«Fjala e Perëndisë është e gjallë dhe ushtron fuqi.»HEBR. 4:12.

1, 2. Cilin caktim i dha Jehovai Moisiut, dhe për çfarë e siguroi?

E PËRFYTYRON dot si do të ndiheshe po të dilje para sundimtarit më të fuqishëm në tokë dhe të flisje në mbrojtje të popullit të Jehovait? Ka shumë të ngjarë të ndiheshe në ankth, i pazoti dhe i trembur. Si do të përgatiteshe për këtë? Ç’mund të bëje që t’u jepje më shumë forcë fjalëve të tua si përfaqësues i Perëndisë së plotfuqishëm?

2 Tamam në këtë situatë ishte Moisiu, «më zemërbuti ndër të gjithë ata që rronin mbi faqen e dheut». (Num. 12:3) Prapëseprapë, Jehovai i tha se po e dërgonte te faraoni që të çlironte popullin e Perëndisë nga shtypja dhe skllavëria në Egjipt. Siç do të shihej më vonë, faraoni ishte i pacipë dhe fodull. (Dal. 5:1, 2) Gjithsesi, Jehovai i kërkoi Moisiut ta urdhëronte t’i linte disa milionë skllevër të tij të iknin nga vendi. Kuptohet pse Moisiu e pyeti Jehovain: «Kush jam unë, që të shkoj te faraoni, dhe t’i nxjerr bijtë e Izraelit nga Egjipti?!» Merret me mend sa i papërfillshëm e i paaftë ndihej Moisiu. Mirëpo, Jehovai e siguroi se nuk do të ishte vetëm. Ai i tha: «Unë do të jem me ty.»Dal. 3:9-12.

3, 4. (a) Çfarë meraku kishte Moisiu? (b) Në cilat raste mund të ndihesh si Moisiu?

3 Çfarë meraku kishte Moisiu? Me sa duket, trembej se  mos faraoni nuk do ta priste a nuk do t’i kushtonte vëmendje një përfaqësuesi të Perëndisë Jehova. Gjithashtu, pati frikë se populli i vet nuk do ta besonte se Jehovai e kishte caktuar t’i nxirrte nga Egjipti. Prandaj, Moisiu i tha Jehovait: «Ta zëmë se nuk më besojnë dhe nuk e dëgjojnë zërin tim, e më thonë: ‘Jehovai nuk të është shfaqur.’»Dal. 3:15-18; 4:1.

4 Nga fjalët që i tha Jehovai e nga ngjarjet që rrodhën më pas, secili prej nesh mund të nxjerrë një mësim të fuqishëm. Vërtet, mbase kurrë nuk do të kesh rast të dalësh para një funksionari të lartë. Por a e ke pasur ndonjëherë të vështirë t’u flasësh për Perëndinë e Mbretërinë e tij njerëzve të zakonshëm që takon çdo ditë? Nëse po, shiko ç’mund të mësosh nga përvoja e Moisiut.

«ÇFARË KE NË DORË?»

5. Çfarë i vuri në dorë Jehovai Moisiut, dhe si ia hoqi merakun kjo? (Shih figurën hapëse.)

5 Kur Moisiu shprehu merakun se nuk do t’ia merrnin seriozisht fjalët, Perëndia e përgatiti për atë që e priste. Libri i Daljes tregon: «Jehovai e pyeti: ‘Çfarë ke në dorë?’ Ai iu përgjigj: ‘Një shkop.’ Kështu, ai i tha: ‘Hidhe në tokë.’ Atëherë ai e hodhi, dhe shkopi u shndërrua në gjarpër. I trembur, Moisiu ia dha vrapit. Jehovai i tha Moisiut: ‘Zgjate dorën dhe kape nga bishti.’ Kështu, ai zgjati dorën, e kapi, dhe gjarpri u shndërrua në shkop në dorën e tij. ‘Me qëllim,—vazhdoi ai,—që të besojnë se të është shfaqur Jehovai.’» (Dal. 4:2-5) E pra, Jehovai i vuri në dorë Moisiut mjetin me të cilin mund të provonte se mesazhi që shpallte, ishte nga Ai. Ajo që dukej thjesht një shkop u bë krijesë e gjallë falë fuqisë së Perëndisë. Sa forcë do t’u jepte fjalëve të Moisiut kjo mrekulli, një provë e pamohueshme se kishte mbështetjen e Jehovait! Kështu, Jehovai i tha: «Këtë shkop do ta marrësh në dorë, që të kryesh shenja me të.» (Dal. 4:17) Duke pasur në dorë provën e autoritetit nga Perëndia, Moisiu, plot siguri, mund të shkonte e ta përfaqësonte Perëndinë e vërtetë para popullit të vet e para faraonit.Dal. 4:29-31; 7:8-13.

