«Morëm . . . frymën që është nga Perëndia, që të njohim gjërat që Perëndia na i ka dhënë me dashamirësi.»1 KOR. 2:12.

1. Cila shprehje e njohur dëgjohet ndonjëherë?

SHUMË njerëz e kanë dëgjuar thënien: «Vetëm kur e humb një gjë, ia di vlerën.» A je ndier ndonjëherë kështu? Kemi prirjen të mos i çmojmë plotësisht gjërat që kemi pasur qysh nga fëmijëria. Për shembull, dikush që rritet me gjithë të mirat mund t’i shohë ato si të zakonshme. Kjo mund të ndodhë me të rinjtë që, si të papërvojë, akoma nuk e dallojnë mirë se cilat gjëra kanë vërtet vlerë në jetë.

2, 3. (a) Çfarë duhet të shmangin me vendosmëri të rinjtë Dëshmitarë? (b) Çfarë mund të na ndihmojë të çmojmë gjërat frymore që kemi?

2 Nëse je i ri a e re, qoftë në adoleshencë a te të 20-at, çfarë ka rëndësi për ty? Për shumicën e njerëzve jeta vërtitet te gjërat materiale—një rrogë e majme, një shtëpi e bukur ose pajisje teknologjike të fjalës së fundit. Ama, nëse na rreh mendja vetëm te gjëra të tilla, na mungon diçka e rëndësishme: pasuritë frymore. Të vjen keq që miliona njerëz sot as kanë nisur t’i kërkojnë këto pasuri. Ju të rinj që jeni rritur nga prindër Dëshmitarë, kini kujdes të mos e shpërfillni vlerën e trashëgimisë frymore që keni marrë! (Mat. 5:3)  Mungesa e çmueshmërisë mund të të sjellë pasoja të hidhura që mund të të lënë vraga për gjithë jetën.

3 Mirëpo, këtë mund ta parandalosh. Çfarë do të të ndihmojë ta ruash si dritën e syve trashëgiminë tënde frymore? Të shqyrtojmë disa shembuj nga Bibla që mund të na ndihmojnë të kuptojmë pse është e mençur ta çmojmë trashëgiminë tonë frymore. Këta shembuj mund t’u hyjnë në punë jo vetëm të rinjve, por secilit prej nesh në mënyrë që t’i ketë të shtrenjta gjërat frymore.

NUK TREGUAN ÇMUESHMËRI

4. Çfarë tregon 1 Samuelit 8:1-5 për bijtë e Samuelit?

4 Në Bibël gjejmë tregime për disa që nuk e çmuan fare trashëgiminë e pasur frymore që morën. Kështu ndodhi në familjen e profetit Samuel, i cili i shërbeu Jehovait që nga vogëlia dhe kishte një reputacion të shkëlqyer para Tij. (1 Sam. 12:1-5) Samueli la një shembull të mirë dhe bijtë e tij, Joeli dhe Abijahu, do të kishin bërë mirë ta imitonin. Sidoqoftë, ata nuk e çmuan këtë, dhe u bënë njerëz të ligj. Tregimi biblik na thotë se, ndryshe nga babai i tyre, ata «shtrembëronin drejtësinë».Lexo 1 Samuelit 8:1-5.

5, 6. Çfarë rruge morën bijtë dhe nipi i Josisë?

5 Njëlloj ndodhi me bijtë e mbretit Josia. Ai la një shembull të shkëlqyer në adhurimin e Jehovait. Kur u gjet libri i Ligjit të Perëndisë dhe iu lexua Josisë, ai bëri çmos t’i zbatonte udhëzimet e Jehovait. U përpoq me të gjitha forcat të zhdukte idhujtarinë e spiritizmin nga vendi dhe e nxiti popullin t’i bindej Jehovait. (2 Mbret. 22:8; 23:2, 3, 12-15, 24, 25) Çfarë trashëgimie të pasur frymore morën bijtë e tij! Tre prej tyre dhe një nip me kalimin e kohës u bënë mbretër, por asnjëri nuk e çmoi atë që trashëgoi.

6 Pas vdekjes së Josisë, djali i tij, Jehoahazi, u bë mbret, por «bëri atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait». Jehoahazi mbretëroi vetëm tre muaj para se ta burgoste një faraon i Egjiptit, dhe vdiq në robëri. (2 Mbret. 23:31-34) Më pas, i vëllai, Jehojakimi, mbretëroi për 11 vjet. Edhe ai nuk e çmonte atë që mori nga i ati. Për shkak të ligësisë së Jehojakimit, Jeremia profetizoi: «Atë do ta varrosin si një gomar.» (Jer. 22:17-19) Një kokë kishin edhe pasuesit e tjerë të Josisë. As i biri, Zedekia, as nipi, Jehojakini, nuk zgjodhën të ndiqnin udhët e drejta të Josisë.2 Mbret. 24:8, 9, 18, 19.

