Si emërohen pleqtë dhe shërbëtorët ndihmës në çdo kongregacion?

Në shekullin e parë të e.s., apostulli Pavël u tha pleqve që shërbenin në kongregacionin e Efesit: «Kushtojini vëmendje vetes dhe gjithë kopesë, mes së cilës fryma e shenjtë ju emëroi mbikëqyrës, që të kullotni kongregacionin e Perëndisë, të cilin ai e bleu me gjakun e Birit të vet.» (Vep. 20:28) Ç’rol luan fryma e shenjtë sot në emërimin e pleqve dhe të shërbëtorëve ndihmës?

Së pari, fryma e shenjtë i nxiti shkrimtarët e Biblës të hidhnin me shkrim kualifikimet për pleqtë dhe për shërbëtorët ndihmës. Te 1 Timoteut 3:1-7 renditen 16 kërkesa për pleqtë. Kualifikime të tjera gjenden në shkrime si Titit 1:5-9 dhe Jakovi 3:17, 18. Kurse te 1 Timoteut 3:8-10, 12, 13 përmblidhen kualifikimet për shërbëtorët ndihmës. Së dyti, ata që bëjnë rekomandimet dhe emërimet luten në mënyrë specifike që t’i drejtojë fryma e Jehovait teksa shqyrtojnë nëse një vëlla i plotëson kërkesat biblike në masë të arsyeshme. Së treti, ai që rekomandohet duhet të shfaqë në gjithë jetën e tij frytin e frymës së shenjtë të Perëndisë. (Gal. 5:22, 23) Pra, fryma e Perëndisë përfshihet në çdo aspekt të procesit të emërimit.

Por kush i emëron konkretisht këta vëllezër? Në të kaluarën, të gjitha rekomandimet për emërimin e pleqve dhe të shërbëtorëve ndihmës i dërgoheshin zyrës së degës. Atje, vëllezër të emëruar nga Trupi Udhëheqës ishin caktuar t’i shqyrtonin këto rekomandime dhe të bënin emërimet e duhura. Më pas, zyra e degës njoftonte trupin e pleqve. Pleqtë informonin për emërimin burrat e sapoemëruar dhe i pyetnin nëse ishin të gatshëm e vërtet të kualifikuar që ta pranonin caktimin. Në fund, jepej njoftimi para kongregacionit.

Po në shekullin e parë, si bëheshin këto emërime? Hera-herës, apostujt bënin emërime specifike, si në rastin kur emëruan shtatë burra që të merreshin me shpërndarjen e ushqimit të përditshëm për vejushat. (Vep. 6:1-6) Gjithsesi, ka të ngjarë që ata burra të ishin emëruar si pleq para se t’u jepej ky caktim shtesë.

Shkrimet nuk e shpjegojnë me hollësi si bëhej çdo emërim në atë kohë, ama na japin një  ide. Për shembull, kur Pavli dhe Barnaba po ktheheshin nga udhëtimi i parë misionar, «emëruan pleq në çdo kongregacion dhe, duke u lutur me agjërime, ia besuan Jehovait, tek i cili ata kishin besuar». (Vep. 14:23) Vite më vonë, Pavli i shkruante shokut të udhëtimit, Titit: «Të lashë në Kretë që të ndreqje gjërat me të meta dhe të emëroje pleq qytet më qytet, ashtu si të urdhërova.» (Titit 1:5) Duket se një autoritet i tillë i ishte besuar edhe Timoteut, i cili udhëtoi shumë me apostullin Pavël. (1 Tim. 5:22) Pra shihet qartë se këto emërime i bënin mbikëqyrësit udhëtues, jo apostujt dhe pleqtë në Jerusalem.

Me këtë precedent biblik ndër mend, Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait ka bërë një ndryshim në mënyrën si emërohen pleqtë dhe shërbëtorët ndihmës. Që nga 1 shtatori 2014, emërimet bëhen kështu: çdo mbikëqyrës qarkor shqyrton me kujdes rekomandimet e bëra në qarkun e tij. Kur viziton kongregacionet, përpiqet t’i njohë vëllezërit e rekomanduar, duke punuar me ta në shërbim po të jetë e mundur. Pasi i diskuton rekomandimet me trupin e pleqve, ai ka përgjegjësinë të emërojë pleqtë dhe shërbëtorët ndihmës në kongregacionet e qarkut të tij. Në këtë mënyrë, ndiqet më nga afër modeli i shekullit të parë.

