«Ne do të ngremë kundër tij shtatë barinj, po, tetë dukë nga njerëzit.»MIK. 5:5.

1. Pse komploti i aleancës siro-izraelite do të dështonte patjetër?

DIKU mes viteve 762 dhe 759 p.e.s. mbreti i Izraelit dhe ai i Sirisë i shpallën luftë mbretërisë së Judës. Me cilin synim? Të pushtonin Jerusalemin, ta hiqnin nga froni mbretin Akaz dhe ta zëvendësonin me një tjetër, ndoshta me dikë që nuk i përkiste linjës së mbretit David. (Isa. 7:5, 6) Mbreti i Izraelit duhej ta dinte sa e gabuar ishte kjo. Jehovai kishte shpallur se në fronin e Tij do të ulej gjithmonë një nga pasardhësit e Davidit, dhe fjala e Perëndisë nuk mbetet kurrë e paplotësuar.Jos. 23:14; 2 Sam. 7:16.

2-4. Shpjego si u përmbush Isaia 7:14, 16 (a) në shekullin e tetë p.e.s. (b) në shekullin e parë të e.s.

2 Në fillim dukej se aleanca siro-izraelite kishte epërsi. Në një betejë të vetme, Akazi humbi 120.000 luftëtarë trima. Masejahun, «birin e mbretit», e vranë. (2 Kron. 28:6, 7) Por, Jehovai po shihte. Ai nuk e harroi premtimin që i kishte bërë Davidit, prandaj dërgoi profetin Isaia me një mesazh tejet inkurajues.

3 Isaia tha: «Ja, vasha do të mbetet shtatzënë dhe do të lindë një djalë, të cilit do t’ia vërë emrin Emanuel. . . . Para se djali të dijë të flakë të keqen dhe të zgjedhë të mirën, toka e dy mbretërve që ti i ke tmerr [Siria dhe Izraeli], do të braktiset krejt.» (Isa. 7:14, 16) Pjesën e parë të profecisë shpesh e lidhin me lindjen e Mesisë, dhe me të drejtë. (Mat. 1:23) Megjithatë, meqë ‘dy mbretërit’, i Sirisë dhe ai i Izraelit, nuk përbënin më një kërcënim për Judën në kohën kur lindi Jezui, profecia për Emanuelin duhet të ketë pasur një përmbushje fillestare në ditët e Isaisë.

 4 Pak pasi Isaia bëri këtë njoftim të jashtëzakonshëm, gruaja e tij mbeti shtatzënë dhe i lindi një djalë që i vunë emrin Maher-Shalal-Hash-Baz. Ka mundësi që ai fëmijë të ketë qenë ‘Emanueli’ që përmendi Isaia. * Në kohët biblike një foshnje mund t’i vihej një emër kur lindte, mbase për të kujtuar një ngjarje të veçantë, por prindërit dhe të afërmit mund ta thërritnin me emër tjetër. (2 Sam. 12:24, 25) Nuk ka asnjë dëshmi që Jezuin ta kenë quajtur ndonjëherë Emanuel.Lexo Isainë 7:14; 8:3, 4.

5. Çfarë vendimi të pamend mori mbreti Akaz?

5 Ndërsa Izraeli dhe Siria ia kishin vënë syrin Judës, një shtet tjetër, militarist, kishte qëllime ambicioze për atë rajon. Ishte fuqia botërore e Asirisë që po dilte në skenë. Sipas Isaisë 8:3, 4, Asiria do të rrëmbente «pasuritë e Damaskut» dhe ‘plaçkën e Samarisë’ para se të sulmonte mbretërinë jugore të Judës. Në vend që të tregonte besim te fjalët që kishte thënë Perëndia me anë të Isaisë, Akazi i pabesë lidhi një pakt katastrofik me asirianët dhe si pasojë Juda përfundoi nën zgjedhën e tyre. (2 Mbret. 16:7-10) Sa dështak ishte Akazi si bari i Judës! Mund të pyesim veten: «Kur duhet të marr vendime të rëndësishme, mbështetem te Perëndia apo te njerëzit?»Prov. 3:5, 6.

NJË BARI TJETËR VEPRON NDRYSHE

6. Krahaso mbretërimin e Akazit me atë të Hezekisë.

6 Akazi vdiq më 746 p.e.s., dhe biri i tij, Hezekia, trashëgoi mbretërinë e Judës të zhytur në skamje e të rrënuar frymësisht. Çfarë përparësish kishte mbreti i ri kur mori fronin? Të forconte ekonominë e dobët të Judës? Jo. Hezekia ishte njeri frymor, një bari i denjë për kopenë, për kombin e tij. Hapi i parë ishte të rivendoste adhurimin e pastër dhe të përtërinte marrëdhënien e tendosur të kombit kryeneç me Jehovain. Kur e kuptoi cili ishte vullneti i Perëndisë për të, Hezekia veproi me vendosmëri. Sa shembull i shkëlqyer për ne!2 Kron. 29:1-19.

