«Afshet [e dashurisë] janë afshe zjarri, flaka e Jah.»—KËNG. 8:6.

1, 2. Cilët mund të nxjerrin dobi nga shqyrtimi i kujdesshëm i Këngës së Solomonit, dhe pse? (Shih figurën hapëse.)

«Ç’VËSHTRIME të ëmbla dhe përqafime të ngrohta! E kush e mohon se janë kokë e këmbë të dashuruar!?» Kështu mendon një plak kongregacioni që porsa ka bërë fjalimin e martesës së çiftit. Të sapomartuarit kërcejnë gjithë hijeshi në pistën e vallëzimit të dasmës, kurse ai vret mendjen: «A do t’i rezistojë kohës kjo martesë? Me kalimin e viteve, a do të thellohet dashuria e tyre apo do të humbë si kripa në ujë?» Dashuria mes një burri e një gruaje mund të jetë vërtet e bukur kur është e pathyeshme dhe e qëndrueshme. Por, me tërë këto martesa që prishen, nuk është e kotë të pyesim nëse ekziston vërtet dashuria jetëgjatë.

2 Dashuria e vërtetë ishte gjë e rrallë edhe në kohën e Solomonit, mbretit të Izraelit të lashtë. Duke komentuar për klimën morale të kohës së tij, ai shkroi: «Në një mijë burra, gjeta një të drejtë, por mes gjithë këtyre grave nuk gjeta asnjë të drejtë. Ja, vetëm këtë kam gjetur, që Perëndia i vërtetë i bëri njerëzit të drejtë, por ata kanë kërkuar marifete të shumta.» (Ekl. 7:26-29) Kryesisht për shkak të ndikimit të grave të huaja që adhuronin Baalin, normat morale në ditët e tij kishin rënë aq poshtë, sa Solomoni mezi gjente një burrë  a një grua me moral të shëndoshë. * Prapëseprapë, poema që kishte shkruar 20 vjet më parë, Kënga e Solomonit, tregon se dashuria e qëndrueshme mes një burri e një gruaje mund të ekzistojë. Gjithashtu përshkruan me një gjuhë të gjallë si është kjo dashuri dhe si shfaqet. Adhuruesit e Jehovait, të martuar a beqarë qofshin, mund të mësojnë shumë për këtë lloj dashurie duke shqyrtuar me kujdes këtë libër të Biblës.

DASHURIA E VËRTETË EKZISTON!

3. Pse mund të ekzistojë dashuria e vërtetë mes burrit dhe gruas?

3 Lexo Këngën e Solomonit 8:6. Shprehja «flaka e Jah», që përdoret për të përshkruar dashurinë, flet shumë. Dashuria e vërtetë është «flaka e Jah» në kuptimin që Jehovai është Burimi i saj. Ai e krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së tij, me aftësinë për të dashur. (Zan. 1:26, 27) Kur Perëndia ia paraqiti gruan e parë, Evën, burrit të parë, fjalët që buruan nga goja e Adamit ishin një poezi e vërtetë. Pa dyshim që Eva ndihej e afërt me Adamin, nga i cili «u mor». (Zan. 2:21-23) Përderisa Jehovai u ka dhënë njerëzve aftësinë të tregojnë dashuri, është e mundur që burri e gruaja të kenë dashuri të patundur e të pashuar për njëri-tjetrin.

4, 5. Tregoni shkurtimisht historinë e Këngës së Solomonit.

4 Përveçse e palëkundshme dhe e qëndrueshme, dashuria mes burrit e gruas ka edhe veçori të tjera. Disa prej tyre përshkruhen bukur te Kënga e Solomonit. Kjo këngë e hartuar si libret, pra si teksti i një opere, është një histori dashurie mes një të reje nga fshati Shunem, ose Shulem, dhe bariut të saj të shtrenjtë. Solomoni i ka ngritur tendat afër vreshtave që ruan vajza dhe i bie në sy bukuria e saj, prandaj e çojnë në kampin e tij. Por duket qartë që në fillim se ajo është e dashuruar me bariun. Ndërsa Solomoni përpiqet ta bëjë për vete, vajza e shpreh hapur se zemrën e ka tek i dashuri i saj. (Këng. 1:4-14) Bariu vjen në kamp, dhe dy të rinjtë këmbejnë shprehje dashurie të bukura.Këng. 1:15-17.

