Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Adhuroni Jehovain, Mbretin e përjetësisë!

Adhuroni Jehovain, Mbretin e përjetësisë!

«Mbretit të përjetësisë, . . . i qoftë nderimi dhe lavdia në jetë të jetëve!»1 TIM. 1:17.

1, 2. (a) Kush është ‘Mbreti i përjetësisë’, dhe pse ky titull është me vend? (Shih figurën hapëse.) (b) Cili aspekt i mbretërimit të Jehovait na bën për vete?

MBRETI i Suazilendit, Sobuza II, sundoi për gati 61 vjet. Goxha arritje për një monark të ditëve tona. Sundimi i gjatë i mbretit Sobuza mund të na bëjë përshtypje, mirëpo ekziston një mbret, sundimi i të cilit nuk kufizohet nga jetëgjatësia e njeriut. Në të vërtetë, Bibla i referohet atij si ‘Mbreti i përjetësisë’. (1 Tim. 1:17) Një psalmist e identifikon me emër këtë Sovran, duke deklaruar: «Jehovai është Mbret në jetë të jetëve.»Psal. 10:16.

2 Edhe pse gjatësia e mbretërimit të Perëndisë është e pashoqe në krahasim me çdo sundim njerëzor, ajo që na bën për vete është mënyra si sundon Jehovai. Një mbret që sundoi në Izraelin e lashtë për 40 vjet, e lavdëroi Perëndinë me këto fjalë: «Jehovai është i mëshirshëm dhe hirmadh, nuk zemërohet shpejt dhe është plot dashamirësi. Jehovai e ka vendosur patundshmërisht fronin në qiej, dhe mbretëria e tij shtrihet mbi gjithçka.» (Psal. 103:8, 19) Jehovai nuk është vetëm Mbreti ynë, por edhe Ati ynë—Ati ynë i dashur qiellor. Por, tani lindin dy pyetje: në ç’mënyrë ka vepruar Jehovai si një Atë? Si e ka ushtruar autoritetin si mbret që nga rebelimi në Eden? Përgjigjet e këtyre pyetjeve do të na nxitin të afrohemi më  tepër me Jehovain e ta adhurojmë me gjithë zemër.

MBRETI I PËRJETËSISË KRIJON NJË FAMILJE UNIVERSALE

3. Kush ishte pjesëtari i parë i familjes universale të Jehovait, dhe cilët ishin të tjerët që u krijuan si ‘bij’ të Perëndisë?

3 Çfarë kënaqësie provoi Jehovai kur solli në ekzistencë Birin e tij të vetëmlindur! Perëndia nuk e trajtoi të parëlindurin e tij si një nënshtetas të rëndomtë. Përkundrazi, ai e donte si Bir dhe e ftoi të gëzonte bashkë me të teksa krijonin nënshtetas të tjerë të përsosur. (Kolos. 1:15-17) Këtu përfshiheshin mori e mori engjëjsh. Të përshkruar si ‘shërbëtorë të tij, që kryejnë vullnetin e tij’, engjëjt i shërbejnë me gëzim Perëndisë dhe ai i vesh me dinjitet, duke i quajtur ‘bij’. Ata janë pjesë e familjes universale të Jehovait.Psal. 103:20-22; Jobi 38:7.

4. Si u përfshinë njerëzit në familjen universale të Perëndisë?

4 Pasi krijoi qiejt dhe tokën, Jehovai e zgjeroi familjen e tij universale. Me të përgatitur tokën si një shtëpi të bukur e në gjendje të rigjeneronte veten, Jehovai krijoi njeriun e parë, Adamin, sipas shëmbëlltyrës së Tij—kulmi i veprave të tij në tokë. (Zan. 1:26-28) Si Krijues, Jehovai priste me të drejtë që njeriu i parë, Adami, t’i bindej. Si Atë, Jehovai dha të gjitha udhëzimet me dashuri e dashamirësi. Por, këto udhëzime në asnjë mënyrë nuk ua kufizuan së tepërmi lirinë.Lexo Zanafillën 2:15-17.

