NË NJË mbledhje speciale mbajtur më 28 prill 2013 në qytetin e Nagojës, Japoni, Entoni Moris nga Trupi Udhëheqës e mrekulloi auditorin me një njoftim emocionues: daljen e një botimi të ri në japonisht me titull Bibla—Ungjilli sipas Mateut. Më se 210.000 veta, të cilët ishin të pranishëm në sallë ose e ndiqnin programin përmes transmetimit online, shpërthyen në duartrokitje të gjata.

Ky botim i Ungjillit të Mateut me 128 faqe, i rishtypur nga Përkthimi Bota e Re në japonisht, është unik. Vëllai Moris shpjegoi se ishte bërë enkas «që t’u përgjigjej nevojave të territorit japonez». Çfarë veçorish ka ky libër i Biblës? Pse u përgatit? Si e pritën?

ÇFARË VEÇORISH KA?

Formati i Mateut ishte surprizë për auditorin. Në gjuhën japoneze germat mund të renditen vertikalisht ose horizontalisht. Në mjaft materiale të shtypura—përfshirë botimet tona të dekadave të fundit—renditen horizontalisht. Mirëpo teksti i këtij botimi të ri është kompozuar vertikalisht, një stil faqosjeje i përdorur dendur në gazetat dhe në veprat klasike japoneze. Shumë lexuesve japonezë u duket e lehtë të lexojnë në këtë stil. Veç kësaj, titujt në krye të faqeve janë vënë brenda tekstit si nëntituj, që lexuesit t’i kapin më kollaj pikat kryesore.

Vëllezërit dhe motrat në Japoni përfituan menjëherë nga këto veçori të Mateut. Një motër në të 80-at tha: «E kam lexuar kushedi sa herë Mateun, por stili vertikal dhe nëntitujt më ndihmuan ta kuptoja më mirë Predikimin në Mal.» Një motër e re shkroi: «E lexova me një frymë Mateun. Unë vetë jam mësuar me stilin horizontal, por shumë japonezë parapëlqejnë faqosjen vertikale.»

I BËRË ENKAS PËR TERRITORIN JAPONEZ

Pse ky libër i Biblës plotëson nevojat e veçanta të territorit japonez? Edhe pse mjaft japonezë s’dinë shumë për Biblën, kanë qejf ta lexojnë. Falë këtij versioni të Ungjillit të Mateut, ata që s’kanë parë kurrë një Bibël mund të kenë në dorë një pjesë të këtij vëllimi të shenjtë e ta lexojnë.

Pse u zgjodh libri i Mateut? Shumica e japonezëve e lidhin fjalën «Bibël» me Jezu Krishtin. Prandaj, libri i Mateut u zgjodh ngaqë përmban gjenealogjinë dhe historinë e lindjes së Jezuit, Predikimin e tij të famshëm në Mal dhe profecinë mbresëlënëse që bëri për ditët e fundit. Shumë japonezë i tërheqin këto tema.

Lajmëtarët e Mbretërisë në Japoni nisën ta shpërndanin gjithë zell botimin e ri shtëpi më shtëpi dhe në rivizita. Një motër shkroi: «Tani kam  më tepër mundësi ta shpërndaj Fjalën e Perëndisë në territor. Madje, tamam atë ditë që u mbajt mbledhja speciale i dhashë dikujt botimin e Mateut.»

SI E PRITËN?

Si e prezantojnë lajmëtarët Mateun? Në Japoni shumë veta i njohin mirë shprehje të tilla, si «porta e ngushtë», «margaritarët tuaj mos ua hidhni derrave» dhe «mos jini kurrë në ankth për të nesërmen». (Mat. 6:34; 7:6, 13) Çuditen kur marrin vesh se këto janë fjalët e Jezu Krishtit. Pasi i lexojnë këto shprehje në Ungjillin e Mateut, shumë thonë: «Gjithnjë kam dashur ta lexoj Biblën të paktën një herë.»

Kur lajmëtarët kthehen tek ata që kanë pranuar Mateun, shpesh i zoti i shtëpisë thotë se e ka lexuar në çast një pjesë të tij, në mos të gjithin. Një burrë në të 60-at i tha një lajmëtari: «E lexova sa e sa herë dhe gjeta ngushëllim. Të lutem, më mëso më tepër për Biblën.»

Mateu po ofrohet edhe gjatë dëshmisë në vende publike. Në një nga këto raste, një Dëshmitare i dha adresën e email-it një gruaje të re që pranoi Mateun. Një orë më pas, gruaja i dërgoi një email motrës dhe i tha se kishte lexuar ca nga libri biblik dhe donte të dinte më tepër. Javën vijuese, nisi të studionte Biblën dhe s’kaloi shumë e filloi të ndiqte mbledhjet.

Kongregacioneve në Japoni u janë dërguar mbi 1.600.000 kopje të botimit Bibla—Ungjilli sipas Mateut, dhe Dëshmitarët po shpërndajnë dhjetëra mijë çdo muaj. Në parathënien e librit, botuesit shprehin ndjenjat e tyre me këto fjalë: «Shpresojmë me gjithë zemër që pasi të lexoni këtë vëllim, t’ju ngjallet më shumë interesi për Biblën.»