Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Pse e mbajmë Darkën e Zotërisë

Pse e mbajmë Darkën e Zotërisë

«Vazhdoni ta bëni këtë në kujtimin tim.»1 KOR. 11:24.

1, 2. Çfarë bëri Jezui mbrëmjen e 14 nisanit të vitit 33 të e.s.? (Shih figurën hapëse.)

KA RËNË nata, por Jerusalemi është kredhur në dritën e ëmbël të hënës së plotë. Është mbrëmja e 14 nisanit në vitin 33 të e.s. Jezui dhe apostujt e tij kanë kremtuar Pashkën, duke kujtuar kështu çlirimin e Izraelit nga skllavëria e Egjiptit 15 shekuj më parë. Tani, bashkë me 11 apostuj besnikë, Jezui themelon një darkë speciale. Kjo do të shërbejë si përkujtim i vdekjes që e pret para se të mbarojë dita. *Mat. 26:1, 2.

2 Jezui bën një lutje, u jep një bukë pa maja apostujve dhe u thotë: «Merrni, hani.» Pastaj merr një kupë verë, falënderon sërish Perëndinë e thotë: «Pini të gjithë ju.» (Mat. 26:26, 27) Jezui nuk u jep gjë tjetër për të ngrënë a për të pirë, ama ka ende shumë për t’u thënë dishepujve besnikë në këtë natë historike.

3. Cilat pyetje do të shqyrtojmë në këtë artikull?

 3 Ja, kështu e themeloi Jezui Përkujtimin e vdekjes së tij, që quhet edhe ‘Darka e Zotërisë’. (1 Kor. 11:20) Disa mund të pyesin: «Po pse e përkujtojmë vdekjen e Jezuit? Cila është domethënia e bukës dhe e verës? Si mund të përgatitemi për Përkujtimin? Cilët duhet të marrin bukën dhe verën? Dhe si tregon vlerësim çdo i krishterë për shpresën që ka nga Shkrimet?

PSE E PËRKUJTOJMË VDEKJEN E JEZUIT

4. Për çfarë na hapi rrugën vdekja e Jezuit?

4 Si pasardhës të Adamit, kemi trashëguar mëkatin dhe vdekjen. (Rom. 5:12) Asnjë njeri i papërsosur nuk i jep dot Perëndisë një shpërblesë për jetën e vet ose të të tjerëve. (Psal. 49:6-9) Por me vdekjen e tij, Jezui pagoi të vetmin çmim shpengimi të pranueshëm, pra trupin e përsosur dhe gjakun e tij. Duke i paraqitur Perëndisë vlerën e shpërblesës, Jezui na hapi rrugën që të çlirohemi nga mëkati e vdekja dhe të marrim si dhuratë jetën e pafundme.Rom. 6:23; 1 Kor. 15:21, 22.

5. (a) Nga e dimë se Perëndia dhe Krishti na duan? (b) Pse duhet të jemi të pranishëm kur të përkujtohet vdekja e Jezuit?

5 Shpërblesa është provë konkrete e dashurisë së Perëndisë për njerëzimin. (Gjoni 3:16) Edhe Jezui tregoi qartë se na do kur flijoi jetën. Mendo pak, që kur shërbente si «kryemjeshtër» i Perëndisë para se të vinte në tokë si njeri, Jezui ‘i kishte për zemër bijtë e njerëzve’. (Prov. 8:30, 31) Mirënjohja ndaj Perëndisë dhe të Birit, duhet të na motivojë të jemi të pranishëm kur të përkujtohet vdekja e Jezuit. Kështu, i bindemi urdhrit të tij: «Vazhdoni ta bëni këtë në kujtimin tim.»1 Kor. 11:23-25.

Ç’DOMETHËNIE KANË SIMBOLET

6. Si duhet t’i shohim bukën dhe verën e Përkujtimit?

6 Kur themeloi Përkujtimin, Jezui nuk bëri ndonjë mrekulli për t’i kthyer bukën dhe verën në mishin e në gjakun e tij. Përkundrazi, për bukën tha: «Kjo përfaqëson trupin tim.» Kurse për verën sqaroi: «Kjo përfaqëson ‘gjakun tim të besëlidhjes’, që do të derdhet në dobi të shumë vetave.» (Mar. 14:22-24) Pra, është e qartë se buka dhe vera duheshin parë si simbole.

7. Çfarë përfaqëson buka që përdoret në Përkujtim?

