«Kujtoje . . . Krijuesin tënd të Madh.»EKL. 12:1.

1, 2. (a) Cilën këshillë të frymëzuar shkroi Solomoni për të rinjtë? (b) Pse këshilla e Solomonit vlen edhe për të krishterët në të 50-at a më shumë?

MBRETI SOLOMON u shkroi të rinjve nën frymëzim: «Kujtoje Krijuesin tënd në ditët e rinisë sate, para se të vijë koha e vuajtjeve.» (Filipaj) Ç’është «koha e vuajtjeve»? Solomoni përdori gjuhë poetike mjaft interesante që të përshkruante kohën e vuajtjeve gjatë pleqërisë—duar që dridhen, këmbë që s’mbajnë më, rënie dhëmbësh, shikim i dobët, humbje dëgjimi, flokë të zbardhur dhe kurriz të kërrusur. Askush s’duhet të presë me dashje deri në këtë fazë të jetës që të nisë t’i shërbejë Jehovait.Lexo Eklisiastiun 12:1-5.

2 Shumë të krishterë në të 50-at a më shumë janë mjaft energjikë. Edhe pse mund të jenë pak të thinjur, ka të ngjarë që ende të mos kenë atë shëndet të dobët siç e përshkroi Solomoni. A mund të nxjerrin dobi të krishterët në moshë nga këshilla e frymëzuar që iu drejtua të rinjve «kujtoje . . . Krijuesin tënd të Madh»? Ç’do të thotë kjo?

3. Çfarë do të thotë të kujtojmë Krijuesin tonë të Madh?

 3 Edhe nëse po i shërbejmë Jehovait prej vitesh, bëjmë mirë të ndalemi herë pas here e të mendojmë me çmueshmëri për madhështinë e Krijuesit tonë. A nuk mbushemi me nderim për të kur mendojmë për jetën? Ajo është aq komplekse, sa nuk arrijmë dot ta kuptojmë plotësisht. Jehovai i ka plotësuar nevojat tona në aq shumë mënyra, sa s’kanë të sosur mundësitë për ta gëzuar jetën. Kur soditim krijimin e Jehovait, ripërtërijmë çmueshmërinë për dashurinë, mençurinë dhe fuqinë e tij. (Psal. 143:5) Por, të kujtojmë Krijuesin tonë të Madh do të thotë edhe të mendojmë thellë për detyrimin që kemi ndaj tij. Kur reflektojmë kështu, sigurisht që nxitemi të shprehim mirënjohjen ndaj Krijuesit tonë, duke i shërbyer sa më plotësisht të mundemi për sa kohë që rrojmë.Ekl. 12:13.

MUNDËSI UNIKE NDËRSA VITET KALOJNË

4. Cilën pyetje mund t’i bëjnë vetes të krishterët me përvojë të pasur dhe pse?

4 Nëse ke grumbulluar përvojë prej dekadash, duhet t’i bësh vetes këtë pyetje tepër të rëndësishme: «Çfarë do të bëj me jetën time tani, ndërsa kam ende pak energji e fuqi?» Si i krishterë me përvojë, ke mundësi që nuk i kanë të tjerët. Mund t’ua përcjellësh më të rinjve atë që të ka mësuar Jehovai. Mund t’i forcosh të tjerët, duke u treguar përvoja që ke shijuar në shërbim të Perëndisë. Mbreti David u lut për raste të tilla. Ai shkroi: «O Perëndi, ti më mësove që nga rinia ime. . . . Deri në pleqëri, kur të jem flokëzbardhur, o Perëndi, mos më lër, derisa t’i tregoj brezit tjetër për krahun tënd, të gjithë atyre që do të vijnë.»Psal. 71:17, 18.

5. Si mund t’ua përcjellin të tjerëve atë që kanë mësuar të krishterët në moshë?

5 Si mund ta ndash me të tjerët mençurinë që ke grumbulluar gjatë viteve? A mund të ftosh në shtëpi shërbëtorë më të rinj të Perëndisë për një shoqëri të këndshme? A mund t’i ftosh për të dalë në shërbim dhe t’u tregosh sa shumë kënaqesh kur i shërben Jehovait? Elihu i kohëve të lashta tha: «Duhet të flasë mosha, dhe duhet të tregojnë mençuri vitet e shumta.» (Jobi 32:7) Apostulli Pavël i nxiti gratë e krishtere me përvojë t’u jepnin zemër të tjerëve me fjalët dhe shembullin e tyre. Ai shkroi: ‘Gratë e moshuara të jenë mësuese të së mirës.’Titit 2:3.

