. Po sa praktike ishte ajo ndihmë hyjnore? Ja çfarë tha Pavli: «Kështu, unë  shpëtova nga goja e luanit.»—2 Tim. 4:16, 17. *

3 Kujtimi i asaj përvoje duhet t’i ketë dhënë forcë Pavlit. E mbushi me besim se Jehovai do ta bënte të patundur në sprovat që po kalonte dhe në çfarëdo vështirësie që mund të lindte. Në fakt, ai shtoi sakaq: «Zotëria do të më çlirojë nga çdo vepër e ligë.» (2 Tim. 4:18) Po, Pavli kishte mësuar se edhe atëherë kur ndihma e njerëzve është e kufizuar, ndihma që japin Jehovai dhe Biri i tij është reale!

MUNDËSI ‘PËR TË BESUAR TE JEHOVAI’

4, 5. (a) Nga kush mund të presësh gjithmonë ndihmën e nevojshme? (b) Si mund ta forcosh marrëdhënien me Jehovain?

4 A je ndier ndonjëherë krejt i vetëm përballë një situate të vështirë? Mbase humbe punën ose po përballeshe me presione në shkollë, kishe një problem shëndetësor a ndonjë hall tjetër. Ndoshta kërkove ndihmë, por mbete i zhgënjyer nga të tjerët pasi nuk të dhanë aspak atë që të nevojitej. Vërtet, disa probleme thjesht nuk zgjidhen dot vetëm me ndihmën e njerëzve. Në rrethana të tilla, mos vallë është këshillë boshe nxitja e Biblës që ‘të besosh te Jehovai’? (Prov. 3:5, 6) Mos është e kotë? Kurrsesi! Ndihma që jep Perëndia është jashtëzakonisht reale, siç e ilustrojnë sa e sa tregime biblike.

5 Prandaj, mos ushqe mëri kur duket se ndihma e njerëzve është e kufizuar, por shihi situata të tilla siç i shihte apostulli—si mundësi që të mbështetesh pa rezerva te Jehovai dhe të provosh merakun e tij të dashur. Kjo do të ta forcojë besimin tek ai dhe do të ta bëjë gjithnjë e më reale marrëdhënien me të.

BESIMI TE PERËNDIA ËSHTË JETIK NË MARRËDHËNIEN ME TË

6. Pse mund të jetë veçanërisht e vështirë të mbështetemi pa rezerva te Jehovai kur jemi nën stres?

6 A mund t’i hapesh Jehovait në lutje për një problem stresues e pastaj të rrish me zemër të qetë, i sigurt se ke bërë sa ke në dorë e për pjesën tjetër do të kujdeset ai? Pa diskutim që po! (Lexo Psalmin 62:8; 1 Pjetrit 5:7.) Është e rëndësishme të mësosh ta bësh këtë nëse do që të ndërtosh marrëdhënien me Jehovain. Megjithatë, mund të mos jetë kollaj të besosh se Jehovai do të të sigurojë ç’të nevojitet. Pse? Një arsye mund të jetë se Jehovai jo gjithmonë na përgjigjet në çast.—Psal. 13:1, 2; 74:10; 89:46; 90:13; Hab. 1:2.

7. Pse Jehovai nuk u përgjigjet gjithmonë në çast lutjeve tona?

7 Po pse Jehovai nuk i përgjigjet menjëherë çdo kërkese që i bëjmë? Mos harro: marrëdhënien tonë me të ai e krahason me marrëdhënien mes fëmijëve dhe babait. (Psal. 103:13) Fëmija s’mund të pretendojë që prindi t’i plotësojë çdo kërkesë ose ta bëjë këtë sa hap e mbyll sytë. Disa kërkesa të fëmijës mund të jenë veç teka kalimtare. Për disa kërkesa të tjera nuk është ende koha e duhur. E të tjera akoma mund të mos jenë për të mirën e fëmijës ose të atyre që përfshihen. Veç kësaj, sikur prindi ta plotësonte pa një pa dy çdo kërkesë të fëmijës, marrëdhënia e tyre do të bëhej si ajo mes një zotërie dhe një skllavi, ku zotëria është fëmija. Po njësoj, për të mirën tonë Jehovai mund të lërë të kalojë kohë para se të bëhet e dukshme përgjigjja e lutjeve tona. Kjo është e drejta e tij si Krijuesi ynë i mençur, Zotëri i dashur dhe Atë qiellor. Sikur të na i plotësonte në çast të gjitha kërkesat,  marrëdhënia mes nesh dhe Jehovait do të shtrembërohej.—Krahaso Isainë 29:16; 45:9.

8. Ç’na premton Jehovai kur bëhet fjalë për kufizimet tona?

