«Mbajmë në mend vazhdimisht veprën tuaj të besimit, mundin tuaj falë dashurisë.»—1 SEL. 1:3.

1. Çfarë ndjenjash shprehu Pavli për ata që i shërbejnë Jehovait me zell?

APOSTULLI Pavël i mbante në mend ata që punonin pa u lodhur për lajmin e mirë. Ai shkroi: «Mbajmë në mend vazhdimisht veprën tuaj të besimit, mundin tuaj falë dashurisë dhe qëndrueshmërinë tuaj falë shpresës që keni në Zotërinë tonë Jezu Krisht, para Perëndisë dhe Atit tonë.» (1 Sel. 1:3) S’diskutohet, edhe Jehovai nuk e harron punën nga zemra të gjithë atyre që i shërbejnë me besnikëri, pavarësisht nëse rrethanat i lejojnë të bëjnë pak ose shumë.—Hebr. 6:10.

2. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

2 Shumë nga bashkëbesimtarët tanë—dje dhe sot—kanë bërë sakrifica të mëdha për t’i shërbyer Jehovait në kohë të plotë. Le t’i hedhim një vështrim shërbimit të disave në shekullin e parë. Do të flasim edhe për disa lloje shërbimi në kohë të plotë sot. Po ashtu, do të shohim si t’i mbajmë në mend motrat e vëllezërit e shtrenjtë që janë ofruar të shërbejnë në mënyra speciale.

TË KRISHTERËT NË SHEKULLIN E PARË

3, 4. (a) Ç’lloj shërbimi bënin disa në shekullin e parë? (b) Si plotësoheshin nevojat e tyre fizike?

3 Fill pas pagëzimit, Jezui nisi një vepër që do të merrte përmasa globale. (Luka 3:21-23; 4:14, 15, 43) Pas vdekjes së tij,  apostujt morën drejtimin për të zgjeruar këtë vepër predikimi. (Vep. 5:42; 6:7) Disa të krishterë, si Filipi, shërbyen si ungjillëzues dhe misionarë në Palestinë. (Vep. 8:5, 40; 21:8) Pavli dhe të tjerë udhëtuan në vende më të largëta. (Vep. 13:2-4; 14:26; 2 Kor. 1:19) Disa—Silvani (Sila), Marku dhe Luka—shërbyen edhe si kopistë ose shkrimtarë. (1 Pjet. 5:12) Shumë motra punuan krah për krah me këta vëllezër besnikë. (Vep. 18:26; Rom. 16:1, 2) Falë përvojave të tyre rrëqethëse, sot Shkrimet e Krishtere Greke na bëjnë për vete. Gjithashtu tregojnë se Jehovai i kujton për mirë shërbëtorët e tij.

4 Si i plotësonin nevojat materiale shërbëtorët në kohë të plotë në shekullin e parë? Hera-herës, bashkëbesimtarët i mikpritnin dhe i ndihmonin në mënyra të tjera. Megjithatë, ata nuk e pretendonin këtë ndihmë. (1 Kor. 9:11-15) Disa individë dhe kongregacione i mbështetnin me dëshirë. (Lexo Veprat 16:14, 15; Filipianëve 4:15-18.) Veç kësaj, Pavli dhe shokët e tij të udhëtimit punonin me orar të kufizuar për të mbuluar shpenzimet e veta.

SHËRBËTORËT NË KOHË TË PLOTË SOT

5. Si u shpreh një çift për jetën në shërbimin e plotkohor?

5 Edhe sot shumë japin nga vetja pa u kursyer në forma të ndryshme të shërbimit të plotkohor. (Shih kutinë « Lloje shërbimi në kohë të plotë».) Si ndihen për jetën që kanë zgjedhur? Pse të mos i pyetësh vetë? Ka të ngjarë të kënaqesh nga biseda. Të shohim një rast: një vëlla që ka shërbyer si pionier i rregullt, pionier special, misionar dhe pjesëtar i familjes Bethel në vend të huaj, shprehet: «Për mua, të filloja shërbimin në kohë të plotë ka qenë një nga vendimet më të mira që kam marrë në jetë. Kur isha 18 vjeç, vrisja mendjen nëse duhej të zgjidhja arsimimin në universitet, karrierën në botë apo shërbimin si pionier. Përvoja më ka treguar se Jehovai nuk i harron sakrificat që bën për t’i shërbyer në kohë të plotë. Kam pasur rast t’i përdor talentet dhe aftësitë që më ka dhënë Jehovai në mënyra që nuk do të kisha pasur kurrë mundësi, po të kisha zgjedhur karrierën në botë.» E shoqja komenton: «Çdo caktim më ka ndihmuar të piqem më shumë. E kemi ndier mbrojtjen dhe drejtimin e Jehovait kushedi sa herë e në mënyra që s’do t’i kishim përjetuar kurrë sikur të mos kishim lëvizur nga situatat ku ndiheshim rehat. Përditë e falënderoj Jehovain për jetën tonë në shërbimin e plotkohor.» A do të të pëlqente të ndiheshe kështu për jetën tënde?

