Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

U paraqitën vullnetarisht për të shërbyer—në Nju-Jork

U paraqitën vullnetarisht për të shërbyer—në Nju-Jork

DISA vjet më parë, Sezari dhe e shoqja, Rozja, jetonin për bukuri në Kaliforni. Ai punonte në kohë të plotë si specialist për ngrohjen, ventilimin dhe ajrin e kondicionuar, kurse ajo punonte me orar të reduktuar në një klinikë. Kishin shtëpinë e tyre dhe ishin pa fëmijë. Por, ndodhi diçka që u ndryshoi jetën. Çfarë?

Në tetor të vitit 2009, zyra e degës e Shteteve të Bashkuara u dërgoi një letër gjithë kongregacioneve të vendit. Me anë të saj, ftonte vullnetarë të zotë të bënin kërkesë për të shërbyer përkohësisht në Bethel, që të ndihmonin në zgjerimin e ndërtesave të degës në Uollkill, Nju-Jork. Ftoheshin të bënin kërkesë edhe ata që kishin kaluar kufirin e moshës për shërbimin në Bethel. Sezari dhe Rozja tregojnë: «E dinim se në moshën tonë, ky mund të ishte shansi i vetëm për të shërbyer në Bethel. Nuk do ta linim të na ikte kjo mundësi për asgjë në botë.» Pa një pa dy, çifti dorëzoi kërkesën.

Disa nga vullnetarët që punojnë në Uoruik

Kaloi më shumë se një vit, por nuk po i ftonin në Bethel. Prapëseprapë, vazhduan ta thjeshtonin jetën për të arritur synimin. Sezari thotë: «Kthyem garazhin në garsonierë, që të jepnim shtëpinë me qira. Pastaj nga shtëpia e ëndrrave prej 200 metrash katrorë, që e kishim ndërtuar vetëm para nja dy vjetësh, u transferuam në apartamentin prej 25 metrash katrorë. Falë këtyre ndryshimeve, do ta kishim më të lehtë të pranonim ftesën për në Bethel, po të na vinte në dorë.» Ç’ndodhi më tej? Rozja tregon: «Një muaj pasi u transferuam në apartamentin e vogël, na erdhi ftesa që të shërbenim si vullnetarë të përkohshëm në Uollkill. Ishte e qartë se duke thjeshtuar jetën, i dhamë rast Jehovait të na bekonte.»

Xhejsoni, Sezari dhe Uilliami

BEKOHET FRYMA E TYRE VETËMOHUESE

Ashtu si Sezari dhe Rozja, qindra vëllezër e motra kanë bërë sakrifica që të marrin pjesë në projektet e ndërtimit në shtetin e Nju-Jorkut. Mjaft prej tyre po mbështetin zgjerimin në Uollkill, ndërsa  shumë të tjerë kanë privilegjin të ndihmojnë në ndërtimin e selisë botërore në Uoruik. * Për t’i shërbyer më plotësisht Jehovait, shumë çifte kanë lënë shtëpitë e tyre të rehatshme, punë të mira e madje edhe kafshët shtëpiake. A e ka bekuar Jehovai këtë frymë vetëmohuese? Pa diskutim!

Ueji

Për shembull, Ueji, që është elektricist, dhe e shoqja, Debora, të dy nga fundi i të 50-ave, shitën shtëpinë në Kanzas dhe pjesën më të madhe të plaçkave e u transferuan në Uollkill si punonjës të jashtëm të Bethelit. * Edhe pse iu desh të bënin ndryshime në jetë, ata mendojnë se këto sakrifica ia vlejtën. Debora thotë për caktimin e saj në Bethel: «Nganjëherë më duket sikur jam futur në një nga ato figurat e ndërtimit në Parajsë që shohim në botimet tona.»

Melvini dhe Sharoni shitën plaçkat dhe shtëpinë në Karolinën e Jugut për të dhënë një dorë në Uoruik. Edhe pse ishte goxha sakrificë për ta, ndihen të privilegjuar që po marrin pjesë në këtë projekt historik. Ja si shprehen: «Mbushesh me gëzim kur e di se po bën diçka që është në të mirë të organizatës mbarëbotërore. Çfarë ndjesie e mrekullueshme!»

