«Vëllezër, . . . ju kërkojmë të mos tronditeni shpejt në gjykimin tuaj.»2 SEL. 2:1, 2.

1, 2. Pse mashtrimi është kaq i përhapur sot dhe ç’formë mund të marrë? (Shih figurën pranë titullit.)

DREDHITË, mashtrimet financiare dhe hilet janë mjaft të përhapura në botën e sotme. Kjo nuk duhet të na habitë pasi Bibla e thotë qartë se Satana Djalli është një mashtrues i regjur dhe sundimtari i kësaj bote. (1 Tim. 2:14; 1 Gjon. 5:19) Ndërsa i afrohemi fundit të këtij sistemi të lig, zemërimi i Satanait intensifikohet, sepse i mbetet vetëm ‘një periudhë kohe e shkurtër’. (Zbul. 12:12) Prandaj, nga njerëzit nën ndikimin e Djallit mund të presim që të jenë gjithnjë e më shumë hileqarë, sidomos ndaj atyre që përkrahin adhurimin e vërtetë.

2 Ndonjëherë në media dëgjojmë pohime mashtruese dhe gënjeshtra troç për shërbëtorët e Jehovait. Titujt kryesorë të gazetave, dokumentarët televizivë dhe faqet e Internetit përdoren për të përhapur informacione të pavërteta. Si pasojë, disa mërziten ngaqë u besojnë verbërisht këtyre gënjeshtrave.

3. Çfarë mund të na ndihmojë t’u kundërvihemi mashtrimeve?

3 Sa mirë që kemi Fjalën e Perëndisë, e cila është ‘e dobishme për të ndrequr’ që t’i kundërvihemi kësaj taktike shkurajuese të armikut tonë! (2 Tim. 3:16) Ia vlen të theksohet se nga shkrimet e apostullit Pavël kuptojmë se disa të krishterë të shekullit të parë në Selanik ishin mashtruar, duke pranuar gjëra të pavërteta. Ai i nxiti ‘të mos tronditeshin shpejt në gjykimin e tyre’. (2 Sel. 2:1, 2) Çfarë mësimesh nxjerrim nga këshilla e dashur e Pavlit dhe si mund t’i zbatojmë në rrethanat tona?

PARALAJMËRIME NË KOHËN E DUHUR

4. Si u paralajmëruan të krishterët në Selanik për ardhjen e ‘ditës së Jehovait’ dhe si paralajmërohemi sot?

4 Në letrën e parë që i dërgoi kongregacionit të Selanikut,  Pavli drejtoi vëmendjen tek ardhja e ‘ditës së Jehovait’. Nuk donte që vëllezërit të ishin në errësirë dhe të papërgatitur. Përkundrazi, i nxiti që, si «bij të dritës», ‘të rrinin zgjuar dhe të ruanin gjykimin’. (Lexo 1 Selanikasve 5:1-6.) Ne sot presim shkatërrimin e Babilonisë së Madhe, perandorisë botërore të fesë së rreme. Kjo do të shënojë fillimin e ditës së madhe të Jehovait. Sa mirë që kemi një kuptueshmëri më të plotë për përmbushjen e qëllimit të Jehovait! Gjithashtu, përmes kongregacionit marrim rregullisht përkujtues në kohën e duhur që na ndihmojnë të ruajmë gjykimin. Nëse u kushtojmë vëmendje këtyre paralajmërimeve të herëpashershme, do të forcojmë vendosmërinë për t’i bërë Perëndisë ‘shërbim të shenjtë me fuqinë tonë për të arsyetuar’.Rom. 12:1.

Pavli shkroi letra që u dhanë të krishterëve paralajmërime në kohën e duhur (Shih paragrafët 4, 5.)

5, 6. (a) Për çfarë foli Pavli në Letrën e Dytë drejtuar Selanikasve? (b) Çfarë do të bëjë së shpejti Perëndia me anë të Jezuit, dhe cilat pyetje duhet t’i bëjmë vetes?

5 Pak pasi u dërgoi letrën e parë të krishterëve në Selanik, Pavli u dërgoi një letër të dytë. Në të foli për shtrëngimin që do të vinte, gjatë të cilit Zotëria Jezu do të ekzekutonte gjykimin hyjnor mbi ‘ata që nuk do ta njihnin Perëndinë dhe mbi ata që nuk do t’i bindeshin lajmit të mirë’. (2 Sel. 1:6-8) Në kapitullin e dytë të kësaj letre tregohet se disa në atë kongregacion ishin ‘trazuar’ aq shumë për ditën e Jehovait, sa besonin se ishte në prag. (Lexo 2 Selanikasve 2:1, 2.) Ata të krishterë të hershëm kishin kuptueshmëri të kufizuar për përmbushjen e qëllimit të Jehovait, siç pranoi më vonë edhe Pavli për profecinë: «Ne kemi njohuri të pjesshme dhe profetizojmë pjesërisht, por, kur të mbërrijë ajo që është e plotë, ajo që është e pjesshme, do të hiqet.» (1 Kor. 13:9, 10) Por, me anë të paralajmërimeve të frymëzuara që shkroi Pavli, apostulli Pjetër dhe vëllezër të tjerë të mirosur besnikë në atë kohë, të krishterët mund të ruanin besimin.