SHQYRTO POTENCIALIN TËND PËR TË NDIHMUAR TË TJERËT

6. Pse të krishterët me përvojë prej dekadash nuk duhet të nënvlerësojnë potencialin që kanë?

6 Nëse je i krishterë me përvojë, ke një potencial të shkëlqyer. Mendo për ato që di tani, por që 30 a 40 vjet më parë nuk i dije. Je i zoti t’i zbatosh në jetë parimet biblike. Pa dyshim, ke aftësi t’u prekësh zemrën të tjerëve me të vërtetat e Biblës. Po qe se je plak, di si t’i ndihmosh vëllezërit që po hedhin ndonjë hap të gabuar. (Gal. 6:1) Ndoshta ke mësuar si të mbikëqyrësh aktivitetet e kongregacionit, repartet në asamble ose ndërtimin e Sallave të Mbretërisë. Mbase di si të nxitësh mjekët të shfrytëzojnë strategji mjekësore që shmangin përdorimin e gjakut. Edhe nëse ke vetëm pak kohë në të vërtetën, ke përvojë të vyer në jetë. Për shembull, nëse ke rritur fëmijë, ke fituar shumë mençuri praktike. Të krishterët në moshë kanë potencial të madh për t’i dhënë zemër popullit të Jehovait, duke i mësuar, duke i drejtuar e duke i forcuar vëllezërit e motrat.Lexo Jobin 12:12.

7. Çfarë stërvitje të dobishme mund t’u japin më të rinjve të krishterët në moshë?

7 Si mund ta shfrytëzosh më plotësisht potencialin që ke? Mbase mund t’u tregosh  më të rinjve si të fillojnë e si të drejtojnë studime biblike. Nëse je motër, a mund t’u japësh sugjerime nënave të reja si të mos i lënë pas dore aktivitetet frymore teksa kujdesen për fëmijët e vegjël? Në qoftë se je vëlla, a mund t’i mësosh vëllezërit më të rinj si të jenë entuziastë kur të mbajnë fjalime e të bëhen predikues më të efektshëm të lajmit të mirë? A mund t’u tregosh si u bën vizita vëllezërve e motrave të moshuar që t’i inkurajosh frymësisht? Edhe po të mos kesh aq fuqi fizike sa dikur, ke mundësi të shkëlqyera të stërvitësh të rinjtë. Fjala e Perëndisë thotë: «Bukuria e të rinjve është fuqia e tyre, dhe shkëlqimi i të moshuarve janë flokët e bardhë.»Prov. 20:29.

TË SHËRBESH ATJE KU KA MË TEPËR NEVOJË

8. Çfarë bëri apostulli Pavël kur ishte në moshë të madhe?

8 Apostulli Pavël e shfrytëzoi plotësisht potencialin për t’i shërbyer Perëndisë në moshë të madhe. Në kohën kur u lirua nga burgu në Romë, rreth vitit 61 të e.s., tashmë kishte përballuar vite me radhë të shërbimit intensiv si misionar dhe mund të kishte ndenjur në Romë për të predikuar atje. (2 Kor. 11:23-27) Pa dyshim, vëllezërit në atë qytet të madh do ta kishin vlerësuar mbështetjen e tij të gjatë. Por, Pavli kuptoi se në vende të tjera nevoja ishte më e madhe. Me Timoteun dhe Titin, iu rikthye shërbimit misionar, duke udhëtuar për në Efes, pastaj për në Kretë dhe ka të ngjarë për në Maqedoni. (1 Tim. 1:3; Titit 1:5) Nuk e dimë nëse vizitoi Spanjën, por e kishte ndër mend.Rom. 15:24, 28.

9. Çfarë mund ta ketë nxitur Pjetrin të shërbente atje ku kishte më shumë nevojë? (Shih figurën hapëse.)

9 Apostulli Pjetër mund të ketë qenë mbi 50 vjeç kur u transferua atje ku kishte më shumë nevojë. Pse themi kështu? Nëse ishte moshatar me Jezuin apo pak më i madh, duhet të ketë qenë afro 50 vjeç kur takoi apostujt e tjerë në Jerusalem, në vitin 49 të e.s. (Vep. 15:7) Ca kohë pas asaj mbledhjeje Pjetri shkoi të jetonte në Babiloni, pa dyshim që t’i predikonte popullsisë së madhe judeje në atë zonë. (Gal. 2:9) Atje banonte kur shkroi letrën e parë të frymëzuar, rreth vitit 62 të e.s. (1 Pjet. 5:13) Transferimi në një vend të huaj mund të ketë sfidat e veta, mirëpo, Pjetri nuk lejoi që mosha t’i grabiste gëzimin që vjen kur i shërben plotësisht Jehovait.

