«Bëhuni edhe ju të shenjtë në gjithë sjelljen tuaj1 PJET. 1:15.

1, 2. (a) Çfarë pritet nga populli i Perëndisë lidhur me sjelljen? (b) Cilat pyetje do të marrin përgjigje në këtë artikull?

JEHOVAI e frymëzoi apostullin Pjetër ta lidhte shenjtërinë që spikat te libri i Levitikut me faktin që sjellja jonë si të krishterë duhet të jetë e shenjtë. (Lexo 1 Pjetrit 1:14-16.) ‘I Shenjti’, Jehovai, pret që të mirosurit dhe ‘delet e tjera’ të përpiqen me tërë forcat të bëhen të shenjtë në gjithë sjelljen e tyre—jo vetëm pjesërisht.Gjoni 10:16.

2 Do të nxjerrim shumë dobi ndërsa ndalemi te xhevahire të tjera frymore nga Levitiku. Pastaj, duke i zbatuar ato që mësojmë, do ta kemi më të lehtë të jemi të shenjtë në gjithë sjelljen tonë. Do të marrin përgjigje këto pyetje: si duhet ta shohim kompromisin? Ç’na mëson Levitiku për përkrahjen e sovranitetit të Jehovait? Ç’mund të mësojmë nga paraqitja e flijimeve?

KUJDES NGA KOMPROMISI!

3, 4. (a) Pse nuk duhet të bëjmë lëshime ose kompromis kur është fjala për ligjet e parimet biblike? (b) Pse nuk duhet të hakmerremi ose të mbajmë mëri?

3 Që t’i pëlqejmë Jehovait, duhet t’i zbatojmë me vendosmëri ligjet dhe parimet e tij. Pra, kurrë të mos përvetësojmë një qëndrim jo të shenjtë ndaj tyre duke bërë lëshime. Edhe  pse nuk jemi nën Ligjin e Moisiut, falë kërkesave të tij dallojmë atë që është e pranueshme ose e papranueshme në sytë e Perëndisë. Për shembull, populli i Izraelit u urdhërua: «Mos merr hak dhe mos u mbaj mëri bijve të popullit tënd. Duaje tjetrin si veten. Unë jam Jehovai.»Lev. 19:18.

4 Jehovai pret nga ne të mos hakmerremi dhe nuk do që të ushqejmë mëri. (Rom. 12:19) Po t’i shpërfillim ligjet dhe parimet hyjnore, Djalli do të kënaqet jashtë mase, dhe për shkakun tonë mund të shahet Jehovai. Edhe nëse dikush na lëndon me dashje, të mos lejojmë të bëhemi enë ku mbahet mëria. Perëndia na ka dhënë privilegjin të jemi «enë balte» që mbajnë thesarin e shërbimit. (2 Kor. 4:1, 7) Mëria e hidhur si vreri s’ka vend në këto enë.

5. Ç’mund të mësojmë nga tregimi për Aaronin dhe vdekjen e bijve të tij? (Shih figurën hapëse.)

5 Te Levitiku 10:1-11 lexojmë një përvojë të hidhur për familjen e Aaronit. Sa të dërrmuar duhet të jenë ndier kur një zjarr nga qielli përpiu në tabernakull bijtë e Aaronit, Nadabin dhe Abihun! Me siguri ishte një sprovë e fortë besimi për Aaronin dhe familjen e tij të mos i vajtonin të afërmit e vdekur. A po tregon edhe ti se je i shenjtë, duke mos u shoqëruar me familjarë a me të tjerë që janë përjashtuar?Lexo 1 Korintasve 5:11.

6, 7. (a) Cilët faktorë të rëndësishëm duhet të shqyrtojmë kur vendosim nëse do të marrim pjesë në një ceremoni martese në kishë a në vend tjetër fetar? (Shih shënimin.) (b) Si mund të arsyetojmë me të afërmit jo Dëshmitarë rreth qëndrimit tonë për një ceremoni martese në kishë?

