«Me anë të besimit, Moisiu, kur u rrit, nuk pranoi të quhej biri i bijës së faraonit.»HEBR. 11:24.

1, 2. (a) Çfarë vendimi mori Moisiu në moshën 40-vjeçare? (Shih figurën hapëse.) (b) Pse Moisiu zgjodhi të keqtrajtohej me popullin e Perëndisë?

MOISIU e dinte fare mirë çfarë perspektive kishte në Egjipt. Shihte vilat madhështore të të pasurve. Ishte pjesëtar i familjes mbretërore. «Mësoi gjithë mençurinë e egjiptianëve», që ka të ngjarë të përfshinte artet, astronominë, matematikën dhe shkenca të tjera. (Vep. 7:22) Mjafton të shtrinte dorën dhe mund të kishte pasuri, pushtet e privilegje që një egjiptian i thjeshtë vetëm sa i ëndërronte.

2 Megjithatë, në moshën 40-vjeçare Moisiu mori një vendim që mbase iu duk absurd familjes mbretërore egjiptiane që e kishte birësuar. Ai nuk zgjodhi madje as të kishte një jetë «normale» si një egjiptian i thjeshtë, por një jetë bashkë me skllevërit. Pse? Ngaqë kishte besim. (Lexo Hebrenjve 11:24-26.) Me anë të besimit, shihte shumë më tepër se botën përreth tij. Si njeri me këndvështrim frymor, Moisiu kishte besim tek ‘Ai që është i padukshëm’, Jehovai, dhe ishte i sigurt se premtimet e Tij do të përmbusheshin.Hebr. 11:27.

3. Cilat janë tri pyetjet që do të marrin përgjigje në këtë artikull?

3 Edhe ne duhet të shohim përtej asaj që duket me sytë fizikë. Duhet të jemi «lloji që ka besim». (Hebr. 10:38, 39) Që ta forcojmë besimin, le të shqyrtojmë atë që thuhet për  Moisiun te Hebrenjve 11:24-26. Ndërkaq, të gjejmë përgjigjet e këtyre pyetjeve: si e nxiti besimi Moisiun t’i hidhte poshtë dëshirat e mishit? Kur e poshtëruan, si e ndihmoi besimi të ishte mirënjohës për privilegjet e shërbimit? Pse «e mbante shikimin të ngulur në dhënien e shpërblimit»?

HODHI POSHTË DËSHIRAT E MISHIT

4. Çfarë dalloi Moisiu për ‘kënaqësinë e mëkatit’?

4 Me sytë e besimit, Moisiu dalloi se ‘kënaqësia e mëkatit’ ishte e përkohshme. Të tjerët mbase arsyetonin se ndonëse Egjipti ishte kredhur në idhujtari dhe spiritizëm, ishte bërë fuqi botërore, kurse populli i Jehovait vuante në skllavëri. Mirëpo, Moisiu e dinte se Perëndia mund ta ndryshonte situatën. Edhe pse dukej se atyre që jepeshin pas qejfeve u ecte mbarë çdo gjë, ai kishte besim se të ligjtë do të shuheshin krejt. Ja pse nuk ia prishi mendjen ‘kënaqësia e përkohshme e mëkatit’.

5. Çfarë do të na ndihmojë që të mos na joshë ‘kënaqësia e përkohshme e mëkatit’?

5 Si t’ia bëjmë që të mos na joshë ‘kënaqësia e përkohshme e mëkatit’? Kurrë të mos harrojmë se kjo kënaqësi është si flluskë sapuni. Me sytë e besimit, shohim se «bota po kalon, e po kështu edhe dëshirat e saj». (1 Gjon. 2:15-17) Të meditojmë për të ardhmen e mëkatarëve të papenduar. Ata janë «në vende të rrëshqitshme» dhe ‘do të zhduken nga tmerret e papritura’. (Psal. 73:18, 19) Nëse tundohemi të mëkatojmë, le të pyesim veten: «Ç’të ardhme dua të kem?»

