Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Të ndihmojmë bashkëbesimtarët e divorcuar—Si?

Të ndihmojmë bashkëbesimtarët e divorcuar—Si?

Ka të ngjarë të njohësh ndonjë të divorcuar, madje disa. Kjo sepse divorci është bërë si gripi. Për shembull, nga një studim në Poloni doli se ata që janë te të 30-at dhe që kanë 3-6 vjet martesë, ka shumë gjasa të divorcohen, dhe divorci nuk kufizohet te kjo grup-moshë.

Në fakt, sipas Institutit për Politikën Familjare në Spanjë «statistikat tregojnë se [në Evropë] gjysma e atyre që martohen, divorcohen». Në vende të tjera të zhvilluara vërehet një tablo e ngjashme.

DALLGË NDJENJASH KONTRADIKTORE

Çfarë përfshin kjo dukuri kaq e zakonshme? Një këshilltare martesash me përvojë në Evropën Lindore, vëren: «Divorci thjesht shpall zyrtarisht atë që tashmë ka ndodhur—prishjen e një lidhjeje dhe ndarjen që sjell kjo, diçka tepër e dhimbshme nga ana emocionale.» Ajo shton se kjo shpesh pasohet nga «stuhi ndjenjash të forta e të skajshme, si zemërim, keqardhje, zhgënjim, dëshpërim dhe turp». Si rrjedhojë, nganjëherë të divorcuarve u shkon mendja te vetëvrasja. «Kur divorci bëhet zyrtar në gjykatë, fillon faza tjetër. I mbytur nga ndjenjat e zbrazëtisë dhe të izolimit, i divorcuari mund të pyesë veten: ‘Tani që u divorcova, kush jam në të vërtetë? Ç’qëllim ka jeta ime?’»

Eva sjell ndër mend si ndihej disa vjet më parë: «S’dija ku të futesha nga turpi kur komshinjtë dhe kolegët më etiketuan ‘grua e ndarë’ pasi u divorcova përfundimisht. Isha tërë mllef. Kisha mbetur e vetme me dy fëmijë të vegjël, e duhej t’u bëhesha nënë e babë.» * Adami, që shërbeu 12 vjet si plak i respektuar, komenton: «E kam humbur kaq shumë respektin për veten, sa hera-herës vloj nga inati dhe më vjen të mos shoh njeri me sy.»

BETEJA PËR TË RIFITUAR EKUILIBRIN

Të pushtuar nga ankthi për të ardhmen, disa e kanë të vështirë të rifitojnë ekuilibrin, madje edhe vite pas divorcit. Mund të mendojnë se askujt nuk i bëhet vonë për ta. Për më tepër, siç thotë një gazetare për çështjet e divorcit, tani u duhet «të ndryshojnë zakonet dhe të mësojnë t’i përballojnë vetë problemet».

Stanislavi kujton: «Kur u divorcuam, ish-gruaja s’më lejonte t’i takoja dy vogëlushet e mia. Për pasojë ndihesha sikur askush nuk e çante më kokën për mua, madje sikur Jehovai më kishte braktisur. S’e doja më jetën. Me kohë kuptova sa shtrembër i shihja gjërat.» Edhe Vanda, një e divorcuar, ndihej tmerrësisht e pasigurt për të ardhmen.  Ajo thotë: «Isha e bindur se me kohë të tjerët, përfshirë edhe bashkëbesimtarët, nuk do të interesoheshin më për mua dhe fëmijët e mi. Megjithatë, tani e kuptoj se vëllezërit u bënë copë për ne dhe m’u gjendën pranë ndërsa përpiqesha t’i rritja fëmijët që të bëheshin adhurues të Jehovait.»

Nga komente të tilla dallohet se, pas divorcit, disa i mbytin ndjenjat negative. Mund t’u duket vetja një hiç dhe mendojnë se nuk janë të denjë për vëmendjen e të tjerëve. Përveç kësaj, mbase i shohin me sy kritik ata që i rrethojnë. Si pasojë, pjesëtarët e kongregacionit fillojnë t’u duken të ftohtë e zemërgur. Gjithsesi, përvoja si ato të Stanislavit dhe Vandës tregojnë se me kohë të divorcuarit mund ta kuptojnë se vëllezërit e motrat i kanë vërtet për zemër. Dhe në fakt, bashkëbesimtarët kanë bërë të pamundurën për t’i mbështetur, edhe pse ndihma e tyre në fillim nuk vërehej.

NDIHEN TË VETMUAR DHE TË HEDHUR POSHTË

Të mbajmë parasysh se, sado të përpiqemi ne, bashkëbesimtarët e divorcuar hera-herës mund t’i gllabërojë vetmia. Sidomos motrave të divorcuara mund t’u duket sikur shumica nuk interesohet për to. Alisja tregon: «Kanë kaluar tetë vjet që kur u divorcova. Akoma ndihem inferiore ndonjëherë. Në këto momente dua të rri vetëm, nuk i mbaj dot lotët dhe më vjen gjynah për veten.»

Edhe pse ndjenja të tilla janë të zakonshme për të divorcuarit, Bibla këshillon të mos izolohemi. Kush nuk e ndjek këtë këshillë, dalëngadalë mund të hedhë poshtë ‘gjithë mençurinë praktike’. (Prov. 18:1, shën.) Nga ana tjetër, dikush që ndihet i vetmuar duhet të kuptojë se është mençuri praktike të mos kërkojë vazhdimisht këshilla ose ngushëllim nga një i seksit tjetër. Kështu nuk ngjallen ndjenja romantike të papërshtatshme.

Bashkëbesimtarët e divorcuar mund t’i godasin dallgë ndjenjash të mundimshme, si për shembull, të jenë në ankth për të ardhmen ose të ndihen të vetmuar a të hedhur poshtë. Ne e kuptojmë se ndjenja të tilla janë normale dhe njëherazi të vështira për t’u kapërcyer, prandaj duhet të imitojmë Jehovain duke i përkrahur me besnikëri këta vëllezër e motra. (Psal. 55:22; 1 Pjet. 5:6, 7) Pa dyshim, çfarëdo që bëjmë për ta do të vlerësohet shumë. Sigurisht, në kongregacion ata do të ndiejnë mbështetjen e miqve të vërtetë.Prov. 17:17; 18:24.

^ par. 6 Disa emra janë ndryshuar.