6. (a) Ç’duhet të kemi në dorë kur predikojmë dhe pse? (b) Shpjegoni si ‘është e gjallë fjala e Perëndisë’ dhe si «ushtron fuqi».

6 Kur dalim t’u flasim të tjerëve për mesazhin e Biblës, mund të na bëhet e njëjta pyetje: «Çfarë ke në dorë?» Shpesh do të kemi Biblën, gati për ta përdorur. Ndonëse disa mund ta shohin thjesht si libër të rëndomtë, Jehovai na flet nëpërmjet Shkrimeve të frymëzuara. (2 Pjet. 1:21) Fjala e tij e shkruar përmban premtimet e Perëndisë për atë që do të ndodhë kur të qeverisë Mbretëria e tij. Ja pse apostulli Pavël shkroi: «Fjala e Perëndisë është e gjallë dhe ushtron fuqi.» (Lexo Hebrenjve 4:12.) Të gjitha premtimet e Jehovait nuk rrinë në vend, por janë të gjalla, sepse ai po punon pareshtur për t’i plotësuar. (Isa. 46:10; 55:11) Pasi dikush i kupton këto fakte për Fjalën e Jehovait, ajo që lexon në Bibël mund të ushtrojë fuqi në jetën e tij.

7. Si mund ‘ta përdorim drejt fjalën e së vërtetës’?

7 Po, Jehovai na ka vënë në dorë Fjalën e tij të shkruar e të gjallë me të cilën mund të japim prova se mesazhi ynë është i besueshëm dhe vjen nga ai. S’është çudi që pasi u shkroi hebrenjve, Pavli e inkurajoi nxënësin e tij frymor, Timoteun, ‘të bënte çmos ta përdorte drejt fjalën e së vërtetës’. (2 Tim. 2:15) Si mund ta zbatojmë këshillën e  Pavlit? Duke u lexuar njerëzve mendjehapur shkrime të zgjedhura me kujdes që mund t’u prekin zemrën. Fletushkat që dolën më 2013 u bënë enkas për këtë.

LEXO NJË SHKRIM TË ZGJEDHUR ME KUJDES

8. Çfarë tha një mbikëqyrës shërbimi për fletushkat?

8 Të gjitha fletushkat e reja kanë të njëjtën skemë. Pra, kur mësojmë të përdorim njërën, kemi mësuar t’i përdorim të gjitha. A është e kollajshme kjo? Një mbikëqyrës shërbimi në Havai, SHBA, shkroi: «As që e merrnim me mend sa të suksesshme do të ishin këto mjete të reja si në predikimin shtëpi më shtëpi, si në dëshminë në vendet publike.» Ai ka vërejtur se nga mënyra si janë shkruar fletushkat njerëzit janë më të gatshëm të përgjigjen, dhe kjo shpesh çon në biseda interesante. Sipas tij, arsyeja është pyetja me disa përgjigje të mundshme, që gjendet në faqen e parë. Kështu, i zoti i shtëpisë nuk vihet në siklet se mos përgjigjet gabim.

9, 10. (a) Si na nxitin fletushkat të përdorim Biblën? (b) Me cilat fletushka ke pasur më shumë sukses dhe pse?

9 Çdo fletushkë na nxit të lexojmë një shkrim të zgjedhur me kujdes. Për shembull, shiko fletushkën A do të kemi gjithmonë vuajtje? Cilëndo përgjigje të zgjedhë i zoti i shtëpisë «po», «jo» ose «ndoshta», hape fletushkën dhe thuaj kaq: «Ja ç’thotë Bibla.» Pastaj lexo Zbulesën 21:3, 4.

10 Po njësoj kur përdor fletushkën A mund t’i besosh Biblës? Pavarësisht cilën nga tri përgjigjet në faqen e parë të zgjedhë i zoti i shtëpisë, thjesht hape fletushkën dhe thuaj: «Bibla tregon se ‘i gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia’.» Më tej mund të shtosh: «Madje, ky fragment thotë shumë më tepër.» Më pas hape Biblën dhe lexo gjithë 2 Timoteut 3:16, 17.

11, 12. (a) Çfarë të sjell kënaqësi në shërbim? (b) Si të ndihmojnë fletushkat të përgatitesh për rivizita?

11 Reagimi i të zotit të shtëpisë do të përcaktojë sa do të lexosh dhe sa do të shqyrtosh nga fletushka. Sido që të jetë, përveç faktit që i ke lënë një fletushkë  dikujt, do të kënaqesh ngaqë i ke lexuar diçka nga Fjala e Perëndisë—edhe sikur herën e parë të kesh lexuar vetëm një a dy vargje. Mund ta vazhdosh bisedën në një moment tjetër.

