Bashkë me nusen, Evelinën, zbritëm nga treni në qytetin e Hornpejnit në zonat e egra të Ontarios Veriore, Kanada. Ishte mëngjes herët dhe bënte acar. Në stacion na priti një vëlla vendës. Pasi hëngrëm një mëngjes të bollshëm me të, gruan e tij dhe të birin, çamë përmes borës, duke dëshmuar shtëpi më shtëpi. Atë pasdite mbajta fjalimin e parë publik si mbikëqyrës qarkor. Ishim vetëm ne të pesë; nuk erdhi askush tjetër.

TË THEM të drejtën, s’e kisha problem që ishin aq pak të pranishëm në atë fjalim më 1957. Gjithmonë kam qenë tip tepër i ndrojtur. Ç’është e vërteta, kur isha i vogël, fshihesha sa herë na vinin miq, edhe nëse i njihja.

Prandaj mund të habiteni po t’ju them se në shumicën e caktimeve në organizatën e Jehovait më është dashur të komunikoj me shumë veta—miq a të panjohur. Megjithatë, kam luftuar pareshtur me ndrojtjen dhe pasigurinë te vetja. Ndaj, nëse kam pasur ndonjë sukses në këto caktime, nuk është merita ime. Kam parë sa i vërtetë është premtimi i Jehovait: «Unë do të të jap forcë e do të të ndihmoj. Unë do të të mbaj fort me të djathtën time të drejtësisë.» (Isa. 41:10) Një nga mënyrat kryesore si më ka ndihmuar Jehovai ka qenë mbështetja e bashkëbesimtarëve. Po ju tregoj për disa prej tyre, duke nisur që nga fëmijëria.

GRUAJA ME BIBËL DHE BLLOK TË VOGËL TË ZI

Në fermën tonë në Ontarion Jugperëndimore

Një mëngjes të kthjellët të diele në vitet 40, në fermën tonë në jugperëndim të Ontarios na vizitoi Elsi Hantinfordi. Derën e hapi mamaja, kurse babai, që ishte i ndrojtur si puna ime, ndenji brenda me mua  dhe dëgjonte. Duke pandehur se motra Hantinford ishte shitëse dhe nga meraku se mos mamaja blinte ndonjë gjë koti, babai më në fund doli te dera për të thënë se s’na interesonte. «Si?! Nuk ju intereson të studioni Biblën?»—pyeti motra Hantinford. Babai ia ktheu: «Ç’thua! Kjo po që na intereson!»

Ajo erdhi tamam në momentin e duhur. Prindërit e mi kishin qenë shumë të angazhuar në Kishën e Bashkuar të Kanadasë, por së fundi kishin vendosur të mos shkonin më. Pse? Ngaqë pastori ngjiste në hyrje të kishës një listë me emrat e atyre që bënin kontribute, të renditur sipas shumës që kishin dhënë. Prindërit e mi, që nuk ishin edhe aq në gjendje, zakonisht ishin nga fundi i listës, dhe pleqtë e kishës u bënin presion të jepnin më tepër. Përveç kësaj, një pastor tjetër rrëfeu se mësonte gjëra që për vete nuk i besonte, nga frika se mos e pushonin. Prandaj, familjarisht u larguam nga kisha, por akoma e ndienim nevojën për të adhuruar Perëndinë.

Në atë kohë vepra e Dëshmitarëve të Jehovait në Kanada ishte e ndaluar. Prandaj, motër Hantinfordi e drejtonte studimin me familjen tonë vetëm me Biblën dhe me ca shënime në një bllok të vogël të zi. Më vonë, pasi u bind se nuk do ta spiunonim tek autoritetet, na solli literaturë biblike. I fshihnim me kujdes botimet sa herë që mbaronim studimin. *

Prindërit përqafuan të vërtetën, dhe u pagëzuan më 1948

Pavarësisht nga kundërshtimi dhe pengesat e tjera, motër Hantinfordi e predikonte me zell lajmin e mirë. Zelli i saj më la mbresa dhe më nxiti ta pranoja pa rezerva të vërtetën. Më 27 shkurt 1949, një vit pasi u pagëzuan prindërit si Dëshmitarë të Jehovait, e simbolizova edhe unë kushtimin ndaj Perëndisë. U pagëzova në një koritë teneqeje ku bujqit i jepnin ujë bagëtisë. Isha 17 vjeç. E kisha ndarë mendjen që pas pagëzimit të filloja shërbimin në kohë të plotë.

JEHOVAI MË NDIHMOI TË ISHA GUXIMTAR

U habita kur më ftuan në Bethel më 1952

Ngurroja ta filloja menjëherë shërbimin si pionier. Për njëfarë kohe punova në një bankë dhe në një zyrë, pasi i kisha mbushur mendjen vetes se duhej të fitoja ca para që të mbaja veten si  pionier. Megjithatë, si i ri i papërvojë, me të marrë rrogën, e bëja rrush e kumbulla. Kështu, një vëlla, Ted Sarxhenti, më nxiti të isha guximtar dhe të besoja te Jehovai. (1 Kron. 28:10) Falë asaj shtyse të butë, nisa të shërbeja si pionier në nëntor 1951. Kisha vetëm 40 dollarë, një biçikletë të përdorur dhe një çantë shërbimi të re. Por, Jehovai gjithmonë u kujdes që të kisha ç’më nevojitej. Sa mirënjohës i jam Tedit që më nxiti të hyja në radhët e pionierëve! Kjo u hapi derën bekimeve të mëtejshme.

