«Do të hyjmë në mbretërinë e Perëndisë duke kaluar shumë shtrëngime.»—VEP. 14:22.

1. Pse shërbëtorët e Perëndisë nuk i trondit mendimi se do të kalojnë shtrëngime?

A TË trondit mendimi se të presin «shumë shtrëngime» para se të fitosh çmimin e jetës së përhershme? Ka të ngjarë që jo. Pavarësisht nëse je i ri në të vërtetën ose nëse i ke shërbyer Jehovait për një kohë të gjatë, e di mirë se telashet janë pjesë e jetës në botën e Satanait.—Zbul. 12:12.

2. (a) Ç’lloj shtrëngimi hasin të krishterët, përveç problemeve që prekin të gjithë njerëzit e papërsosur? (Shih figurën hapëse.) (b) Kush fshihet pas shtrëngimeve tona, dhe nga e dimë këtë?

2 Përveç vështirësive ‘të zakonshme për njerëzit’, pra problemeve që prekin të gjithë njerëzit e papërsosur, të krishterët hasin edhe një lloj tjetër shtrëngimi. (1 Kor. 10:13) Cilin? Kundërshtimin e egër ngaqë u binden pa u tundur ligjeve të Perëndisë. Jezui u tha dishepujve të tij: «Skllavi nuk është më i madh se zotëria. Nëse më kanë përndjekur mua, do t’ju përndjekin edhe ju.» (Gjoni 15:20) Kush fshihet pas këtij kundërshtimi? Është Satanai që Bibla e quan «një luan që ulërin», i cili mundohet «të gllabërojë» popullin e Perëndisë. (1 Pjet. 5:8) Satanai bën të pamundurën si e si t’ua thyejë integritetin dishepujve të Jezuit. Të shohim ç’i ndodhi apostullit Pavël.

 SHTRËNGIM NË LISTËR

3-5. (a) Çfarë shtrëngimi hasi Pavli në Listër? (b) Pse i forcoi vëllezërit mesazhi i Pavlit për shtrëngimet që i pritnin?

3 Pavlin e përndoqën shumë herë për shkak të besimit. (2 Kor. 11:23-27) Ja çfarë ndodhi në Listër. Pasi shëroi një burrë që kishte lindur i çalë, Pavlit dhe shokut të tij Barnabës u bënë nderime si perëndi. Atyre iu desh t’i përgjëroheshin turmës së dalldisur të mos i adhuronte. Mirëpo aty mbinë kundërshtarët judenj që ua helmuan mendjen njerëzve me shpifje. Situata u përmbys në çast! Tani turmat i gjuajtën me gurë Pavlit dhe ikën, duke e pandehur të vdekur.—Vep. 14:8-19.

4 Pasi shkuan në Derbë, Pavli dhe Barnaba «u kthyen në Listër, Ikoni dhe Antioki. Atje forcuan dishepujt, u dhanë zemër që të qëndronin në besim e u thanë: ‘Do të hyjmë në mbretërinë e Perëndisë duke kaluar shumë shtrëngime.’» (Vep. 14:21, 22) Në pamje të parë këto fjalë mund të dukeshin të çuditshme. Tekembramja, ideja se do të kalonin «shumë shtrëngime» do t’u dukej stresuese e aspak inkurajuese. Atëherë, si ka mundësi që Pavli dhe Barnaba i «forcuan dishepujt» me mesazhin që parathoshte shtrëngime të tjera?

5 Përgjigjen e gjejmë po t’i këqyrim mirë fjalët e Pavlit. Ai nuk tha thjesht: «Do të durojmë shumë shtrëngime.» Përkundrazi, tha: «Do të hyjmë në mbretërinë e Perëndisë duke kaluar shumë shtrëngime.» Pra, Pavli i forcoi dishepujt duke theksuar përfundimin e bukur të besnikërisë së tyre. Ky shpërblim nuk ishte ëndërr në diell. Në të vërtetë, Jezui premtoi: «Ai që qëndron deri në fund, do të shpëtojë.»Mat. 10:22.

6. Çfarë shpërblimi i pret ata që tregojnë qëndrueshmëri?