6. (a) Pse Moisiu «nuk pranoi të quhej biri i bijës së faraonit»? (b) Për mendimin tënd, pse Moisiu mori vendimin e duhur?

6 Besimi i Moisiut ndikoi jashtëzakonisht edhe tek udha që zgjodhi në jetë. «Me anë të besimit, Moisiu, kur u rrit, nuk pranoi të quhej biri i bijës së faraonit.» (Hebr. 11:24) Ai nuk arsyetoi se mund t’i shërbente Perëndisë si pjesëtar i oborrit mbretëror, e pastaj ta shfrytëzonte pasurinë e privilegjin për të ndihmuar vëllezërit izraelitë. Përkundrazi, ishte i vendosur ta donte Jehovain me gjithë zemrën, shpirtin dhe forcën e tij. (Ligj. 6:5) Ai vendim i kurseu mjaft dhembje. Pak më vonë shumë nga thesaret e Egjiptit, që u ktheu krahët, përfunduan në duar të tjera, pra, në duart e vetë izraelitëve. (Dal. 12:35, 36) Faraoni u poshtërua dhe u ekzekutua. (Psal. 136:15) Krejt ndryshe, Moisiu mbeti gjallë dhe Perëndia e përdori që t’i printe një kombi të tërë drejt një vendi të sigurt. Jeta e tij kishte vërtet kuptim.

7. (a) Sipas Mateut 6:19-21, pse duhet të shohim përtej të ardhmes së afërt? (b) Trego një përvojë që nxjerr në pah dallimin mes thesareve materiale dhe frymore.

7 Nëse je i ri dhe i shërben Jehovait, si mund të të ndihmojë besimi kur zgjedh udhën e jetës? Është e mençur të planifikosh për të ardhmen. Por, për çfarë do të të nxitë besimi te premtimet e Perëndisë? Që ‘të grumbullosh thesare’ për një të ardhme të përkohshme apo të përhershme? (Lexo Mateun 6:19-21.) Para kësaj dileme u gjend Sofia, një balerinë e talentuar. Asaj i ofruan bursa studimi dhe vende të lakmuara në kompani baleti kudo në Shtetet e Bashkuara. Ajo rrëfen: «Sa nuk fluturoja kur më admironin. Ç’është e vërteta i shihja nga lart moshatarët e mi. Megjithatë nuk isha e lumtur.» Më pas Sofia pa videon Të rinjtë pyesin—Çfarë do të bëj me jetën time? Ajo thotë: «E kuptova se bota më kishte dhënë suksesin dhe admirimin e fansave në këmbim të adhurimit me gjithë shpirt ndaj Jehovait. Iu luta me zjarr atij. Pastaj hoqa dorë nga karriera si balerinë.» Si ndihet për këtë vendim? «Nuk më merr malli për jetën që bëja. Sot jam qind për qind e lumtur. Shërbej si pioniere bashkë me tim shoq. Nuk jemi aspak  të famshëm dhe të pasur. Por kemi Jehovain, studentët e Biblës dhe synimet frymore. S’jam bërë pishman për asgjë.»

8. Cila këshillë biblike mund ta ndihmojë një të ri kur zgjedh udhën e jetës?

8 Jehovai e di ç’është më e mira për ty. Moisiu tha: «Çfarë po kërkon nga ti Jehovai, Perëndia yt, veçse t’i frikësohesh Jehovait, Perëndisë tënd, që të ecësh në tërë udhët e tij, ta duash e t’i shërbesh Jehovait, Perëndisë tënd, me gjithë zemër e me gjithë shpirt, të mbash për të mirën tënde urdhërimet dhe ligjet e Jehovait, që po të jap sot.» (Ligj. 10:12, 13) Sa je i ri, zgjidh një udhë që do të të japë mundësi ta duash Jehovain e t’i shërbesh «me gjithë zemër e me gjithë shpirt». Ji i sigurt se kjo zgjedhje do të jetë «për të mirën tënde».

