Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Jehovai është Perëndi i organizimit

Jehovai është Perëndi i organizimit

«Perëndia nuk është një Perëndi i çrregullimit, por i paqes.»1 KOR. 14:33.

1, 2. (a) Cila ishte krijesa e parë e Jehovait, dhe për çfarë e përdori ai? (b) Nga kuptohet se engjëjt janë të organizuar?

JEHOVAI, Krijuesi i universit, i bën gjërat në mënyrë të organizuar. Krijesa e parë ishte Biri frymor i vetëmlindur i cili quhet «Fjala», ngaqë është zëdhënësi i Tij kryesor. Fjala i ka shërbyer Jehovait për epoka të tëra, pasi Bibla thotë: «Në fillim ishte Fjala, dhe Fjala ishte me Perëndinë.» Më tej, lexojmë: «Të gjitha gjërat erdhën në jetë nëpërmjet tij [Fjalës], dhe pa të nuk erdhi në jetë asgjë.» Pak më shumë se 2.000 vjet më parë, Perëndia e dërgoi Fjalën në tokë, ku me besnikëri bëri vullnetin e të Atit si njeriu i përsosur Jezu Krisht.—Gjoni 1:1-3, 14.

2 Para se të vinte në tokë si njeri, Biri i Perëndisë shërbeu besnikërisht si ‘kryemjeshtri’ i Tij. (Prov. 8:30) Me anë të Jezuit, Jehovai solli në jetë miliona e miliona krijesa të tjera frymore në qiell. (Kolos. 1:16) Ja ç’thotë për këta engjëj një tregim biblik: «Një mijë mijëra i shërbenin [Jehovait] dhe dhjetë mijë herë dhjetë mijë qëndronin pikërisht përpara tij.» (Dan. 7:10) Krijesat e shumta frymore të Perëndisë quhen në Shkrime «ushtritë» e mirorganizuara të Jehovait.—Psal. 103:21.

3. Sa i madh është numri i yjeve e planetëve, dhe si janë organizuar?

 3 Ç’mund të themi për krijimin fizik, si yjet dhe planetët e panumërt? Një artikull në gazetën Chronicle të Hjustonit, Teksas, flet për një studim të kohëve të fundit, sipas të cilit numri i yjeve mund të jetë «300 sekstilionë, ose tri herë më shumë nga ç’mendonin më parë shkencëtarët». Artikulli sqaron: «Ky numër është 3 me 23 zero nga pas. Ose me fjalë të tjera 3 trilionë shumëzuar me 100 miliardë.» Yjet janë organizuar në galaktika, ku secila përmban miliarda ose edhe triliona yje, dhe sa e sa planetë. Pastaj, shumica e galaktikave janë organizuar bashkë me të tjera në grumbuj ose supergrumbuj.

4. Pse është e arsyeshme të nxjerrim përfundimin se shërbëtorët e Perëndisë në tokë do të ishin të organizuar?

4 Ashtu si engjëjt e drejtë në qiell, edhe qiejt fizikë janë organizuar si s’ka më mirë. (Isa. 40:26) Ndaj është logjike të nxjerrim përfundimin se Jehovai do t’i organizonte edhe shërbëtorët e tij në tokë. Do që ata t’i bëjnë gjërat gjithnjë me rregullsi, dhe kjo është jetësore, sepse merren me sa e sa punë të rëndësishme. Historia e shkëlqyer e shërbimit besnik të adhuruesve të Jehovait, qoftë në të kaluarën, qoftë sot, dëshmon fuqishëm se ai ka qenë me ta dhe se «nuk është një Perëndi i çrregullimit, por i paqes».—Lexo 1 Korintasve 14:33, 40.

POPULLI I ORGANIZUAR I PERËNDISË NË LASHTËSI

5. Pse u ndërpre organizimi praktik i Jehovait për tokën?

5 Kur Jehovai krijoi njerëzit e parë, u tha: «Jini të frytshëm, shumohuni dhe mbusheni tokën e sundojeni, mbani të nënshtruar peshqit e detit, krijesat fluturuese të qiejve dhe çdo krijesë të gjallë që lëviz në tokë.» (Zan. 1:28) Qëllimi i tij ishte që familja njerëzore të shtohej në mënyrë të organizuar, gjersa të popullonte tokën e ta shtrinte Parajsën anekënd globit. Ky organizim praktik u ndërpre përkohësisht për shkak të mosbindjes së Adamit dhe të Evës. (Zan. 3:1-6) Me kohë «Jehovai pa që e keqja e njeriut ishte e madhe në tokë, dhe çdo prirje e mendimeve të zemrës së tij ishte e keqe gjithë kohën». Si pasojë, «toka u prish para syve të Perëndisë së vërtetë dhe u mbush me dhunë». Prandaj, Perëndia vendosi të sillte një përmbytje globale që do të shkatërronte të paperëndishmit.—Zan. 6:5, 11-13, 17.

