Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 JETËSHKRIM

Humba një atë—Gjeta një Atë

Humba një atë—Gjeta një Atë

IM ATË lindi në qytetin e Gracit, Austri, më 1899. Pra, gjatë Luftës I Botërore ishte veç një djalosh. U rekrutua në ushtrinë gjermane pak pasi shpërtheu Lufta II Botërore, në vitin 1939, dhe u vra më 1943 gjatë luftimeve në Rusi. Mjerisht, kështu humba tim atë kur isha afro dy vjeç. Nuk pata kurrë rast ta njihja, dhe e ndieja jashtëzakonisht mungesën e tij, sidomos pasi kuptova se shumica e çunave në shkollë e kishin një babi. Më vonë në adoleshencë, m’u lehtësua zemra kur mësova për Atin tonë qiellor, një Atë të pashoq që nuk ka si të vdesë.Hab. 1:12.

PËRVOJA ME BOJSKAUTËT

Kur isha djalosh

Kur isha shtatë vjeç, u bëra anëtar i lëvizjes rinore të bojskautëve. Kjo është një organizatë botërore e themeluar më 1908 në Britaninë e Madhe nga një gjenerallejtënant i ushtrisë britanike, Robert Stivenson Smajth Bejdën-Pauëlli. Në vitin 1916 ai krijoi shoqatën Ujqërit e Vegjël për bojskautët më të vegjël të grup-moshës sime.

Sa qejf kisha kur bënim ekskursione në fundjavë dhe flinim në tenda, vishnim uniforma e marshonim nën tingujt e daulleve. Kënaqesha sidomos kur kaloja kohë me skautët e tjerë, ndërsa këndonim rreth zjarrit në mbrëmje e bënim lojëra në pyll. Veç kësaj, mësonim shumë për natyrën dhe kështu nisa të admiroja veprën e duarve të Krijuesit.

Bojskautët nxiten të bëjnë një vepër të mirë çdo ditë. Kjo është motoja e tyre. E përshëndetnim njëri-tjetrin me fjalët: «Gjithmonë gati!» Më dukej tërheqëse kjo. Në grupin tonë me mbi njëqind djem, afro gjysma ishin katolikë, gjysma protestantë dhe njëri budist.

Që nga 1920-a janë mbajtur një herë në disa vjet mbledhje ose grumbullime ndërkombëtare të skautëve. Ndoqa Mbledhjen e 7-të Botërore të Skautëve në Bad-Ishl, Austri, në gusht 1951, si edhe Mbledhjen e 9-të Botërore të Skautëve në Parkun Suton, pranë Birmingamit, Angli, në gusht të vitit 1957. Në këtë të fundit ishin të pranishëm rreth 33.000 skautë nga 85 vende dhe territore. Po ashtu, erdhën të na takonin gati 750.000 veta, ndër të cilët mbretëresha Elizabetë e Anglisë. Më dukej si një vëllazëri mbarëbotërore. As që më shkonte ndër mend se së shpejti do të njihja një vëllazëri shumë më mbresëlënëse, një vëllazëri frymore.

TAKIMI I PARË ME NJË DËSHMITAR TË JEHOVAIT

Rudi Çigerli, një pastiçier, ishte i pari që më foli për të vërtetën

Në pranverë të vitit 1958 po mbaroja stazhin si kamerier në «Grand Hotel Wiesler» të Gracit, Austri. Atje, Rudolf Çigerli, shok pune dhe  pastiçier, më dha dëshmi joformale. Nuk kisha dëgjuar kurrë më parë për të vërtetën. Në fillim e hapi muhabetin për doktrinën e Trinitetit dhe më tha se nuk ishte mësim biblik. Unë përkrahja atë doktrinë dhe mundohesha të provoja se e kishte gabim. Më pëlqente shoku i punës dhe doja t’i mbushja mendjen të kthehej në Kishën Katolike.

