Xhorxh Jangu shkoi në Rio-de-Zhanejro në mars 1923

ËSHTË viti 1923. Në sallën e koncerteve të Konservatorit të Teatrit dhe të Muzikës në San-Paulo s’ke ku hedh kokrrën e mollës. Dëgjohet zëri i shtruar i Xhorxh Jangut. Fjalimi i tij po përkthehet në portugalisht, fjali pas fjalie. Të 585 të pranishmit janë tërë sy e veshë! Në një ekran shfaqen shkrimet biblike në portugalisht. Si një mbyllje e bukur, shpërndahen njëqind kopje të broshurës Miliona që jetojnë tani nuk do të vdesin kurrë, në gjuhën portugeze, si edhe disa në anglisht, gjermanisht dhe italisht. Fjalimi është një sukses i vërtetë. Fjala për të merr dhenë. Dy mbrëmje më pas, salla është plot e përplot për një fjalim tjetër. Por çfarë u parapriu këtyre ngjarjeve?

Më 1867 Sara Bellona Fergusoni emigroi me familjen nga Shtetet e Bashkuara në Brazil. Në vitin 1899 Sara e kuptoi se kishte gjetur të vërtetën pasi lexoi ca literaturë biblike që kishte sjellë nga Shtetet e Bashkuara vëllai i vogël. Si lexuese e etur, u pajtua në Kullën e Rojës në anglisht. E prekur thellë nga mesazhi i Biblës, i shkroi vëlla Ç. T. Rasëllit, duke e përshkruar veten si «provë e gjallë se askush nuk është tepër larg për të dëgjuar lajmin e mirë».

A mund të flasin të gjallët me të vdekurit? (portugalisht)

Sara Fergusoni u mundua me mish e me shpirt t’u jepte të vërtetën biblike të tjerëve, por shpesh e brente meraku se kush do ta ndihmonte më tej atë, familjen e saj dhe gjithë njerëzit e mirë në Brazil. Më 1912 Betheli i Bruklinit e njoftoi se në San-Paulo do të shkonte dikush që do të çonte mijëra fletushka në portugalisht me titull Ku janë të vdekurit? Kurse në 1915-n Sara tha se gjithmonë i ishte dukur e çuditshme që shumë Studentë të Biblës pritnin të merreshin në qiell së shpejti. E shprehu mendimin e saj në një letër, ku shkruante: «Po ç’do të bëhet me Brazilin dhe gjithë Amerikën e Jugut?  . . . Kur mendon që Amerika e Jugut është një pjesë goxha e madhe e botës, s’do shumë mend ta kuptosh se ka akoma punë në korrje.» E vërtet, do të bëhej shumë më tepër punë në korrje!

Aty nga viti 1920, ndërsa pritnin të riparohej luftanija e tyre, tetë marinarë të rinj brazilianë ndoqën disa mbledhje kongregacioni në qytetin e Nju-Jorkut. Me t’u kthyer në Rio-de-Zhanejro, u folën të tjerëve për shpresën që sapo kishin mësuar nga Bibla. S’kaloi shumë dhe në mars 1923, Xhorxh Jangu, që ishte pelegrin ose mbikëqyrës udhëtues, shkoi në atë qytet dhe gjeti të interesuar. Ai mori masa të përktheheshin në portugalisht disa botime. Pak më vonë vëlla Jangu vajti në San-Paulo, qytet që atëherë kishte rreth 600.000 banorë. Atje, siç u përmend në hyrje të artikullit, mbajti fjalimin dhe u shpërndanë broshurat Miliona. Ai raportoi: «Ngaqë isha vetëm fare, varesha plotësisht nga njoftimet në gazeta.» Siç shtoi më pas, ato ishin «fjalimet e para të njoftuara në gazeta që u mbajtën në emër të IBSA-s në Brazil». *

Shkrimet biblike shfaqeshin në një ekran gjatë fjalimeve të vëlla Jangut

Në një raport për Brazilin në Kullën e Rojës të 15 dhjetorit 1923 komentohej: «Kur mendon se atje vepra filloi jo më parë se 1 qershori dhe s’kishte fare literaturë, mbetesh pa fjalë se si e ka bekuar Zotëria.» Më tej në raport thuhej se fjalimet publike të vëlla Jangut në San-Paulo ishin 2 nga 21 fjalimet që mbajti nga 1 qershori deri më 30 shtator. Në to morën pjesë 3.600 veta gjithsej. Në Rio-de-Zhanejro po përhapej mesazhi për Mbretërinë. Vetëm brenda pak muajsh, u shpërndanë mbi 7.000 botime në portugalisht! Për më tepër, që nga numri nëntor/dhjetor 1923 në gjuhën portugeze filloi të botohej Kulla e Rojës.

Sara Bellona Fergusoni, e para në Brazil që u pajtua në Kullën e Rojës në anglisht

Xhorxh Jangu i bëri një vizitë Sara Fergusonit, dhe në Kullën e Rojës raportohej: «Motra erdhi në sallon dhe për njëfarë kohe mbeti pa fjalë. I kapi dorën vëlla Jangut, s’ia shqiste sytë dhe në fund i tha: ‘Pelegrin prej vërteti je?’» S’kaloi shumë dhe ajo bashkë me disa nga fëmijët e saj u pagëzuan. Në fakt, kishte pritur 25 vjet që të pagëzohej! Kulla e Rojës e 1 gushtit 1924 thoshte se në Brazil u pagëzuan 50 veta, kryesisht në Rio-de-Zhanejro.

Tani, rreth 90 vjet më vonë, s’ka pse të pyesim: «Po ç’do të bëhet me Brazilin dhe gjithë Amerikën e Jugut?» Në Brazil ka mbi 760.000 Dëshmitarë të Jehovait që predikojnë lajmin e mirë. Dhe anembanë Amerikës së Jugut mesazhi për Mbretërinë po shpallet tani në portugalisht, spanjisht e në mjaft gjuhë indigjene. Ishte e drejtë ajo që tha Sara Fergusoni më 1915. ‘Kishte akoma punë në korrje.’—Nga arkivat tanë në Brazil.

^ par. 6 IBSA është shkurtimi për Shoqërinë Ndërkombëtare të Studentëve të Biblës.