Keni

Keni, një pensionist që ishte ndërtues, dhe e shoqja Morina, të dy nga mesi i të 50-ave, u transferuan nga Kalifornia për të shërbyer në projektin e Uoruikut. Para transferimit, morën masa që një motër në kongregacion të kujdesej për shtëpinë e tyre dhe u kërkuan familjarëve t’u jepnin një dorë duke u kujdesur për babanë e moshuar të Kenit. A janë pishman që bënë sakrifica për të shërbyer në Bethel? Aspak! Keni thotë: «Po përfitojmë sa s’thuhet. Por, a e kemi fushë me lule? S’do mend që jo, ama bëjmë një jetë tejet të kënaqshme dhe ua rekomandojmë me gjithë shpirt të tjerëve këtë lloj shërbimi.»

KAPËRCEJNË PENGESA

Shumicës së atyre që janë vënë në dispozicion iu desh të kapërcenin disa pengesa. Për shembull, Uilliami dhe Sandra, që janë në fillim të të 60-ave, ishin sistemuar mirë dhe jetonin rehat në Pensilvani. Kishin një kompani fitimprurëse me 17 të punësuar, e cila prodhonte pjesë makinerish. Shërbenin në po atë kongregacion ku kishin qenë qysh nga fëmijëria, dhe shumica e të afërmve jetonin aty rrotull. Kështu, kur u krijua mundësia të shërbenin si bethelitë të jashtëm në Uollkill, e dinin mirë se kjo do të thoshte të linin pas pothuajse  çdokënd e çdo gjë me të cilën ishin mësuar. Uilliami shprehet: «Pa dyshim që vështirësia më e madhe për ne ishte të shkëputeshim nga një jetë ku ndiheshim rehat.» Mirëpo, pas shumë lutjesh, ata vendosën të transferoheshin dhe nuk janë pishman për këtë hap. Uilliami shton: «Gëzimi që marrim pjesë në këtë projekt dhe që shërbejmë përkrah familjes Bethel s’ka të krahasuar. Unë dhe Sandra nuk kemi qenë kurrë kaq të lumtur!»

Disa nga çiftet që punojnë në Uollkill

Rikin, një menaxher ndërtimi në Havai, e ftuan të shërbente si bethelit i jashtëm për të ndihmuar në projektin e Uoruikut. E shoqja, Kendra, donte që ai ta pranonte ftesën. Mirëpo, i merakoste me të drejtë diçka: mirëqenia e Jakobit, djalit të tyre 11-vjeçar. Pyesnin veten nëse ishte e mençur të transferoheshin si familje në shtetin e Nju-Jorkut dhe nëse djali do të arrinte të përshtatej me një ambient krejt tjetër.

Jakobi dhe prindërit e tij kënaqen në shoqërinë e bethelitëve të kongregacionit

Riki thotë: «Një nga përparësitë tona ishte të gjenim një kongregacion me fëmijë e të rinj që ecnin mbarë frymësisht. Donim që Jakobi të rrethohej nga shoqëri e hairit.» Si përfundim, qëlluan në një kongregacion me fare pak fëmijë, por me disa bethelitë. Riki vazhdon: «Pas mbledhjes së parë, e pyeta Jakobin si i dukej kongregacioni i ri, sidomos ngaqë nuk kishte asnjë të moshës së tij. Më tha: ‘Mos ki merak babi. Miqtë e mi do të jenë vëllezërit e rinj bethelitë.’»

Dhe ashtu ndodhi: ata bethelitë e bënë shok Jakobin. Si ndikoi kjo? Riki tregon: «Një natë kalova afër dhomës së djalit dhe pashë që drita ishte akoma ndezur. Prisja ta kapja duke luajtur ndonjë lojë elektronike, por ai po lexonte Biblën. Kur e pyeta ç’po bënte, ma ktheu: ‘Jam bethelit i ri dhe do ta lexoj Biblën brenda një viti.’» S’do mend që Riki dhe Kendra e kanë zemrën plot, jo vetëm ngaqë Riki merr pjesë në projektin e ndërtimit në Uoruik, por edhe ngaqë djali po lulëzon frymësisht pas këtij transferimi.—Prov. 22:6.

