«Jini të papërtuar në punët tuaja. . . . Shërbejini Jehovait si skllevër.»ROM. 12:11.

1. Shpjegoni kontrastin mes pikëpamjes që kanë shumë veta për skllavërinë dhe asaj që inkurajohet te Romakëve 12:11.

SKLLAVËRIA e krishterë ndryshon goxha nga ajo që mendojnë shumë veta për skllavërinë. Sipas tyre, të jesh skllav do të thotë të jesh i sunduar mizorisht, i shtypur ose i trajtuar padrejtësisht. Por, Fjala e frymëzuar e Perëndisë flet për skllavërinë që përfshin shërbimin me gatishmëri ndaj një Zotërie të dashur. Faktikisht, kur apostulli Pavël i nxiti të krishterët në shekullin e parë ‘t’i shërbenin Jehovait si skllevër’, po inkurajonte shërbimin e shenjtë të motivuar nga dashuria për Perëndinë. (Rom. 12:11) Çfarë përfshin kjo lloj skllavërie? Ç’mund të bëjmë që të mos jemi skllevër të Satanait dhe të botës së tij? Si shpërblehemi kur shërbejmë me besnikëri si skllevër të Jehovait?

«UNË E DUA ZOTËRINË TIM»

2. (a) Çfarë mund ta motivonte një skllav izraelit të mohonte mundësinë për të qenë i lirë? (b) Pse ishte domethënës shpimi i veshit i skllavit vullnetar?

2 Për llojin e skllavërisë që kërkon Jehovai prej nesh mund të mësojmë nga Ligji që i dha Izraelit. Një skllav hebre fitonte lirinë vitin e shtatë të skllavërisë. (Dal. 21:2) Megjithatë, Jehovai mori një masë të jashtëzakonshme për një skllav që e donte zotërinë dhe që dëshironte t’i shërbente në vazhdimësi. Zotëria duhej ta mbështeste te dera ose te shtalka dhe t’i shponte veshin me fëndyell. (Dal. 21:5, 6) Është domethënëse që kjo procedurë përfshinte veshin. Në hebraisht, ideja bazë për bindjen shprehet me një fjalë që nënkupton të dëgjosh dhe t’ia vësh veshin. Kështu, skllavi vullnetar tregonte se nuk donte ta ndërpriste shërbimin, duke iu bindur zotërisë. Kjo na ndihmon të kuptojmë çfarë përfshin kushtimi ynë ndaj Jehovait: bindje me dëshirë të motivuar nga dashuria për të.

3. Ku bazohet kushtimi ynë ndaj Perëndisë?

 3 Kur u paraqitëm të pagëzoheshim si të krishterë, tashmë kishim vendosur t’i shërbenim Jehovait, të bëheshim skllevër të tij. Kushtimi ynë buroi nga dëshira për t’iu bindur Jehovait e për të bërë vullnetin e tij. Askush nuk na detyroi. Madje, edhe të rinjtë nga një familje Dëshmitarësh mund të pagëzohen vetëm pasi t’i jenë kushtuar Jehovait, jo thjesht për t’u bërë qejfin prindërve. Kushtimi i krishterë bazohet në dashurinë për Zotërinë tonë qiellor, Jehovain. Apostulli Gjon shkroi: «Kjo është dashuria për Perëndinë: të zbatojmë urdhërimet e tij.»1 Gjon. 5:3.

TË LIRË, EDHE PSE SKLLEVËR

4. Çfarë nevojitet që të bëhemi «skllevër të drejtësisë»?