6, 7. (a) Pse Noeja gjeti hir para Jehovait? (Shih figurën hapëse.) (b) Çfarë u ndodhi gjithë të pabesëve në kohën e Noesë?

6 Megjithatë, «Noeja gjeti hir në sytë e Jehovait», sepse «ishte njeri i drejtë» dhe «i patëmetë mes bashkëkohësve të tij». Meqë «Noeja eci me Perëndinë e vërtetë», Jehovai e udhëzoi të ndërtonte një arkë gjigante. (Zan. 6:8, 9, 14-16) Ajo ishte projektuar më së miri që njerëz e kafshë të mos zhdukeshin krejt. I bindur, «Noeja veproi në përputhje me të gjitha ato që i urdhëroi Jehovai», dhe me bashkëpunimin e familjes e mbaroi projektin në mënyrë të organizuar. Pasi krijesat u futën në arkë, «Jehovai e mbylli derën».—Zan. 7:5, 16.

7 Më 2370 p.e.s., kur ndodhi Përmbytja, Jehovai «shoi çdo gjë që ekzistonte në sipërfaqe të tokës», por mbrojti Noenë besnik dhe familjen e tij, që ishin brenda arkës. (Zan. 7:23) Çdokush në tokë sot është pasardhës i Noesë, bijve të tij dhe grave të tyre. Por, gjithë të pabesët jashtë arkës vdiqën, sepse nuk donin t’ia dinin për mesazhin e Noesë, ‘predikuesit të drejtësisë’.—2 Pjet. 2:5.

Falë organizimit të mirë, tetë veta mbijetuan nga Përmbytja (Shih paragrafët 6, 7.)

8. Nga kuptohet se në Izrael kishte organizim të mirë kur Perëndia urdhëroi popullin e tij të hynte në Tokën e Premtuar?

 8 Më se tetë shekuj pas Përmbytjes, Perëndia i organizoi izraelitët dhe i bëri një komb. Ky organizim i mirë do të prekte çdo aspekt të jetës së tyre, sidomos adhurimin. Për shembull, përveç priftërinjve dhe levitëve të shumtë, në Izrael kishte edhe ‘gra që shërbenin në mënyrë të organizuar në hyrje të tendës së takimit’. (Dal. 38:8) Megjithatë, kur Perëndia Jehova e urdhëroi popullin e Izraelit të hynte në Kanaan, ai brez u tregua i pabesë. Prandaj, Jehovai u tha: «Përveç Kalebit, birit të Jefunehut, dhe Josiut, birit të Nunit, asnjë nga ju nuk do të hyjë në vendin për të cilin u betova duke ngritur dorën se do të banoja bashkë me ju.» Kjo sepse ata dy burra dhanë një raport të mirë pasi vëzhguan Tokën e Premtuar. (Num. 14:30, 37, 38) Sipas drejtimit të Perëndisë, më vonë Moisiu caktoi si pasues të tij Josiun. (Num. 27:18-23) Pak para se Josiu t’u printe izraelitëve për në Kanaan, Jehovai i tha: «Ji i fortë dhe guximtar. Mos u trondit e mos u tremb, sepse unë Jehovai, Perëndia yt, do të jem me ty kudo që të shkosh.»—Jos. 1:9.

9. Si ndihej Rahaba për Jehovain dhe popullin e tij?

9 Perëndia Jehova vërtet ishte me Josiun kudo që shkonte. Për shembull, të shohim çfarë ndodhi në kohën kur izraelitët kishin fushuar afër qytetit kananit të Jerikosë. Në vitin 1473 p.e.s. Josiu dërgoi dy zbulues që të hetonin Jerikonë, ku takuan prostitutën Rahabë. Ajo i fshehu në tarracën e shtëpisë, ngaqë të dërguarit e mbretit të Jerikosë donin t’i zinin rob. Më pas u tha zbuluesve izraelitë: «Unë e di se Jehovai ka për t’jua dhënë vendin . . . sepse kemi dëgjuar se si Jehovai thau ujërat e Detit të Kuq para jush . . . dhe se çfarë u bëtë dy mbretërve të amoritëve.» Pastaj shtoi: «Jehovai, Perëndia juaj, është Perëndi atje lart në qiej dhe këtu poshtë në tokë.» (Jos. 2:9-11) Ngaqë Rahaba mori anën e organizatës  së Jehovait në atë kohë, Perëndia u sigurua që asaj dhe njerëzve të shtëpisë t’u kursehej jeta kur izraelitët pushtuan Jerikonë. (Jos. 6:25) Rahaba tregoi besim, kishte nderim të thellë për Jehovain dhe respektoi popullin e tij.