5. Çfarë masash mori Perëndia që të mbushte tokën me fëmijët e tij njerëzorë?

5 Ndryshe nga shumë monarkë, Jehovai me kënaqësi u delegon përgjegjësi nënshtetasve, duke u sjellë me ta si me pjesëtarët e besueshëm të familjes së vet. Për shembull, i dha Adamit autoritet mbi krijesat e tjera, përfshirë caktimin e lezetshëm, por jo aq të kollajtë, për t’u vënë emra kafshëve. (Zan. 1:26; 2:19, 20) Perëndia nuk krijoi veç e veç miliona njerëz të përsosur për të populluar tokën. Përkundrazi, vendosi të krijonte një plotësuese të përsosur për Adamin—Evën. (Zan. 2:21, 22) Pastaj, i dha mundësi çiftit të mbushnin tokën me fëmijët e tyre. Në kushte të përsosura, avash-avash njerëzit mund të zgjeronin kufijtë e Parajsës në çdo skaj të globit. Bashkë me engjëjt në qiell, mund të adhuronin Jehovain përgjithmonë si pjesë e familjes së tij universale. Ç’perspektivë e paparë! Çfarë shprehje e dashurisë atërore të Jehovait!

BIJTË REBELË HEDHIN POSHTË AUTORITETIN E PERËNDISË SI MBRET

6. (a) Si filloi rebelimi në familjen e Perëndisë? (b) Pse rebelimi nuk do të thoshte se Jehovait i doli situata jashtë kontrollit?

6 Mjerisht, Adami dhe Eva nuk u kënaqën me Jehovain si Sovran. Në vend të kësaj, vendosën të ndiqnin birin frymor rebel të Perëndisë, Satanain. (Zan. 3:1-6) Jeta e ndarë nga sundimi i Perëndisë u solli dhembje, vuajtje e vdekje si atyre, si fëmijëve. (Zan. 3:16-19; Rom. 5:12) Perëndia nuk kishte më nënshtetas të bindur në tokë. A do të thoshte kjo se situata i doli jashtë kontrollit, se kishte hequr dorë nga e drejta e tij si sovran mbi tokë e mbi banorët e saj? Absolutisht jo! Ai ushtroi autoritet kur dëboi nga kopshti i Edenit burrin e gruan e parë dhe, që të mos ktheheshin, caktoi kerubinët si roja në hyrje të tij. (Zan. 3:23, 24) Në të njëjtën kohë, Perëndia tregoi dashuri atërore, duke vërtetuar se do të plotësohej qëllimi i tij për të pasur një familje universale, të përbërë nga bij frymorë e njerëzorë të devotshëm. Ai premtoi se një pasardhës do t’i jepte fund Satanait e do të zhbënte pasojat e mëkatit të Adamit.Lexo Zanafillën 3:15.

7, 8. (a) Sa keq ishte katandisur situata në kohën e Noesë? (b) Ç’masa mori Jehovai që të pastronte tokën e të ruante familjen njerëzore?

 7 Në shekujt vijues disa vendosën t’i qëndronin besnikë Jehovait. Mes tyre ishin Abeli dhe Enoku. Megjithatë, shumica e njerëzve e hodhën poshtë Jehovain si Atë e Mbret derisa në kohën e Noesë toka «u mbush me dhunë». (Zan. 6:11) A do të thoshte kjo se Jehovai nuk i kishte më nën kontroll çështjet që lidheshin me tokën? Çfarë tregojnë ngjarjet historike?