Rudolfi, ose Rudi, siç e thërritnim shkurt, më gjeti një Bibël. Ngula këmbë që të ishte një përkthim katolik. Fillova ta lexoja kur vërejta se kishte futur mes faqeve një fletushkë të shtypur nga Shoqata Watchtower. I thashë se kjo nuk më pëlqente ngaqë, sipas meje, një literaturë e tillë mund të formulohej në një mënyrë që tingëllonte e vërtetë, ndërkohë që nuk ishte. Megjithatë, kisha qejf të bisedoja me të për Biblën. Rudi u tregua i matur dhe nuk më ofroi më botime. Për afro tre muaj, bënim biseda për Biblën herë pas here, që shpesh zgjatnin deri në mbrëmje vonë.

Pasi mbarova stazhin në hotelin e Gracit, në qytetin e lindjes, mamaja më hoqi shpenzimet që të arsimohesha më tej në një shkollë hotelerie. Prandaj u transferova në Bad-Hofgastajn, një qytezë në një luginë të Alpeve, ku ndodhej shkolla. Ajo kishte lidhje me «Grand Hotel» në Bad-Hofgastajn, dhe gjatë shkollës punoja atje me raste, që të fitoja më tepër përvojë.

VIZITË NGA DY MOTRA MISIONARE

Ilze Unterdorferi dhe Elfride Lori nisën të studionin Biblën me mua në vitin 1958

Rudi ia kishte dërguar adresën time të re zyrës së degës në Vjenë, dhe zyra ua çoi dy motrave misionare Ilze Unterdorferit dhe Elfride Lorit. * Një ditë më telefonoi recepsionisti dhe më tha se në një makinë jashtë hotelit dy zonja pritnin të flitnin me mua. U çudita se nuk dija gjë fare për to. Megjithatë dola për të parë cilat ishin. Më vonë mora vesh se kishin shërbyer si korriere Dëshmitare në Gjermaninë naziste kur vepra ishte e ndaluar para Luftës II Botërore. Që para lufte, policia sekrete gjermane (Gestapoja) i kishte kapur dhe i kishte dërguar në kampin e përqendrimit të Lihtenburgut. Pastaj, gjatë luftës i kishte transferuar në kampin e Ravensbrykut, pranë Berlinit.

Ato motra kishin pak a shumë moshën e mamasë sime dhe patjetër që i respektoja. Ja pse nuk doja t’ua harxhoja kohën kot me diskutime, e pas ca javësh a muajsh ndoshta t’u thosha se nuk isha më i interesuar. Prandaj u kërkova të më sillnin vetëm një listë me shkrime për doktrinën katolike të trashëgimit apostolik. U thashë se do t’ia çoja priftit e do ta diskutoja me të. Mendoja se ashtu do të zbuloja të vërtetën.

MËSOJ PËR ATIN E SHENJTË TË VËRTETË NË QIELL

Sipas doktrinës katolike të trashëgimit apostolik, ekziston një linjë e pandërprerë pasardhësish nga apostulli Pjetër deri te papët e sotëm. (Kisha keqinterpreton fjalët e Jezuit te Mateu 16:18, 19.) Katolicizmi pohon edhe se  papa është i pagabueshëm në çështjet doktrinale kur flet ex cathedra, pra nga ofiqi fetar. E besoja këtë dhe mendoja se, nëse papa—të cilin katolikët e quajnë atë i shenjtë—është i pagabueshëm në çështje doktrinale dhe ka deklaruar se Triniteti është i vërtetë, ashtu duhet të jetë. Por, nëse ai nuk është i pagabueshëm, atëherë kjo doktrinë mund të jetë e rremë. S’është çudi që për shumë katolikë doktrina e trashëgimit apostolik është më e rëndësishmja, pasi prej saj varet nëse janë të sakta apo jo mësimet e tjera katolike.

Kur shkova te prifti, ai nuk iu përgjigj dot pyetjeve të mia, por nxori nga rafti një libër për doktrinat katolike ku flitej për trashëgimin apostolik. E mora librin me vete, siç më sugjeroi, e lexova dhe u ktheva me më shumë pyetje. Si përfundim, ngaqë nuk mund t’u përgjigjej pyetjeve të mia, prifti tha: «Unë nuk të bind dot ty dhe as ti nuk më bind dot mua. . . . Mbetsh me shëndet!» Ai nuk donte të bënte më asnjë bisedë me mua.