6. Si ndihet Jehovai për shërbimin tonë?

6 Kuptohet, disa kanë rrethana që tani për tani nuk ua lejojnë të shërbejnë në kohë të plotë. Mund të jemi të sigurt se Jehovai vlerëson edhe përpjekjet e tyre me gjithë shpirt. Për shembull, te Filemonit 1-3, ndërkohë që Pavli përmendi me emër disa nga kongregacioni i Kolosesë, i përshëndeti tërë pjesëtarët e tij. (Lexoje.) Ata ishin të çmuar për Pavlin, e po njësoj për Jehovain. Edhe sot Ati ynë qiellor e çmon shërbimin që i bën. Mirëpo, si mund t’i mbështetësh ata që po shërbejnë në kohë të plotë?

T’U BËHEMI KRAH PIONIERËVE

7, 8. Çfarë përfshin shërbimi i pionierëve, dhe si mund t’i ndihmojnë të tjerët në kongregacion pionierët?

7 Ashtu si ungjillëzuesit në shekullin e parë, pionierët e zellshëm janë burim i pasur inkurajimi për kongregacionet. Shumë prej tyre përpiqen t’i kushtojnë shërbimit 70 orë në muaj. Si mund t’i ndihmosh?

8 Një pioniere që quhet Sheri vërejti: «Pionierët duken të fortë, ngaqë dalin  përditë në shërbim. Por edhe ata kanë nevojë për inkurajim.» (Rom. 1:11, 12) Një motër tjetër që pati mundësi të shërbente si pioniere për disa vjet, tha për pionierët në kongregacionin e saj: «Punojnë me të gjitha forcat dhe pa pushim. Prandaj janë mirënjohës kur i fton të shkojnë në shërbim me makinën tënde, i mikpret për një vakt, u jep ca pará për karburant a ndonjë ndihmë tjetër financiare. Me këtë u tregon se i ke për zemër.»

9, 10. Si i kanë ndihmuar disa pionierët në kongregacionin e tyre?

9 A dëshiron t’i ndihmosh pionierët në shërbim? Një pioniere që quhet Bobi, shprehu këtë nevojë: «Na duhet më shumë mbështetje gjatë javës.» Një pioniere tjetër në po atë kongregacion shtoi: «Pasditeve mezi gjen ndonjë për të dalë në shërbim.» Një motër që tani shërben në Bethelin e Bruklinit tregon me nostalgji për kohën kur shërbente si pioniere: «Njëherë një motër që kishte makinë më tha: ‘Sa herë të mbetesh keq për shoqe shërbimi, gati jam.’ Me plot gojën them se ajo ishte shpëtimi im gjatë shërbimit si pioniere.» Kurse Sheri bën këtë koment të mençur: «Pas shërbimit, pionierët beqarë shpesh janë fillikat. Mund t’i ftosh herë pas here motrat e vëllezërit beqarë në adhurimin familjar. Duke i përfshirë edhe në aktivitete të tjera i ndihmon të mbeten të fortë.»

10 Teksa kujton kohën kur shërbente si pioniere me motra të tjera beqare, një motër që ka gati 50 vjet në shërbimin e plotkohor, thotë: «Pleqtë i vizitonin pionierët çdo dy muaj. Interesoheshin për shëndetin tonë, për punën a për ndonjë hall, dhe jo sa për të thënë. E kishin me gjithë mend. Na vinin për vizitë aty ku jetonim për të parë nëse na duhej ndonjë gjë.» Kjo mbase të sjell ndër mend mirënjohjen e Pavlit për një kryefamiljar në Efes që iu bë krah.—2 Tim. 1:18.

11. Çfarë përfshin shërbimi si pionier special?

