Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Si na afrohet Jehovai

Si na afrohet Jehovai

«Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet.»—JAK. 4:8.

1. Ç’nevojë kemi si njerëz, dhe kush mund të na e plotësojë?

NJERIU ka një nevojë rrënjësore për afrimitet me të tjerët. Thuhet se dy njerëz ndihen «të afërt kur e pëlqejnë shumë njëri-tjetrin dhe njihen goxha mirë». Na pasurojnë lidhjet me familjarët e me miqtë që na duan, na çmojnë e na kuptojnë. Sidoqoftë, Personi me të cilin duhet të lidhemi më ngushtë është Krijuesi ynë i Madh.Ekl. 12:1.

2. Çfarë na premton Jehovai, por pse mjaft njerëz nuk e besojnë këtë?

2 Në Fjalën e tij, Jehovai na nxit ‘t’i afrohemi’ dhe premton se, po ta bëjmë këtë, ‘do të na afrohet’. (Jak. 4:8) Kjo na e ngre zemrën peshë. Megjithatë, mjaft njerëzve u duket absurd mendimi se Perëndia do që të jetë afër tyre. Ose nuk ndihen të denjë t’i afrohen, ose e shohin si tepër të largët. A mund të ndihemi vërtet të afërt me Jehovain?

3. Çfarë duhet të besojmë për Jehovain?

3 Faktikisht, Jehovai «nuk është larg» gjithkujt që dëshiron ta gjejë. Vërtet, mund ta njohim. (Lexo Veprat 17:26, 27; Psalmin 145:18.) Qëllimi i Perëndisë tonë është që njerëzit, edhe pse të papërsosur, të ndihen afër tij dhe madje dëshiron e është gati t’i pranojë krahëhapur si miq të ngushtë. (Isa. 41:8; 55:6) Nga përvoja e vet, psalmisti shkroi për Jehovain:  «O Dëgjues i lutjes, te ti do të vijë çdo njeri. Lum ai që ti e zgjedh dhe e afron.» (Psal. 65:2, 4) Në tregimin biblik për Asën, mbretin e Judës, gjejmë shembullin e dikujt që iu afrua Jehovait, dhe shpjegohet si iu përgjigj Ai. *

TË MËSOJMË NGA NJË SHEMBULL I LASHTË

4. Çfarë shembulli la mbreti Asa për popullin e Judës?

Mbreti Asa shfaqi zell të shkëlqyer për adhurimin e pastër, duke zhdukur prostitucionin e tempullit dhe idhujtarinë që kishin mbërthyer vendin. (1 Mbret. 15:9-13) Me liri fjale nxiti popullin «të kërkonte Jehovain, Perëndinë e paraardhësve të tyre, dhe të zbatonte ligjin dhe urdhërimet». Jehovai i bekoi me paqe të pandërprerë dhjetë vitet e para të mbretërimit të Asës. Sipas Asës, pse gëzonin këtë qetësi? Ai i tha popullit: «Vendin e kemi ende në dorë, sepse kemi kërkuar Jehovain, Perëndinë tonë. Ne e kemi kërkuar dhe ai na jep prehje rreth e qark.» (2 Kron. 14:1-7) Të shohim ç’ndodhi më pas.

5. Cila situatë provoi deri ku mbështetej Asa te Perëndia, dhe si përfundoi ajo?

5 Vëre veten në vend të Asës. Zerahu, etiopasi, ka dalë kundër Judës me 1.000.000 ushtarë dhe 300 karroca lufte. (2 Kron. 14:8-10) Po të shihje këtë ushtri gjigante tek hyn në mbretërinë tënde, si do të reagoje? Forcat e tua ushtarake janë vetëm 580.000. Përballë një ushtrie gati dy herë më të madhe, a nuk do të vrisje mendjen pse po e lejon Perëndia këtë pushtim? A do të mbështeteshe në mençurinë tënde për të dalë nga kjo krizë? Reagimi i Asës tregoi sa besonte te Jehovai dhe sa e ngushtë ishte lidhja me të. Ai iu përgjërua: «Na ndihmo, o Jehova, Perëndia ynë, se te ti mbështetemi dhe në emrin tënd kemi dalë kundër kësaj turme! O Jehova, ti je Perëndia ynë! Mos lër që njeriu i vdekshëm të dalë më i fortë se ti!» Si iu përgjigj Perëndia kësaj kërkese të ndier? «Jehovai i mundi etiopasit.» Asnjë armik nuk mbeti gjallë në betejën që pasoi!2 Kron. 14:11-13.