6 Për të ndrequr gjërat, nën frymëzim Pavli shpjegoi se para ditës së Jehovait do të shfaqej një apostazi e madhe dhe «njeriu i paligjshmërisë». * Pastaj, kur ta  shihte të udhës, Zotëria Jezu ‘do të asgjësonte’ të gjithë ata që do të mashtroheshin. Apostulli tregoi qartë pse do të gjykoheshin, pra «ngaqë nuk pranuan ta donin të vërtetën». (2 Sel. 2:3, 8-10) Bëjmë mirë të pyesim veten: «Sa shumë e dua të vërtetën? A jam i përditësuar me kuptueshmërinë e tanishme siç paraqitet në faqet e kësaj reviste dhe në botimet e tjera të bazuara në Bibël që sigurohen për kongregacionin mbarëbotëror të popullit të Perëndisë?»

ZGJIDHENI SHOQËRINË ME MENÇURI

7, 8. (a) Me cilat rreziqe u desh të përballeshin të krishterët e hershëm? (b) Cili është një rrezik i veçantë për të krishterët e vërtetë sot?

7 Pa dyshim, të krishterët do të përballeshin edhe me rreziqe të tjera, përveçse me apostatët dhe mësimet e tyre. Pavli i shkroi Timoteut se «dashuria për para është rrënja e çdo lloj gjëje të dëmshme». Ai shpjegoi se «duke rendur pas kësaj dashurie, disa kanë dalë nga rruga e besimit dhe janë shpuar tejpërtej me shumë dhembje». (1 Tim. 6:10) Edhe «veprat e mishit» do të ishin një rrezik gjithnjë i pranishëm.Gal. 5:19-21.

8 Megjithatë nuk është e vështirë të kuptojmë pse Pavli i paralajmëroi me forcë selanikasit për rrezikun e madh që përbënin ata burra të cilët diku tjetër i quajti «apostuj të rremë». Disa prej tyre thoshin «gjëra të shtrembëruara, për të tërhequr pas vetes dishepujt». (2 Kor. 11:4, 13; Vep. 20:30) Më vonë Jezui e lavdëroi kongregacionin e Efesit ngaqë ‘nuk i duronte dot njerëzit e këqij’. Ata ‘i vinin në provë’ personat që në fakt ishin apostuj të rremë, pra gënjeshtarë. (Zbul. 2:2) Është interesante që në Letrën e Dytë drejtuar Selanikasve, Pavli u tha prerazi: «Tani, vëllezër, në emër të Zotërisë Jezu Krisht, po ju urdhërojmë që të largoheni nga çdo vëlla që ecën në mënyrë të çrregullt.» Më pas përmendi veçanërisht të krishterët që ‘nuk donin të punonin’. (2 Sel. 3:6, 10) Nëse këta të fundit konsideroheshin të çrregullt, sa më tepër ishin të tillë ata që po devijonin drejt apostazisë! Po, shoqërimi i ngushtë me këta njerëz ishte veçanërisht i rrezikshëm në atë kohë dhe duhej shmangur. Kjo vlen edhe sot.Prov. 13:20.

9. Pse duhet të kemi shumë kujdes nëse dikush fillon të spekulojë ose të flasë në mënyrë kritike?

9 Ngaqë po i afrohemi shpërthimit të shtrëngimit të madh dhe fundit të këtij sistemi të lig, ato paralajmërime të frymëzuara që u dhanë në shekullin e parë vlejnë edhe më shumë sot. Ne patjetër s’duhet të harrojmë «qëllimin» e dashamirësisë së pamerituar të Jehovait dhe kështu të humbim mundësinë për jetën e përhershme, qoftë në qiell apo në tokë. (2 Kor. 6:1) Nëse dikush që ndjek mbledhjet e kongregacionit me marifet përpiqet të na përfshijë në diskutime rreth spekulimeve personale ose në biseda kritikuese, duhet të kemi shumë kujdes.2 Sel. 3:13-15.