Pleqtë diskutojnë me mbikëqyrësin qarkor për kualifikimet biblike të një vëllai (Malavi)

Pra, cilët luajnë rol në këtë proces? Si gjithnjë, «skllavi i besueshëm dhe i matur» ka përgjegjësinë kryesore për të ushqyer shërbëtorët e shtëpisë. (Mat. 24:45-47) Kjo përfshin të hulumtojë Shkrimet me ndihmën e frymës së shenjtë, që të japë drejtim si të zbatohen parimet biblike që ndikojnë te mënyra e organizimit të kongregacionit mbarëbotëror. Gjithashtu, skllavi i besueshëm emëron të gjithë mbikëqyrësit qarkorë dhe anëtarët e Komitetit të Degës. Më tej, çdo zyrë dege jep ndihmë praktike që të ndiqet drejtimi i dhënë. Çdo trup pleqsh ka detyrën serioze t’i shqyrtojë mirë e mirë kualifikimet biblike të vëllezërve që rekomandon të emërohen në kongregacionin e Perëndisë. Çdo mbikëqyrës qarkor ka përgjegjësinë serioze t’i peshojë me kujdes rekomandimet e bëra nga pleqtë, të lutet shumë, e pastaj të emërojë burrat që kualifikohen.

Kur e kuptojmë si bëhen emërimet, dallojmë më qartë rolin e frymës së shenjtë në këtë proces. Kjo na e shton besimin dhe respektin ndaj vëllezërve të emëruar në kongregacionin e krishterë.Hebr. 13:7, 17.

 Cilët janë dy dëshmitarët e përmendur te kapitulli 11 i Zbulesës?

Zbulesa 11:3 flet për dy dëshmitarë që do të profetizonin për 1.260 ditë. Më tej thuhet se bisha ‘do t’i mundte dhe do t’i vriste’. Por, pas «tri ditëve e gjysmë» do të ktheheshin në jetë, dhe të gjithë ata që i shihnin do të mbeteshin gojëhapur.Zbul. 11:7, 11.

Cilët janë këta dy dëshmitarë? Hollësitë që jep Bibla na ndihmojnë t’i identifikojmë. Së pari, thuhet se ata «paraqiten nga dy pemët e ullirit dhe nga dy shandanët». (Zbul. 11:4) Kjo na sjell ndër mend shandanin dhe dy pemët e ullirit që përshkruhen në profecinë e Zakarisë. Lexojmë se këto pemë ulliri përfaqësonin «dy të mirosurit», pra guvernatorin Zorobabel dhe kryepriftin Josi, ‘që qëndronin pranë Zotërisë së mbarë tokës’. (Zak. 4:1-3, 14) Së dyti, tregohet se dy dëshmitarët kryenin shenja të ngjashme me ato të Moisiut dhe të Elijas.—Krahaso Zbulesën 11:5, 6 me Numrat 16:1-7, 28-35 dhe 1 Mbretërve 17:1; 18:41-45.

Ç’gjë të përbashkët kanë këto fragmente nga Zbulesa dhe nga Zakaria? Secili prej tyre bën fjalë për të mirosurit e Perëndisë që drejtuan adhurimin e vërtetë në një periudhë të rëndë sprovash. Kështu, në përmbushje të kapitullit 11 të Zbulesës, vëllezërit e mirosur që drejtuan veprën e predikimit kur u vendos Mbretëria e Perëndisë në qiell më 1914, predikuan «me copë thesi» për tre vjet e gjysmë.

Pasi predikuan të veshur me copë thesi, këta të mirosur i vranë në kuptim të figurshëm kur i hodhën në burg për një periudhë relativisht më të shkurtër, për tri ditë e gjysmë simbolike. Armiqtë e popullit të Perëndisë fluturonin nga gëzimi, sepse në sytë e tyre vepra e dy dëshmitarëve ‘ishte vrarë’.—Zbul. 11:8-10.

Gjithsesi, siç thoshte profecia, në fund të tri ditëve e gjysmë, dy dëshmitarët u kthyen në jetë. Këta të mirosur jo vetëm u liruan nga burgu, por besnikët morën një emërim special nga Perëndia me anë të Zotërisë së tyre, Jezu Krishtit. Më 1919 ishin mes atyre që u emëruan të shërbenin si «skllavi i besueshëm dhe i matur», që të plotësonin nevojat frymore të popullit të Perëndisë gjatë ditëve të fundit.Mat. 24:45-47; Zbul. 11:11, 12.

Është interesante që Zbulesa 11:1, 2 i lidh këto ngjarje me një periudhë kur tempulli frymor do të matej, pra do të vlerësohej. Kapitulli 3 i Malakisë flet për një hetim të ngjashëm të tempullit frymor, që pasohej nga një kohë pastrimi. (Mal. 3:1-4) Sa zgjati kjo vepër hetimi dhe pastrimi? Nga viti 1914 deri në fillim të 1919-s. Kjo periudhë përfshin edhe 1.260 ditët (42 muajt), edhe tri ditët e gjysmë simbolike të përmendura te kapitulli 11 i Zbulesës.

Sa të kënaqur jemi që Jehovai organizoi këtë vepër rafinimi frymor që të pastronte një popull të veçantë, të zellshëm për vepra të shkëlqyera! (Titit 2:14) Veç kësaj, e vlerësojmë shembullin e të mirosurve besnikë që drejtuan veprën e predikimit në atë periudhë sprovash, duke shërbyer kështu si dy dëshmitarët simbolikë. *