6 Mbase nuk do të hasim ndonjë sprovë aq të rëndë sa ajo e Aaronit dhe e familjes së tij. Por, po sikur të na ftojnë të marrim pjesë në ceremoninë e martesës së një të afërmi jo Dëshmitar, e cila mbahet në kishë a në vend tjetër fetar? Edhe pse në Shkrime nuk ka ndonjë urdhër të prerë që na ndalon të shkojmë, a ka parime biblike që na hyjnë në punë kur duhet të marrim këtë vendim? *

7 Vendosmëria që të jemi të shenjtë në sytë e Jehovait në rrethanat e mësipërme, mund t’i çuditë të afërmit që nuk janë Dëshmitarë. (1 Pjet. 4:3, 4) Sigurisht mundohemi të mos i ofendojmë. Prandaj, më e mira është t’u flasim me mirësjellje, ama haptas, ndoshta duke e bërë këtë mjaft kohë para ceremonisë. Mund t’i falënderojmë e t’u themi se ndihemi të nderuar që na ftuan. Pastaj mund t’u shpjegojmë se nuk duam që prania jonë t’i prishë gëzimin asaj dite speciale e t’i vërë në siklet të tjerët, çka mund të ndodhë ngaqë nuk përfshihemi në ritet fetare për shkak të bindjeve tona. Kjo është një mënyrë si të mos bëjmë kompromis me bindjet dhe besimin tonë.

TË PËRKRAHIM SOVRANITETIN E JEHOVAIT

8. Si del në pah te libri i Levitikut sovraniteti i Jehovait?

8 Libri i Levitikut nxjerr në pah sovranitetin e Jehovait. Më shumë se 30 herë lexojmë se ligjet që përmban Levitiku vijnë direkt nga Jehovai. Moisiu e kishte të qartë këtë dhe bënte siç e urdhëronte Jehovai. (Lev. 8:4, 5) Edhe ne duhet të bëjmë gjithmonë atë që do Sovrani ynë, Jehovai. Për këtë kemi mbështetjen e organizatës së Tij. Por mund të hasim sprova besimi kur jemi vetëm, siç ndodhi me Jezuin kur u tundua në shkretëtirë. (Luka 4:1-13) Nëse përqendrohemi te sovraniteti i Perëndisë dhe kemi besim të plotë tek ai, askush nuk mund të na detyrojë të bëjmë  kompromis dhe të ngecim në lakun e burracakërisë.Prov. 29:25.

9. Pse populli i Perëndisë has urrejtje kudo në botë?

9 Si dishepuj të Krishtit dhe Dëshmitarë të Jehovait na përndjekin kudo në botë. E presim këtë, sepse Jezui u tha dishepujve të vet: «Do t’ju dorëzojnë në shtrëngim e do t’ju vrasin, dhe të gjitha kombet do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim.» (Mat. 24:9) Por, mes gjithë kësaj urrejtjeje, vazhdojmë me ngulm veprën e predikimit për Mbretërinë dhe mbetemi të shenjtë para Jehovait. Po pse na urrejnë kaq shumë, përderisa jemi qytetarë të ndershëm, bëjmë jetë të pastër dhe respektojmë ligjet? (Rom. 13:1-7) Sepse e kemi pranuar Jehovain si Zotërinë tonë Sovran. I bëjmë shërbim të shenjtë «vetëm atij» dhe kurrë nuk bëjmë kompromis me ligjet e parimet e tij të drejta.Mat. 4:10.

10. Çfarë ndodhi në një rast kur një vëlla bëri kompromis për asnjanësinë?