12 Në faqen e fundit të çdo fletushke, poshtë shprehjes «Mendo pak», ka një pyetje dhe shkrime që mund të shqyrtohen në një rivizitë. Në fletushkën Si do të jetë e ardhmja? pyetja për vizitën tjetër është: «Si do ta bëjë Zoti botën më të mirë?» Përmenden Mateu 6:9, 10 dhe Danieli 2:44. Për fletushkën A mund të ringjallen të vdekurit? pyetja është: «Pse plakemi dhe vdesim?» Atje përmenden Zanafilla 3:17-19 dhe Romakëve 5:12.

13. Shpjegoni si të përdoren fletushkat për të filluar studime biblike.

13 Përdori fletushkat si gurë kalimi drejt studimeve biblike. Kur dikush skanon kodin QR * në faqen e fundit të fletushkës, do t’i hapet direkt një material në sitin tonë që mund ta nxitë të studiojë Biblën. Gjithashtu, fletushkat e drejtojnë vëmendjen te broshura Një lajm i mirë nga Perëndia dhe sugjerojnë një mësim specifik të saj. Për shembull, fletushka Kush e sundon sot botën? të çon te mësimi 5 i broshurës. Fletushka Ç’duhet të kesh që familja jote të jetë e lumtur? të çon te mësimi 9. Duke i përdorur fletushkat siç duhet, do të të bëhet shprehi ta hapësh Biblën në predikim dhe në rivizita. Kështu mund të nisësh më shumë studime. Ç’mund të bësh tjetër që ta përdorësh me efektshmëri në shërbim Fjalën e Perëndisë?

FOL PËR DIÇKA QË I MERAKOS NJERËZIT

14, 15. Si mund ta imitosh qëndrimin e Pavlit kundrejt shërbimit?

14 Pavli donte me zjarr të përshtatej e të gjente gjuhën e përbashkët me «sa më shumë njerëz» kur predikonte. (Lexo 1 Korintasve 9:19-23.) Vlen të përmendet se ai shpresonte ‘të fitonte judenjtë, të fitonte ata nën ligj, të fitonte ata pa ligj, të fitonte të dobëtit’. Po, donte t’u prekte zemrat ‘njerëzve të çdo lloji, që medoemos të shpëtonte disa’. (Vep. 20:21) Si ta imitojmë qëndrimin e Pavlit kur përgatitemi t’u flasim për të vërtetën ‘njerëzve të çdo lloji’ në territorin tonë?1 Tim. 2:3, 4.

15 Çdo muaj te Shërbimi ynë i Mbretërisë dalin prezantime model. Provoji këto në shërbim. Por, nëse njerëzit në territorin tënd i merakosin gjëra të tjera, përgatit prezantime tërheqëse që lidhen me problemet e tyre. Mendo për kushtet në zonën tënde, për njerëzit që jetojnë aty dhe për problemet që i shqetësojnë më shumë. Pastaj mendo për një shkrim që përkon me nevojat e tyre. Një mbikëqyrës qarkor tregon si e drejtojnë vëmendjen te Bibla ai dhe e shoqja: «Shumica na lejojnë të lexojmë një varg, nëse nuk e zgjatim tepër e i biem pikës. Pas përshëndetjeve të rastit, ndërkohë që mbajmë Biblën hapur në dorë, lexojmë një shkrim.» Të shohim disa tema, pyetje e shkrime të provuara me sukses në shërbim që mund të të hyjnë në punë në territorin tënd.

A po i përdor me efektshmëri në shërbim Biblën dhe fletushkat? (Shih paragrafët 8-13.)

16. Shpjegoni si mund të përdoret në shërbim Isaia 14:7.

16 Nëse jeton në një zonë ku ka shpesh trazira, mund të pyesësh: «E përfytyron dot sikur lajmi kryesor i ditës të ishte ky: ‘Mbarë toka ka gjetur prehje dhe s’ka më shqetësim. Njerëzit janë plot hare dhe lëshojnë britma gëzimi.’ Kështu thotë Bibla tek Isaia 14:7. Në të vërtetë, në Bibël gjejmë premtimet e shumta të Perëndisë për një kohë plot paqe në të ardhmen.» Më pas pyete dëgjuesin nëse mund t’i lexosh nga Bibla një prej tyre.