«MBANI FORT TRADITAT»

10. Cilave tradita u nxitën t’u përmbaheshin të krishterët në Selanik?

10 Pavli i inkurajoi vëllezërit në Selanik ‘të qëndronin të patundur’ dhe t’i përmbaheshin asaj që kishin mësuar. (Lexo 2 Selanikasve 2:15.) Çfarë ishin «traditat» që u ishin mësuar? Sigurisht nuk ishin tradita të fesë së rreme që paraqiteshin sikur të ishin aq të vlefshme sa informacionet nga Shkrimet. Jo, Pavli po fliste për mësimet që ai dhe të tjerët kishin marrë nga Jezui, si dhe për ato që transmetoi vetë apostulli i nxitur nga Perëndia. Mjaft prej tyre u bënë pjesë e Shkrimeve të frymëzuara. Pavli i lavdëroi  vëllezërit në kongregacionin e Korintit sepse, siç u shkroi: «Më kujtoni në gjithçka» dhe «i ruani traditat», ashtu siç ua kishte përcjellë ai. (1 Kor. 11:2, Filipaj) Këto mësime vinin nga një burim i sigurt dhe ishin vërtet të besueshme.

11. Në ç’mënyra mund të bien pre e mashtrimit disa?

11 Në Letrën drejtuar Hebrenjve, Pavli theksoi dy mënyra në të cilat një i krishterë mund të humbasë besimin e të mos qëndrojë. (Lexo Hebrenjve 2:1; 3:12.) Ai tha se mund ‘të na marrë rryma’ dhe mund ‘të largohemi’. Kur një varkë e merr rryma dhe e çon larg bregut, në fillim mund të mos vihet re fare por, gradualisht distanca rritet. Nga ana tjetër, dikush që e shtyn varkën nga bregu, e largon vetë. Të dyja këto situata e shpjegojnë mirë rastin e disave që bien pre e mashtrimit, duke lejuar t’u dobësohet besimi tek e vërteta.

12. Rendja pas cilave aktivitete mund të na dëmtojë frymësisht?

12 Kështu mund të ketë ndodhur me disa selanikas. Ç’mund të themi për ne? Sot ka plot aktivitete që na harxhojnë kohën kot. Mendo pak sa shumë orë kalohen duke komunikuar nëpërmjet rrjeteve shoqërore, duke lexuar e duke iu përgjigjur mesazheve elektronike, duke u dhënë me gjithë zemër pas hobeve dhe duke qenë të fiksuar pas ngjarjeve sportive. Secili prej këtyre aktiviteteve mund ta shpërqendrojë një të krishterë e t’i dobësojë zellin. Ç’mund të ndodhë si pasojë? Kjo mund të ndikojë negativisht te lutjet nga zemra, te studimi i Fjalës së Perëndisë, te pjesëmarrja në mbledhje dhe te predikimi i lajmit të mirë. Atëherë, çfarë mund të bëjmë që të mos tronditemi shpejt në gjykimin tonë?

MBROJTJE QË TË MOS TRONDITEMI

13. Ashtu siç ishte parathënë, ç’qëndrim kanë shumë njerëz dhe çfarë të bëjmë që të mos na dobësohet besimi?

13 Me çdo kusht duhet të jemi gjithnjë të vetëdijshëm për kohën në të cilën jetojmë dhe për ndikimin që mund të ketë te ne shoqërimi me ata që nuk duan të pranojnë se jemi në «ditët e fundit». Duke folur për këtë periudhë, apostulli Pjetër shkroi: «Do të vijnë tallës, që do të tallen e do të vazhdojnë të ecin sipas dëshirave të veta, dhe do të thonë: ‘Ku është kjo prania e tij e premtuar?! Se ja, që nga dita që paraardhësit tanë ranë në gjumin e vdekjes, të gjitha gjërat po vazhdojnë tamam si nga fillimi i krijimit.’» (2 Pjet. 3:3, 4) Leximi i përditshëm dhe studimi i rregullt i Fjalës së Perëndisë do të na ndihmojnë të mos harrojmë ku ndodhemi në rrjedhën e kohës—gjithnjë të vetëdijshëm se po jetojmë në «ditët e fundit». Apostazia e parathënë është shfaqur vite e vite më parë dhe vazhdon sot e kësaj dite. «Njeriu i paligjshmërisë» ekziston ende dhe i kundërshton shërbëtorët e Perëndisë. Ja përse duhet të jemi gjithmonë vigjilentë se dita e Jehovait është shumë afër.Sof. 1:7.

Kur përgatitemi mirë dhe marrim pjesë në shërbim, mund të mos tronditemi shpejt në gjykimin tonë (Shih paragrafët 14, 15.)