6. Në ç’aspekt duhet ta imitojmë Asën?

6 Pse Asa arriti të besonte plotësisht te drejtimi e mbrojtja e Perëndisë? Bibla thotë se «Asa bëri atë që ishte e drejtë në sytë e Jehovait» dhe se «i ishte kushtuar me gjithë zemër Jehovait». (1 Mbret. 15:11, 14) Edhe ne duhet t’i shërbejmë Perëndisë me gjithë zemër. Kjo ka rëndësi jetësore, nëse duam të gëzojmë një marrëdhënie të ngushtë me të tani e në të ardhmen. Sa mirënjohës i jemi Jehovait që ka bërë hapin e parë të na tërheqë drejt vetes dhe të na ndihmojë të krijojmë e të ruajmë një lidhje të ngushtë me të! Të shohim dy mënyra si e ka bërë këtë.

JEHOVAI NA KA AFRUAR NËPËRMJET SHPËRBLESËS

7. (a) Çfarë gjërash ka bërë Jehovai që na afrojnë me të? (b) Cila është mënyra kryesore si na afron Perëndia pranë vetes?

7 Jehovai e tregoi dashurinë për familjen njerëzore kur krijoi tokën, shtëpinë tonë të bukur. Ai na shfaq ende dashuri, duke na mbajtur gjallë me gjërat e nevojshme që siguron në mënyrë të shkëlqyer. (Vep. 17:28; Zbul. 4:11) Ç’është më e rëndësishmja, Jehovai kujdeset për nevojat tona frymore. (Luka 12:42) Gjithashtu, na siguron se ai vetë i dëgjon lutjet tona. (1 Gjon. 5:14) Megjithatë, mënyra kryesore që përdor Perëndia për të na afruar pranë  vetes dhe që na shtyn të afrohemi me të është dashuria e shprehur me anë të shpërblesës. (Lexo 1 Gjonit 4:9, 10, 19.) Jehovai dërgoi në tokë «Birin e tij të vetëmlindur» që të na çlironte nga mëkati e vdekja.Gjoni 3:16.

8, 9. Ç’rol luan Jezui në qëllimin e Jehovait?

8 Jehovai ka marrë masa që të nxjerrin dobi nga shpërblesa edhe njerëzit që jetuan para Krishtit. Që kur Ai profetizoi se do të dilte një Shpëtimtar për njerëzimin, nga pikëpamja e tij shpërblesa ishte pothuajse e paguar, pasi e dinte se qëllimi i vet do të plotësohej se s’bën. (Zan. 3:15) Shekuj më vonë, apostulli Pavël e falënderoi Perëndinë për ‘çlirimin nëpërmjet shpërblesës që pagoi Krishti Jezu’. Ai shtoi se ‘Perëndia po falte mëkatet që ndodhën në të shkuarën, ndërkohë që tregonte vetëpërmbajtje’. (Rom. 3:21-26) Ç’rol jetësor luan Jezui që të kemi miqësi të ngushtë me Perëndinë!

9 Njerëzit e përulur mund ta njohin Jehovain, t’i afrohen e të lidhen ngushtë me Të vetëm përmes Jezuit. Si e theksojnë Shkrimet këtë të vërtetë? Pavli shkroi: «Perëndia na e shfaq dashurinë e vet në atë që, kur ishim akoma mëkatarë, Krishti vdiq për ne.» (Rom. 5:6-8) Flijimi shpërblyes i Jezuit nuk u sigurua ngaqë jemi të denjë për këtë, por ngaqë jemi të dashur për Jehovain e Jezuin. Jezui tha: «Askush nuk mund të vijë tek unë, nëse Ati që më dërgoi, nuk e tërheq.» Një herë tjetër u shpreh: «Askush nuk vjen tek Ati, përveçse nëpërmjet meje.» (Gjoni 6:44; 14:6) Jehovai përdor frymën e shenjtë që të na tërheqë me anë të Jezuit dhe të na ndihmojë të ruajmë veten në dashurinë e Tij me sytë nga jeta e përhershme. (Lexo Judën 20, 21.) Të shohim një mënyrë tjetër si na tërheq pranë vetes Jehovai.

