NJË grup të rinjsh Dëshmitarë vendosin të shohin një film që e reklamojnë shumë shokë të shkollës. Kur arrijnë te kinemaja, afishet e filmit paraqesin armë të rënda dhe gra me veshje provokuese. Si do t’ia bëjnë? A do të hyjnë në kinema prapëseprapë që ta shohin filmin?

Kjo situatë tregon se na duhet të marrim një sërë vendimesh që mund të ndikojnë për mirë a për keq te gjendja jonë frymore dhe te marrëdhënia me Jehovain. Ndoshta nganjëherë ke ndër mend të bësh diçka, por pasi e peshon prapë situatën ndërron mendje. Mos po tregohesh i pavendosur apo përkundrazi po bën diçka me vend?

Raste kur është E PAVEND

Dashuria për Jehovain na shtyu t’i kushtonim jetën dhe të pagëzoheshim. Duam me gjithë shpirt t’i mbetemi besnikë Perëndisë. Mirëpo, armiku ynë Satana Djalli është i vendosur të na thyejë integritetin. (Zbul. 12:17) Kemi marrë vendim t’i shërbejmë Jehovait dhe t’u bindemi urdhërimeve të tij. Sa tragjike do të ishte të ndërronim mendje për kushtimin tonë ndaj Jehovait! Kjo do të na kushtonte jetën.

Mbi 26 shekuj më parë, mbreti i Babilonisë, Nabukodonosori, ngriti një statujë gjigante prej ari dhe dekretoi që të gjithë të binin përmbys para saj e ta adhuronin. Kush nuk e bënte këtë do të hidhej në një furrë të zjarrtë. Shadraku, Meshaku dhe Abednegoja, tre të rinj që adhuronin Jehovain dhe i frikësoheshin, nuk iu bindën atij urdhri. Ngaqë refuzuan të përkuleshin para statujës, i hodhën në furrën e zjarrtë. Vërtet Jehovai i shpëtoi me një mrekulli, ama ata kishin qenë gati të vinin kokën në rrezik, në vend që të bënin kompromis me vendimin për t’i shërbyer Perëndisë.Dan. 3:1-27.

 Kohë më vonë, edhe pse rrezikonte ta hidhnin në gropën e luanëve, profeti Daniel ngulmoi në lutje. E pra, nuk hoqi dorë nga zakoni që t’i lutej Jehovait tri herë në ditë. Danielit nuk iu lëkund vendosmëria që të adhuronte Perëndinë e vërtetë. Si pasojë, Jehovai e çliroi profetin «nga panxha e luanëve».Dan. 6:1-27.

Edhe sot shërbëtorët e Perëndisë jetojnë në lartësinë e kushtimit ndaj tij. Në një shkollë të Afrikës, një grup nxënësish që janë Dëshmitarë të Jehovait nuk pranuan të merrnin pjesë në një ceremoni për të adhuruar një simbol kombëtar. I kërcënuan se po të mos merrnin pjesë bashkë me nxënësit e tjerë, do t’i përjashtonin nga shkolla. Pak më vonë, ministri i arsimit vizitoi qytezën dhe bisedoi me disa nga nxënësit Dëshmitarë. Ata të rinj i shpjeguan qëndrimin e tyre me respekt, por pa frikë. Që atëherë, kjo çështje nuk u hap më. Motrat dhe vëllezërit mund të shkojnë në shkollë pa pasur presione që të bëjnë kompromis për marrëdhënien me Jehovain.

Të mendojmë edhe për Jozefin, gruaja e të cilit vuajti nga kanceri dhe vdiq papritmas. Familjarët e Jozefit i mirëkuptuan dëshirat e tij për zakonet e funeralit. Mirëpo, familjarët e gruas nuk janë në të vërtetën dhe donin të bëheshin disa zakone varrimi, ku përfshiheshin rite që nuk i pëlqejnë Perëndisë. Jozefi tregon: «Kur nuk pranova të bëja kompromis, u bënë presion fëmijëve, por edhe ata mbetën të vendosur. Sipas zakonit, të afërmit u përpoqën edhe të organizonin në shtëpinë time përgjimin e kufomës, i cili përfshinte disa rite. Por u thashë se po të ngulnin këmbë për këto rite, ta kishin të qartë se në shtëpinë time nuk do t’i bënin. E dinin për bukuri se këto ishin kundër bindjeve të mia dhe atyre që kishte pasur ime shoqe, prandaj, pas shumë debatesh, i mbajtën në një vend tjetër.

Gjatë asaj periudhe të rëndë pikëllimi, i përgjërohesha Jehovait për ndihmë që familja jonë të mos i shkelte ligjet e tij. Ai m’i dëgjoi lutjet dhe na ndihmoi të qëndronim të patundur me gjithë presionin.» Për Jozefin dhe fëmijët e tij as që bëhej fjalë të ndërronin mendje në lidhje me adhurimin e Perëndisë.

Raste kur është E MUNDUR

Jo shumë kohë pas Pashkës së vitit 32 të e.s., Jezu Krishtit iu afrua një grua sirofenikase në rajonin e Sidonit. Ajo iu përgjërua pareshtur që të dëbonte një demon nga e bija. Në fillim Jezui nuk i ktheu asnjë fjalë. Ai u tha dishepujve: «Unë nuk u dërgova në asnjë vend tjetër, përveçse te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit.» Ngaqë ajo këmbëngulte, Jezui tha: «Nuk është e drejtë të marrësh bukën e fëmijëve e t’ua hedhësh këlyshëve të qenve.» Gruaja ia ktheu me këto fjalë që tregonin besim të madh: «Po, Zotëri. Por edhe këlyshët e qenve hanë nga thërrimet që bien nga tryeza e zotërinjve të tyre.» Jezui ia plotësoi kërkesën dhe ia shëroi të bijën.Mat. 15:21-28.