Një mbrëmje nga fundi i gushtit 1952, më telefonuan nga Toronto. Zyra e degës e Dëshmitarëve të Jehovait në Kanada, më ftonte të filloja shërbimin në Bethel në shtator. Ndonëse isha i ndrojtur dhe s’e kisha vizituar kurrë zyrën e degës, isha shumë entuziast, pasi pionierët e tjerë më kishin treguar gjëra të bukura për Bethelin. E vërtet, atje u ndjeva menjëherë si në shtëpi.

«TREGOJU VËLLEZËRVE SE I KE PËR ZEMËR»

Dy vjet pasi vajta në Bethel, më caktuan të zëvendësoja Bill Jekosin si shërbëtor kongregacioni (sot quhet koordinator i trupit të pleqve) në Njësinë e Shosë në Toronto. * Isha vetëm 23 vjeç dhe ndihesha si një djalosh fshati naiv. Mirëpo, vëlla Jekosi më stërviti me përulësi e dashuri. Dhe Jehovai më ndihmoi vërtet.

Jekosi, një vëlla i bëshëm dhe përherë buzagaz, interesohej për njerëzit. I kishte për zemër vëllezërit dhe ata e donin. U shkonte shpesh për vizitë, jo vetëm kur kishin probleme. Bill Jekosi më inkurajoi të bëja edhe unë ashtu e të predikoja krah për krah vëllezërve e motrave. Ai më tha: «Ken, tregoju vëllezërve se i ke për zemër. Kjo do të mbulojë një shumicë të metash.»

IME SHOQE SHFAQ DASHURI BESNIKE

Që nga janari i vitit 1957 Jehovai më ka ndihmuar në një mënyrë speciale. Atë muaj u martova me Evelinën, e cila kishte ndjekur klasën e 14-të të Shkollës së Galaadit. Para se të martoheshim, ajo kishte shërbyer në provincën frëngjishtfolëse të Kuebekut ku, në shumicën e rasteve, bënte ligjin Kisha Katolike. Pra, Evelina kishte një caktim tepër të vështirë, por qëndroi besnike në caktim dhe ndaj Jehovait.

Evelina dhe unë u martuam në vitin 1957

Ajo më qëndroi besnike edhe mua. (Efes. 5:31) Në fakt, besnikëria e saj u vu në provë fill pas martesës. Kishim planifikuar të shkonim me pushime në Florida, SHBA, por ditën pas dasmës, dega më kërkoi të ndiqja një mbledhje njëjavore në Bethelin e Kanadasë. Kuptohet që ajo mbledhje na prishi planet, por donim të bënim gjithçka që na kërkonte Jehovai. Kështu, anuluam muajin e mjaltit. Gjatë asaj jave Evelina doli në shërbim afër zyrës së degës. Edhe pse territori ishte krejt ndryshe nga Kuebeku, ajo nuk hoqi dorë.

Në fund të javës pata një surprizë: më caktuan mbikëqyrës qarkor në Ontarion Veriore. Isha i sapomartuar, vetëm 25 vjeç dhe fare pa përvojë,  megjithatë morëm rrugën me besim të plotë te Jehovai. Kur në Kanada ishte palca e dimrit, hipëm në një tren që udhëtonte natën, bashkë me disa mbikëqyrës udhëtues me përvojë që po ktheheshin në caktimet e tyre. Sa shumë na dhanë zemër! Madje, një vëlla këmbënguli të zinim vendin që kishte prenotuar për vete në vagonin e gjumit, që të mos rrinim ulur tërë natën. Të nesërmen në mëngjes, vetëm 15 ditë pas dasmës, mbërritëm në Hornpejn për të vizituar grupin e vogël atje, siç tregova në fillim.

Por na pritnin edhe ndryshime të tjera. Teksa shërbenim në veprën krahinore në fund të vitit 1960, më ftuan të ndiqja klasën e 36-të të Shkollës së Galaadit, një kurs dhjetëmujor që do të niste në fillim të shkurtit 1961 në Bruklin, Nju-Jork. S’diskutohet që u kënaqa jashtë mase, mirëpo gëzimi m’u venit disi ngaqë Evelina nuk ishte e ftuar. Ashtu si gratë e tjera në pozitën e saj, i kërkuan të shkruante një letër ku thoshte se ishte e gatshme të rrinim larg njëri-tjetrit, të paktën për dhjetë muaj. Evelina u përlot, por ishim në një mendje se duhej të ndiqja shkollën dhe ishte e lumtur që do të merrja një stërvitje të vyer në Galaad.