JEHOVAI NA AFRON NËPËRMJET FJALËS SË TIJ TË SHKRUAR

10. Si na ndihmon Bibla t’i afrohemi më tepër Perëndisë?

10 Deri tani në këtë artikull kemi cituar ose përmendur shkrime nga 14 libra të Biblës. Pa Biblën, si do ta dinim se mund t’i afrohemi Krijuesit tonë? Pa të, si do të mësonim për shpërblesën dhe për faktin se Jehovai na tërheq me anë të Jezuit? Nëpërmjet frymës së shenjtë Jehovai frymëzoi njerëz të shkruanin Biblën, e cila na zbulon personalitetin e tij tërheqës, si edhe qëllimet e tij të mëdha. Për shembull, te Dalja 34:6, 7, Jehovai ia përshkroi veten Moisiut si «një Perëndi i mëshirshëm dhe hirmadh, që nuk zemërohet shpejt, që është plot dashamirësi e të vërtetë, që e ruan dashamirësinë për mijëra breza, që fal fajin, shkeljen dhe mëkatin». E kush nuk do të donte t’i afrohej një personi të tillë?! Jehovai e di se sa më shumë ta njohim nga faqet e Biblës, aq më real bëhet për ne e aq më afër tij ndihemi.

11. Pse duhet të përpiqemi të njohim cilësitë e Perëndisë dhe mënyrën si vepron? (Shih figurën hapëse.)

11 Ndërsa shpjegon si mund të arrijmë një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë, prologu i librit T’i afrohemi Jehovait, thotë: «Në çdo miqësi që lidhim është e domosdoshme ta njohim personin tjetër, të admirojmë e të vlerësojmë cilësitë e tij të veçanta. Prandaj, cilësitë e Perëndisë dhe mënyra e tij e të vepruarit, të zbuluara në Bibël, përbëjnë një fushë studimi me rëndësi jetësore.» Sa mirënjohës jemi që Jehovai e shkroi Fjalën e tij në një mënyrë që mund ta kuptojmë!

12. Pse Jehovai përdori njerëz për të shkruar Biblën?

 12 Jehovai mund të kishte përdorur engjëj për të shkruar Biblën. Në fund të fundit, ata janë tejet të interesuar për ne dhe veprat tona. (1 Pjet. 1:12) Pa dyshim që engjëjt mund ta shkruanin mesazhin e Perëndisë për njerëzimin. Por, a do t’i shihnin gjërat nga këndvështrimi i njerëzve? A do t’i kuptonin dot nevojat, dobësitë dhe dëshirat tona? Jo. Jehovai e dinte se ishin të kufizuar në këtë drejtim. Ngaqë Jehovai përdori njerëz që të shkruanin Biblën, ajo është më afër zemrës sonë. Mund t’i kuptojmë fare mirë mendimet e ndjenjat e shkrimtarëve të Biblës dhe të të tjerëve që janë përmendur në të. Na dhimbsen kur lexojmë për zhgënjimet, dyshimet, frikën e papërsosmëritë e tyre dhe kënaqemi për gëzimet e sukseset që patën. Ashtu si profeti Elija, të gjithë shkrimtarët e Biblës provuan «ndjenja si tonat».Jak. 5:17.

Si afrohesh më shumë me Jehovain kur mendon për mënyrën si u soll me Jonain dhe Pjetrin? (Shih paragrafët 13, 15.)

13. Çfarë ndjenjash të ngjall lutja e Jonait?

13 Të mendojmë pak. A do t’i përcillte dot tamam një engjëll ndjenjat e profetit Jona kur ia mbathi nga caktimi që i dha Perëndia? A nuk ishte ku e ku më mirë që Jehovai caktoi Jonain të shkruante historinë e vet, përfshirë lutjen e ndier që i drejtoi Perëndisë nga zemra e detit? Jonai tha: «Kur shpirti m’u mpak, kujtova Jehovain.»Jon. 1:3, 10; 2:1-9.

14. Pse mund ta kuptosh si ndihej Isaia kur shkroi për veten?

14 Të ndalemi edhe te fjalët e frymëzuara nga Jehovai që shkroi Isaia për veten. Me të parë një vegim të lavdisë së Perëndisë, profeti u shpreh për gjendjen e vet mëkatare: «I mjeri unë! Tani mora fund, sepse jam njeri me buzë të papastra dhe banoj mes një populli  me buzë të papastra, por sytë e mi panë Mbretin, vetë Jehovain e ushtrive!» (Isa. 6:5) E ku ka engjëll që do t’i vinte natyrshëm të shprehej në këtë mënyrë? Ama, Isaisë po, dhe ne mund ta kuptojmë fare mirë si ndihej.