7. Pse ishte e rëndësishme që mbreti i ri t’i siguronte levitët për mbështetjen e tij?

7 Levitët do të luanin një rol jetësor në detyrën e rëndësishme për të rivendosur adhurimin e pastër. Prandaj, Hezekia i mblodhi që t’i siguronte për mbështetjen e tij. Imagjinoni levitët besnikë në atë mbledhje që derdhnin lot gëzimi ndërsa dëgjonin deklaratën e mbretit: «Jehovai ju ka zgjedhur për të qëndruar përpara tij për t’i shërbyer.» (2 Kron. 29:11) Po, levitët morën një urdhër të qartë që të mbështetnin adhurimin e pastër.

8. Cilët hapa të mëtejshëm mori Hezekia për të rimëkëmbur frymësisht kombin e me ç’rezultat?

8 Hezekia ftoi gjithë Judën dhe Izraelin për të kremtuar një Pashkë të madhe, e cila u pasua nga festa e Kuleçve të Ndormë prej shtatë ditësh. Populli u kënaq aq shumë, sa festoi edhe shtatë ditë të tjera. Bibla tregon: «Në Jerusalem pati një gëzim të madh, sepse që nga ditët e Solomonit, birit të Davidit, mbretit të Izraelit, nuk kishte pasur një gjë të tillë në atë qytet.» (2 Kron. 30:25, 26) Sa motivuese ishte për popullin kjo festë frymore! Te 2 Kronikave 31:1 lexojmë: «Sapo e përfunduan gjithë këtë, . . . bënë copë-copë kolonat e  shenjta, prenë shtyllat e shenjta dhe rrëzuan vendet e larta e altarët.» Juda filloi të kthehej te Jehovai në një mënyrë të jashtëzakonshme. Ky pastrim frymor do të ishte tejet i rëndësishëm duke pasur parasysh atë që i priste.

MBRETI PËRGATITET PËR KOHË TË VËSHTIRA

9. (a) Si dështuan planet e Izraelit? (b) Sa sukses pati në fillim Senakeribi në Judë?

9 Siç kishte thënë Isaia, asirianët pushtuan mbretërinë veriore të Izraelit dhe i çuan në mërgim banorët e saj, kështu prishën planin e Izraelit që të vendoste dikë tjetër në fronin e Davidit. Po tani, çfarë synimi kishin asirianët? Ata vunë në shënjestër Judën. Bibla thotë: «Vitin e katërmbëdhjetë të mbretërimit të mbretit Hezekia, Senakeribi, mbreti i Asirisë, sulmoi të gjitha qytetet e fortifikuara të Judës dhe i pushtoi.» Thuhet se Senakeribi pushtoi gjithsej 46 qytete të Judës. Imagjino si do të ndiheshe po të jetoje në Jerusalem në atë kohë teksa qytetet e Judës binin njëri pas tjetrit para ushtrisë asiriane që po afrohej!2 Mbret. 18:13.

10. Pse Mikea 5:5, 6 duhet t’i ketë dhënë zemër Hezekisë?

10 Patjetër, Hezekia e kuptonte rrezikun që po i kanosej, por në vend që të kërkonte me dëshpërim ndihmën e një kombi pagan, siç veproi ati i tij apostat, Akazi, tregoi besim te Jehovai. (2 Kron. 28:20, 21) Mund të kishte dëgjuar fjalët e profetit Mikea, bashkëkohës i tij, që paratha për Asirinë: «Kur asiriani të vijë . . . ne do të ngremë kundër tij shtatë barinj, po, tetë dukë nga njerëzit. Ata kanë për ta kullotur vendin e Asirisë me shpatë.» (Mik. 5:5, 6) Patjetër që Hezekia ka marrë zemër nga këto fjalë të frymëzuara, pasi tregonin se kundër asirianëve do të ngrihej një ushtri e pazakontë dhe se agresorët mizorë do të mposhteshin një herë e mirë.

11. Kur do të ndodhte përmbushja kryesore e profecisë për shtatë barinjtë dhe tetë dukët?

11 Përmbushja kryesore e profecisë për shtatë barinjtë dhe tetë dukët («princa», Diodati i Ri) do të ndodhte shumë kohë pas lindjes së Jezuit, ‘sundimtarit në Izrael, prejardhja e të cilit është që  nga kohët e hershme’. (Lexo Mikenë 5:1, 2.) Ajo do të plotësohej në një kohë kur ekzistenca e shërbëtorëve të Jehovait do të ishte në rrezik nga «asiriani» i kohëve tona. Çfarë forcash do të mbledhë Jehovai përmes Birit të tij tashmë në fron, për t’iu kundërvënë armiqve të frikshëm? Mbetet për t’u parë. Por, fillimisht le të shohim çfarë mund të mësojmë nga veprimi që ndërmori Hezekia përballë kërcënimit të asirianëve.