7, 8. (a) Si e çoi dëm Solomoni trashëgiminë e tij frymore? (b) Çfarë mësojmë nga shembujt biblikë të atyre që e flakën në plehra trashëgiminë frymore?

Mbreti Solomon mori një trashëgimi të shkëlqyer nga i ati, Davidi. Sado që u rrit në një ambient të shkëlqyer frymor dhe pati një fillim të mbarë, Solomoni më vonë e humbi çmueshmërinë për udhën e drejtë. «Kur Solomoni u plak, gratë ia kishin kthyer zemrën që të ndiqte perëndi të tjera. Kështu ai nuk iu kushtua me gjithë zemër Jehovait, Perëndisë së vet, si kishte bërë Davidi, ati i vet.» (1 Mbret. 11:4) Për pasojë, Solomoni humbi pëlqimin e Jehovait.

8 Sa gjynah të vjen kur mendon për këta burra! Ata u rritën në një familje për së mbari, me mundësinë që të bënin çka ishte e drejtë, por e flakën këtë në plehra. Prapëseprapë, siç është e vërtetë edhe sot, jo të gjithë të rinjtë në lashtësi përfunduan ashtu. Të shqyrtojmë tani disa shembuj të mirë që ju vëllezër e motra të rinj mund t’i imitoni.

 E ÇMUAN ATË QË MORËN

9. Si lanë një shembull të shkëlqyer djemtë e Noesë? (Shih figurën hapëse.)

9 Djemtë e Noesë lanë një shembull të shkëlqyer. Babai i tyre mori urdhrin të ndërtonte një arkë dhe të fuste familjen në të. S’diskutohet që të bijtë e kuptuan se duhej të përkrahnin vullnetin e Jehovait dhe patjetër që bashkëpunuan me të atin. Kur erdhi koha, e ndihmuan në ndërtimin e arkës, e pastaj hynë në të. (Zan. 7:1, 7) Me çfarë synimi? Zanafilla 7:3 thotë se futën kafshët në arkë që ato ‘të linin pasardhës në mbarë faqen e tokës’. Bashkë me to shpëtuan edhe njerëzit. Meqë djemtë e Noesë e vlerësuan atë që trashëguan nga i ati, patën privilegjin të ndihmonin në ruajtjen e racës njerëzore dhe në rivendosjen e adhurimit të vërtetë në tokën e pastruar.Zan. 8:20; 9:18, 19.

10. Kur përfunduan në Babiloni, si treguan çmueshmëri katër të rinj hebrenj për të vërtetat që kishin mësuar?

10 Shekuj më vonë, katër të rinj hebrenj treguan se e kishin kuptuar çfarë kishte vërtet rëndësi. Më 617 p.e.s., Hananiahun, Mishaelin, Azariahun dhe Danielin i çuan robër në Babiloni. Ishin çuna goxha të pashëm dhe të zgjuar, që mund të ishin integruar kollaj në kulturën babilonase. Ama, nuk e bënë këtë. Nga mënyra si vepruan kuptohet se nuk e harruan trashëgiminë e tyre, pra gjithçka që kishin mësuar. Të katër u bekuan bollshëm, ngaqë u qëndruan besnikë mësimeve frymore që kishin marrë në vegjëli.Lexo Danielin 1:8, 11-15, 20.

11. Si përfituan të tjerët nga arsimimi frymor që kishte marrë Jezui?

11 Shqyrtimi i shembujve të mirë do të ishte i cunguar po të mos i kushtonim vëmendje Birit të Perëndisë, Jezuit. Ai mori shumë nga i Ati dhe e vlerësoi vërtet këtë. Çmueshmëria për mësimet që i kishte dhënë Ai duket qartë nga fjalët: «I them këto gjëra ashtu si më mësoi Ati.» (Gjoni 8:28) Gjithashtu, dëshironte që edhe të tjerët të përfitonin nga gjërat që ai vetë kishte marrë. U tha turmave: «Duhet t’ua shpall lajmin e mirë për mbretërinë e Perëndisë edhe qyteteve të tjera, sepse për këtë u dërgova.» (Luka 4:18, 43) I ndihmoi dëgjuesit të kuptonin nevojën që ‘të mos ishin pjesë e botës’, e cila në përgjithësi nuk i çmon gjërat frymore.Gjoni 15:19.