10, 11. Trego një përvojë për dikë që është transferuar për të shërbyer atje ku ka më shumë nevojë, në moshë të madhe.

10 Sot mjaft të krishterë në të 50-at a më shumë ndodhen në rrethana të reja dhe janë në gjendje t’i shërbejnë Jehovait në mënyra të tjera. Disa janë transferuar atje ku ka më tepër nevojë. Për shembull, Roberti shkruan: «Unë dhe gruaja ishim në mes të të 50-ave kur kuptuam mundësitë që shtriheshin para nesh. Biri ynë i vetëm nuk jetonte më në shtëpi, nuk i kishim më prindërit që t’u bënim hyzmet dhe morëm një trashëgimi modeste. Llogarita se me shitjen e shtëpisë do të kishim mjaftueshëm për të shlyer kredinë dhe për të siguruar gjërat e nevojshme derisa të merrnim pensionin. Morëm vesh se në Bolivi numri i atyre që pranojnë studime biblike është i lartë, por kostoja e jetesës është e ulët. Ndaj vendosëm të transferoheshim atje. S’e patëm të lehtë të përshtateshim me jetën e re. Çdo gjë ishte krejt ndryshe nga ajo me të cilën ishim mësuar në Amerikën e Veriut. Sidoqoftë, përpjekjet tona u shpërblyen tej mase.»

11 Roberti shton: «Sot boshti i jetës sonë janë aktivitetet e kongregacionit. Disa me të cilët kemi studiuar Biblën tani janë të pagëzuar. Kemi studiuar me një familje që jeton në kushte minimale në një fshat disa kilometra larg. Por, çdo javë pjesëtarët e  asaj familjeje bëjnë një rrugë të vështirë për në qytet që të ndjekin mbledhjet. A mund ta imagjinoni gëzimin tonë teksa shihnim përparimin e tyre e madje kur djali i madh filloi të shërbente si pionier?»

NEVOJA PËR TË SHËRBYER NË FUSHËN E GJUHËS SË HUAJ

12, 13. Trego përvojën e një të krishteri që filloi t’i shërbente Jehovait në një mënyrë të re pasi doli në pension.

12 Kongregacionet dhe grupet e gjuhës së huaj mund të nxjerrin shumë dobi nga shembulli i vëllezërve e motrave në moshë. Nga ana tjetër, shërbimi në një territor të tillë mund të të japë shumë kënaqësi. Për shembull, Brajani shkruan: «Unë dhe gruaja rrinim disi duarkryq kur mbusha 65 vjeç, mosha kur dalin në pension në Britani. Fëmijët nuk jetonin më me ne, dhe në territor rrallëherë gjenim ndonjë të interesuar me të cilin mund të studionim Biblën. Mirëpo takova një të ri kinez që po merrej me punë kërkimore në universitetin në qytetin tim. Ai pranoi ftesën për të marrë pjesë në mbledhje, dhe nisa të studioja Biblën me të. Pas disa javësh filloi të merrte me vete në studim një koleg kinez. Dy javë më vonë mori edhe një të tretë e më pas edhe një të katërt.

13 Rreth kohës kur një tjetër kinez, i pesti, që bënte punë kërkimore, donte të studionte Biblën, mendova: ‘Fakti që jam 65 vjeç nuk do të thotë se duhet të dal në pension nga shërbimi i Jehovait.’ Kështu pyeta gruan e cila është dy vjet më e vogël se unë, nëse do të donte të mësonte kinezisht. Bëmë një kurs për gjuhën, të regjistruar në audio. Kjo ndodhi dhjetë vjet më parë. Predikimi në një territor të gjuhës së huaj na ka bërë të ndihemi sërish të rinj. Deri tani kemi studiuar Biblën me 112 kinezë! Shumica prej tyre kanë ardhur në mbledhje. Njëra tani shërben me ne si pioniere.»

Mbase nuk je tepër i moshuar për të zgjeruar shërbimin (Shih paragrafët 12, 13.)