Tani isha gati të studioja Biblën me Ilzen dhe Elfriden. Ato më mësuan shumë për Atin e Shenjtë të vërtetë në qiell, Perëndinë Jehova. (Gjoni 17:11) Në atë zonë nuk kishte akoma asnjë kongregacion, prandaj dy motrat i bënin mbledhjet në shtëpinë e një familjeje të interesuar. Merrnin pjesë vetëm pak veta. Zakonisht, motrat e zhvillonin materialin e mbledhjeve si diskutim midis tyre, meqë nuk kishte asnjë vëlla të pagëzuar që të drejtonte. Tek-tuk vinte ndonjë vëlla dhe mbante fjalim publik në një ambient të marrë me qira.

FILLIMET E SHËRBIMIT

Fillova të studioja Biblën me Ilzen dhe Elfriden në tetor të vitit 1958, dhe u pagëzova pas tre muajsh, në janar 1959. Para pagëzimit, i pyeta në mund t’i shoqëroja shtëpi më shtëpi që të shihja si predikohej. (Vep. 20:20) Pasi i shoqërova një herë, i pyeta nëse mund të më jepnin një territor që ta punoja vetë. Më caktuan një fshat, ku shkoja vetëm e predikoja shtëpi më shtëpi, si edhe kthehesha te të interesuarit. Vëllai i parë me të cilin predikova shtëpi më shtëpi ishte mbikëqyrësi qarkor kur na erdhi për vizitë.

Më 1960, pasi mbarova shkollën e hotelerisë, u ktheva në qytetin e lindjes që të ndihmoja të afërmit të mësonin të vërtetat biblike. Sot e kësaj dite as edhe një prej tyre nuk e ka përqafuar të vërtetën, por disa po tregojnë njëfarë interesi.

NJË JETË NË SHËRBIMIN E PLOTKOHOR

Në të 20-at

Më 1961 në kongregacione u lexuan letra nga zyra e degës që nxitnin shërbimin si pionier. Isha beqar dhe plot shëndet, ndaj mendova se nuk kisha asnjë justifikim pse të mos bëhesha pionier. E pyeta mbikëqyrësin qarkor, Kurt Kunin, se çfarë mendonte sikur të punoja edhe ca muaj sa të blija një makinë, që do të më duhej në shërbimin e pionierit. E dini ç’më tha? «A patën nevojë për makinë Jezui dhe apostujt që të shërbenin në kohë të plotë?» Kjo i vuri pikat mbi i! Planifikova të filloja si pionier sa më shpejt të ishte e mundur. Por, ngaqë punoja 72 orë në javë në restorantin e një hoteli, duhej të bëja ca ndryshime.

I kërkova pronarit të punoja 60 orë. Ai pranoi dhe nuk ma uli rrogën. Pak më vonë i kërkova nëse mund të punoja vetëm 48 orë në javë. Prapë ra dakord dhe më paguante njësoj. Pastaj i  kërkova të punoja vetëm 36 orë në javë, pra gjashtë ditë të javës nga 6 orë, dhe pranoi sërish. Çuditërisht, akoma merrja të njëjtën rrogë! Me sa duket, atij s’ia kishte qejfi të ikja. Me atë orar fillova si pionier i rregullt. Në atë kohë kuota e pionierit ishte 100 orë në muaj.

Katër muaj më vonë më emëruan pionier special dhe shërbëtor kongregacioni në një kongregacion të vogël në provincën e Karinthias, në qytetin e Shpital-an-der-Draut. Atëherë pionierët specialë bënin 150 orë në muaj. Nuk kisha shok shërbimi, por e çmoja vërtet mbështetjen që më jepte në shërbim motër Gertrudë Lobneri, që ishte ndihmësshërbëtore kongregacioni. *

NDRYSHIME CAKTIMI TË SHPEJTA

Më 1963 më ftuan të shërbeja në veprën qarkore. Ndonjëherë udhëtoja me tren nga një kongregacion në tjetrin me valixhe të rënda. Shumica e vëllezërve nuk kishin makinë, kështu që asnjëri nuk më merrte dot në stacionin e trenit. S’doja të merrja taksi që të mos dukej sikur kapardisesha, ndaj e bëja rrugën më këmbë deri në shtëpinë ku do të rrija.