ÇMOJE ATË QË KE MARRË

12. (a) Si u shkon për shtat 2 Timoteut 3:14-17 shumë të rinjve sot? (b) Cilat pyetje duhet t’i bëjnë vetes të rinjtë Dëshmitarë?

12 Ashtu si këta të rinj, edhe ty mbase të kanë rritur prindër të kushtuar ndaj Perëndisë Jehova. Në qoftë kështu, mund të të shkojë për shtat ajo që thuhet në Shkrime për Timoteun. (Lexo 2 Timoteut 3:14-17.) Nga prindërit «mësove» për Perëndinë e vërtetë dhe si t’i pëlqesh atij. Ndoshta prindërit nisën të të mësonin që nga foshnjëria. Pa diskutim, kjo të ka ndihmuar të bëhesh ‘i mençur për shpëtimin nëpërmjet besimit në Krishtin Jezu’ dhe të jesh «plotësisht i pajisur» për t’i shërbyer Perëndisë. Tani, pyetja kyç për ty është: a do të tregosh çmueshmëri për atë që ke marrë? Kjo mund të kërkojë ta shqyrtosh ca veten. Mendo për këto pyetje: «Si ndihem që jam mes radhëve të gjithë këtyre dëshmitarëve besnikë? Si ndihem që jam mes relativisht pak njerëzve në tokë që Perëndia i njeh si miq? A e kuptoj sa privilegj i madh e unik është të njoh të vërtetën?»

Si ndihesh që je mes radhëve të dëshmitarëve besnikë nga kohët e lashta deri më sot? (Shih paragrafët 9, 10, 12.)

13, 14. Çfarë tundimi hasin disa të rinj të krishterë, por pse nuk është e mençur të dorëzohen? Jepni një shembull.

 13 Disa të rinj që janë rritur nga prindër Dëshmitarë mund të mos e dallojnë që parajsa jonë frymore dhe bota e errët e Satanait ndryshojnë si dita me natën. Disa madje janë joshur të provojnë se si është jeta në botë. Por, a do t’i dilje para një makine që të të shtypte, vetëm për ta kuptuar sa dhembje të shkakton dhe sa vdekjeprurëse mund të jetë?! As që bëhet llaf! Po njëlloj, s’ka pse ta provojmë ‘batakun e shfrenimit’ të kësaj bote vetëm për të kuptuar çfarë dhembje therëse mund të sjellë!1 Pjet. 4:4.

14 Jeneri, që jeton në Azi, u rrit në një familje Dëshmitarësh. U pagëzua kur ishte 12 vjeç. Por, si adoleshent, nisi ta joshte bota. Ai thotë: «Doja të provoja ‘lirinë’ që të fal bota.» Jeneri nisi një jetë të dyfishtë. Kur ishte 15 vjeç, kishte përvetësuar disi nga stili i jetës së shoqërive të këqija. Pinte dhe shante si ata. Shpesh kthehej vonë në shtëpi, pasi dilte për qejf me shokët ose luante lojëra të dhunshme në kompjuter me ta. Sidoqoftë, me kalimin e kohës, kuptoi se joshjet e botës nuk po i sillnin kënaqësi të vërtetë. Ishte një jetë e zbrazët! Jeneri shprehet kështu për rikthimin në kongregacion: «Më dalin ende shumë sfida përpara, por bekimet e Jehovait janë ku e ku më të shumta.»

15. Për çfarë duhet të mendojnë edhe të rinjtë që nuk janë rritur nga prindër Dëshmitarë?

15 Patjetër, në kongregacion ka edhe të rinj që nuk janë rritur nga prindër Dëshmitarë. Në qofsh mes tyre, mendo çfarë privilegji të mrekullueshëm po gëzon ngaqë e njeh Krijuesin dhe i shërben! Ka miliarda njerëz në planet. Ndaj, është bekim i madh të jesh mes atyre që Jehovai i ka tërhequr me ngrohtësi pranë vetes dhe u ka zbuluar të vërtetën nga Bibla. (Gjoni 6:44, 45) Sot, pak a shumë vetëm 1 në 1.000 njerëz kanë njohuri të saktë për të vërtetën, dhe ti je një prej tyre. Pavarësisht si e mësuam të vërtetën, a nuk na e mbush zemrën me gëzim kjo? (Lexo 1 Korintasve 2:12.) Jeneri thotë: «Kur mendoj për këtë, më rrëqethet mishi. Kush jam unë që të më njohë Jehovai,  Pronari i universit?!» (Psal. 8:4) Një motër nga po ai vend tha: «Studentët ndihen krenarë kur mësuesi i mban mend. Sa më tepër ndihemi krenarë ne për privilegjin që na njeh Jehovai, Mësuesi i Madh!»

