Ç’donte të thoshte Jeremia kur shkroi se Rakela qante bijtë e saj?

Te Jeremia 31:15 lexojmë: «Kështu thotë Jehovai: ‘Në Ramah dëgjohet një zë, vajtime dhe të qara të hidhura. Është Rakela që qan bijtë e saj. Ajo nuk pranon të ngushëllohet për bijtë e vet, sepse ata nuk janë më.’»

Dy bijtë e Rakelës nuk vdiqën para saj. Kështu, ajo që shkroi Jeremia 1.000 vjet pas vdekjes së Rakelës mund të duket e pasaktë.

Djali i parë i Rakelës ishte Jozefi. (Zan. 30:22-24) Më vonë, ajo pati një djalë tjetër që ia vunë emrin Beniamin. Mirëpo Rakela vdiq në lindje e sipër. Prandaj, lind pyetja: pse te Jeremia 31:15 thuhet se ajo qante ngaqë bijtë e saj ‘nuk ishin më’?

Vlen të përmendet se djalit të parë, Jozefit, i lindën Manaseu dhe Efraimi. (Zan. 41:50-52; 48:13-20) Kohë më vonë, Efraimi ishte fisi më i rëndësishëm e më me ndikim i krejt mbretërisë veriore të Izraelit dhe mori rolin e përfaqësuesit të të dhjeta fiseve. Nga ana tjetër, fisi që erdhi nga biri i dytë i Rakelës, Beniamini, bënte pjesë në mbretërinë jugore, bashkë me Judën. Pra, në njëfarë kuptimi, mund të thuhet se Rakela ishte simbol i të gjitha nënave në Izrael, atyre në mbretërinë veriore dhe jugore.

Në kohën kur u shkrua libri i Jeremisë, mbretëria veriore dhjetëfisëshe tashmë kishte rënë në duart e asirianëve dhe një pjesë e mirë e banorëve të saj ishin marrë robër. Gjithsesi, disa pasardhës të Efraimit mund të kishin ikur më parë në territorin e Judës. Më 607 p.e.s., babilonasit zaptuan mbretërinë jugore dyfisëshe të Judës. Siç duket, gjatë atij pushtimi, shumë robër i mblodhën në Ramah, afro 8 kilometra në veri të Jerusalemit. (Jer. 40:1) Ndoshta disa i vranë atje, në territorin e Beniaminit, ku ishte varrosur Rakela. (1 Sam. 10:2) Pra, fjalët ‘Rakela qan bijtë e saj’ mund të tregonin se, në kuptim të figurshëm, ajo vajtonte për beniaminitët në përgjithësi ose për ata të Ramahut në veçanti. Një variant tjetër është se ato fjalë nënkuptonin që gjithë nënat e popullit të Perëndisë qanin për vdekjen ose mërgimin e Izraelit.

Sido që të jetë, shprehja e Jeremisë se Rakela qante të bijtë ishte një profeci për atë që ngjau shekuj më vonë, kur qe në rrezik jeta e Jezuit të vogël. Mbreti Herod dha urdhër të vriteshin gjithë djemtë nga dy vjeç e poshtë në Betlehem, i cili ndodhej në jug të Jerusalemit. Kështu, ata bij nuk ishin më, kishin vdekur. Imagjinoni klithmat e pikëllimit të nënave të mbetura pa bij! Aq të forta ishin, sa mund të thuhej se dëgjoheshin deri në Ramah, në veri të Jerusalemit.—Mat. 2:16-18.

Pra, qoftë në kohën e Jeremisë, qoftë në kohën e Jezuit, shprehja ‘Rakela qan bijtë e saj’ përshkruante më së miri pikëllimin e nënave judeje për vrasjen e fëmijëve të tyre. S’diskutohet, ata që vdiqën dhe shkuan në ‘vendin e armikut’, vdekjes, mund të shpëtojnë nga kthetrat e saj e të kthehen kur të ringjallen të vdekurit.Jer. 31:16; 1 Kor. 15:26.