6 Pra, nëse tregojmë qëndrueshmëri, na pret një shpërblim. Për të krishterët e mirosur ky shpërblim është jeta e pavdekshme në qiell si bashkëqeveritarë me Jezuin. Për ‘delet e tjera’ është jeta e përhershme në tokë ku «do të banojë drejtësia». (Gjoni 10:16; 2 Pjet. 3:13) Mirëpo, siç tha Pavli, ndërkohë do të hasim shumë shtrëngime. Tani të shqyrtojmë dy lloje sprovash që mund të kalojmë.

SULME BALLORE

7. Ç’lloj shtrëngimesh mund të përshkruhen si sulme ballore?

7 Jezui paratha: «Njerëzit do t’ju dorëzojnë nëpër gjykata, do t’ju rrahin nëpër sinagoga dhe do t’ju nxjerrin para guvernatorëve e mbretërve.» (Mar. 13:9) Siç tregojnë këto fjalë, për disa të krishterë shtrëngimet do të jenë përndjekje fizike, mbase të nxitura nga udhëheqësit fetarë e politikë. (Vep. 5:27, 28) Të mendojmë prapë për shembullin e Pavlit. A u struk nga frika e përndjekjes? Fare!—Lexo Veprat 20:22, 23.

8, 9. Si tregoi Pavli se ishte i vendosur të qëndronte, dhe si kanë treguar të njëjtën vendosmëri disa sot?

8 Pavli qëndroi pa u epur para sulmeve ballore të Satanait, dhe tha: «Nuk e quaj të shtrenjtë shpirtin tim, por dua veç të përfundoj vrapimin dhe shërbimin që mora nga Zotëria Jezu, që të jap dëshmi të plotë për lajmin e mirë të dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë.» (Vep. 20:24) Shihet qartë se Pavli nuk stepej para përndjekjes. Përkundrazi, ishte i vendosur të qëndronte të ndodhte ç’të ndodhte. Meraku i tij kryesor ishte ‘të jepte dëshmi të plotë’, pavarësisht nga shtrëngimet.

9 Sot shumë vëllezër e motra janë po kaq të vendosur. Për shembull, në  një vend disa Dëshmitarë vuajtën gati 20 vjet në burgje për shkak të asnjanësisë. Ligji atje nuk merrte parasysh kundërshtimin për shkak të ndërgjegjes, prandaj çështja e tyre nuk u shqyrtua kurrë nga ndonjë gjykatë. Kur ishin në burg, nuk u lejoheshin vizita as nga familjarët, dhe disa të burgosur i rrahën e i torturuan në lloj-lloj mënyrash.

10. Pse nuk duhet t’u trembemi shtrëngimeve të papritura?

10 Në vende të tjera, vëllezërit përballen me shtrëngime që lindin papritur. Nëse të ndodh kjo, mos u dorëzo para frikës. Mendo për Jozefin. Atë e shitën si skllav, por Jehovai «e çliroi nga të gjitha shtrëngimet». (Vep. 7:9, 10) Ai mund të bëjë të njëjtën gjë për ty. Kurrë mos harro se «Jehovai di t’i çlirojë nga sprova njerëzit me përkushtim hyjnor». (2 Pjet. 2:9) A do të vazhdosh t’i zësh besë Jehovait, i sigurt se ai është i aftë të të çlirojë nga ky sistem i lig dhe të të japë mundësi të gëzosh jetën e pafund kur të qeverisë Mbretëria e tij? Ke arsye të forta të mbështetesh tek ai dhe t’i bësh ballë përndjekjes me guxim.—1 Pjet. 5:8, 9.

SULME TINËZARE

11. Ku ndryshojnë sulmet tinëzare të Satanait nga ato ballore?

11 Një lloj tjetër shtrëngimi që mund të hasim janë sulmet tinëzare. Ku ndryshojnë këto nga sulmet ballore, si përndjekja fizike? Sulmet ballore janë si një uragan që përfshin vendin tënd e ta rrafshon shtëpinë në çast. Sulmet tinëzare i ngjajnë më tepër molave të drurit që depërtojnë avash-avash në shtëpi dhe e brejnë gjersa e shembin. Në këtë rast, mbase s’e ke fare idenë që je në rrezik dhe e kupton vetëm kur është tepër vonë.

12. (a) Cila është një nga taktikat tinëzare të Satanait, dhe pse është kaq e efektshme? (b) Si ndikoi shkurajimi te Pavli?