11 Disa kongregacione janë bekuar me pionierë specialë që shërbejnë mes tyre. Mjaft nga ata përpiqen t’i kushtojnë shërbimit 130 orë çdo muaj. Përderisa kalojnë shumë kohë për të predikuar dhe për të ndihmuar në mënyra të tjera, u mbetet pak ose aspak kohë për të bërë  një punë tjetër. Prandaj, zyra e degës u siguron një ndihmë mujore modeste që të përqendrohen te shërbimi.

12. Si mund t’u bëhen krah pionierëve specialë pleqtë dhe të tjerët?

12 Si mund t’u bëhemi krah pionierëve specialë? Një plak në një zyrë dege që komunikon shpesh me mjaft prej tyre, shpjegon: «Pleqtë duhet të bisedojnë me ta, të kuptojnë rrethanat e tyre dhe pastaj të shohin si mund t’i mbështetin. Disa Dëshmitarë nxjerrin përfundimin se pionierëve specialë nuk u mungon gjë ngaqë marrin një ndihmë mujore. Por, vëllezërit e kongregacionit mund t’i ndihmojnë në shumë mënyra. Njësoj si pionierët e rregullt, edhe pionierët specialë e vlerësojnë kur del me ta në shërbim. A mund t’i ndihmosh në këtë aspekt?

TË PËRKRAHIM MBIKËQYRËSIT UDHËTUES

13, 14. (a) Çfarë nuk duhet të harrojmë për mbikëqyrësit qarkorë? (b) Sipas teje, si mund t’i ndihmosh ata që shërbejnë në veprën udhëtuese?

13 Mbikëqyrësit qarkorë dhe gratë e tyre shpesh shihen si njerëz të fortë frymësisht e që nuk thyhen kollaj. Edhe mund të jenë, por ama kanë nevojë që bashkëbesimtarët t’u japin zemër, të dalin me ta në shërbim dhe, me raste, t’i përfshijnë në zbavitje. Po nëse sëmuren, shtrohen në spital e ndoshta kanë nevojë për ndonjë operacion ose fizioterapi? Sa u ngrohet zemra kur vëllezërit e motrat e kongregacionit i ndihmojnë për ndonjë nevojë që kanë dhe interesohen për ta! Mund ta imagjinojmë merakun që duhet të ketë treguar për Pavlin dhe për shokët e tjerë të udhëtimit «mjeku i dashur» Lukë, shkrimtar i librit të Veprave.—Kolos. 4:14; Vep. 20:5–21:18.

14 Mbikëqyrësit udhëtues dhe gratë e tyre kanë nevojë për miq të ngushtë, dhe i çmojnë vërtet. Një mbikëqyrës qarkor shkroi: «Miqtë e mi e nuhasin kur kam nevojë për inkurajim. Më bëjnë pyetje me lezet që më ndihmojnë të shpreh shqetësimet e mia. Thjesht duke qenë dëgjues të mirë, më ndihmojnë shumë.» Mbikëqyrësit qarkorë dhe bashkëshortet e tyre e çmojnë pa masë interesimin e vëllezërve e motrave.

TË MBËSHTETIM PJESËTARËT E FAMILJES BETHEL

15, 16. Çfarë shërbimi kryejnë ata që punojnë në Bethel ose në Salla Asamblesh, dhe si mund t’i mbështetim?

15 Nëpër botë, ata që shërbejnë në Bethel ose në Salla Asamblesh bëjnë një punë jetësore për të mbështetur veprën e Mbretërisë në vendet që mbikëqyr zyra e tyre e degës. Nëse ke bethelitë në kongregacion ose në qark, si mund të tregosh se i mban në mend?

16 Kur fillojnë caktimin në Bethel, mbase i merr malli për ata të shtëpisë dhe për miqtë e dashur. Sa mirënjohës janë kur bethelitë të tjerë dhe pjesëtarë të kongregacionit të ri i bëjnë miq! (Mar. 10:29, 30) Programi normal i punës u jep mundësi të ndjekin mbledhjet e kongregacionit e të dalin çdo javë në shërbim. Por, me raste, bethelitët kanë detyra shtesë jashtë orarit të punës. Kur kongregacioni është mirëkuptues dhe tregon se i çmon bethelitët e punën që po bëjnë, kjo u sjell dobi të gjithëve.—Lexo 1 Selanikasve 2:9.

TË NDIHMOJMË ATA QË SHËRBEJNË NË KOHË TË PLOTË NË VENDE TË HUAJA

17, 18. Çfarë caktimesh kryejnë shërbëtorët në kohë të plotë në vende të huaja?