NJË ORGANIZATË PLOT GJALLËRI NË SHEKULLIN E PARË

10. Çfarë u tha Jezui krerëve fetarë judenj në ditët e tij, dhe pse?

10 Me Josiun në ballë, populli i Izraelit mori njëri pas tjetrit qytetet e Kanaanit dhe pushtoi gjithë vendin. Por ç’ndodhi më vonë? Me kalimin e shekujve, izraelitët i shkelën vazhdimisht ligjet e Perëndisë. Kur Jehovai dërgoi në tokë të Birin, mosbindja e tyre ndaj Atit dhe zëdhënësve të tij ishte aq e theksuar, sa Jezui e quajti Jerusalemin ‘vrasës të profetëve’. (Lexo Mateun 23:37, 38.) Perëndia i hodhi poshtë krerët fetarë judenj për pabesi ndaj tij. Prandaj, Jezui u tha: «Mbretëria e Perëndisë do t’ju merret dhe do t’i jepet një kombi që prodhon frytet e saj.»—Mat. 21:43.

11, 12. (a) Ç’gjë tregon se në shekullin e parë bekimet e Jehovait nuk derdheshin më mbi kombin jude, por mbi një organizatë tjetër? (b) Nga cilët përbëhej organizata e re që kishte miratimin e Perëndisë?

11 Në shekullin e parë të e.s. Jehovai e flaku tej kombin e pabesë të Izraelit. Megjithatë, kjo s’do të thoshte se Perëndia do të mbetej pa një organizatë me shërbëtorë besnikë në tokë. Tani Jehovai do t’i derdhte bekimet mbi një organizatë të re plot gjallëri, që kishte si bosht Jezu Krishtin dhe mësimet e tij. Ajo u themelua në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s. Në atë rast, rreth 120 dishepuj të Jezuit ishin mbledhur në një vend në Jerusalem kur «befas nga qielli u dëgjua një zhurmë si ajo e një ere të furishme, dhe mbushi gjithë shtëpinë». Pastaj «atyre iu shfaqën gjuhë si prej zjarri, të cilat u shpërndanë e qëndruan mbi secilin prej tyre. Atëherë të gjithë u mbushën me frymë të shenjtë dhe nisën të flitnin në gjuhë të ndryshme, ashtu si fryma i bënte të shpreheshin». (Vep. 2:1-4) Kjo ngjarje mahnitëse ishte provë e pamohueshme se Jehovai e mbështeste organizatën e re, e cila përbëhej nga dishepujt e Krishtit.

12 Atë ditë të paharruar, dishepujve të Jezuit iu «shtuan rreth tre mijë shpirt». Për më tepër, «Jehovai bashkonte përditë me ta, ata që hynin në rrugën e shpëtimit». (Vep. 2:41, 47) Aq sukses pati vepra e atyre predikuesve në shekullin e parë, sa «fjala e Perëndisë përhapej, dhe numri i dishepujve në Jerusalem shtohej gjithnjë e më shumë». Madje, «edhe shumë priftërinj u kthyen në besim». (Vep. 6:7) Pra, plot njerëz të sinqertë përqafuan të vërtetat që shpallnin pjesëtarët e asaj organizate të re. Më vonë Jehovai dha dëshmi të ngjashme se i mbështeste kur filloi të fuste në kongregacionin e krishterë «njerëz nga kombet».—Lexo Veprat 10:44, 45.

13. Cilën vepër bënte organizata e re e Perëndisë?

13 S’kishte pikë dyshimi se cilën vepër u kishte caktuar Perëndia dishepujve të Krishtit. Vetë Jezui u la shembullin, sepse fill pas pagëzimit, nisi të predikonte për ‘mbretërinë e qiejve’. (Mat. 4:17) Jezui i mësoi dishepujt të bënin të njëjtën vepër. U tha: «Do të jeni dëshmitarët e mi në Jerusalem, në mbarë Judenë, në Samari e deri në skajin më të largët të tokës.» (Vep. 1:8) Dishepujt e hershëm të Krishtit e kuptuan fare mirë ç’kërkohej prej tyre. Për shembull, në Antioki të Pisidisë, Pavli dhe Barnaba pa iu trembur syri u thanë kundërshtarëve judenj: «Fjala e Perëndisë duhej  t’ju thuhej më parë juve. Por meqë po e hidhni poshtë e nuk e quani veten të denjë për jetën e përhershme, ja, ne po shkojmë te kombet. Në të vërtetë, Jehovai na urdhëroi me këto fjalë: ‘Të kam caktuar si dritë të kombeve, që të çosh shpëtimin deri në skajet e tokës.’» (Vep. 13:14, 45-47) Që nga shekulli i parë, pjesa tokësore e organizatës së Perëndisë ka shpallur botërisht masën e tij për të shpëtuar njerëzimin.