MIRËNJOHËS PËR PRIVILEGJET E SHËRBIMIT

9. Shpjego pse Moisiu mund ta ketë pasur të vështirë të kryente caktimin.

9 Moisiu «e konsideroi poshtërimin e Krishtit si pasuri më të madhe se thesaret e Egjiptit». (Hebr. 11:26) Ai u caktua si ‘Krishti’, ose i Mirosuri, në kuptimin që Jehovai e zgjodhi ta nxirrte Izraelin nga Egjipti. Moisiu e dinte se kjo detyrë do të ishte e vështirë, madje do t’i sillte ‘poshtërim’. Kohë më parë një izraelit i kishte thënë me përbuzje: «Kush të vuri ty princ dhe gjykatës?» (Dal. 2:13, 14) Më vonë vetë Moisiu e pyeti Jehovain: «Si do të më dëgjojë vallë faraoni?!» (Dal. 6:12) Që të përgatitej për poshtërimin e ta përballonte, foli me Jehovain për frikën dhe shqetësimet e veta. Si e ndihmoi Jehovai Moisiun që të kryente këtë caktim të vështirë?

10. Si e pajisi Jehovai Moisiun që të kryente caktimin?

10 Së pari, Jehovai i dha zemër Moisiut me fjalët: «Unë do të jem me ty.» (Dal. 3:12) Së dyti, Jehovai i ngjalli siguri, duke i shpjeguar një aspekt të domethënies së emrit të tij: «Unë do të bëhem çdo gjë që dua të bëhem.» * (Dal. 3:14) Së treti, i dha fuqi të bënte mrekulli, çka provoi se Moisiun e kishte dërguar vërtet Perëndia. (Dal. 4:2-5) Së katërti, Jehovai i dha një shok e zëdhënës, Aaronin, që ta ndihmonte të kryente caktimin. (Dal. 4:14-16) Nga fundi i jetës, Moisiu ishte kaq i sigurt se Perëndia i pajis shërbëtorët e Tij për të kryer çdo caktim që u jep, saqë i tha me bindje pasuesit të vet, Josiut: «Jehovai do të të prijë dhe do të jetë vazhdimisht me ty. Ai nuk do të të lërë, as nuk do të të braktisë kurrsesi. Mos ki frikë e mos u tremb.»Ligj. 31:8.

11. Pse Moisiu e vlerësoi jashtë mase caktimin e tij?

11 Me mbështetjen e Jehovait, Moisiu e vlerësoi jashtë mase këtë caktim, ndonëse frikësues, dhe e shihte «si pasuri më të madhe se thesaret e Egjiptit». Tekefundit, ku matej shërbimi ndaj faraonit me shërbimin ndaj Perëndisë së Plotfuqishëm? Ç’vlerë kishte titulli princ i Egjiptit karshi emërimit si ‘Krishti’, ose i mirosuri i Jehovait? Moisiu u shpërblye për qëndrimin mirënjohës. Gëzonte miqësi tejet të ngushtë me Jehovain, dhe falë tij kreu ‘bëma të mëdha’ ndërsa u printe izraelitëve drejt Tokës së Premtuar.Ligj. 34:10-12.

12. Cilat privilegje nga Jehovai duhet të vlerësojmë?

12 Edhe neve na është ngarkuar një detyrë. Me anë të të Birit, Jehovai na ka caktuar një shërbim, ashtu siç bëri me apostullin Pavël dhe me të tjerë. (Lexo 1 Timoteut 1:12-14.) Të gjithë ne kemi privilegjin të shpallim lajmin e mirë. (Mat. 24:14; 28:19, 20) Disa shërbejnë në kohë të plotë. Shumë vëllezër të pjekur u shërbejnë të tjerëve në kongregacion si shërbëtorë ndihmës e pleq. Sidoqoftë, familjarët  jobesimtarë dhe të tjerët mund t’i shohin me sy të shtrembër këto privilegje e madje mund të të kritikojnë për vetëmohimin. (Mat. 10:34-37) Po t’ia dalin të të shkurajojnë, mbase do të fillosh të dyshosh në ia vlejnë sakrificat e tua a në je i zoti për caktimin. Po të ndodhë kjo, si do të të ndihmojë besimi të ngulmosh?