12 Satanai do të kënaqej sikur të ta shkatërronte marrëdhënien me Jehovain, qoftë me sulme ballore, si përndjekja, qoftë me sulme tinëzare që gërryejnë dalëngadalë besimin. Një nga taktikat tinëzare më të efektshme të Satanait është shkurajimi. Apostulli Pavël e pranoi se hera-herës ndihej i shkurajuar. (Lexo Romakëve 7:21-24.) Pse vallë Pavli—ky «gjigant» frymor që duhet të ketë qenë anëtar i trupit udhëheqës në shekullin e parë—e quajti veten «njeri i mjerë»? Ai shpjegoi se ndihej ashtu për shkak të të metave që kishte. Donte me gjithë zemër të bënte atë që ishte e drejtë, por ndiente një forcë tjetër që i kundërvihej. Nëse nganjëherë lufton me ndjenja të tilla, a nuk të jep zemër mendimi se edhe apostulli Pavël kaloi një sprovë të ngjashme?

13, 14. (a) Pse shkurajohen disa shërbëtorë të Perëndisë? (b) Kush dëshiron të na e shembë besimin, dhe pse?

13 Shumë vëllezër dhe motra herë pas here ndihen të shkurajuar, në ankth e madje sikur janë njerëz koti. Për shembull, një pioniere e zellshme që po e quajmë Debora, thotë: «Më rri mendja te ndonjë gabim që kam bërë dhe ndihem gjithnjë e më keq. Kur bluaj në mend gjithë gafat e mia, ndihem sikur askush nuk mund të më dojë, madje as vetë Jehovai.»

14 Pse disa shërbëtorë të zellshëm të Jehovait, si Debora, i lëshon zemra? Mund të ketë një sërë arsyesh. Disa thjesht mbase priren ta shohin me pesimizëm veten dhe rrethanat e tyre. (Prov. 15:15) Për disa të tjerë, ndjenjat negative mund t’i kenë rrënjët te ndonjë çrregullim fizik që ndikon te gjendja  emocionale. Cilido qoftë shkaku, mos harro cili përpiqet t’i shfrytëzojë këto ndjenja. Fundja, kush do që të na lëshojë zemra deri në atë pikë sa të dorëzohemi? Kush dëshiron që ti të ndihesh sikur të pret i njëjti dënim i rëndë që i kanoset atij? (Zbul. 20:10) S’do mend që Satanai. Me çfarëdo mënyre qoftë, me ndonjë sulm ballor a tinëzar, Satanai ka vetëm një synim—të na trazojë përbrenda, të na shterë zellin dhe të na shtyjë të dorëzohemi. Mos harrofshim kurrë se shërbëtorët e Perëndisë janë në valën e një lufte frymore!

15. Si mund të tregojmë se jemi të vendosur të mos na mbytë shkurajimi?

15 Ji i vendosur të mos thyhesh para sulmeve. Mbaji sytë të ngulur te shpërblimi. Pavli u shkroi të krishterëve në Korint: «Ne nuk dorëzohemi, por, edhe pse njeriu i jashtëm po tretet, sigurisht që njeriu i brendshëm po përtërihet nga dita në ditë. Ndonëse shtrëngimi është kalimtar dhe i lehtë, ai prodhon për ne një lavdi që ka një peshë, e cila tejkalon gjithnjë e më shumë çdo gjë dhe është e përhershme.»—2 Kor. 4:16, 17.

BËHU GATI QË TANI PËR SHTRËNGIMIN

Të rinj e të rritur stërviten që të mbrojnë besimin (Shih paragrafin 16.)

16. Pse është e rëndësishme të bëhemi gati që tani për shtrëngimin?

16 Siç e kemi parë, Satanai mund të përdorë lloj-lloj ‘intrigash’. (Efes. 6:11) Secili nga ne duhet t’i vërë veshin këshillës te 1 Pjetrit 5:9: «Kundërvijuni, të fortë në besim.» Për këtë, duhet të gatitim mendjen e zemrën dhe të stërvitemi që tani për të bërë atë çka është e drejtë. Ta ilustrojmë: zakonisht ushtarët bëjnë një sërë ushtrimesh rraskapitëse shumë kohë para se t’u kanoset lufta. Ndodh po njësoj me ushtrinë frymore të Jehovait. Nuk e dimë çfarë do të përfshijë lufta jonë në të ardhmen. Prandaj, a nuk  është e mençur të stërvitemi me të gjitha forcat ndërsa kemi ditë relativisht të qeta? Pavli u shkroi korintasve: «Vazhdoni të vini në provë veten nëse jeni në besim, vazhdoni të provoni se çfarë jeni ju vetë.»—2 Kor. 13:5.