Gjatë asaj periudhe Evelina shërbeu në zyrën e degës të Kanadasë. Pati privilegjin e veçantë të kishte shoqe dhome një motër të shtrenjtë të mirosur, Margaret Lovellin. Patjetër që na merrte malli shumë për njëri-tjetrin, por me ndihmën e Jehovait u mësuam me caktimet tona të përkohshme. Më preku thellë gatishmëria e sime shoqeje për të sakrifikuar kohën tonë si çift, që të ishim më të dobishëm për Jehovain dhe organizatën e tij.

Pas afro tre muajsh në Galaad, vëlla Nejthën Nori, që atëherë merrte drejtimin në veprën mbarëbotërore, më bëri një ftesë të jashtëzakonshme. Më pyeti nëse isha i gatshëm ta ndërpritja menjëherë Shkollën e Galaadit dhe të kthehesha në Kanada, për të shërbyer përkohësisht si instruktor i Shkollës së Shërbimit të Mbretërisë në zyrën e degës. Vëlla Nori më tha se nuk isha i detyruar ta pranoja ftesën. Po të doja, mund të mbaroja Shkollën e Galaadit, e pastaj ndoshta do të më caktonin misionar. Gjithashtu, më tha se po të vendosja të kthehesha në Kanada, mund të mos më ftonin më kurrë në Galaad, dhe me kohë kishte të ngjarë të më caktonin sërish në shërbimin në fushë në Kanada. Më tha se e kisha në dorë vetë të vendosja, pasi të flitja me gruan.

Ngaqë e dija mirë si i shihte Evelina caktimet teokratike, i thashë menjëherë vëlla Norit: «Çfarëdo që na kërkon organizata e Jehovait, e bëjmë me kënaqësi.» Kemi menduar gjithmonë se, pavarësisht nga parapëlqimet tona, duhej të shkonim kudo që na caktonte organizata e Jehovait.

Prandaj, në prill të vitit 1961, ika nga Bruklini dhe u ktheva në Kanada që të jepja mësim në  Shkollën e Shërbimit të Mbretërisë. Më vonë, nisëm të shërbenim si pjesëtarë të familjes Bethel. Pastaj, për habinë time, më ftuan të ndiqja klasën e 40-të të Galaadit, që do të fillonte më 1965. Sërish Evelina duhej të shkruante një letër ku binte dakord që të rrinim larg. Por çfarë gëzimi provuam kur pak javë më vonë edhe atë e ftuan të ndiqte shkollën bashkë me mua.

Pasi mbërritëm në Shkollën e Galaadit, vëlla Nori na tha se ne studentët e regjistruar në klasat e gjuhës frënge do të dërgoheshim në Afrikë. Megjithatë, gjatë programit të diplomimit u caktuam prapë në Kanada. Mua më emëruan mbikëqyrës dege (tani koordinator i Komitetit të Degës). Isha vetëm 34 vjeç, prandaj i kujtova vëlla Norit: «Jam goxha i ri!» Por, ai më dha zemër. Dhe me të marrë caktimin, para vendimeve të rëndësishme, përpiqesha të këshillohesha me vëllezër në Bethel që ishin më të mëdhenj e me më shumë përvojë.

BETHELI—NJË VEND PËR TË MËSUAR VETEN DHE TË TJERËT

Shërbimi në Bethel më ka dhënë mundësi fantastike të mësoja nga të tjerët. I respektoj dhe i admiroj anëtarët e tjerë të Komitetit të Degës. Kam fituar goxha edhe nga qindra të krishterë të shkëlqyer, burra e gra, të rinj e të moshuar, që kemi njohur gjatë jetës këtu në degë dhe në kongregacionet e ndryshme ku kemi shërbyer.

Duke drejtuar adhurimin e mëngjesit për familjen Bethel në Kanada

Shërbimi në Bethel më ka dhënë mundësi edhe të mësoj të tjerët e t’u forcoj besimin. Apostulli Pavël i tha Timoteut: «Vazhdo në gjërat që mësove.» Gjithashtu i tha: «Gjërat që dëgjove nga unë, në prani të shumë dëshmitarëve, besojua njerëzve të besueshëm, të cilët pastaj duhet të jenë të kualifikuar aq sa duhet për të mësuar edhe të tjerë.» (2 Tim. 2:2; 3:14) Nganjëherë vëllezërit më pyesin çfarë kam mësuar gjatë 57 viteve të shërbimit në Bethel. U them thjesht: «Bëje me gatishmëri dhe pa vonesë atë që të kërkon organizata e Jehovait, duke u mbështetur tek ai.»

Më duket si dje dita kur mbërrita në Bethel si një djalosh i ndrojtur dhe pa përvojë. Por, tërë këto vite Jehovai ‘më ka kapur nga dora e djathtë’. Veçanërisht me anë të dashamirësisë dhe të ndihmës tamam në kohë nga bashkëbesimtarët, ai vazhdon të më sigurojë: «Mos ki frikë, se unë do të të ndihmoj.»—Isa. 41:13.

^ par. 10 Më 22 maj 1945 qeveria kanadeze hoqi ndalimin për veprën tonë.

^ par. 16 Në atë kohë, nëse një qytet kishte më shumë se një kongregacion, çdo kongregacion më vete quhej njësi.