ÇFARË DO TË BËSH?

16. Cilën zgjedhje me mend mund të bëjnë të rinjtë Dëshmitarë sot?

16 Privilegji që ke është i jashtëzakonshëm. Atëherë, pse të mos e ndash mendjen të jesh mes atyre pak njerëzve që kanë bërë zgjedhjen e duhur në jetë? Kështu mund të futesh në radhët e shërbëtorëve besnikë të Perëndisë, nga kohët e lashta deri më sot. Kjo është më me mend sesa thjesht t’i shkosh nga pas shumicës së të rinjve që ecin si të dalldisur bashkë me botën drejt shkatërrimit.2 Kor. 4:3, 4.

17-19. Çfarë do të të ndihmojë ta shikosh me ekuilibër faktin që je ndryshe nga bota?

17 Sigurisht, kjo nuk do të thotë se është gjithnjë kollaj të jesh ndryshe nga bota. Ama, nëse e vrasim pak mendjen, mençuria na thotë se duhet të jemi ndryshe. Ta ilustrojmë: mendo për një atlet olimpik. Pa dyshim, duhej të ishte ndryshe nga të tjerët për të arritur në atë nivel. Mbase e privoi veten nga shumë gjëra që mund ta shpërqendronin dhe t’i vidhnin kohën e stërvitjes. Nga ana tjetër, gatishmëria për të qenë ndryshe nga të tjerët i dha mundësi të stërvitej më shumë e të arrinte synimin.

18 Pikëpamja e botës për jetën është dritëshkurtër. Por, nëse zgjeron rrezen e shikimit, kupton se po të jesh ndryshe nga bota dhe po t’u rrish larg veprave të saj moralisht dhe frymësisht shkatërruese, ‘do të rrokësh jetën e vërtetë’. (1 Tim. 6:19) Motra që përmendëm më sipër thotë: «Po të luftosh për atë që beson, në fund të ditës do të jesh për bukuri. Do të jesh i sigurt se ke fuqi të shkosh kundër rrymës së botës së Satanait. Mbi të gjitha, do të jetë sikur sheh buzëqeshjen e Perëndisë Jehova që është krenar për ty. Atëherë do të ndihesh krenar që je ndryshe.»

19 Kur e ke mendjen vetëm se çfarë të marrësh sot, jeta bëhet e kotë. (Ekl. 9:2, 10) Nëse je i ri dhe mendon seriozisht për qëllimin e jetës dhe sa mund të zgjatë ajo, a nuk ka kuptim të mos ecësh «ashtu siç ecin kombet», por të bësh një jetë kuptimplotë?Efes. 4:17; Mal. 3:18.

20, 21. Nëse marrim vendimet e duhura, çfarë shprese kemi? Çfarë pritet nga ne?

20 Nëse marrim vendimet e duhura, mund ta shijojmë jetën që tani dhe të kemi shpresën ‘të trashëgojmë tokën’—të jetojmë përgjithmonë. As e imagjinojmë dot sa shumë bekime të mrekullueshme na presin! (Mat. 5:5; 19:29; 25:34) Kuptohet, Perëndia nuk na i jep gjërat automatikisht. Diçka pret nga ne. (Lexo 1 Gjonit 5:3, 4.) Por, ia vlen që ç’ke me të t’i shërbejmë besnikërisht tani!

21 Çfarë privilegji është që kemi marrë kaq shumë nga Perëndia! Kemi njohuri të saktë për Fjalën e Jehovait dhe e kuptojmë qartë të vërtetën për Të e për qëllimet që ka. Gëzojmë privilegjin të mbajmë emrin e Jehovait dhe të jemi Dëshmitarët e tij. Perëndia na premton se është përkrah nesh. (Psal. 118:7) Të rinj a të rritur, e tregofshim çmueshmërinë tonë duke jetuar në një mënyrë që e bën të qartë dëshirën e zjarrtë për t’i dhënë Jehovait ‘lavdi përgjithmonë’!Rom. 11:33-36; Psal. 33:12.