5 Solomoni kthehet në Jerusalem dhe merr me vete të renë, ndërsa bariu e ndjek pas. (Këng. 4:1-5, 8, 9) Të gjitha përpjekjet e Solomonit që të fitojë dashurinë e vajzës shkojnë kot. (Këng. 6:4-7; 7:1-10) Si përfundim, mbreti e lejon të kthehet në shtëpi. Kënga mbyllet me thirrjen e vajzës që i dashuri i saj të bëhet «si gazela» dhe të shkojë me vrap tek ajo.Këng. 8:14.

6. Pse nuk është kollaj të dallohet kush flet në këtë dramë?

6 «Më e bukura këngë e Solomonit» ka fjalë kuptimplota e të thurura bukur, por nuk është aq kollaj të dallohet kush flet gjatë dialogjeve, monologjeve dhe ëndrrave të kësaj kënge. (Këng. 1:1) Sipas një fjalori biblik, «gjëra të tilla si subjekti, historia, rrjedha e ngjarjeve dhe stili nuk kanë ndonjë peshë të madhe». (The New Interpreter’s Dictionary of the Bible) Emrat e personazheve mund të mos jenë përmendur që të shijohet pa shpërqendrime lirizmi dhe poezia e këtij krijimi. Gjithsesi, mund të kuptohet kush flet nga fjalët që thotë dhe nga fjalët që i drejtohen. *

 «SHPREHJET E TUA TË DASHURISË JANË MË TË MIRA SE VERA»

7, 8. Ç’mund të themi për ‘shprehjet e dashurisë’ në Këngën e Solomonit? Jepni shembuj.

7 Kënga e Solomonit ka me bollëk ‘shprehje dashurie’ mes vajzës dhe bariut. Edhe pse këto shprehje pasqyrojnë kulturën orientale të afro 3.000 vjetëve më parë dhe mund të na duken të çuditshme sot, janë domethënëse dhe ndjenjat që përcjellin nuk janë të huaja për ne. Për shembull, bariu u thur lavde syve të butë e të ëmbël të vashës duke i krahasuar me «ata të pëllumbeshave». (Këng. 1:15) Ajo i krahason sytë e tij jo me ata të pëllumbave, por me pëllumbat vetë. (Lexo Këngën e Solomonit 5:12.) Bebëza e errët e syrit rrethuar nga ngjyra e bardhë i duket e bukur si një pëllumb që lahet në qumësht.

8 Ama, jo të gjitha shprehjet e dashurisë në këtë këngë e tërheqin vëmendjen te bukuria fizike. Mendoni si shprehet bariu për mënyrën si flet vajza. (Lexo Këngën e Solomonit 4:7, 11.) Ai thotë se buzët e saj ‘pikojnë mjaltë hualli’. Pse? Sepse mjalti i huallit është më i ëmbël dhe ka më shumë shije sesa mjalti që tashmë është nxjerrë nga hojet. «Mjaltë dhe qumësht ka nën gjuhën» e saj, domethënë fjalët e saj janë të këndshme e të mira si mjalti dhe qumështi. Duket qartë se, kur bariu i thotë vajzës «ti je e tëra e bukur, . . . nuk ke asnjë të metë», s’e ka fjalën vetëm për bukurinë fizike.

9. (a) Çfarë përfshin dashuria mes bashkëshortëve? (b) Pse është e rëndësishme që bashkëshortët t’ia shprehin dashurinë njëri-tjetrit?