Duke u treguar i gatshëm të ndërronte mendje kur e lejonte situata, Jezui imitoi Jehovain. Për shembull, edhe pse Perëndia kishte vendosur t’i shfaroste izraelitët pasi bën një viç të artë, e lejoi Moisiun t’i përgjërohej që ta rimendonte atë vendim.Dal. 32:7-14.

Edhe apostulli Pavël imitoi Jehovain dhe Jezuin. Për njëfarë kohe, Pavlit i dukej e pavend të merrnin me vete Gjon Markun në udhëtimet misionare, ngaqë ai i kishte braktisur Pavlin dhe Barnabën gjatë udhëtimit të parë misionar. Mirëpo, më vonë, duket se Pavli e kuptoi që Marku kishte përparuar dhe do të ishte një ndihmë e vyer për të. Kështu i tha Timoteut: «Merre me vete Markun dhe sille, sepse është i dobishëm për shërbimin tim.»2 Tim. 4:11.

 Po ne? Teksa imitojmë Atin tonë të mëshirshëm, të duruar e të dashur qiellor, mund të kuptojmë se nganjëherë është me vend të ndërrojmë mendje. Për shembull, mund të ndryshojmë opinion për të tjerët. Ndryshe nga Jehovai dhe Jezui, jemi të papërsosur. Pra, nëse ata janë të gatshëm të ndërrojnë mendje, pse të mos mbajmë edhe ne parasysh rrethanat lehtësuese të të tjerëve e ndoshta të ndryshojmë mendim?

Mund të na bëjë mirë të ndërrojmë mendje edhe kur është fjala për synimet teokratike. Disa që studiojnë Biblën dhe kanë ndjekur mbledhjet e kongregacionit për njëfarë kohe, mbase e shtyjnë për më vonë pagëzimin. Ose disa vëllezër mund të ngurrojnë të nisin shërbimin si pionierë, edhe pse rrethanat ua lejojnë ta zgjerojnë shërbimin. Vëllezër të tjerë me sa duket s’kanë fort qejf të synojnë përgjegjësi në kongregacion. (1 Tim. 3:1) A e gjen veten në ndonjë nga këto raste? Jehovai të fton me dashuri t’i shijosh privilegje të tilla. Pse të mos ndërrosh mendje dhe të provosh edhe ti gëzimin që vjen kur jep nga vetja për Perëndinë e për të tjerët?

Kur ndërrojmë mendje, mund t’u hapim derën bekimeve

Ela shprehet kështu për shërbimin e saj në një zyrë dege të Dëshmitarëve të Jehovait në Afrikë: «Kur erdha në fillim në Bethel, nuk isha e sigurt nëse doja të qëndroja gjatë. Dëshiroja t’i shërbeja Jehovait me gjithë shpirt, ama isha edhe goxha e lidhur me familjen. Në fillim më digjte malli për ata të shtëpisë. Por shoqja e dhomës më dha zemër, prandaj vendosa të rrija. Tani që kam dhjetë vjet në Bethel, dëshira ime është të vazhdoj t’u shërbej vëllezërve dhe motrave sa më gjatë të mundem në caktimin tim këtu.»

 Raste kur është JETIKE

A të kujtohet ç’i ndodhi Kainit kur u bë xheloz për të vëllanë dhe u nxeh? Ndërsa rrinte buzëvarur, Perëndia i tha se do të rifitonte pëlqimin e tij nëse kthente rrugë dhe vepronte mirë. E këshilloi ta mposhtte mëkatin që ‘po e përgjonte te porta’. Kaini mund të kishte ndryshuar mendje dhe qëndrim, por e shpërfilli me dashje këshillën e Perëndisë. Mjerisht, Kaini e vrau të vëllanë dhe u bë njeriu i parë vrasës.Zan. 4:2-8.

Po sikur Kaini të kishte ndërruar mendje . . . ?

Të shohim edhe shembullin e mbretit Uziah. Fillimisht, ai bëri atë që ishte e drejtë në sytë e Jehovait dhe e kërkonte vazhdimisht Perëndinë e tij. Por është për të ardhur keq që Uziahu e prishi këtë emër të mirë ngaqë u bë fodull. Ai hyri në tempull që të paraqiste temjan, ndonëse nuk ishte prift. A ndërroi mendje kur priftërinjtë e paralajmëruan të mos e bënte atë veprim arrogant që nuk i takonte? Fare. Uziahu «u tërbua» dhe e shpërfilli paralajmërimin. Si rrjedhojë, Jehovai e goditi me lebër.2 Kron. 26:3-5, 16-20.

E pra, ka raste kur duhet të ndërrojmë mendje se s’bën. Ja një shembull i ditëve tona. Zhoakimi u pagëzua më 1955, por në vitin 1978 u përjashtua. Pas më shumë se 20 vjetësh, tregoi pendim dhe u rivendos si Dëshmitar i Jehovait. Kohët e fundit, një plak e pyeti pse priti aq gjatë që të bënte kërkesën për t’u rivendosur. Zhoakimi ia ktheu: «Isha edhe i inatosur, edhe krenar. Jam vërtet pishman që prita aq gjatë. Kur isha i përjashtuar, e dija mirë se Dëshmitarët e Jehovait mësojnë të vërtetën.» Atij iu desh të ndryshonte qëndrim e të pendohej.

Edhe ne mund të gjendemi në një situatë ku na duhet të ndërrojmë mendje dhe udhë. Qofshim të gatshëm ta bëjmë këtë që të gjejmë hir në sytë e Jehovait!Psal. 34:8.