8 Një faktor tjetër është se Jehovai i di për bukuri kufizimet që kemi. (Psal. 103:14) Prandaj, nuk pret t’u bëjmë ballë vështirësive me forcat tona, por na jep ndihmën e tij atërore. Natyrisht, hera-herës ndoshta ndihemi sikur nuk ia dalim dot më. Por Jehovai na siguron se nuk do të lejojë kurrë që shërbëtorët e tij të vuajnë përtej cakut që mund të mbajnë. Ai ‘do të sigurojë rrugëdaljen’. (Lexo 1 Korintasve 10:13.) Pra, kemi arsye të forta të besojmë se Jehovai di ta vlerësojë drejt se deri ku mund të mbajmë.

9. Ç’duhet të bëjmë nëse nuk çlirohemi menjëherë nga problemet pasi lutemi për ndihmë?

9 Nëse jemi lutur për ndihmë, por nuk çlirohemi menjëherë nga problemet, le të presim Atë që e di se kur është tamam momenti për të vepruar në të mirën tonë. Mos harro se edhe ai po pret me durim, pasi ka gjithmonë një dëshirë të zjarrtë të na vijë në ndihmë. «Jehovai mezi pret që t’ju japë hir dhe do të ngrihet që t’ju tregojë mëshirë. Sepse Jehovai është një Perëndi që gjykon me drejtësi. Lum ata që presin të veprojë ai!»—Isa. 30:18.

«GOJA E LUANIT»

10-12. (a) Ç’mund ta rëndojë akoma më tepër situatën e dikujt që i shërben një familjari me sëmundje kronike? (b) Si do të ndikojë te marrëdhënia me Jehovain mbështetja e plotë tek ai në kohë të vështira? Ilustrojeni.

10 Kur je në pikë të hallit, mund të ndihesh si apostulli Pavël—sikur ndodhesh brenda ‘gojës së luanit’ ose mu afër saj. Pikërisht në momente të tilla është mjaft e vështirë—dhe mjaft jetësore—të mbështetesh pa rezerva te Jehovai. Për shembull, ta zëmë se po i shërben një familjari të dashur që vuan nga sëmundje kronike. Ndoshta je lutur për mençuri dhe për forcë. * Pasi ke bërë gjithë sa ke në dorë, a nuk ndien njëfarë paqeje kur e di se Jehovai i mban sytë mbi ty dhe do të të sigurojë ç’të nevojitet për të qëndruar me besnikëri?—Psal. 32:8.

11 Po ndoshta nga rrethanat duket ndryshe. Mjekët mbase të japin opinione kontradiktore. Ose të afërmit që shpresoje të ta lehtësonin zemrën duket se e rëndojnë më keq situatën. Vazhdo të mbështetesh te Jehovai për forcë! Vazhdo të afrohesh me të! (Lexo 1 Samuelit 30:3, 6.) Kur lehtësimi të vijë, marrëdhënia jote me Jehovain do të jetë më e fortë.

12 Linda * e provoi vetë sa e vërtetë është kjo pasi u kujdes disa vjet për prindërit e sëmurë gjatë viteve të fundit të jetës. «Mes asaj situate, im shoq, im vëlla dhe unë shpesh s’dinim nga t’ia mbanim. Nganjëherë ndiheshim fare të pafuqishëm. Po kur hedhim vështrimin pas, e shohim më qartë si na qëndroi pranë Jehovai. Ai na dha forcë dhe siguroi tamam ç’na nevojitej, edhe kur dukej sikur kishim ngecur në qorrsokak.»

13. Si e ndihmoi një motër mbështetja pa rezerva te Jehovai që të përballonte një sërë përvojash dërrmuese?

13 Mbështetja e plotë te Jehovai mund të ndihmojë edhe kur na godet ndonjë tragjedi. Ndërkohë që burri i Rondës, i cili nuk ishte Dëshmitar, bëri kërkesën për divorc, vëllanë e saj e diagnostikuan me lupus, një sëmundje që mund të jetë  vdekjeprurëse. Pak muaj më vonë, vdiq gruaja e të vëllait. Kur iu duk se po e merrte veten nga këto përvoja tronditëse, Ronda filloi shërbimin si pioniere. S’kaloi shumë dhe i vdiq e ëma. Çfarë e ndihmoi Rondën t’i përballonte gjithë këto tragjedi? Ajo tregon: «Komunikoja ditë për ditë me Jehovain, edhe kur ishte fjala për vendime të vogla. Kjo ma bëri real Jehovain. Më mësoi të mbështetesha tek ai, jo te vetja ose te njerëzit e tjerë. E ndihma që më jepte ai ishte reale—asnjë nga nevojat e mia nuk mbeti pa u plotësuar. Kështu, eca dorë për dorë me Jehovain.»

Edhe brenda familjes mund të lindin situata stresuese që na vënë në provë marrëdhënien me Jehovain (Shih paragrafët 14-16.)