17-19. (a) Në ç’mënyra mund ta vëmë në provë veten? (b) Si mund të përgatiten të rinjtë që të mbrojnë besimin në shkollë?

17 Një mënyrë për t’ia vënë veshin këshillës së frymëzuar të Pavlit është të bëjmë një vetëshqyrtim serioz. Bëji vetes pyetje të tilla, si: «A ngulmoj në lutje? Përballë presionit të shoqërisë, i bindem Perëndisë si sundimtar apo njeriut? A i ndjek rregullisht mbledhjet? A flas pa u druajtur për bindjet e mia? A përpiqem vërtet t’i duroj të metat e bashkëbesimtarëve, ashtu siç durojnë ata të miat? A u nënshtrohem atyre që marrin drejtimin në kongregacionin tim dhe atyre që e kanë këtë përgjegjësi në shkallë botërore?»

18 Vër re se dy nga pyetjet lidhen me mbrojtjen pa frikë të bindjeve të tua dhe me përballimin e presionit të shoqërisë. Shumë prej të rinjve tanë u duhet ta bëjnë këtë në shkollë. Kanë mësuar të mos kenë ndrojtje a turp për bindjet e tyre. Përkundrazi, flasin me guxim. Në revistat tona kanë dalë sugjerime të dobishme për këtë. Për shembull, në revistën Zgjohuni! të korrikut 2009 sugjerohet se, nëse një shok klase të pyet: «Pse nuk beson tek evolucioni?» thjesht mund t’ia kthesh: «Pse duhet të besoj tek evolucioni? As shkencëtarët nuk janë në një mendje për sa i përket evolucionit dhe mendohet që ata janë ekspertë në këtë fushë.» Prindër, mos i lini pas dore provat me fëmijët, që të jenë të përgatitur të përballojnë presionin nga shokët e shkollës.

19 Kuptohet se nuk është gjithmonë e lehtë të flasim për besimin tonë ose të bëjmë gjëra të tjera që na kërkon Jehovai. Pas një dite pune sfilitëse, mbase duhet të detyrojmë veten që të shkojmë në mbledhje. Që të dalim në mëngjes në shërbim, ndoshta duhet t’i themi jo krevatit që na fton të rrimë dhe pak. Por mos harro: nëse sot po ndjek një program të mirë frymor, do të jesh më i zoti t’u bësh ballë sprovave më të mëdha në të ardhmen.

20, 21. (a) Si na ndihmon meditimi për shpërblesën që të luftojmë ndjenjat negative? (b) Pavarësisht nga shtrëngimet, për çfarë duhet të jemi të vendosur?

20 Ç’të themi për sulmet tinëzare? Për shembull, si mund t’i mposhtim ndjenjat e shkurajimit? Një nga armët më të fuqishme kundër tyre është meditimi për shpërblesën. Pikërisht këtë bëri apostulli Pavël. Ai pranoi se hera-herës ndihej i mjerë. Ama njëkohësisht e dinte se Krishti vdiq për mëkatarët dhe jo për njerëzit e përsosur. Dhe vetë Pavli ishte një nga këta mëkatarë. Në fakt, shkroi: «Jetoj me anë të besimit te Biri i Perëndisë, që deshi dhe e dorëzoi veten për mua.» (Gal. 2:20) Pavli e pranonte shpërblesën dhe besonte se ishte paguar për të personalisht.

21 Tamam kjo pikëpamje—ta shohësh shpërblesën si një dhuratë që Jehovai ta ka bërë posaçërisht ty—mund të të ndihmojë jashtë mase. Kjo nuk do të thotë se shkurajimi do të zhduket tak-fak. Disave prej nesh mund t’u duhet t’i bëjnë ballë këtij sulmi tinëzar deri në botën e re. Por mos harro: çmimin do ta marrin ata që nuk dorëzohen. Po i afrohemi gjithnjë e më shumë ditës së mrekullueshme kur Mbretëria e Perëndisë do të vendosë paqen e do t’i bëjë të përsosur gjithë besnikët. Ji i vendosur të hysh në Mbretëri, edhe nëse duhet të durosh shumë shtrëngime.