HEZEKIA MERR MASA PRAKTIKE

12. Cilat masa morën Hezekia dhe bashkëpunëtorët e tij, për të mbrojtur popullin e Perëndisë?

12 Jehovai është gjithmonë gati të bëjë për ne atë që s’arrijmë dot vetë, megjithatë pret të bëjmë atë që mundemi. Hezekia u këshillua «bashkë me princat dhe me burrat e fuqishëm» e vendosën ‘që të bllokonin ujërat e burimeve që ishin jashtë qytetit. . . . Përveç kësaj, [Hezekia] mori zemër dhe ndërtoi gjithë murin e shembur. Mbi të ngriti kulla, ndërsa nga jashtë ndërtoi një mur tjetër . . . dhe bëri shumë shigjeta e mburoja’. (2 Kron. 32:3-5) Që të mbronte e të kulloste popullin e Tij në atë kohë, Jehovai përdori disa burra trima—Hezekinë, princat e tij dhe profetët besnikë.

13. Cili ishte veprimi më i rëndësishëm i Hezekisë që ta përgatiste popullin për sulmin që po afrohej? Shpjegoni.

13 Veprimi tjetër i Hezekisë kishte më tepër rëndësi sesa bllokimi i ujërave ose përforcimi i mureve të qytetit. Si bari i dashur, ai mblodhi popullin dhe e forcoi frymësisht me fjalët: «Mos kini frikë, as mos u tmerroni nga mbreti i Asirisë . . . sepse ata që janë me ne janë më shumë se ata që janë me të. Me të është një krah prej mishi, por me ne është Jehovai, Perëndia ynë, për të na ndihmuar dhe për të luftuar në betejat tona.» Çfarë përkujtuesi besimforcues—Jehovai do të luftonte për popullin e tij! Me të dëgjuar këtë, «populli mori zemër nga fjalët e Hezekisë, mbretit të Judës». Vëreni se ishin «fjalët e Hezekisë» që i dhanë zemër. Ai, princat e tij, burrat e fuqishëm si edhe profetët Mikea dhe Isaia, treguan se ishin barinj të efektshëm, ashtu siç kishte parathënë Jehovai nëpërmjet profetit të tij.2 Kron. 32:7, 8; lexo Mikenë 5:5, 6.

Populli mori zemër nga fjalët e Hezekisë (Shih paragrafët 12, 13.)

14. Çfarë roli luajti rabshakehu dhe si reagoi populli?

14 Mbreti i Asirisë ngriti kampin në Lakish, në jugperëndim të Jerusalemit. Nga atje, përmes tre të dërguarve, dha urdhër që banorët të dorëzoheshin. Zëdhënësi i tij, i cili kishte titullin zyrtar rabshakeh, përdori gjithfarë taktikash. Duke folur në hebraisht, i nxiti judenjtë ta tradhtonin mbretin dhe t’u dorëzoheshin asirianëve, duke i gënjyer se do t’i çonte në një vend ku i priste një jetë më e rehatshme. (Lexo 2 Mbretërve 18:31, 32.) Pastaj, rabshakehu pohoi se Jehovai nuk mund t’i shpëtonte judenjtë nga kthetrat e asirianëve, ashtu si perënditë e kombeve të tjera nuk kishin mundur të shpëtonin adhuruesit e tyre. Me mençuri populli nuk reagoi ndaj kësaj propagande shpifëse, shembull të cilin e ndjekin edhe shërbëtorët e Jehovait në kohët tona.Lexo 2 Mbretërve 18:35, 36.

15. Çfarë kërkohej nga banorët e Jerusalemit dhe si e shpëtoi Jehovai qytetin?

15 Kuptohet që Hezekia ishte shumë i shqetësuar, megjithatë nuk kërkoi ndihmë nga ndonjë fuqi e huaj, por thirri profetin Isaia. Ai i tha Hezekisë: «Ai [Senakeribi] nuk do të hyjë në këtë qytet, as do të qëllojë me shigjeta.» (2 Mbret. 19:32) Gjithçka që kërkohej nga banorët e Jerusalemit ishte të qëndronin të  palëkundur. Jehovai do të luftonte për Judën. Dhe pikërisht kështu bëri! «Atë natë engjëlli i Jehovait doli dhe goditi njëqind e tetëdhjetë e pesë mijë veta në kampin e asirianëve.» (2 Mbret. 19:35) Shpëtimi i Judës nuk erdhi ngaqë Hezekia bllokoi ujërat e qytetit apo ngaqë ndërtoi muret e tij, por me anë të ndërhyrjes hyjnore.