17. Si mund ta kalosh bisedën me stil te Mateu 5:3?

 17 A janë shumë të dhënë pas gjërave materiale njerëzit në zonën tënde? Ose, a e kanë të vështirë burrat të nxjerrin bukën e gojës për familjen? Nëse po, mund ta nisësh bisedën me pyetjen: «Si mendon, sa pará duhet të fitojë një burrë që të kënaqet familja?» Pasi të përgjigjet, thuaji: «Ka nga ata që fitojnë shumë më tepër, e prapëseprapë familjet e tyre nuk janë të kënaqura. E pra, ç’duhet vërtet?» Pastaj lexo Mateun 5:3 dhe ofroji studim biblik.

18. Si mund të përdorësh Jereminë 29:11 që t’u japësh zemër të tjerëve?

18 Mos ndoshta zona jote është prekur nga ndonjë tragjedi kohët e fundit? Mund ta fillosh kështu prezantimin: «Sot erdha në shtëpinë tuaj që t’ju jap zemër. (Lexo Jereminë 29:11.) A i pe tri gjërat që do Perëndia për ne? ‘Paqe’, ‘një të ardhme’ dhe ‘një shpresë’. A nuk të ngrohet zemra që ai do një jetë të mirë për ne? Por si do të bëhet kjo?» Pastaj drejtoja vëmendjen te një mësim i përshtatshëm në broshurën Lajm i mirë.

19. Shpjegoni si mund ta përdorim Zbulesën 14:6, 7 kur flasim me njerëzit fetarë.

19 A jeton në një lagje ku njerëzit janë fetarë? Nëse po, mund ta hapësh kështu muhabetin: «Sikur të të fliste një engjëll, a do t’ia vije veshin? (Lexo Zbulesën 14:6, 7.) Meqë engjëlli thotë ‘kini frikë Perëndinë’, a nuk është e rëndësishme të kuptojmë për cilin Perëndi e ka llafin? Engjëlli na jep një të dhënë me fjalët: ‘Ai që bëri qiellin dhe tokën’. Po kush është ky?» Më pas lexo Psalmin 124:8, ku thuhet: «Ndihma jonë është emri i Jehovait, Bërësit të qiellit dhe të tokës.» Atëherë tregohu i gatshëm t’i shpjegosh më shumë për Perëndinë Jehova.

20. (a) Si mund të përdoret Proverbat 30:4 që t’i mësojmë emrin e Perëndisë dikujt? (b) A ka ndonjë shkrim të veçantë që të sjell rezultate të mira në shërbim?

20 Me një të ri mund ta hapësh kështu bisedën: «Dua të të lexoj një shkrim që ngre një pyetje shumë të rëndësishme. (Lexo Proverbat 30:4.) Nuk ka njeri që mund të përshkruhet kështu, ndaj këtu duhet të bëhet fjalë për Krijuesin. * Po emrin e tij, si mund ta dimë? Kam qejf të ta tregoj nga Bibla.»

SHTOJU FORCË FJALËVE TË TUA ME FJALËN E PERËNDISË

21, 22. (a) Si mund t’ia ndryshojë jetën dikujt një shkrim i zgjedhur me kujdes? (b) Çfarë je i vendosur të bësh në shërbim?

21 Nuk i dihet kurrë si do të reagojnë njerëzit kur u lexojmë një shkrim të zgjedhur me kujdes. Për shembull, dy Dëshmitarë në Australi trokitën në një derë e u doli një e re. Njëri prej tyre e pyeti: «A e di emrin e Perëndisë?» Pastaj lexoi një shkrim, Psalmin 83:18. Gruaja tregon: «U shtanga! Me t’u larguar ata, shkova me makinë në një librari 56 kilometra larg, që të kontrolloja versione të tjera të Biblës dhe pastaj e kërkova emrin në një fjalor. Pasi u binda se emri i Perëndisë është Jehova, vrisja mendjen çfarë nuk dija tjetër.» Shpejt, ajo dhe bashkëshorti i ardhshëm filluan të studionin Biblën dhe më vonë u pagëzuan.

22 Fjala e Perëndisë u ndryshon jetën atyre që e lexojnë dhe që zhvillojnë besim te premtimet e gjalla të Jehovait. (Lexo 1 Selanikasve 2:13.) Mesazhi i Biblës është ku e ku më i fuqishëm se çfarëdo gjëje që mund të themi vetë për t’i prekur zemrën dikujt. Ndaj, sa herë të kemi mundësi, duhet të përdorim Fjalën e Perëndisë. Ajo është e gjallë!

^ par. 13 Kodi QR është markë e regjistruar e Denso Wave Incorporated

^ par. 20 Shih Kullën e Rojës të 15 majit 2002, faqja 5 dhe rubrikën «Pyetje nga lexuesit» në Kullën e Rojës të 15 korrikut 1987, faqja 31, anglisht.