13. Si na pajis Jehovai që të kryejmë caktimet teokratike?

13 Plot besim, përgjëroju Jehovait të të mbështetë. Shprehja frikën dhe shqetësimet. Në fund të fundit, detyrën që ke, ta ka ngarkuar Jehovai dhe ai do të të ndihmojë t’ia dalësh. Si? Njësoj siç ndihmoi Moisiun. Së pari, Jehovai të jep zemër me fjalët: «Unë do të të jap forcë e do të të ndihmoj. Unë do të të mbaj fort me të djathtën time të drejtësisë.» (Isa. 41:10) Së dyti, ai të kujton se premtimet e tij janë të besueshme: «Unë e kam thënë, dhe unë do ta plotësoj. Unë e kam vendosur, dhe unë do ta realizoj.» (Isa. 46:11) Së treti, Jehovai të jep ‘fuqi përtej asaj që është normale’ për të kryer shërbimin. (2 Kor. 4:7) Së katërti, që të të ndihmojë të qëndrosh i palëkundur në caktim, Ati ynë i dhembshur të jep një vëllazëri botërore me adhurues të vërtetë që ‘vazhdojnë të ngushëllojnë dhe të ndërtojnë njëri-tjetrin’. (1 Sel. 5:11) Ndërsa Jehovai të pajis që të kryesh çfarëdo caktimi, besimi tek ai do të të forcohet. Po ashtu do të kuptosh se privilegjet e tua të shërbimit janë pasuri më e madhe se çdo thesar i kësaj bote.

«E MBANTE SHIKIMIN TË NGULUR NË DHËNIEN E SHPËRBLIMIT»

14. Pse Moisiu ishte i sigurt se do të shpërblehej?

14 Moisiu «e mbante shikimin të ngulur në dhënien e shpërblimit». (Hebr. 11:26) Lejoi që pikëpamja e tij të modelohej nga njohuria që kishte për të ardhmen, edhe pse e kufizuar. Për shembull, ashtu si paraardhësi i tij, Abrahami, Moisiu s’kishte pikë dyshimi se Jehovai mund t’i ringjallë të vdekurit. (Luka 20:37, 38; Hebr. 11:17-19) Bekimet që e pritnin, e ndihmuan të mos i shihte 40 vitet si i arratisur dhe 40 vitet në shkretëtirë si një jetë e çuar dëm. Edhe pse nuk dinte çdo hollësi se si do të përmbusheshin premtimet e Perëndisë, mund ta shihte me sytë e besimit shpërblimin e padukshëm.

15, 16. (a) Pse duhet të përqendrohemi te shpërblimi ynë? (b) Cilat bekime mezi pret të shijosh kur të qeverisë Mbretëria?

 15 Po ti, a ‘e mban shikimin të ngulur’ te shpërblimi yt? Ashtu si Moisiu, nuk i njohim akoma të gjitha hollësirat rreth premtimeve të Perëndisë. Për shembull, ‘nuk e dimë se kur është koha e caktuar’ për shtrëngimin e madh. (Mar. 13:32, 33) Sidoqoftë, dimë shumë më tepër se Moisiu për Parajsën që na pret. Edhe pa njohur çdo hollësi, në Bibël kemi aq shumë premtime për jetën nën Mbretërinë e Perëndisë, sa ‘ta mbajmë shikimin të ngulur’ tek ajo. Një përfytyrim i qartë i botës së re do të na nxitë të kërkojmë në radhë të parë këtë Mbretëri. Si? Të mendojmë pak: a do të blinim një shtëpi për të cilën kemi fare pak të dhëna? S’do mend që jo. Po njësoj, nuk do të investonim jetën për të ndjekur një shpresë të mjegullt. Me anë të besimit, duhet të shohim një pamje të qartë e të gjallë të jetës kur të qeverisë Mbretëria.