14. Për çfarë mund të jetë i sigurt një i krishterë besnik që ka një të afërm të përjashtuar?

14 Të ndalemi pak te një situatë tjetër. Ta zëmë se një i afërmi yt i dashur është përjashtuar. Nga studimi i Biblës, ti e di mirë si duhen trajtuar të përjashtuarit. (1 Kor. 5:11; 2 Gjon. 10) Veçse hera-herës mund të duket tepër e vështirë, madje e pamundur, të mbështetësh vendimin e përjashtimit. * Por të jesh i sigurt se Ati yt qiellor do të të japë forcën e nevojshme që t’i bindesh pa u lëkundur drejtimit të Biblës për përjashtimin. Pse të mos e shohësh këtë si një mundësi që të forcosh marrëdhënien tënde me Jehovain duke u lidhur më ngushtë me të?

15. Pse nuk iu bind Adami urdhrit të Jehovait në Eden?

15 Në këtë pikë, mendo pak për njeriun e parë, Adamin. A besonte vërtet ai se mund të vazhdonte të jetonte pasi të mos i bindej Jehovait? Jo, sepse Shkrimet  na thonë se Adami «nuk u mashtrua». (1 Tim. 2:14) Pse nuk u bind pra? Dëshira për të shoqen duhet të ketë qenë arsyeja pse Adami hëngri nga fryti që i ofroi Eva. Ai dëgjoi zërin e gruas, jo zërin e Perëndisë së tij, Jehovait.—Zan. 3:6, 17.

16. Për kë duhet të ndiejmë dashuri më të thellë, dhe pse?

16 A nënkupton kjo se s’duhet të ndiejmë dashuri të thellë për të afërmit? S’do mend që jo! Por dashurinë më të thellë duhet ta ndiejmë për Jehovain. (Lexo Mateun 22:37, 38.) Ç’është e vërteta, kjo është për të mirën e të afërmve tanë, pavarësisht nëse tani po i shërbejnë Jehovait apo jo. Ndaj vazhdo ta forcosh dashurinë për Jehovain dhe besimin tek ai. E nëse ta bren shpirtin shqetësimi për një të afërm të përjashtuar, zbrazja zemrën Jehovait në lutje. * (Rom. 12:12; Filip. 4:6, 7) Përdore këtë situatë që të copëton zemrën për ta bërë më reale marrëdhënien tënde me Jehovain. Kjo do të të ndihmojë të kesh besim se Jehovai do të sjellë përfundimin më të mirë të mundshëm.

TEKSA PRESIM

Trego se mbështetesh pa rezerva te Jehovai duke u zhytur në veprën e tij (Shih paragrafin 17.)

17. Kur zhytemi në veprën e predikimit, si tregojmë se po mbështetemi pa rezerva te Jehovai?

17 Për ç’arsye ‘shpëtoi nga goja e luanit’ Pavli? Ai thotë: «Që nëpërmjet meje predikimi të kryhej plotësisht dhe të gjitha kombet ta dëgjonin.» (2 Tim. 4:17) Ndërsa zhytemi në veprën e predikimit ashtu si Pavli, kemi besim se Jehovai do të kujdeset ‘të na shtohen’ gjithë gjërat e tjera të nevojshme. (Mat. 6:33) Si lajmëtarë të Mbretërisë, ‘na është besuar lajmi i mirë’ dhe Jehovai na sheh si «bashkëpunëtorë» të tij. (1 Sel. 2:4; 1 Kor. 3:9) Duke u dhënë sa më shumë pas veprës së Perëndisë, do ta kemi më kollaj të presim lehtësimin nga problemet.

18. Si mund ta ndërtojmë besimin te Jehovai dhe të forcojmë marrëdhënien me të?

18 Pra le ta shfrytëzojmë këtë kohë për të forcuar marrëdhënien me Perëndinë. Nëse ndonjë problem na fut ankth, ta përdorim për t’u afruar më shumë me Jehovain. Po, le të kridhemi në studimin e Fjalës së Perëndisë, të lutemi pa pushim dhe të jepemi pas aktiviteteve frymore. Atëherë mund të kemi besim të plotë se Jehovai është në gjendje të na mbajë fort—dhe do të na mbajë—në situatën ku ndodhemi dhe në çdo gjë që na pret.

^ par. 2 «Goja e luanit» nga e cila shpëtoi Pavli mund të ketë qenë e mirëfilltë ose e figurshme.

^ par. 10 Janë botuar artikuj për t’i ndihmuar të krishterët të përballojnë sëmundjet dhe për të ndihmuar ata që kujdesen për të sëmurin. Shih revistën Zgjohuni! të 8 shkurtit 1994 (anglisht); të 8 shkurtit 1997 (anglisht); të 22 majit 2000 (anglisht) dhe të 22 janarit 2001.

^ par. 12 Emrat janë ndryshuar.

^ par. 14 Shih në këtë numër artikullin «Pse përjashtimi është një masë e dashur».

^ par. 16 Janë botuar artikuj për t’i ndihmuar familjarët besnikë të përballojnë dhimbjen kur një i afërm i dashur largohet nga Jehovai. Shih Kullën e Rojës të 1 shtatorit 2006, faqet 17-21 dhe të 15 janarit 2007, faqet 17-20.