9 Martesa nuk është thjesht një kontratë ose një marrëveshje formale e ftohtë, pa pikë dashurie e ngrohtësie. Në të vërtetë, dashuria është shenjë dalluese e martesës së krishterë. Por për ç’lloj dashurie bëhet fjalë? A është dashuria që udhëhiqet nga parimet biblike? (1 Gjon. 4:8) A përfshin përzemërsinë e natyrshme që ndiejnë familjarët për njëri-tjetrin? A është lidhja e ngrohtë dhe e përzemërt që krijohet mes miqve të vërtetë? (Gjoni 11:3) A është dashuria romantike? (Prov. 5:15-20) Në fakt, dashuria e vërtetë dhe jetëgjatë mes bashkëshortëve i përfshin të gjitha këto. Dashuria ndihet tamam kur shprehet. Sa jetësore është që të martuarit të mos lejojnë që aktivitet e përditshme t’u grabitin mundësitë për t’i shprehur dashurinë njëri-tjetrit! Shprehje të tilla e shtojnë shumë sigurinë dhe lumturinë në martesë. Në kulturat ku martesa zakonisht bëhet me mblesëri dhe burri e gruaja nuk e njohin thuajse fare njëri-tjetrin para dasmës, të dy duhet të mbajnë parasysh se është e domosdoshme t’ia shprehin me fjalë dashurinë njëri-tjetrit. Kështu, dashuria do të rritet dhe martesa do të lulëzojë.

10. Si mund të ndikojë kujtimi i shprehjeve të dashurisë?

10 Shprehjet e dashurisë mes të martuarve kanë edhe një ndikim tjetër pozitiv. Mbreti Solomon ishte gati të bënte për shulamiten «rrathë ari dhe tokëza argjendi». E mbuloi me lëvdata dhe i tha se ishte «e bukur si hëna e plotë, e kulluar si dielli rrëzëllues». (Këng. 1:9-11; 6:10) Por vajza i qëndroi besnike bariut të saj të shtrenjtë. Çfarë i dha forcë e zemër gjatë kohës që ishin të ndarë? Na e thotë ajo vetë. (Lexo Këngën e Solomonit 1:2, 3.) Ishte kujtimi i ‘shprehjeve të dashurisë’  të bariut. Ato ishin për vajzën «më të mira se vera» që gëzon zemrën, dhe emri i tij ishte po aq qetësues sa ‘vaji aromatik që derdhet’ në kokë. (Psal. 23:5; 104:15) E pra, kujtimet e këndshme të shprehjeve të dashurisë mund ta bëjnë më të patundur dashurinë. Sa e rëndësishme është që bashkëshortët ta shprehin shpesh se e kanë në zemër njëri-tjetrin!

MOS E ZGJONI DASHURINË «DERISA TË NDIHEM VETË E PRIRUR»

11. Ç’mund të mësojnë të pamartuarit nga veprimi i shulamites që i vuri në be të tjerët të mos përpiqeshin t’i zgjonin dashurinë?

11 Kënga e Solomonit ka mësime edhe për të pamartuarit, veçanërisht për ata që kërkojnë shokun a shoqen e jetës. Vajza nuk ndiente dashuri për Solomonin. Prandaj i vuri në be bijat e Jerusalemit me këto fjalë: «Mos u përpiqni ta zgjoni ose ta ngjallni dashurinë tek unë, derisa të ndihem vetë e prirur për këtë.» (Këng. 2:7; 3:5) Pse? Thjesht sepse nuk është e përshtatshme të ushqesh ndjenja romantike për këdo që të del para. Pra është e mençur që një motër a vëlla që dëshiron të martohet, të presë me durim derisa të gjejë dikë që mund ta dojë vërtet.

12. Pse e donte shulamitja bariun?

12 Pse e donte shulamitja bariun? S’diskutohet, ai ishte i pashëm. I ngjante «një gazele», duart i kishte si «cilindra ari» dhe këmbët të bukura e të forta si «shtylla mermeri». Por nuk ishte vetëm i fortë dhe i pashëm. «Si një dru molle mes drurëve të pyllit» ishte ‘i shtrenjti i saj ndër bijtë’. Përderisa një vajzë besnike ndaj Jehovait kishte ndjenja të tilla për të, ai duhej të ishte një burrë me besim të fortë e cilësi të bukura frymore.Këng. 2:3, 9; 5:14, 15.

13. Pse e donte bariu vajzën?

13 Po ç’të themi për shulamiten? Edhe pse ishte aq e bukur sa i ra në sy një mbreti që në këtë moment kishte «gjashtëdhjetë mbretëresha, tetëdhjetë konkubina e vasha pa numër», ajo e quante veten «një shafran i rrafshinës bregdetare», një lule e zakonshme. Ishte jashtëzakonisht modeste dhe e përulur. S’është çudi që bariu nuk e shihte aspak si gjithë të tjerat, por «si një zambak mes gjembaçëve». Ajo vajzë ishte besnike ndaj Jehovait.Këng. 2:1, 2; 6:8.