NUK SHQETËSOHEN PËR TË ARDHMEN

Luisi dhe Deili

Një ditë, projektet e ndërtimit në Uollkill e në Uoruik do të mbarojnë. Kështu, ata që janë ftuar të ndihmojnë, e kanë të qartë se shërbimi i tyre në Bethel është i përkohshëm. A i zë ankthi këta vëllezër e motra se ku do të shkojnë ose ç’do të bëjnë më pas? Aspak! Shumë prej tyre ndihen tamam siç shprehen dy çifte në të 50-at nga Florida. Xhoni, menaxher ndërtimi, dhe e shoqja, Karmeni , që shërbejnë si vullnetarë të përkohshëm në Uoruik, thonë: «E kemi parë se si është  kujdesur konkretisht Jehovai për nevojat tona deri më sot. Është logjike që nuk na solli këtu tani, vetëm që të na braktisë më vonë.» (Psal. 119:116) Luisi, që merret me projektimin e fikësave të zjarrit, dhe e shoqja, Kenia, shërbejnë në Uollkill. Ata shprehen: «Tashmë e kemi parë se Jehovai na ka siguruar dorëhapur gjërat e nevojshme materiale. Paçka se nuk e dimë qysh e tek do të kujdeset për ne, jemi plotësisht të bindur se do të vazhdojë të kujdeset.»Psal. 34:10; 37:25.

 «NJË BEKIM TË TILLË, SA TË MOS KENI MË NEVOJË»

Xhoni dhe Melvini

Shumica e atyre që kanë ndihmuar në projektet e ndërtimit në Nju-Jork, mund të kishin gjetur sebepe për të mos dalë vullnetarë. Mirëpo, e vunë në provë Jehovain, sipas ftesës që na bën ai: «Ju lutem, më vini në provë . . . po s’ju hapa portat e qiejve dhe po s’ju derdha një bekim të tillë, sa të mos keni më nevojë.»—Mal. 3:10.

A do ta vësh edhe ti në provë Jehovain dhe të shijosh bekimet e tij të pasura? Shqyrto në lutje ç’mund të bësh për të marrë pjesë në veprën fantastike që po kryhet qoftë në Nju-Jork, qoftë në projekte të tjera ndërtimi teokratike. Kështu do ta provosh vetë si do të të shpërblejë Jehovai.—Mar. 10:29, 30.

Geri

Deili, inxhinier ndërtimi, dhe Keti, nga Alabama, e rekomandojnë me gjithë zemër këtë lloj shërbimi. Teksa shërbejnë si vullnetarë në Uollkill, thonë: «Nëse gjen kurajë të shkëputesh nga një jetë ku ndihesh rehat, do të kesh mundësi të shohësh si vepron fryma e Jehovait.» Por, ç’duhet të bësh që të vihesh në dispozicion? Deili shprehet: «Thjeshto, thjeshto e prapë thjeshto. Kurrë s’do të bëhesh pishman.» Geri, nga Karolina e Veriut, ka 30 vjet përvojë si menaxher ndërtimi. Ai dhe e shoqja, Morina, tregojnë cili është një prej bekimeve që gëzojnë në Uoruik: «Njohim e punojmë përkrah gjithë atyre motrave e vëllezërve të mrekullueshëm, që e kanë përdorur tërë jetën për t’i shërbyer Jehovait në Bethel.» Ai shton: «Që të shërbesh në Bethel, duhet të bësh një jetë të thjeshtë, dhe kjo është mënyra më e mirë për t’i bërë ballë këtij sistemi.» Xhejsoni, që punonte për një kompani impiantesh elektrike, dhe Xheniferi, nga Ilinoisi, thonë se puna për një projekt të Bethelit në Uollkill është «një nga përvojat që i afrohet më shumë jetës në botën e re». Xheniferi shton: «Të pushton një ndjenjë e papërshkrueshme kur ndien se çdo gjë që bën është e çmuar për Jehovain dhe është një investim për të ardhmen që po na përgatit ai. Jehovai sigurohet që jeta jote të pasurohet tej mase.»

^ par. 7 Punonjësit e jashtëm që shërbejnë një a disa ditë në javë në Bethel, kujdesen vetë për strehimin dhe shpenzimet e përditshme.