10 Gjithashtu nuk jemi «pjesë e botës», ndaj qëndrojmë asnjanës në luftërat e çështjet politike të saj. (Lexo Gjonin 15:18-21; Isainë 2:4.) Disa që iu kushtuan Perëndisë bënë kompromis për asnjanësinë e tyre. Shumë prej tyre janë penduar dhe kanë rifituar miqësinë me Atin e mëshirshëm qiellor. (Psal. 51:17) Vetëm disa nuk u penduan. Për shembull, gjatë Luftës II Botërore, autoritetet morën nga gjithë burgjet e Hungarisë 160 vëllezër nën 45 vjeç të burgosur padrejtësisht dhe i mblodhën në një qytezë. Atje i urdhëruan të fillonin shërbimin ushtarak. Besnikët qëndruan të vendosur e nuk pranuan, por nëntë bënë betimin ushtarak dhe veshën uniformën. Dy vjet më pas një nga ata që bënë kompromis ishte pjesë e një skuadre pushkatimi e urdhëruar të ekzekutonte Dëshmitarët besnikë, mes të cilëve ishte edhe vëllai i tij i gjakut. Si përfundim, ato ekzekutime mbetën thjesht kërcënime.

JEPI JEHOVAIT MË TË MIRËN

11, 12. Ç’mësojmë nga ajo që kërkonte Jehovai kur bëheshin flijime në Izraelin e lashtë?

11 Sipas Ligjit të Moisiut, izraelitët duhej të paraqitnin flijime specifike. (Lev. 9:1-4, 15-21) Ato duhej të ishin pa të meta, ngaqë simbolizonin flijimin e përsosur të Jezuit. Veç kësaj, për çdo lloj blatimi ose flijimi, duhej ndjekur një procedurë specifike. Për shembull, të mendojmë çfarë kërkohej nga një nënë me foshnjë të sapolindur. Levitiku 12:6 thotë: «Si të ketë mbushur ditët e pastrimit, si për djalin, edhe për vajzën, do t’i çojë priftit në hyrje të tendës së takimit një qengj motak si blatim të djegur dhe një zog pëllumbi ose një turtull si blatim për mëkatin.» Edhe pse kërkesat e Perëndisë ishin specifike, brenda Ligjit shndrit dashuria dhe arsyetueshmëria e Tij. Nëse nëna nuk i kishte mundësitë të sillte një qengj, mund të sillte dy turtuj ose dy zogj pëllumbash. (Lev. 12:8) Megjithëse e varfër, ajo adhuruese ishte po aq e dashur dhe e shtrenjtë sa një tjetër që sillte një blatim më të kushtueshëm. Ç’mësim nxjerrim nga kjo?

12 Apostulli Pavël i nxiti bashkëbesimtarët t’i paraqitnin Perëndisë «një flijim lëvdimi». (Hebr. 13:15) Pra, buzët tona duhet të shpallin publikisht emrin e shenjtë të Jehovait. Vëllezërit e motrat që nuk dëgjojnë përdorin gjuhën e shenjave për të lëvduar Perëndinë. Të krishterët që nuk dalin dot nga shtëpia e lëvdojnë duke shkruar letra, duke dëshmuar me telefon dhe duke u predikuar atyre që kujdesen për ta ose që i vizitojnë. Flijimet e lëvdimit—lavdet që i thurim Jehovait kur shpallim emrin e tij dhe lajmin e mirë—duhet të jenë në përputhje me  shëndetin e aftësitë tona. Duhet të jenë më e mira jonë.Rom. 12:1; 2 Tim. 2:15.