15, 16. (a) Pse mund ta kuptojmë si ndihen njerëzit e papërsosur? Jepni shembuj. (b) Çfarë do të na ndihmojë t’i afrohemi më tepër Jehovait?

15 A do të thoshin dot engjëjt se ishin ‘të padenjë’, siç tha Jakobi për veten, ose ‘mëkatarë’, siç ndihej Pjetri? (Zan. 32:10; Luka 5:8) A do të ishin ‘frikësuar’ ashtu si dishepujt e Jezuit? A do t’u duhej engjëjve të drejtë ‘të merrnin guxim’ për të shpallur lajmin e mirë përballë kundërshtimit, ashtu si Pavli dhe të tjerët? (Gjoni 6:19; 1 Sel. 2:2) Jo, engjëjt janë të përsosur në çdo aspekt dhe janë mbinjerëzorë. Mirëpo, kur njerëzit e papërsosur shprehin ndjenja të tilla, i kuptojmë në çast, se edhe ne jemi njerëz. Teksa lexojmë Fjalën e Perëndisë, vërtet mund ‘të gëzojmë me ata që gëzojnë dhe të qajmë me ata që qajnë’.Rom. 12:15.

16 Nëse bluajmë në mendje atë që thotë Bibla për mënyrën si u soll Jehovai me besnikët e tij në të kaluarën, do të zbulojmë margaritarë të panumërt për Perëndinë tonë, i cili iu afrua me durim e dashuri atyre njerëzve të papërsosur. Kështu do ta njohim thellë Jehovain dhe do ta duam me gjithë shpirt. Si pasojë, do t’i afrohemi më shumë.Lexo Psalmin 25:14.

TA ÇELIKOSIM LIDHJEN ME PERËNDINË

17. (a) Ç’këshillë të mirë i dha Azariahu Asës? (b) Si e shpërfilli Asa këshillën e Azariahut, dhe me ç’pasojë?

17 Pasi mbreti Asa korri një fitore të thellë kundër ushtrisë etiopase, profeti i Perëndisë, Azariahu, i tha atij dhe popullit këto fjalë të mençura: «Jehovai do të jetë me ju për sa kohë të jeni me të. Nëse e kërkoni, ai do t’ju lërë ta gjeni, por nëse e braktisni, do t’ju braktisë.» (2 Kron. 15:1, 2) Mjerisht, vite më vonë Asa nuk ia vuri veshin kësaj këshille të mirë. Kur u gjend para kërcënimit të Izraelit, mbretërisë veriore rivale, Asa u mbështet te sirianët. Në vend që t’i thërriste prapë Jehovait për ndihmë, lidhi aleancë me paganët. Jehovai i tha me të drejtë: «Në këtë rast ti ke vepruar pa mend, dhe që tani e tutje kundër teje do të ketë luftëra.» Vitet e fundit të sundimit të Asës qetësia u prish nga luftëra të pareshtura. (2 Kron. 16:1-9) Ç’mësim nxjerrim nga kjo?

18, 19. (a) Çfarë duhet të bëjmë nëse kemi lejuar të krijohet njëfarë distance mes nesh e Perëndisë? (b) Si mund të afrohemi më shumë me Jehovain?

18 S’duhet të largohemi kurrë nga Jehovai. Nëse kemi lejuar të krijohet njëfarë distance mes nesh e atij, duhet të veprojmë sipas asaj që thotë Hozea 12:6: «Kthehu, pra, te Perëndia yt, duke ruajtur dashamirësinë dhe drejtësinë. Te Perëndia yt paç gjithmonë shpresë!» Le të afrohemi gjithnjë e më shumë me Jehovain, duke menduar thellë për vlerën e shpërblesës dhe duke studiuar me zell Fjalën e tij, Biblën!Lexo Ligjin e përtërirë 13:4.

19 Psalmisti shkroi: «Për mua është gjë e mirë që t’i afrohem Perëndisë.» (Psal. 73:28) Të gjithë vazhdofshim të mësojmë gjëra të reja për Jehovain dhe të vlerësojmë akoma më thellë arsyet e shumta për ta dashur! U afroftë gjithnjë e më tepër Jehovai me ne sot, madje mot e jetë!

^ par. 3 Shih artikullin për Asën «Për këtë do të shpërbleheni» në Kullën e Rojës të 15 gushtit 2012.