Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

A e sheh «Atë që është i padukshëm»?

A e sheh «Atë që është i padukshëm»?

«Qëndroi i palëkundur si të shihte Atë që është i padukshëm.»HEBR. 11:27.

1, 2. (a) Shpjegoni pse dukej se Moisiu ishte në rrezik. (Shih figurën hapëse.) (b) Pse Moisiu nuk iu frikësua zemërimit të mbretit?

FARAONI ishte sundimtar i tmerrshëm dhe një perëndi prej mishi e gjaku për egjiptianët. Siç thuhet në një libër, në sytë e tyre «ia kalonte për nga mençuria e fuqia çdo krijese në botë». (When Egypt Ruled the East) Që t’u kallte frikën nënshtetasve të tij, faraoni mbante në kurorë shëmbëlltyrën e një kobre gati për sulm—përkujtues se armiqtë e mbretit do të shfaroseshin sa hap e mbyll sytë. Pra, merre me mend si u ndie Moisiu kur Jehovai i tha: «Po të dërgoj te faraoni, dhe nxirre popullin tim, bijtë e Izraelit, nga Egjipti.»Dal. 3:10.

2 Moisiu vajti në Egjipt, shpalli mesazhin e Perëndisë dhe i ndezi tërbimin faraonit. Pasi vendi u godit me nëntë plagë, faraoni paralajmëroi Moisiun: «Hap sytë: mos më dil më përpara, sepse po atë ditë do të vdesësh!» (Dal. 10:28) Para se të largohej nga faraoni, Moisiu profetizoi se i parëlinduri i mbretit do të vdiste. (Dal. 11:4-8) Pastaj dha urdhër që çdo familje izraelite të therte një cjap ose dash—një kafshë që mbahej si e shenjtë, ngaqë përfaqësonte perëndinë egjiptiane Ra—dhe me gjakun e tij të spërkaste shtalkat e dyerve. (Dal. 12:5-7) Kushedi  si do të reagonte faraoni! Megjithatë, Moisiu nuk pati frikë. Pse? Plot besim, iu bind Jehovait «pa iu frikësuar zemërimit të mbretit, sepse qëndroi i palëkundur si të shihte Atë që është i padukshëm».Lexo Hebrenjve 11:27, 28.

3. Çfarë do të shqyrtojmë rreth besimit të Moisiut tek ‘Ai që është i padukshëm’?

3 A ke dhe ti besim aq të fortë, sa ‘të shohësh Perëndinë’? (Mat. 5:8) Që të mprehim shikimin frymor për të parë «Atë që është i padukshëm», le të shqyrtojmë shembullin e Moisiut. Si e mbrojti besimi te Jehovai nga frika e njeriut? Në ç’mënyrë tregoi besim te premtimet e Perëndisë? Si i dha forcë aftësia për të parë «Atë që është i padukshëm» kur ai dhe populli ishin në rrezik?

NUK IU FRIKËSUA «ZEMËRIMIT TË MBRETIT»

4. Nga këndvështrimi njerëzor, si dukej Moisiu karshi faraonit?

4 Nga këndvështrimi njerëzor, Moisiu nuk matej dot me faraonin. Dukej se jeta, mirëqenia dhe e ardhmja e Moisiut ishin në dorë të tij. Vetë Moisiu kishte pyetur Jehovain: «Po kush jam unë, që të shkoj te faraoni, dhe t’i nxjerr bijtë e Izraelit nga Egjipti?!» (Dal. 3:11) Rreth 40 vjet më parë Moisiu kishte marrë arratinë. Mbase tani vriste mendjen: «A është gjë e mençur të kthehem në Egjipt dhe të rrezikoj t’i ndez zemërimin mbretit?»

5, 6. Çfarë e ndihmoi Moisiun t’i frikësohej Jehovait dhe jo faraonit?

5 Para se Moisiu të kthehej në Egjipt, Perëndia i mësoi një parim jetësor, po atë parim që më pas e hodhi me shkrim në librin e Jobit: «Të kesh frikë nga Jehovai, kjo është mençuri.» (Jobi 28:28) Që ta ndihmonte Moisiun të zhvillonte këtë frikë e të vepronte me mençuri, Jehovai bëri një kontrast mes njerëzve dhe Perëndisë së Plotfuqishëm. Ai pyeti: «Kush i dha gojë njeriut apo kush e bën të pagojin, të shurdhrin, atë që sheh qartë ose të verbrin? A nuk jam unë, Jehovai?»Dal. 4:11.