8 Le të shqyrtojmë tregimin e Noesë. Jehovai i dha një projekt të detajuar dhe e udhëzoi të ndërtonte një arkë të stërmadhe, përmes së cilës do të shpëtonte Noenë e familjen e tij. Gjithashtu, Perëndia tregoi sa shumë e donte gjithë familjen e tij njerëzore kur caktoi Noenë si «një predikues të drejtësisë». (2 Pjet. 2:5) Pa dyshim, mesazhi i tij përfshinte edhe thirrjen për pendim dhe paralajmërime për shkatërrimin që po vinte, por ra në vesh të shurdhër. Për dekada me radhë, Noeja dhe familja e tij jetuan mes një bote plot dhunë e të zhytur në imoralitet. Jehovai, si një Atë i kujdesshëm, i mbrojti e i bekoi ata tetë shpirtra besnikë. Ai ushtroi pushtetin e tij mbi njerëzit rebelë e engjëjt e ligj, duke sjellë një Përmbytje globale. S’diskutohet që Jehovai e kishte situatën nën kontroll.Zan. 7:17-24.

Jehovai gjithmonë e ka ushtruar autoritetin e tij si Mbret (Shih paragrafët 6, 8, 10, 12, 17.)

AUTORITETI I JEHOVAIT SI MBRET PAS PËRMBYTJES

9. Ç’mundësi i dha Jehovai njerëzimit pas Përmbytjes?

9 Ndërsa Noeja dhe familja e tij shkelnin tokën e pastruar dhe u ngopën me ajër të pastër, patjetër që zemrat iu mbushën plot mirënjohje për kujdesin e mbrojtjen e Jehovait. Menjëherë, Noeja ndërtoi një altar dhe ofroi flijime për të adhuruar Jehovain. Perëndia e bekoi atë dhe familjen e tij dhe i udhëzoi: «Jini të frytshëm, shumohuni dhe mbushni tokën.» (Zan. 8:20–9:1) Përsëri, njerëzit kishin mundësi të bashkoheshin në adhurim e të mbushnin tokën.

10. (a) Kur dhe si nxori kokë rebelimi kundër Jehovait pas Përmbytjes? (b) Ç’masë mori Jehovai që të siguronte plotësimin e vullnetit të tij?

10 Megjithatë, Përmbytja nuk e fshiu papërsosmërinë, dhe njerëzve akoma u duhej të përballeshin me ndikimin e padukshëm të Satanait e të engjëjve rebelë. S’kaloi shumë dhe rebelimi ndaj sundimit dashamirës të Jehovait nxori kokë sërish. Për shembull, stërnipi i Noesë, Nimrodi, ngriti krye ndaj sundimit të Jehovait në një shkallë të paparë. Nimrodi përshkruhet si «një gjahtar i fuqishëm kundër Jehovait». Ai ndërtoi qytete të mëdha, si Babeli, dhe e shpalli veten mbret «në vendin e Shinarit». (Zan. 10:8-12) Si do të vepronte Mbreti i përjetësisë kundër mbretit rebel dhe orvatjes së tij që të pengonte qëllimin e Perëndisë ‘për të mbushur tokën’? Perëndia u ngatërroi gjuhën, e si pasojë nënshtetasit e Nimrodit u pështjelluan dhe u shpërndanë «në gjithë faqen e tokës». Ata morën me vete adhurimin e tyre të rremë dhe modelin e sundimit njerëzor.Zan. 11:1-9.

11. Si tregoi Jehovai besnikëri ndaj mikut të tij, Abrahamit?

11 Edhe pse pas Përmbytjes shumë adhuronin perëndi të rreme, disa besnikë ende nderonin Jehovain. Një prej tyre ishte Abrahami, i cili iu bind kur la pas rehatinë në qytetin e tij të Urit e banoi në tenda për vite me radhë. (Zan. 11:31; Hebr. 11:8, 9) Gjatë kohës që Abrahami jetoi si endacak shpesh u gjend mes mbretërve paganë, shumë prej të cilëve jetonin në qytete të rrethuara me mure. Por, Jehovai e ruajti Abrahamin dhe familjen e tij. Për mbrojtjen atërore të Jehovait, psalmisti deklaroi: «[Perëndia] nuk  lejoi t’ua hante kush hakun, përkundrazi, për shkak të tyre qortoi mbretër.» (Psal. 105:13, 14) I shtyrë nga besnikëria ndaj Abrahamit, mikut të tij, Jehovai i premtoi: «Nga ti do të dalin kombe e mbretër.»Zan. 17:6; Jak. 2:23.