7 Në atë rast tejet të rëndësishëm në vitin 33 të e.s., Jezui përdori bukë të ndorme, ose pa maja, që kishte ngelur nga vakti i Pashkës. (Dal. 12:8) Ndonjëherë në Shkrime majaja përdoret për të treguar korrupsion ose mëkat. (Mat. 16:6, 11, 12; Luka 12:1) Pra ishte domethënëse që Jezui përdori bukë pa maja, pasi ajo përfaqësonte më së miri trupin e tij pa mëkat. (Hebr. 7:26) Ja pse në Përkujtim përdoret kjo lloj buke.

8. Çfarë përfaqëson kupa e verës në Përkujtim?

8 Vera që përdori Jezui më 14 nisan të vitit 33 të e.s., përfaqësonte gjakun e tij, njësoj si kupa e verës që përdoret sot në Përkujtim. Në Golgotë, në periferi të Jerusalemit, gjaku i tij u derdh «për faljen e mëkateve». (Mat. 26:28; 27:33) Kështu, buka dhe vera e Përkujtimit simbolizojnë flijimin e paçmuar të Jezuit në dobi të të bindurve. E përderisa e çmojmë këtë masë të dashur, është me vend që secili prej nesh të përgatitet për kremtimin e përvitshëm të Darkës së Zotërisë.

 DISA MËNYRA SI TË PËRGATITEMI

9. (a) Pse është e rëndësishme të ndjekim programin e leximit të Biblës për Përkujtimin? (b) Si ndihesh për shpërblesën?

9 Nëse ndjekim programin e leximit të Biblës për Përkujtimin që gjendet te broshura Të shqyrtojmë Shkrimet çdo ditë, mund të bluajmë në mend çfarë bëri Jezui ditët para se të vdiste. Kjo mund të na ndihmojë të përgatitim zemrën për Darkën e Zotërisë. * Një motër shkruante: «Mezi e presim Përkujtimin. Çdo vit sa vjen e bëhet më i veçantë. Kujtoj një moment kur gjendesha pranë arkivolit të tim eti. . . . Shihja trupin e babait të shtrenjtë dhe zemra më mbushej me mirënjohje për shpërblesën. . . . Eh, i dija për bukuri të gjitha shkrimet dhe si t’i shpjegoja. Por vetëm kur u përplasa me realitetin e hidhur të vdekjes, zemra më hovi nga gëzimi për gjithçka që do të bëjë për ne shpërblesa e çmuar.» Vërtet, kur përgatitemi për Përkujtimin, bëjmë mirë të ndalemi e të mendojmë si na çliron flijimi i Jezuit nga murtaja e mëkatit dhe e vdekjes.

Përgatit zemrën për Përkujtimin me anë të mjeteve që kemi (Shih paragrafin 9.)

10. Si mund të ndikojnë te shërbimi ynë përgatitjet për Përkujtimin?

10 Përgatitjet për Përkujtimin mund të përfshijnë planet për të zgjeruar shërbimin në ndonjë mënyrë, ndoshta duke shërbyer si pionierë ndihmës në periudhën e Përkujtimit. Kur ftojmë studentë të Biblës dhe të tjerë në Darkën e Zotërisë, do të gëzojmë ndërsa u flasim për Perëndinë, Birin e tij dhe bekimet që i presin ata që e kënaqin dhe e lëvdojnë Jehovain.Psal. 148:12, 13.

11. Si i merrnin në mënyrë të padenjë simbolet e Përkujtimit disa korintas?

11 Teksa përgatitesh për Darkën e Zotërisë, mendo për atë që i shkroi apostulli Pavël kongregacionit të Korintit. (Lexo 1 Korintasve 11:27-34.) Ai theksoi se kushdo që ha nga buka dhe pi nga kupa padenjësisht, është «fajtor për trupin dhe për gjakun e Zotërisë», Jezu Krishtit. Kështu, një i mirosur duhet «të shqyrtojë veten nëse është i miratuar» dhe vetëm atëherë mund t’i marrë simbolet. Përndryshe, «ha dhe pi gjykim kundër vetes». Si pasojë e sjelljes së papërshtatshme, mjaft korintas ishin «të dobët e shëndetligë, kurse shumë të tjerë [kishin] rënë  në gjumin e vdekjes [frymore]». Ndoshta disa hanin e pinin aq shumë para ose gjatë Përkujtimit, sa nuk ishin të kthjellët as mendërisht, as frymësisht. Ngaqë i merrnin simbolet në këtë mënyrë të padenjë, Perëndia nuk i miratonte.