MËSIME PËR NE

16. Kë përfaqësojnë sot (a) banorët e Jerusalemit (b) «asiriani» (c) shtatë barinjtë dhe tetë dukët?

16 Përmbushja kryesore e profecisë për shtatë barinjtë dhe tetë dukët po ndodh në ditët tona. Asirianët sulmuan banorët e Jerusalemit të lashtë. Së shpejti, popullin e Jehovait, të pambrojtur në dukje, do ta sulmojë «asiriani» i ditëve tona, qëllimi i të cilit është ta zhdukë nga faqja e dheut. Këtij sulmi Shkrimet i referohen edhe si sulmi i ‘Gogut të Magogut’, i ‘mbretit të veriut’ dhe i ‘mbretërve të tokës’. (Ezek. 38:2, 10-13; Dan. 11:40, 44, 45; Zbul. 17:14; 19:19) A përfaqësojnë sulme të ndara këto shprehje? Jo medoemos. Bibla mund të përdorë emra të ndryshëm për të përshkruar të njëjtin sulm. Sipas profecisë së Mikesë, çfarë «arme sekrete» do të ngrejë Jehovai kundër armikut mizor, ‘asirianit’? Një armë krejt të veçantë, «shtatë barinj, po, tetë dukë». (Mik. 5:5) Barinjtë dhe dukët (ose «princa», Dio) në këtë ushtri të pazakontë janë pleqtë e kongregacionit. (1 Pjet. 5:2) Sot, Jehovai ka siguruar mjaft burra frymorë që të kullotë delet e tij të shtrenjta, të forcojë popullin e tij për sulmin e ardhshëm të ‘asirianit’ të kohëve tona. * Profecia e Mikesë thotë se ata «kanë për ta kullotur vendin e Asirisë me shpatë». (Mik. 5:6) Po, ‘mes armëve të tyre të luftës’ do të jetë ‘shpata e frymës’, Fjala e Perëndisë.2 Kor. 10:4; Efes. 6:17.

17. Cilat janë katër përfundimet që mund të nxjerrin pleqtë nga tregimi që sapo shqyrtuam?

17 Pleqtë që po e lexojnë këtë artikull mund të nxjerrin disa përfundime të dobishme nga tregimi që sapo shqyrtuam: (1) Masa më praktike që duhet të marrim për të qenë gati për sulmin e ardhshëm të ‘asirianit’, është të forcojmë besimin te Perëndia dhe të ndihmojmë vëllezërit tanë të bëjnë të njëjtën gjë. (2) Kur të sulmojë «asiriani», pleqtë duhet të jenë plotësisht të bindur që Jehovai do të na çlirojë. (3) Në atë kohë, drejtimi jetëshpëtues që do të marrim nga organizata e Jehovait mund të mos duket praktik nga pikëpamja njerëzore. Të gjithë ne duhet të jemi gati t’i bindemi çfarëdo udhëzimi, edhe nëse nuk na duket i logjikshëm ose strategjik. (4) Tani është koha që të ndreqin pikëpamjen të gjithë ata që i varin shpresat tek arsimimi në botë, te gjërat materiale ose tek institucionet njerëzore. Pleqtë duhet të rrinë gati për të ndihmuar këdo që po lëkundet në besim.

18. Si do të nxjerrim dobi në të ardhmen nëse meditojmë për këtë tregim?

18 Do të vijë koha kur shërbëtorët e Perëndisë në ditët tona do të duken po aq të pambrojtur sa judenjtë e zënë në grackë brenda Jerusalemit në kohën e Hezekisë. Kur të vijë ajo kohë, le të forcohemi nga fjalët e Hezekisë. Të mos harrojmë se me armiqtë tanë «është një krah prej mishi, por me ne është Jehovai, Perëndia ynë, për të na ndihmuar dhe për të luftuar në betejat tona».2 Kron. 32:8.

^ par. 4 Fjala hebraike e përkthyer ‘vashë’ tek Isaia 7:14 mund t’i referohet qoftë një gruaje të martuar, qoftë një virgjëreshe. Kështu, kjo fjalë mund të përdorej edhe për gruan e Isaisë edhe për virgjëreshën judeje, Marinë.

^ par. 16 Shpesh numri shtatë në Shkrime tregon plotësi. Numri tetë (një më shumë se shtatë) ndonjëherë tregon bollëk.