SHUMË VDESIN, POR SHËRBËTORËT E PERËNDISË MBIJETOJNË

14. Çfarë i ndodhi Jerusalemit në shekullin e parë, por cilët mbijetuan?

14 Judenjtë në përgjithësi nuk e pranuan lajmin e mirë dhe i priste gjëma, ngaqë Jezui i kishte paralajmëruar dishepujt: «Kur ta shikoni Jerusalemin të rrethuar nga ushtritë e fushuara, atëherë dijeni se shkretimi i tij është afruar. Atëherë ata në Jude le të fillojnë të ikin në male, ata që janë brenda qytetit, të largohen, dhe ata që janë në fshatra, të mos hyjnë në qytet.» (Luka 21:20, 21) Ndodhi tamam siç kishte parathënë Jezui. Për shkak të një kryengritjeje të judenjve, më 66 të e.s. ushtria romake me Cest Galin në krye, rrethoi Jerusalemin. Mirëpo, forcat ushtarake u tërhoqën befas, dhe kjo u dha mundësi dishepujve të Jezuit të iknin nga Jerusalemi dhe Judea. Sipas historianit Euseb, shumë kaluan lumin Jordan dhe shkuan në qytetin e Pelesë në Pere. Më 70 të e.s. ushtria romake nën komandën e gjeneral Titit u kthye dhe rrafshoi Jerusalemin. Sidoqoftë, të krishterët besnikë mbijetuan, sepse i vunë veshin paralajmërimit të Jezuit.

15. Pavarësisht nga cilat vështirësi u përhap krishterimi?

15 Edhe pse dishepujt e Krishtit i mundonin halle, përndjekje dhe kaluan prova të tjera besimi, krishterimi u përhap jashtëzakonisht në shekullin e parë. (Vep. 11:19-21; 19:1, 19, 20) Ata të krishterë të hershëm lulëzuan frymësisht falë bekimit të Perëndisë.—Prov. 10:22.

16. Ç’duhej të bënte çdo i krishterë që të ecte mirë frymësisht?

16 Që të ecte mirë frymësisht, çdo i krishterë pa përjashtim duhej të bënte përpjekje. Studimi serioz i Shkrimeve, pjesëmarrja e rregullt në mbledhjet për adhurim dhe predikimi me zell për Mbretërinë ishin të domosdoshme. Aktivitete të tilla ndikonin për mirë te shëndeti frymor dhe uniteti i popullit të Jehovait në atë kohë, siç ndodh edhe sot. Vëllezërit në kongregacionet e hershme të organizuara mirë nxirrnin shumë dobi nga gatishmëria dhe puna e dashur e mbikëqyrësve dhe shërbëtorëve ndihmës. (Filip. 1:1; 1 Pjet. 5:1-4) E të mendosh ç’kënaqësi duhet të ketë qenë kur pleqtë udhëtues, si Pavli, vizitonin kongregacionet! (Vep. 15:36, 40, 41) Bien në sy ngjashmëritë mes adhurimit tonë dhe atij të të krishterëve në shekullin e parë. Sa shumë e falënderojmë Jehovain që i ka organizuar shërbëtorët e tij si atëherë, edhe sot! *

17. Ç’do të shqyrtohet në artikullin tjetër?

17 Në këto ditë të fundit, ndërsa bota e Satanait është në prag të shfarosjes, pjesa tokësore e organizatës universale të Jehovait po përparon me një shpejtësi që sa vjen e shtohet. Po ti, a po ecën në një hap me të? A vazhdon të përparosh frymësisht? Në artikullin tjetër do të tregohet si ta bësh këtë.

^ par. 16 Shih artikujt «Të krishterët adhurojnë me frymë dhe të vërtetë» dhe «Ata vazhdojnë të ecin në të vërtetën» në Kullën e Rojës të 15 korrikut 2002. Për pjesën tokësore të organizatës së Perëndisë në ditët tona flitet gjerësisht në librin Dëshmitarët e Jehovait: Lajmëtarë të Mbretërisë së Perëndisë, anglisht.