6 Cili ishte mësimi? Moisiu nuk kishte pse të frikësohej. Po e dërgonte Jehovai dhe ai do t’i jepte gjithçka që i duhej për t’i çuar faraonit mesazhin e Tij. Përveç kësaj, faraoni s’matej dot me Jehovain. Tekefundit, nuk ishte hera e parë që shërbëtorët e Perëndisë rrezikonin nën sundimin e Egjiptit. Mbase Moisiu meditoi si i kish mbrojtur Jehovai Abrahamin, Jozefin, e madje atë vetë gjatë sundimit të faraonëve të mëparshëm. (Zan. 12:17-19; 41:14, 39-41; Dal. 1:22–2:10) Plot besim te Jehovai, tek ‘Ai që është i padukshëm’, Moisiu doli trimërisht para faraonit dhe shpalli një më një fjalët që i kishte urdhëruar Jehovai.

7. Si e mbrojti besimi te Jehovai një motër?

7 Po njësoj, besimi te Jehovai e mbrojti një motër me emrin Ela të mos dorëzohej para frikës nga njeriu. Në Estoni, Elën e arrestoi KGB-ja në vitin 1949. Pasi e zhveshën krejt, disa oficerë policie të rinj të pacipë nuk ia shqitnin sytë. Ela thotë: «U ndjeva e poshtëruar. Megjithatë, iu luta Jehovait dhe një paqe e qetësi më kaploi zemrën.» Pastaj e vunë në izolim për tri ditë. Ajo tregon: «Oficerët bërtitën: ‘Do të sigurohemi që as emri Jehova të mos kujtohet në Estoni! Ti do të shkosh në kamp, kurse të tjerët në Siberi!’ Duke u tallur, shtuan: ‘Ku e ke Jehovain?’» Ç’do të bënte Ela? Do t’u frikësohej njerëzve, apo do të kishte besim te Jehovai? Kur e morën në pyetje, ua ktheu tallësve pa iu dridhur qerpiku: «Jam menduar gjatë për këtë dhe preferoj të rri në burg e të mos e prish marrëdhënien me Perëndinë, sesa të jetoj e lirë dhe të humb miratimin e tij.» Për Elën, Jehovai ishte po aq real, sa edhe burrat që kishte  para syve. Falë besimit, ruajti integritetin.

8, 9. (a) Cili është kundërhelmi për frikën nga njeriu? (b) Nëse e ndien se rrezikon t’i dorëzohesh frikës nga njeriu, te kush duhet t’i ngulësh sytë?

8 Besimi te Jehovai do të të ndihmojë të mposhtësh çdo frikë. Nëse qeveritarë të fuqishëm orvaten të të pengojnë të adhurosh Perëndinë, mund të duket sikur jeta, mirëqenia dhe e ardhmja jote janë në dorë të këtyre njerëzve. Mbase edhe do të dyshosh në është e mençur të vazhdosh t’i shërbesh Jehovait dhe t’u ndezësh zemërimin autoriteteve. Mos harro: kundërhelmi për frikën nga njeriu është besimi te Perëndia. (Lexo Proverbat 29:25.) Jehovai pyet: «Pse pra, i trembesh një njeriu që do të vdesë dhe një biri njeriu që do të përfundojë si bari i gjelbër?»Isa. 51:12, 13.

9 Nguli sytë tek Ati yt i plotfuqishëm. Ai i sheh të gjithë ata që vuajnë nga qeveritarët e padrejtë, i dhimbsen dhe u bëhet krah. (Dal. 3:7-10) Edhe nëse duhet ta mbrosh besimin para zyrtarëve të fuqishëm, ‘mos ji në ankth se si do të flasësh ose ç’do të thuash, mbasi në atë çast do të të jepet se ç’ke për të thënë’. (Mat. 10:18-20) Asnjë qeveritar dhe autoritet njerëzor nuk matet dot me Jehovain. Duke e forcuar besimin tani, mund të arrish ta shohësh Jehovain si Person real që mezi pret të të ndihmojë.

TREGOI BESIM TE PREMTIMET E PERËNDISË

10. (a) Cilat udhëzime u dha Jehovai izraelitëve në nisan të vitit 1513 p.e.s.? (b) Pse Moisiu iu bind udhëzimeve të Perëndisë?