17 Atyre që pranojnë caktimin për të shërbyer në një vend tjetër, mund t’u duhet të përshtaten me ushqime, gjuhë, zakone dhe kushte krejt të ndryshme nga ç’janë mësuar. Po pse pranojnë caktime me sfida të tilla?

 18 Disa janë misionarë, që pjesën më të madhe të kohës ia kushtojnë predikimit. Kështu shumë veta mund të nxjerrin dobi nga stërvitja e tyre e posaçme. Zyra e degës u siguron misionarëve një banesë modeste dhe një ndihmë financiare për të mbuluar shpenzimet për gjërat bazë. Të tjerë që shërbejnë në vende të huaja, caktohen në zyrën e degës ose ndihmojnë në ndërtimin e godinave të degëve, të zyrave të përkthimit, të Sallave të Asambleve ose të Sallave të Mbretërisë. Atyre u sigurohet ushqim, strehim modest dhe shërbime të tjera. Ashtu si pjesëtarët e familjes Bethel, rregullisht ndjekin mbledhjet e dalin në shërbim me kongregacionin, pra janë një bekim nga shumë këndvështrime.

19. Çfarë duhet të mbajmë parasysh për ata që shërbejnë në vende të huaja?

19 Si mund t’i mbash në mend këta shërbëtorë në kohë të plotë? Sidomos në fillim, mos harro se mund të mos jenë mësuar me disa ushqime tradicionale. Mbaje parasysh këtë kur i fton për ndonjë vakt. Pse të mos i pyesësh nëse ka ndonjë ushqim që s’e hanë dot ose nëse kanë qejf të provojnë gatime të reja? Ki durim teksa mësojnë gjuhën dhe zakonet vendëse. Mund t’u duhet njëfarë kohe sa të kuptojnë gjithçka që u thua. Me takt e mirëkuptim mund t’i ndihmosh për gjuhën. Ata duan të mësojnë!

20. Në cilën mënyrë të shkëlqyer mund t’i mbajmë në mend shërbëtorët në kohë të plotë dhe prindërit e tyre?

20 Vitet bëjnë të vetën edhe për shërbëtorët në kohë të plotë, si dhe për prindërit e tyre. Nëse prindërit janë Dëshmitarë, ka të ngjarë të duan me gjithë zemër që fëmijët të qëndrojnë në caktimet e tyre. (3 Gjon. 4) Pa diskutim, nëse prindërit kanë nevojë për kujdes, shërbëtorët në kohë të plotë do të bëjnë gjithë sa kanë në dorë e do të shkojnë t’i ndihmojnë sa më shpesh të munden. Prapëseprapë, vëllezërit e motrat që jetojnë afër prindërve, mund t’i ndihmojnë duke u treguar të gatshëm nëse prindërit e moshuar kanë nevojë për mbështetje. Mos harro se shërbëtorët në kohë të plotë kanë përgjegjësi me peshë në veprën më të rëndësishme të historisë. (Mat. 28:19, 20) A mund të japësh një dorë ti vetë ose kongregacioni, nëse prindërit e tyre duan ndihmë?

21. Si ndihen ata që shërbejnë në kohë të plotë për mbështetjen dhe inkurajimin që u jepet?

21 Ata që shërbejnë në kohë të plotë nuk e bëjnë këtë për ndonjë përfitim financiar, por që t’i japin Jehovait dhe njerëzve. Janë mirënjohës nga zemra për çfarëdo ndihme nga ana jote. Komenti i një motre që shërben në vend të huaj pasqyron ndjenjat e shumë prej tyre: «Qoftë edhe dy rreshta ku shprehet vlerësim, të tregojnë se të tjerët mendojnë për ty dhe se janë të kënaqur për atë që po bën.»

22. Si ndihesh për shërbimin në kohë të plotë?

22 T’i shërbesh Jehovait në kohë të plotë është vërtet jeta më e pasur që mund të bësh. Kërkon përpjekje të mëdha, të mëson shumë dhe të kënaq shpirtin. Gjithashtu është një përgatitje e shkëlqyer për shërbimin e gëzueshëm e të pafund që i pret gjithë besnikët e Jehovait nën Mbretërinë e tij. ‘Mbajtshim në mend vazhdimisht veprën e besimit dhe mundin nga dashuria’ të atyre që shërbejnë në kohë të plotë!—1 Sel. 1:3.