GËZONI NDËRSA BËNI AQ SA MUNDENI

14. Për çfarë mund të jenë të lumtur të krishterët në moshë, dhe si u jep zemër atyre shembulli i Pavlit?

14 Edhe pse shumë të krishterë në të 50-at mund të shfrytëzojnë mundësi të  shkëlqyera për të bërë gjëra të reja në shërbim të Jehovait, nuk është kështu për të gjithë. Disa prej tyre janë shëndetligë, të tjerë duhet t’u bëjnë hyzmet prindërve të moshuar ose duhet të kujdesen akoma për fëmijët. Sidoqoftë, mund të jesh i lumtur duke ditur se Jehovai çmon çdo gjë që mund të bësh në shërbim të tij. Prandaj, në vend që të mërzitesh për atë që nuk mund të bësh, kënaqu me atë që mundesh. Të mendojmë për shembullin e apostullit Pavël. Për vite me radhë ishte në arrest shtëpie, dhe kjo e pengonte të udhëtonte si misionar. Por, kurdoherë që e vizitonin të tjerët, ai u fliste për Shkrimet dhe ua forconte besimin.Vep. 28:16, 30, 31.

15. Pse të krishterët e moshuar çmohen shumë?

15 Jehovai vlerëson atë që mund të bëjnë edhe të moshuarit në shërbimin e tij. Solomoni tha me të drejtë se ditët e vuajtjeve kur shëndeti bie nuk është faza ideale e jetës, por Jehovai vlerëson atë që mund të bëjnë të krishterët e moshuar për ta lëvduar. (Luka 21:2-4) Kongregacionet çmojnë shembullin e besnikërisë së atyre që kanë shërbyer prej vitesh.

16. Cilat privilegje nuk pati Ana e moshuar, por çfarë mundi të bënte në adhurimin e Perëndisë?

16 Bibla tregon për një grua të moshuar me emrin Ana që e lëvdoi pareshtur Jehovain besnikërisht, edhe gjatë pleqërisë. Kur lindi Jezui, ajo ishte vejushë 84 vjeçe. Ka shumë të ngjarë që nuk rroi aq sa të bëhej dishepulle e Jezuit, të mirosej me frymën e shenjtë ose të predikonte lajmin e mirë për Mbretërinë. Prapëseprapë, atë që mund të bënte, Ana e bëri me kënaqësi. «Ajo nuk mungonte kurrë në tempull dhe bënte shërbim të shenjtë natë e ditë.» (Luka 2:36, 37) Çdo mëngjes dhe mbrëmje kur prifti ofronte temjan në tempull, Ana ishte atje me turmën e mbledhur në oborr, duke u lutur në heshtje, mbase për gjysmë ore. Kur pa foshnjën Jezu, ajo nisi «t’u fliste për fëmijën të gjithë atyre që pritnin çlirimin e Jerusalemit».Luka 2:38.

17. Si mund t’i ndihmojmë të krishterët e moshuar dhe ata me probleme shëndetësore të marrin pjesë në adhurimin e vërtetë?

17 Sot duhet të jemi syçelë që t’u bëhemi krahë të krishterëve të moshuar ose atyre me probleme shëndetësore. Disa duan me gjithë shpirt të marrin pjesë në mbledhjet e kongregacionit dhe në asamble, mirëpo, rrallëherë mund të shkojnë. Në disa vende kongregacionet marrin masa të dashura që të moshuarit t’i ndjekin mbledhjet përmes telefonit. Në vende të tjera kjo mbase nuk mund të bëhet. Megjithatë, të krishterët që nuk i ndjekin dot mbledhjet, mund të bëjnë pjesën e tyre për të mbështetur adhurimin e vërtetë. Për shembull, lutjet e tyre kontribuojnë në përparimin e kongregacionit.Lexo Psalmin 92:13, 14.

18, 19. (a) Pse të krishterët e moshuar mund të mos e dinë sa shumë u japin zemër të tjerëve? (b) Kush mund ta zbatojë këshillën «kujtoje . . . Krijuesin tënd të Madh»?

18 Të krishterët e moshuar mund të mos e dinë sa shumë u japin zemër të tjerëve. Për shembull, edhe pse Ana besnike nuk mungoi kurrë në tempull për vite të tëra, as që e dinte se shekuj më vonë shembulli i saj ende do t’u jepte zemër të tjerëve. Dashuria e saj për Jehovain u regjistrua në Shkrime. Pa dyshim, dashuria jote për Perëndinë është regjistruar në zemrat e bashkëbesimtarëve. Ja përse Fjala e Perëndisë thotë: «Flokët e bardhë janë një kurorë bukurie kur gjenden në udhën e drejtësisë.»Prov. 16:31.

19 Të gjithë kemi kufij për atë që mund të bëjmë në shërbim të Jehovait. Por, të gjithë ne që akoma kemi fuqi e energji, le t’i marrim për zemër këto fjalë të frymëzuara: «Kujtoje Krijuesin tënd . . . para se të vijë koha e vuajtjeve.»Ekl. 12:1, DSF.