10 Në muajin nisan të vitit 1513 p.e.s., Jehovai u tha Moisiut dhe Aaronit t’u përcillnin izraelitëve këto udhëzime të pazakonta: të zgjidhnin një dash a një cjap të shëndetshëm, ta thernin dhe me gjakun e tij të spërkatnin shtalkat e dyerve. (Dal. 12:3-7) Si veproi Moisiu? Vite më vonë apostulli Pavël shkroi për të: «Me anë të besimit, ai kremtoi pashkën dhe spërkati shtalkat me gjak, që shkatërruesi të mos i prekte të parëlindurit e tyre.» (Hebr. 11:28) Moisiu e dinte se Jehovai është i besueshëm dhe ishte i sigurt se Ai do ta mbante premtimin që do të ekzekutonte të parëlindurit në Egjipt.

11. Pse Moisiu i paralajmëroi të tjerët?

11 Me sa duket, Moisiu i kishte bijtë e vet në Midian, larg ‘shkatërruesit’. * (Dal. 18:1-6) Prapëseprapë, u bind dhe i paralajmëroi familjet e tjera izraelite që i kishin në rrezik të parëlindurit. Moisiu i donte të tjerët, dhe shumë veta e kishin jetën në fije të perit. Bibla tregon: «Moisiu i thirri menjëherë gjithë pleqtë e Izraelit, dhe u tha: . . . ‘Therni flinë e pashkës.’»Dal. 12:21.

12. Cilin mesazh të rëndësishëm na ka urdhëruar Jehovai të shpallim?

12 Nën drejtimin e engjëjve, populli i Jehovait po përcjell këtë mesazh të rëndësishëm: «Kini frikë Perëndinë dhe jepini lavdi, sepse mbërriti ora e gjykimit prej tij! Adhuroni Atë që bëri qiellin, tokën, detin dhe burimet e ujërave!» (Zbul. 14:7) Tani është koha ta shpallim këtë mesazh. Duhet t’i paralajmërojmë njerëzit të dalin nga Babilonia e Madhe, që të mos ‘marrin nga plagët e saj’. (Zbul. 18:4) ‘Delet e tjera’ bashkohen me të krishterët e mirosur, duke iu përgjëruar atyre që janë të ndarë nga Perëndia ‘të pajtohen’ me të.Gjoni 10:16; 2 Kor. 5:20.

Falë besimit te premtimet e Jehovait do të ushqesh dëshirën që të përhapësh lajmin e mirë (Shih paragrafin 13.)

13. Si mund ta ushqesh dëshirën që të përhapësh lajmin e mirë?

13 Jemi të bindur se «ora e gjykimit» ka mbërritur vërtet. Gjithashtu, kemi besim se Jehovai nuk e stërmadhon kur  thotë sa urgjente është të predikojmë e të bëjmë dishepuj. Në një vegim, apostulli Gjon pa «katër engjëj që qëndronin në katër cepat e tokës dhe mbanin fort katër erërat e tokës». (Zbul. 7:1) A i sheh me sytë e besimit këta engjëj, gati të lëshojnë erërat shkatërrimtare të shtrëngimit të madh kundër këtij sistemi? Nëse po, atëherë mund të përhapësh lajmin e mirë plot siguri.

14. Çfarë na nxit ‘të lajmërojmë të ligun që ta lërë rrugën e tij të ligë’?

14 Si të krishterë të vërtetë tashmë gëzojmë miqësi me Jehovain dhe shpresojmë të jetojmë përgjithmonë. Prapëseprapë, e kuptojmë se kemi përgjegjësinë ‘të lajmërojmë të ligun që ta lërë rrugën e tij të ligë e të jetojë’. (Lexo Ezekielin 3:17-19.) Kuptohet se nuk predikojmë vetëm që të mos bëhemi me faj gjaku. E duam Jehovain, i duam dhe të tjerët. Në shëmbëlltyrën për samaritanin e mirë, Jezui tregoi çfarë përfshijnë në të vërtetë dashuria dhe mëshira. Mund të pyesim veten: «A jam si samaritani? A më ‘shtyn keqardhja’ të predikoj?» Në fund të fundit, s’duam të jemi aspak si prifti dhe leviti në shëmbëlltyrë. Nuk duam të nxjerrim justifikime e të ikim «në anën tjetër». (Luka 10:25-37) Besimi te premtimet e Perëndisë dhe dashuria për të tjerët do të na nxitin të bëjmë maksimumin në veprën e predikimit sa ka ende kohë.