12. (a) Me çfarë e krahasoi Pavli Përkujtimin, dhe si i paralajmëroi pjesëmarrësit? (b) Ç’duhet të bëjë dikush që merr simbolet dhe që ka kryer një mëkat të rëndë?

12 Pavli e krahasoi Përkujtimin me një vakt që hahet bashkë me të tjerë, dhe i paralajmëroi pjesëmarrësit: «Ju nuk pini dot edhe kupën e Jehovait, edhe kupën e demonëve. Ju nuk merrni dot pjesë edhe në ‘tryezën e Jehovait’ edhe në tryezën e demonëve.» (1 Kor. 10:16-21) Nëse dikush që merr simbolet në Darkën e Zotërisë ka kryer ndonjë mëkat të rëndë, duhet të kërkojë ndihmë frymore. (Lexo Jakovin 5:14-16.) Në rast se ky i mirosur ka dhënë «fryte të denja për pendim», atëherë nuk e përçmon flijimin e Jezuit kur merr simbolet e Përkujtimit.Luka 3:8.

13. Pse ia vlen të lutemi rreth shpresës që na ka dhënë Perëndia?

13 Tek përgatitemi personalisht për Përkujtimin, ia vlen të lutemi e të mendojmë rreth shpresës që na ka dhënë Perëndia. Askujt që i është kushtuar Jehovait dhe që ndjek besnikërisht Birin e tij, nuk i shkon ndër mend të përbuzë flijimin e Jezuit duke marrë simbolet e Përkujtimit nëse nuk ka prova të qarta se është i mirosur. Atëherë, si mund ta dijë dikush në duhet t’i marrë apo jo simbolet?

CILËT DUHET TË MARRIN BUKËN DHE VERËN?

14. Ç’lidhje ka besëlidhja e re me marrjen e simboleve të Përkujtimit?

14 Ata që i marrin me të drejtë simbolet e Përkujtimit s’kanë pikë dyshimi se janë palë e besëlidhjes së re. Jezui tha për verën: «Kjo kupë përfaqëson besëlidhjen e re në bazë të gjakut tim.» (1 Kor. 11:25) Me anë të profetit Jeremia, Perëndia paratha se do të bënte një besëlidhje të re, e cila ndryshonte nga besëlidhja e Ligjit me izraelitët. (Lexo Jereminë 31:31-34.) Këtë besëlidhje të re Perëndia e ka bërë me izraelitët frymorë. (Gal. 6:15, 16) Ajo u bë e vlefshme nëpërmjet flijimit të Krishtit dhe hyri në fuqi falë gjakut që derdhi ai. (Luka 22:20) Jezui është Ndërmjetësi i besëlidhjes së re, dhe të mirosurit besnikë që kanë hyrë në këtë besëlidhje marrin një trashëgimi qiellore.Hebr. 8:6; 9:15.

15. Cilët kanë hyrë në besëlidhjen për Mbretërinë, dhe ç’privilegj i pret nëse qëndrojnë besnikë?

15 Çdokush që i takon të marrë simbolet e Përkujtimit e di mirë se ka hyrë edhe në besëlidhjen për Mbretërinë. (Lexo Lukën 12:32.) Ata që bëhen dishepuj të mirosur të Jezuit dhe qëndrojnë besnikërisht me të, duke marrë pjesë në vuajtjet e tij, do të marrin pjesë edhe në qeverinë e tij qiellore. (Filip. 3:10) Meqë janë pjesëtarë të besëlidhjes për Mbretërinë, të mirosurit besnikë do të qeverisin përgjithmonë me Krishtin si mbretër qiellorë. (Zbul. 22:5) Këta i marrin me të drejtë simbolet gjatë Darkës së Zotërisë.

16. Shpjegoni shkurt çfarë kuptimi ka Romakëve 8:15-17.

16 Simbolet e Përkujtimit duhet t’i marrin vetëm ata që kanë dëshminë e frymës se janë fëmijë të Perëndisë. (Lexo Romakëve 8:15-17.) Vlen të përmendet se Pavli përdori fjalën aramaike «Abba», që do të thotë «o Atë». Një fëmijë mund t’i drejtohej të atit me këtë term të përzemërt, pasi ai gërsheton ngrohtësinë e fjalës  «babi» me respektin që përcjell fjala «atë». Ata që kanë marrë «një frymë birësimi» janë fëmijë të Perëndisë të lindur nga fryma. Fryma e tij jep dëshmi bashkë me frymën e tyre, duke ua bërë të qartë se janë bij të mirosur të Jehovait. Nuk është puna thjesht që nuk i tërheq më jeta në tokë. Ata janë të sigurt se do të jenë bashkëtrashëgimtarë të Jezuit në Mbretërinë qiellore nëse qëndrojnë besnikë deri në vdekje. Sot ka vetëm një mbetje të 144.000 dishepujve të Krishtit, ‘mirosja e të cilëve është nga i shenjti’, Jehovai. (1 Gjon 2:20; Zbul. 14:1) Falë frymës së tij, ata thërrasin «Abba, o Atë». Ç’marrëdhënie të vyer kanë me Perëndinë!