Sa prekëse do të jetë të flasim me shërbëtorë besnikë si Moisiu! (Shih paragrafin 16.)

16 Që ta përfytyrosh akoma më kthjellët kohën kur të qeverisë Mbretëria e Perëndisë, ‘mbaje shikimin të ngulur’ te jeta jote në Parajsë. Përdor fantazinë. Për shembull, kur studion jetën e personazheve biblike që jetuan para Krishtit, mendo për çfarë mund t’i pyesësh kur të ringjallen. Përfytyro se ç’pyetje do të të bëjnë ata për jetën tënde gjatë ditëve të fundit. Merre me mend sa prekëse do të jetë të takosh paraardhësit e tu që jetuan shekuj më parë dhe t’u mësosh gjithë sa ka bërë Perëndia për ta. Imagjino sa qejf do të jetë të njohësh tërë ato kafshë të egra, tek i sodit pa asnjë rrezik. Përfytyro sa e ngushtë do të bëhet marrëdhënia jote me Jehovain dora-dorës që shkon drejt përsosmërisë.

17. Si mund të na ndihmojë sot një përfytyrim i qartë i shpërblimit të padukshëm?

17 Një përfytyrim i qartë i shpërblimit të padukshëm na ndihmon të ecim para, të gëzojmë jetën e t’i marrim vendimet me sytë nga e ardhmja e sigurt e përhershme. Pavli u shkroi të krishterëve të mirosur: «Kur shpresojmë tek ajo që nuk shohim, vazhdojmë ta presim me qëndrueshmëri.» (Rom. 8:25) Në parim, kjo vlen për të gjithë të krishterët që shpresojnë të jetojnë përgjithmonë. Ndonëse nuk e kemi marrë ende ‘shpërblimin’, kemi besim aq të fortë, sa vazhdojmë ta presim me durim. Ashtu si Moisiu, asnjë nga vitet në shërbim të Jehovait nuk e shohim si kohë të çuar dëm. Përkundrazi, jemi të bindur se «gjërat që shihen janë të përkohshme, por gjërat që nuk shihen janë të përhershme».Lexo 2 Korintasve 4:16-18.

18, 19. (a) Pse duhet të luftojmë që të ruajmë besimin? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin vijues?

18 Falë besimit dallojmë ‘dëshminë e dukshme [ose bindëse] të realiteteve ndonëse të papara’. (Hebr. 11:1) Njeriu me këndvështrim fizik nuk e kupton sa shumë vlerë ka t’i shërbesh Jehovait. Për të, thesaret frymore «janë marrëzi». (1 Kor. 2:14) Kurse ne shpresojmë të shijojmë jetën e përhershme e të shohim me sytë tanë ringjalljen, gjëra që bota s’i ka parë kurrë. Ashtu si filozofët e ditëve të Pavlit që e quajtën apostullin «llomotar» injorant, shumica sot mendojnë se shpresa që predikojmë ne është budallallëk.Vep. 17:18.

19 Meqë jetojmë mes një bote që nuk beson, duhet të luftojmë që ta ruajmë besimin. Përgjëroju Jehovait «që besimi yt të mos mpaket». (Luka 22:32) Mos i harro kurrë pasojat e mëkatit, vlerën e pashoqe të shërbimit të Jehovait dhe shpresën e jetës së përhershme. Gjithsesi, falë besimit, Moisiu pa më shumë se kaq. Në artikullin vijues do të shqyrtojmë si e ndihmoi besimi të shihte «Atë që është i padukshëm».Hebr. 11:27.

^ par. 10 Ja çfarë shkroi një studiues i Biblës për fjalët e Perëndisë te Dalja 3:14: «S’ka gjë që ta pengojë të kryejë vullnetin e tij . . . Ky emër [Jehova] duhej të ishte për Izraelin një fortesë, një gurrë e pashtershme shprese dhe ngushëllimi.»