«KALUAN PËRMES DETIT TË KUQ»

15. Pse izraelitët u ndien të zënë në grackë?

15 Besimi tek ‘Ai që është i padukshëm’ e ndihmoi Moisiun kur  izraelitët ishin në rrezik pasi dolën nga Egjipti. Bibla tregon: «Bijtë e Izraelit ngritën sytë dhe panë se egjiptianët po i ndiqnin nga pas. Atëherë, ata u frikësuan shumë e nisën t’i thërritnin Jehovait.» (Dal. 14:10-12) A ishte e paparashikuar kjo peripeci? Aspak. Jehovai kishte parathënë: «Unë do të lejoj që zemra e faraonit të bëhet kryeneçe. Ai do t’i ndjekë, dhe unë do të fitoj lavdi, duke ngadhënjyer mbi faraonin dhe gjithë forcat e tij ushtarake. Egjiptianët kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.» (Dal. 14:4) Gjithsesi, izraelitët panë vetëm atë që kishin para syve—Detin e Kuq të pakalueshëm, karrocat e shpejta luftarake të faraonit që i ndiqnin dhe një bari 80-vjeçar që u printe. U ndien të zënë në grackë.

16. Si e forcoi besimi Moisiun pranë Detit të Kuq?

16 Por, Moisiu mbeti i paepur. Pse? Sepse me sytë e besimit pa diçka shumë më të fuqishme se një det a një ushtri. Pa ‘shpëtimin që do t’u sillte Jehovai’ dhe e dinte se Ai do të luftonte për izraelitët. (Lexo Daljen 14:13, 14.) Populli i Perëndisë u frymëzua nga besimi i Moisiut. Bibla thotë: «Me anë të besimit, ata kaluan përmes Detit të Kuq si në tokë të thatë. Megjithatë, kur egjiptianët guxuan të bënin po njësoj, u përpinë.» (Hebr. 11:29) Që atëherë, «populli nisi t’i frikësohej Jehovait e të tregonte besim te Jehovai dhe te Moisiu, shërbëtori i tij».Dal. 14:31.

17. Cila ngjarje e së ardhmes do të na vërë në provë besimin?

17 Së shpejti, do të duket se jeta jonë është në rrezik. Kur të jemi në kulmin e shtrëngimit të madh, qeveritë e kësaj bote do të kenë shuar nga faqja e dheut organizata fetare që ishin më të fuqishme e më të mëdha se ne. (Zbul. 17:16) Në një profeci Jehovai e përshkruan gjendjen tonë të pambrojtur si fshatra «të parrethuar me mure dhe që nuk kanë as derë e as shul». (Ezek. 38:10-12, 14-16) Nga këndvështrimi njerëzor do të duket sikur nuk kemi si të mbijetojmë. Si do të reagosh ti?

18. Pse mund të qëndrojmë të palëkundur gjatë shtrëngimit të madh?

18 Nuk ka pse të mpakemi nga frika. Pse? Sepse Jehovai e ka parathënë këtë sulm kundër popullit të tij. Ka parathënë edhe si do të përfundojë. «Atë ditë kur Gogu t’i sulet tokës së Izraelit,—thotë Zotëria Sovran Jehova,—mua do të më hipë tërbimi në flegrat e hundës. Unë do të flas me tërë vrullin dhe zjarrin e zemërimit tim të furishëm.» (Ezek. 38:18-23) Atëherë Jehovai do të shkatërrojë të gjithë ata që synojnë t’i bëjnë dëm popullit të tij. Ki besim se tamam në këtë mënyrë do të përfundojë «dita e madhe dhe e frikshme e Jehovait»! Atëherë ‘do të shohësh shpëtimin që do të sjellë Jehovai’ dhe do të ruash integritetin.Joe. 2:31, 32.

19. (a) Sa e ngushtë ishte miqësia mes Jehovait dhe Moisiut? (b) Ç’bekim do të shijosh nëse i kushton vëmendje Jehovait në të gjitha udhët e tua?

19 Përgatitu që tani për këto ngjarje drithëruese, duke qëndruar ‘i palëkundur si të shohësh Atë që është i padukshëm’! Forcoje miqësinë me Perëndinë Jehova nëpërmjet studimit dhe lutjeve të rregullta. Moisiu gëzonte një miqësi aq të ngushtë me Jehovain dhe Ai e përdori që të kryente bëma aq të mëdha, sa Bibla thotë se Jehovai foli me Moisiun «sy për sy». (Ligj. 34:10) Moisiu ishte një profet i jashtëzakonshëm. Megjithatë, me anë të besimit, edhe ti mund të lidhesh aq ngushtë me Jehovain, sa mund të thuhet se e sheh vërtet. Nëse i kushton vëmendje pareshtur «në të gjitha udhët e tua», siç të nxit Fjala e Perëndisë, «ai vetë do t’i drejtojë shtigjet e tua».Prov. 3:6.

^ par. 11 Siç duket, Jehovai dërgoi engjëj që të ekzekutonte gjykimin kundër egjiptianëve.Psal. 78:49-51.