VLERËSIMI PËR SHPRESËN QË TË JEP BIBLA

17. Çfarë shprese kanë të mirosurit, dhe si ndihen për të?

17 Nëse je i mirosur, shpresa qiellore është temë e rëndësishme e lutjeve të tua. Kur Bibla flet për ‘fejesën’ me Dhëndrin qiellor, Jezu Krishtin, ti e di se kjo zbatohet për ty dhe mezi pret të jesh pjesë e ‘nuses’ së Krishtit. (2 Kor. 11:2; Gjoni 3:27-29; Zbul. 21:2, 9-14) Kur Perëndia shpreh në Fjalën e tij dashurinë për fëmijët frymorë, ti thua: «E ka për mua.» Dhe kur lexon në Fjalën e Jehovait udhëzime për bijtë e mirosur, fryma e shenjtë të shtyn t’u bindesh e të thuash në zemër: «Kjo vlen për mua.» Kështu, fryma e Perëndisë bashkë me frymën tënde dëshmojnë se ke shpresë qiellore.

18. Çfarë shprese kanë ‘delet e tjera’, dhe si ndihesh ti për këtë?

18 Nga ana tjetër, nëse je pjesë e ‘shumicës së madhe’ të ‘deleve të tjera’, Perëndia të ka dhënë shpresën tokësore. (Zbul. 7:9; Gjoni 10:16) Dëshira jote është të jetosh përgjithmonë në Parajsë, dhe gjen ëndje kur mediton për vargjet biblike rreth jetës që do të gëzosh në tokë. Mezi pret të shijosh paqen e pafund i rrethuar nga familjarët besnikë dhe nga njerëz të tjerë të drejtë. Pret me padurim kohën kur mungesa e ushqimit, skamja, vuajtjet, sëmundjet dhe vdekja nuk do ta torturojnë më njerëzimin. (Psal. 37:10, 11, 29; 67:6; 72:7, 16; Isa. 33:24) Të digjet zemra t’i presësh krahëhapur ata që do të ringjallen me perspektivën për të jetuar përgjithmonë në tokë. (Gjoni 5:28, 29) Sa mirënjohës ndihesh që Jehovai të ka bekuar me shpresën tokësore! Edhe pse nuk i merr simbolet, me praninë tënde në Përkujtim shpreh vlerësimin për flijimin shpërblyes të Jezu Krishtit.

A DO TË JESH I PRANISHËM?

19, 20. (a) Si mund të bëhet realitet shpresa që të ka dhënë Perëndia? (b) Pse do ta ndjekësh Darkën e Zotërisë?

19 Shpresa jote, qoftë tokësore apo qiellore, mund të bëhet realitet vetëm nëse tregon besim te Perëndia Jehova, te Jezu Krishti dhe te shpërblesa. Pjesëmarrja në Përkujtim do të të japë mundësi të meditosh për shpresën tënde e për rëndësinë e jashtëzakonshme të vdekjes së Jezuit. Prandaj vëre si synim të jesh një nga ata miliona që do të ndjekin Darkën e Zotërisë të premten, më 3 prill 2015, pas perëndimit të diellit, nëpër Sallat e Mbretërisë e në vende të tjera kudo në botë.

20 Pjesëmarrja në Përkujtim mund të ta thellojë mirënjohjen për flijimin shpërblyes të Jezuit. Tek dëgjon me vëmendje fjalimin, mund të motivohesh t’u shfaqësh dashuri të tjerëve, duke u treguar ç’ke mësuar për dashurinë e Jehovait dhe për qëllimin e tij fisnik për njerëzimin. (Mat. 22:34-40) Pra, bëj çmos të jesh i pranishëm në Darkën e Zotërisë.

^ par. 1 Për hebrenjtë dita fillonte kur perëndonte dielli dhe mbaronte në perëndimin tjetër.