14. Si mbrohemi kur jemi të zënë në shërbim të Perëndisë?

14 Përvoja ka treguar se një nga mënyrat kryesore për të qëndruar vigjilentë e për të mos u tronditur në gjykimin tonë është duke marrë pjesë rregullisht në predikimin e lajmit të mirë për Mbretërinë. Kur Jezu Krishti, Kreu i kongregacionit, i urdhëroi ithtarët të bënin dishepuj njerëz nga të gjitha kombet dhe t’i mësonin të zbatonin të gjitha gjërat që u kishte mësuar, në të vërtetë po u jepte një këshillë që do t’i mbronte ata. (Mat. 28:19, 20) Që të ndjekim drejtimin  e tij, duhet të jemi të zellshëm në veprën e predikimit. A i imagjinoni dot vëllezërit në Selanik duke predikuar e duke mësuar sa për sy e faqe, sikur predikimi të ishte thjesht një detyrë që bëhej me zor? Kujtoni fjalët e Pavlit: «Mos e shuani zjarrin e frymës. Mos i trajtoni me përçmim profecitë.» (1 Sel. 5:19, 20) Sa profeci mahnitëse që studiojmë dhe ua tregojmë të tjerëve!

15. Cilat gjëra të dobishme mund të diskutojmë gjatë adhurimit familjar?

15 Kuptohet, duam t’i ndihmojmë familjarët t’i përmirësojnë aftësitë në shërbim. Shumë vëllezër e motra kanë kuptuar se një mënyrë si mund ta arrijnë këtë është duke ia kushtuar një pjesë të adhurimit familjar shërbimit. Pse të mos diskutoni se si secili mund të ndjekë interesin e gjetur në territor. Për çfarë të flasë në vizitën tjetër? Cilat tema ka të ngjarë t’ua shtojnë interesin atyre që do të vizitojë? Kur është më mirë të shkojë tek ata? Shumë ua kushtojnë një pjesë të adhurimit familjar mbledhjeve të kongregacionit. Kjo i ndihmon të dinë atë që do të trajtohet në mbledhje. A mund të përgatiteni më shumë që pjesëmarrja juaj të jetë më domethënëse? Kur përfshiheni kështu në mbledhje, besimi juaj do të forcohet dhe vështirë se do të tronditeni në gjykimin tuaj. (Psal. 35:18) Po, adhurimi familjar do t’ju ruajë nga spekulimet dhe dyshimet.

16. Çfarë i motivon të krishterët e mirosur që të ruajnë gjykimin?

16 Kur ndalemi e mendojmë se si e ka bekuar Jehovai popullin e tij gjatë viteve me më shumë kuptueshmëri për profecitë biblike, mund të dallojmë se na pret një e ardhme e mrekullueshme. Të mirosurit kanë shpresën që të bashkohen me Krishtin në qiell. Sa nxitje e fortë që të ruajnë gjykimin! Mund të zbatohen për ta fjalët që Pavli u tha selanikasve: «Ne e kemi për detyrë të falënderojmë gjithmonë Perëndinë për ju, o vëllezër të dashur për Jehovain, sepse Perëndia ju zgjodhi . . . duke ju shenjtëruar me frymë dhe prej besimit tuaj në të vërtetën.»2 Sel. 2:13.

17. Çfarë inkurajimi gjeni te 2 Selanikasve 3:1-5?

17 Edhe ata që mezi presin të jetojnë përgjithmonë në tokë duhet të përpiqen fort të mos tronditen shpejt në gjykimin e tyre. Nëse keni shpresë tokësore, merreni për zemër inkurajimin e dashur që Pavli u dha vëllezërve në Selanik që ishin të mirosur si ai. (Lexo 2 Selanikasve 3:1-5.) Secili prej nesh duhet t’i çmojë thellësisht këto ndjenja të ngrohta që shprehu Pavli. Vërtet, letrat drejtuar Selanikasve sigurojnë paralajmërime jetësore kundër spekulimeve dhe ideve të dyshimta. Të krishterët sot i vlerësojnë jashtë mase këto paralajmërime, sepse fundi është pranë.

^ par. 6 Siç lexojmë te Veprat 20:29, 30, Pavli nxori në pah se brenda kongregacionit ‘do të ngriheshin njerëz e do të thoshin gjëra të shtrembëruara, për të tërhequr pas vetes dishepujt’. Historia vërteton se me kalimin e kohës u krijua një ndarje mes klerit dhe besimtarëve të thjeshtë. Aty nga shekulli i tretë i e.s. u shfaq «njeriu i paligjshmërisë», i cili duket qartë në grupin e përbërë të klerit të krishterimit.—Shih revistën Kulla e Rojës të 1 shkurtit 1990, faqet 10-14, anglisht.