Në vitin 1965, kur isha ende beqar, më ftuan të ndiqja klasën e 41-të të Shkollës së Galaadit. Edhe shumë të tjerë në klasë ishin beqarë. Për habinë time të madhe, gjatë diplomimit, më caktuan prapë në vendlindje, në Austri, për të vazhduar veprën qarkore. Por, para se të largohesha nga Shtetet e Bashkuara, më kërkuan të shoqëroja për katër javë një mbikëqyrës qarkor. E çmova pa masë shërbimin përkrah Antoni Kontit, një vëlla i përzemërt që e donte predikimin dhe që ishte goxha i efektshëm. Shërbyem së bashku në veri të shtetit të Nju-Jorkut, në zonën e Kornuollit.

Ditën e dasmës

Kur u ktheva në Austri, më caktuan në një qark ku takova Mereta Toven, një motër beqare të hirshme. Ishte rritur në të vërtetën që 5 vjeçe. Kur vëllezërit na pyesin si jemi njohur, ua kthejmë me shaka: «U bë mbles zyra e degës!» U martuam një vit më pas, në prill 1967, dhe na caktuan prapë në veprën udhëtuese.

Vitin tjetër kuptova se me dashamirësinë e tij të pamerituar Jehovai më kishte birësuar si bir frymor. Kështu hyra në një marrëdhënie të veçantë me Atin tim qiellor si dhe me të gjithë ata që, siç thuhet te Romakëve 8:15, ‘thërrasin: “Abba, o Atë!”’

Mereta dhe unë vazhduam të shërbenim në veprën qarkore dhe krahinore deri në vitin 1976. Ndonjëherë gjatë dimrit na duhej të flinim në dhoma gjumi pa ngrohje, me temperatura nën zero. Një mëngjes, kur u zgjuam, pamë se buza e batanijes ishte bërë kallkan dhe e bardhë nga fryma jonë e ngrirë. Më në fund vendosëm të mbanim me vete një ngrohës elektrik të vogël, që i ftohti natën të ishte i durueshëm. Në disa shtëpi, banja ishte përjashta e bënte korrent, dhe për të vajtur atje natën, çanim përmes borës. Po ashtu, nuk kishim një apartament tonin, kështu që të hënave zakonisht rrinim në shtëpinë  ku ishim strehuar gjithë javën. Pastaj të martave në mëngjes udhëtonim për në kongregacionin tjetër.

E them me kënaqësi se në rrjedhën e viteve gruaja ime e shtrenjtë ka qenë përherë një mbështetje e madhe. Ajo vdes për shërbimin dhe nuk më është dashur as edhe një herë të vetme ta nxit të dalë në predikim. Gjithashtu, i ka për zemër vëllezërit e motrat dhe merakoset jashtëzakonisht për të tjerët. Kjo ka qenë një ndihmë e madhe.

Më 1976 na ftuan të shërbenim në zyrën e degës të Austrisë në Vjenë, dhe u emërova anëtar i Komitetit të Degës. Në atë kohë zyra e Austrisë mbikëqyrte veprën në disa vende të Evropës Lindore, si edhe organizonte transportin e literaturës në këto vende pa rënë në sy. Vëlla Jyrgen Rundeli merrte drejtimin dhe kishte shpirt iniciative. Pata privilegjin të shërbeja krah tij dhe më vonë më kërkuan të mbikëqyrja punën e përkthimit në dhjetë gjuhë të Evropës Lindore. Jyrgeni dhe e shoqja, Gertruda, vazhdojnë të shërbejnë me besnikëri si pionierë specialë në Gjermani. Më 1978 dega e Austrisë filloi të fotoradhiste revistat dhe i shtypte në gjashtë gjuhë në makina shtypi të vogla. Gjithashtu, u dërgonim botime të abonuarve në vende të ndryshme. Rol kyç në këtë veprimtari kishte Oto Kyglihi, që tani shërben me të shoqen, Ingridin, në zyrën e degës në Gjermani.