13. Pse duhet ta raportojmë atë që bëjmë në shërbim?

13 Flijimet e lëvdimit janë sakrifica personale që i bëjmë Perëndisë me dëshirë ngaqë e duam. (Mat. 22:37, 38) Ndërkohë na kërkohet edhe ta raportojmë atë që bëjmë në shërbim. Çfarë qëndrimi duhet të kemi ndaj kësaj kërkese? Raporti që dorëzojmë çdo muaj lidhet me përkushtimin ndaj Perëndisë. (2 Pjet. 1:7) S’diskutohet, askush nuk duhet të ndihet nën presion të kalojë orë të tëra në shërbim vetëm e vetëm që të dorëzojë një raport me më shumë orë. Ja pse një lajmëtar i Mbretërisë që është në shtëpinë e të moshuarve ose që ka ndonjë kufizim tjetër mund të raportojë edhe 15, 30 ose 45 minuta shërbim, e jo medoemos orë të plota. Jehovai i çmon ato minuta si sakrifica më e mirë e lajmëtarit të Mbretërisë; i vlerëson si shprehje të dashurisë për Të dhe të mirënjohjes për privilegjin e papërshkrueshëm që shërben si Dëshmitar i Tij. Edhe ata shërbëtorë të shtrenjtë të Jehovait që kanë ndonjë kufizim mund të dorëzojnë një raport, tamam si izraelitët që nuk paraqitnin dot flijime më të kushtueshme. Dhe raporti i secilit prej nesh bëhet pjesë e raportit të përgjithshëm botëror, që e ndihmon organizatën të planifikojë për aktivitetin e mëtejshëm të predikimit për Mbretërinë. Atëherë, a është kërkesë e tepruar të raportojmë pjesën tonë në predikim?

ZAKONET E STUDIMIT DHE SAKRIFICAT E LËVDIMIT

14. Shpjegoni pse duhet t’i shqyrtojmë zakonet tona të studimit.

14 Pasi u kënaqëm me disa thesare frymore nga Levitiku, mbase të vjen të thuash: «Tani i kuptoj më mirë arsyet pse ky libër është pjesë e Fjalës së frymëzuar të Perëndisë.» (2 Tim. 3:16) Ndoshta tani je më i vendosur të mbetesh i shenjtë, jo vetëm ngaqë Jehovai e kërkon këtë, por sepse ai i meriton përpjekjet e tua me gjithë shpirt. Mbase ajo që ke mësuar për Levitikun nga këta dy artikuj ta ka shtuar dëshirën të gërmosh më thellë në Shkrimet e Shenjta. (Lexo Proverbat 2:1-5.) Shqyrtoji në lutje zakonet e tua të studimit. S’diskutohet, ti dëshiron që sakrificat e tua të lëvdimit të jenë të pranueshme për Jehovain. Por mos vallë po lejon që programet televizive, videolojërat, sportet ose ndonjë hobi të të shpërqendrojnë e të pengojnë përparimin frymor? Nëse po, mund të të bëjë shumë mirë meditimi për disa shprehje të apostullit Pavël në librin e Hebrenjve.

A kanë përparësi në jetën tënde studimi i Biblës dhe Adhurimi Familjar?(Shih paragrafin 14.)

15, 16. Pse Pavli u foli aq troç të krishterëve hebrenj?

15 Apostulli Pavël u foli shkoqur të bashkëkrishterëve hebrenj. (Lexo Hebrenjve 5:7, 11-14.) Ai nuk ua hodhi fjalën larg e larg, por u tha se ‘u ishte mpirë dëgjimi’. Pse foli kaq troç Pavli? Sepse pasqyroi dashurinë dhe merakun e Jehovait për ata të krishterë që po përpiqeshin të rronin vetëm me qumësht  frymor. S’diskutohet se është e domosdoshme të njohësh doktrinat bazë të krishtere. Megjithatë, duhet ‘ushqim i fortë’ nëse duam të ecim drejt pjekurisë së krishterë.

16 Mirëpo, në vend që të përparonin aq sa të ishin në gjendje të mësonin të tjerët, të krishterët hebrenj kishin nevojë që dikush t’i mësonte ata vetë. Pse? Sepse i bënin naze ‘ushqimit të fortë’. Pyet veten: «A kam pikëpamjen e duhur për ushqimin e fortë frymor? A ushqehem me të? Apo ngurroj të lutem e të zhytem thellë në studimin e Biblës? Nëse po, mos vallë problemi lidhet disi me zakonet e mia të studimit?» Duhet jo vetëm t’u predikojmë të tjerëve, por edhe t’i mësojmë e t’i bëjmë dishepuj.Mat. 28:19, 20.