12. Si e ushtroi Jehovai autoritetin si sovran mbi Egjiptin, dhe si ndikoi kjo te populli i tij i zgjedhur?

12 Premtimin se do t’i bekonte, Perëndia ia përsëriti Isakut, birit të Abrahamit dhe Jakobit, nipit të tij. Ky premtim përfshinte edhe faktin se nga pasardhësit e tyre do të dilnin mbretër. (Zan. 26:3-5; 35:11) Megjithatë, ata u bënë skllevër në Egjipt para se të dilnin mbretër nga pasardhësit e Jakobit. A do të thoshte kjo se Jehovai nuk do të përmbushte premtimin e tij ose se kishte hequr dorë nga autoriteti si sovran mbi tokë? Aspak! Kur e pa të udhës, Jehovai shpalosi fuqinë e tij hyjnore dhe ushtroi autoritetin si sovran mbi faraonin kokëderr. Izraelitët e skllavëruar treguan besim te Jehovai, i cili i çliroi në një mënyrë marramendëse duke kaluar Detin e Kuq. Qartë, Jehovai ishte ende Sovrani Universal, dhe si një Atë i kujdesshëm, ushtroi fuqinë e tij të pashtershme për të mbrojtur popullin.Lexo Daljen 14:13, 14.

JEHOVAI BËHET MBRET I IZRAELIT

13, 14. (a) Çfarë kënduan izraelitët për autoritetin e Jehovait si Mbret? (b) Çfarë premtimi i bëri Perëndia Davidit për mbretërinë e tij?

13 Fill pas çlirimit nga Egjipti me anë të një mrekullie, izraelitët kënduan një këngë fitoreje, duke i thurur lavdi Jehovait. Ajo këngë, e regjistruar te kapitulli 15 i Daljes, përfshin këtë shprehje në vargun 18: «Jehovai do të mbretërojë në kohë të pafundme, po, përgjithmonë.» Vërtet, Jehovai u bë Mbret i kombit të ri. (Ligj. 33:5) Megjithatë, popullit nuk i mjaftonte ta kishin Jehovain si Sundimtar të padukshëm. Rreth 400 vjet pasi dolën nga Egjipti, i kërkuan Perëndisë t’u caktonte një mbret njerëzor, ashtu siç kishin kombet fqinje pagane. (1 Sam. 8:5) Pavarësisht nga kjo, Jehovai ishte ende Mbret, dhe kjo u duk qartë gjatë mbretërimit të Davidit, mbretit të dytë të Izraelit.

14 Davidi solli në Jerusalem arkën e shenjtë të besëlidhjes. Gjatë këtij rasti të hareshëm levitët kënduan një këngë lëvdimi që përmbante një shprehje kuptimplotë,  të regjistruar te 1 Kronikave 16:31: «Le të thonë ata ndër kombe: ‘Jehovai është bërë mbret!’» Dikush mund të pyesë: «Meqë Jehovai është Mbret i përjetësisë, si ka mundësi që u bë Mbret në këtë moment?» Jehovai bëhet Mbret kur ushtron fuqinë si sundimtar ose kur themelon një mjet për të përfaqësuar veten në një kohë të caktuar a për të trajtuar një çështje specifike. Ky aspekt i autoritetit të Jehovait si Mbret ka domethënie të gjerë. Para se të vdiste Davidi, Jehovai i premtoi se mbretërimi i tij do të vazhdonte përgjithmonë: «Unë do të nxjerr pas teje një pasardhës, që do të dalë nga brendësia jote, dhe do ta bëj të patundur mbretërinë e tij.» (2 Sam. 7:12, 13) Ashtu si rrodhën gjërat, ky «pasardhës» i Davidit u shfaq më shumë se 1000 vjet më vonë. Kush ishte ky dhe kur do të bëhej Mbret?