Në Austri kisha mundësi të shijoja shumë forma predikimi, si dëshmia në rrugë

Vëllezërit në Evropën Lindore prodhonin literaturë edhe në vendet e tyre, duke përdorur shaptilografë ose duke larë negativë filmi. Prapëseprapë, u duhej ndihmë nga jashtë. Jehovai e mbrojti aktivitetin e tyre. Në zyrën e degës na u bënë të dashur ata vëllezër që iu desh të shërbenin për vite të tëra në kushte të rënda e në ndalim.

NJË VIZITË E VEÇANTË NË RUMANI

Më 1989 pata privilegjin të shoqëroja në Rumani vëlla Teodor Xharazin, një anëtar të Trupit Udhëheqës. Synimi ishte të ndihmonim një grup të madh vëllezërish të ribashkohej me organizatën. Që nga 1949-a ata i kishin prerë lidhjet me organizatën për një sërë arsyesh dhe kishin formuar kongregacionet e veta.  Gjithsesi, vazhdonin të predikonin e të bënin pagëzime. Po ashtu, dënoheshin me burg për asnjanësinë e krishterë, njësoj si vëllezërit që ishin pjesë e organizatës së miratuar nga selia botërore. Vepra në Rumani ishte akoma e ndaluar, kështu që u takuam fshehtas në shtëpinë e vëlla Pamfil Albusë me katër vëllezër kryesorë e me përfaqësuesit e Komitetit të Vendit të Rumanisë që ishte i miratuar. Kishim marrë me vete nga Austria edhe një përkthyes, Rolf Kelnerin.

Mbrëmjen e dytë të diskutimeve, vëllai Albu i bindi katër pleqtë e tjerë të bashkoheshin me ne. U tha: «Po nuk e bëmë këtë tani, ndoshta nuk do të na vijë kurrë më rasti.» Si rrjedhojë, rreth 5.000 vëllezër u bashkuan me organizatën. Ç’triumf për Jehovain dhe ç’grusht i rëndë për Satanain!

Nga fundi i vitit 1989, para rënies së komunizmit në Evropën Lindore, Trupi Udhëheqës na ftoi të transferoheshim në selinë botërore në Nju-Jork. Kjo ishte surprizë e madhe për mua dhe time shoqe. Në korrik 1990 nisëm shërbimin në Bethelin e Bruklinit. Më 1992 u caktova ndihmës pranë Komitetit të Shërbimit të Trupit Udhëheqës, dhe që nga korriku i 1994-s kam pasur privilegjin të shërbej në Trupin Udhëheqës.

KUJTOJ TË KALUARËN DHE I MBAJ SYTË TEK E ARDHMJA

Me time shoqe në Bruklin, Nju-Jork

Ka rrjedhur shumë ujë nga koha kur shërbeja si kamerier në hotel. Tani kam privilegjin të marr pjesë në përgatitjen dhe servirjen e ushqimit frymor për vëllazërinë mbarëbotërore. (Mat. 24:45-47) Kur mendoj për më se 50 vitet në shërbimin special të plotkohor, e kam zemrën plot mirënjohje dhe gëzim për bekimet që ka derdhur Jehovai mbi vëllazërinë botërore. Më pëlqen jashtë mase të marr pjesë në kongreset ndërkombëtare, ku vihet theksi te njohuria për Atin tonë qiellor, Jehovain, dhe për të vërtetën biblike.

Lutem që miliona të tjerë të studiojnë Biblën, ta pranojnë të vërtetën dhe t’i shërbejnë Jehovait bashkë me vëllazërinë tonë mbarëbotërore. (1 Pjet. 2:17) Gjithashtu, mezi pres të vëzhgoj nga qielli ringjalljen në tokë dhe, më në fund, të gjej babanë tim. Shpresoj që ai, mamaja dhe të afërm të tjerë të shtrenjtë të duan ta adhurojnë Jehovain në Parajsë.

Mezi pres të vëzhgoj nga qielli ringjalljen në tokë dhe, më në fund, të gjej babanë tim

^ par. 15 Shih jetëshkrimin e tyre në Kullën e Rojës të 1 nëntorit 1979, anglisht.

^ par. 27 Tani në vend të shërbëtorit të kongregacionit dhe të ndihmësshërbëtorit të kongregacionit, në çdo trup pleqsh caktohet një koordinator dhe një sekretar.