17, 18. (a) Pse duhet të marrim rregullisht ushqim të fortë frymor? (b) Si mund ta shohim përdorimin e pijeve alkoolike para se të shkojmë në mbledhje?

17 Shumë prej nesh mbase nuk e kanë të lehtë studimin e Biblës. Sigurisht, Jehovai nuk i nxit shërbëtorët e tij të studiojnë duke u ngjallur ndjenja faji. Gjithsesi, duhet të marrim pareshtur ushqim të fortë frymor, pavarësisht nëse i jemi kushtuar Perëndisë nga shumë apo nga pak vjet. Kjo është jetësore nëse duam të ecim në udhën e shenjtërisë.

18 Që të jemi të shenjtë, duhet t’i analizojmë me kujdes Shkrimet dhe të bëjmë atë që na kërkon Perëndia. Të mendojmë për bijtë e Aaronit, Nadabin dhe Abihun, që u ekzekutuan sepse paraqitën «zjarr të palejueshëm», mbase ndërsa ishin të dehur. (Lev. 10:1, 2) Vëre çfarë i tha Perëndia Aaronit. (Lexo Levitikun 10:8-11.) A nënkuptojnë këto vargje se nuk duhet të vëmë fare në gojë pije alkoolike para se të shkojmë në mbledhje? Të mendojmë për këto pika: ne nuk jemi nën Ligj. (Rom. 10:4) Në disa vende, vëllezërit tanë pinë me karar pije alkoolike gjatë një vakti para se të shkojnë në mbledhje. Kur Jezui kremtoi Pashkën bashkë me apostujt, u përdorën katër kupa verë. Më pas, kur themeloi Përkujtimin, i urdhëroi të pinin verën që përfaqësonte gjakun e tij. (Mat. 26:27) Bibla e dënon pirjen me tepri dhe dehjen. (1 Kor. 6:10; 1 Tim. 3:8) Shumë të krishterëve mund t’ua diktojë ndërgjegjja t’i shmangin fare pijet alkoolike para se të marrin pjesë në çfarëdolloj shërbimi të shenjtë. Prapëseprapë, rrethanat ndryshojnë nga njëri vend në tjetrin, dhe më e rëndësishmja për të krishterët është ‘të dallojnë gjënë e shenjtë nga e përdhosura’, që të sillen me shenjtëri siç i pëlqen Perëndisë.

19. (a) Ç’duhet të mbajmë në mendje për adhurimin familjar dhe studimin personal? (b) Si mund të tregosh se je i vendosur të jesh i shenjtë?

19 Do të zbulosh shumë xhevahire frymore po të gërmosh thellë për to në Fjalën e Perëndisë. Përdor çdo lloj mjeti kërkimi që ke në dispozicion për ta bërë më domethënës adhurimin familjar dhe studimin personal. Zgjero njohurinë për Jehovain dhe për qëllimet e tij. Afrohu gjithnjë e më shumë me të. (Jak. 4:8) Lutju Perëndisë ashtu si psalmisti që këndoi: «Hapmi sytë, që të shoh mrekullitë e ligjit tënd.» (Psal. 119:18) Kurrë mos bëj kompromis me ligjet dhe parimet biblike. Bindju me dëshirë ligjit suprem të ‘të Shenjtit’, Jehovait, dhe merr pjesë me zell në «veprën e shenjtë të lajmit të mirë të Perëndisë». (1 Pjet. 1:15; Rom. 15:16) Trego se je i shenjtë gjatë këtyre ditëve të fundit të stuhishme. Qofshim të gjithë të shenjtë në sjelljen tonë duke përkrahur kështu sovranitetin e Perëndisë së shenjtë, Jehovait!

^ par. 6 Shih «Pyetje nga lexuesit» në Kullën e Rojës, 15 maj 2002.