JEHOVAI EMËRON NJË MBRET TË RI

15, 16. Kur u emërua Jezui si Mbret i ardhshëm, dhe çfarë masash mori për sundimin e tij kur ishte ende në tokë?

15 Në vitin 29 të e.s. Gjon Pagëzori nisi të predikonte se «mbretëria e qiejve [ishte] afruar». (Mat. 3:2) Kur Gjoni pagëzoi Jezuin, Jehovai e emëroi Jezuin si Mesinë e premtuar dhe Mbretin e ardhshëm të Mbretërisë së Perëndisë. Jehovai i shprehu përzemërsi atërore Jezuit me fjalët: «Ky është Biri im, i dashuri, që e kam miratuar.»Mat. 3:17.

16 Gjatë shërbimit në tokë, Jezui i dha lavdi Atit. (Gjoni 17:4) E bëri këtë duke predikuar për Mbretërinë e Perëndisë. (Luka 4:43) Madje, i mësoi dishepujt të luteshin që të vinte kjo Mbretëri. (Mat. 6:10) Si Mbret i emëruar, Jezui me të drejtë u shpalli kundërshtarëve: «Mbretëria e Perëndisë është mes jush.» (Luka 17:21) Më vonë, mbrëmjen para se të vdiste, Jezui bëri «një besëlidhje për një mbretëri» me apostujt. Kështu u hapi rrugën disa prej dishepujve të tij besnikë që të bashkoheshin me të si mbretër në Mbretërinë e Perëndisë.Lexo Lukën 22:28-30.

17. Në ç’mënyrë të pjesshme filloi të ushtronte autoritet si Mbret Jezui në shekullin e parë, por për çfarë duhej të priste?

17 Kur do të fillonte të sundonte Jezui si Mbret i Mbretërisë së Perëndisë? S’mund të fillonte menjëherë. Pikërisht pasditen tjetër Jezuin e ekzekutuan, dhe dishepujt e tij u shpërndanë. (Gjoni 16:32) Mirëpo, ashtu si në të kaluarën, Jehovai e kishte situatën në dorë. Ditën e tretë e ringjalli Birin e tij dhe në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., Jezui themeloi një mbretëri frymore mbi kongregacionin e krishterë të vëllezërve të tij të mirosur. (Kolos. 1:13) Megjithatë, Jezui duhej të priste që të ushtronte plotësisht fuqinë mbretërore në tokë si fara e premtuar. Jehovai i tha të Birit: «Ulu në të djathtën time, derisa t’i vë armiqtë e tu si stol për këmbët e tua.»Psal. 110:1.

ADHURO MBRETIN E PËRJETËSISË

18, 19. Çfarë nxitemi të bëjmë, dhe ç’do të mësojmë në artikullin vijues?

18 Për mijëvjeçarë me radhë, autoriteti i Jehovait si Mbret është sfiduar në qiell e në tokë. Jehovai s’ka hequr dorë kurrë nga sovraniteti i tij; ai gjithmonë e ka mbajtur nën kontroll situatën. Si një Atë i dashur, i ka mbrojtur dhe është kujdesur për nënshtetas besnikë, si Noeja, Abrahami dhe Davidi. A nuk na nxit kjo t’i nënshtrohemi Mbretit tonë dhe t’i afrohemi më shumë atij?

19 Mirëpo tani, mund të pyesim: si është bërë Jehovai Mbret në ditët tona? Si mund të tregojmë se jemi nënshtetas besnikë të Mbretërisë së Jehovait dhe të bëhemi bij të përsosur në familjen e tij universale? Çfarë do të thotë të lutemi që të vijë Mbretëria e Perëndisë? Këto pyetje do të marrin përgjigje në artikullin vijues.