14. Ç’mësojnë nga historia e dashurisë në Këngën e Solomonit besnikët që duan të martohen?

 14 Shkrimet i këshillojnë me forcë të krishterët të martohen «vetëm në Zotërinë». (1 Kor. 7:39) Një vëlla a motër që dëshiron të martohet, nuk krijon lidhje romantike me një jobesimtar dhe kërkon bashkëshort vetëm mes adhuruesve besnikë të Jehovait. Madje duhet pranuar se të përballesh me realitetin e jetës e njëherazi të ruash paqen dhe unitetin frymor në martesë kërkon besim e përkushtim ndaj Perëndisë. Tamam këto cilësi duhen kërkuar te një bashkëshort i mundshëm. E këto cilësi zbuluan te njëri-tjetri bariu dhe vajza.

Një vëlla a motër që dëshiron të martohet, nuk krijon lidhje romantike me një jobesimtar (Shih paragrafin 14.)

NUSJA IME ËSHTË SI «NJË KOPSHT I MBYLLUR»

15. Si mund të jetë një shembull shulamitja për të pamartuarit e devotshëm?

15 Lexo Këngën e Solomonit 4:12. Pse bariu e përshkruan të dashurën e tij si «një kopsht i mbyllur me shul»? Në një kopsht të rrethuar me mur ose me gardh nuk mund të futet kush të dojë. Atje mund të hysh vetëm nga një portë e mbyllur me shul. Shulamitja krahasohet me një kopsht të tillë, sepse e ruante dashurinë e saj vetëm për burrin e ardhshëm, për bariun. Ngaqë nuk u dorëzua para joshjeve të mbretit, tregoi se ishte si një «mur» dhe jo si një «derë» që mund të hapet kanat. (Këng. 8:8-10) Po njësoj, të pamartuarit e devotshëm e ruajnë dashurinë dhe shprehjet e përzemërsisë vetëm për gruan a burrin e ardhshëm.

16. Ç’mësojnë nga Kënga e Solomonit ata që po njihen me dikë?

16 Kur bariu i kërkoi shulamites të dilnin shëtitje një ditë pranvere, vëllezërit nuk e lejuan vajzën, por e caktuan të ruante vreshtat. Pse? Nuk kishin besim tek ajo? Mos vallë mendonin se kishte synime imorale? Në të vërtetë, po merrnin masa që e motra të mos futej në situata tunduese. (Këng. 1:6; 2:10-15) Ja pra një mësim për motrat dhe vëllezërit beqarë: kur njihesh me dikë, merr masat e nevojshme që ta mbash të dëlirë këtë lidhje. Shmang vendet e veçuara. Edhe pse ndonjë shprehje e pastër dashurie mund të jetë me vend, bëj kujdes të shmangësh situatat tunduese.

17, 18. Si ke nxjerrë dobi nga shqyrtimi i Këngës së Solomonit?

17 Në përgjithësi çiftet e nisin martesën plot ngrohtësi dhe dashuri për njëri-tjetrin. Martesën e themeloi Jehovai dhe duhet të jetë e qëndrueshme, prandaj është jetësore që çiftet të përpiqen t’i mbajnë ndezur flakët e dashurisë dhe të ruajnë një atmosferë ku dashuria mund të rritet.Mar. 10:6-9.

18 Nëse dëshiron të martohesh, gjej dikë që mund ta duash vërtet e pastaj bëje atë dashuri të fortë e të pashuar, siç tregon Kënga e Solomonit. Qoftë nëse po kërkon shokun a shoqen e jetës, qoftë nëse je i martuar, shijofsh dashurinë e vërtetë, ‘flakën e Jah’!Këng. 8:6.

^ par. 2 Shih Kullën e Rojës, 15 janar 2007, faqja 31.

^ par. 6 Shih «Përmbajtja e Këngës së Solomonit» te libri I gjithë Shkrimi, faqet 115-117.