4 Sa mirënjohës i jemi Jehovait që na ka dhënë mundësinë të bëhemi skllevër të tij! Falë besimit te shpërblesa e Krishtit mund të çlirohemi nga zgjedha e mëkatit. Edhe pse ende të papërsosur, i nënshtrohemi me dëshirë autoritetit të Jehovait dhe të Jezuit. Pavli e shpjegoi qartë këtë në një nga letrat e tij të frymëzuara: «Llogariteni veten vërtet të vdekur për mëkatin, por të gjallë për Perëndinë, nëpërmjet Krishtit Jezu.» Pastaj paralajmëroi: «A nuk e dini se po të vazhdoni t’ia paraqitni veten dikujt si skllav që t’i bindeni, jeni skllav i tij ngaqë i bindeni, qoftë mëkatit për vdekje, qoftë bindjes për drejtësi? Por falënderojmë Perëndinë, sepse ishit skllevër të mëkatit, dhe u bëtë të bindur nga zemra ndaj asaj forme të mësimdhënies, tek e cila ju dorëzoi ai. Po, meqë u liruat nga mëkati, u bëtë skllevër të drejtësisë.» (Rom. 6:11, 16-18) Vini re se apostulli foli për ‘bindjen nga zemra’. Po, kushtimi ndaj Jehovait na bën «skllevër të drejtësisë».

5. Çfarë lufte kemi përbrenda dhe pse?

5 Prapëseprapë, nëse duam të jemi të denjë për kushtimin, duhen kapërcyer disa pengesa. Kemi një luftë të dyfishtë. Së pari, është konflikti që hasi Pavli, i cili shkroi: «Në të vërtetë, njeriu që jam përbrenda, kënaqet me ligjin e Perëndisë, kurse në gjymtyrët e mia shoh një tjetër ligj, që lufton kundër ligjit të mendjes sime e më bën rob të ligjit të mëkatit, që është në gjymtyrët e mia.» (Rom. 7:22, 23) Papërsosmëria e trashëguar vazhdon ende. Si pasojë, duhet të luftojmë pareshtur kundër prirjeve të mishit. Apostulli Pjetër na nxit: «Jini si njerëz të lirë, e megjithatë mos e kini lirinë tuaj si një maskim për të keqen, por si skllevër të Perëndisë.»1 Pjet. 2:16.

6, 7. Si e bën Satanai këtë botë të duket tërheqëse?

6 Kemi edhe një betejë të dytë për të bërë, luftën kundër kësaj bote nën ndikimin demonik. Satanai, sundimtari i botës, i drejton shigjetat kundër nesh duke u orvatur të na thyejë besnikërinë ndaj Jehovait dhe Jezuit. Ai përpiqet të na skllavërojë, duke na tunduar që të dorëzohemi para marifeteve që na korruptojnë. (Lexo Efesianëve 6:11, 12.) Një mënyrë si e bën këtë është duke e paraqitur botën si tërheqëse dhe joshëse. Apostulli Gjon paralajmëroi: «Nëse ndokush e do botën, dashuria e Atit nuk është në të. Sepse gjithçka e botës: dëshirat e mishit, dëshirat e syve dhe kapardisja për t’u dukur me të mirat materiale, nuk vjen nga Ati, por nga bota.»1 Gjon. 2:15, 16.

7 Dëshira për të qenë të kamur ka pushtuar botën. Satanai nxit idenë se paratë janë baras me lumturinë. Qendrat e mëdha tregtare gjenden gjithandej. Reklamat nxitin një mënyrë jetese që përqendrohet te zotërimet dhe qejfet. Agjencitë ofrojnë udhëtime drejt  vendeve ekzotike, shpesh me grupe njerëzish me pikëpamje krejt të ndryshme nga shërbëtorët e Perëndisë. Po, dëgjohet nga të gjitha anët nxitja të jesh gjithnjë e më mirë, por vetëm sipas standardeve të botës.

8, 9. Cili rrezik real ekziston dhe pse?

8 Duke folur për disa të krishterë në shekullin e parë, të cilët kishin përvetësuar pikëpamjen e botës, Pjetri paralajmëroi: «Ata e konsiderojnë kënaqësi jetën luksoze gjatë ditës. Janë njolla dhe të meta, që ndërsa gostiten me ju, jepen me kënaqësi të shfrenuar pas mësimeve të tyre mashtruese. . . . Sepse ata thonë fjalë të fryra pa asnjë dobi dhe, me anë të dëshirave të mishit e të zakoneve të shthurura, ndjellin ata që sapo kanë nisur të shpëtojnë nga njerëzit që sillen me paudhësi. Ndërsa u premtojnë atyre lirinë, për vete janë skllevër të prishjes. Sepse, kushdo që mposhtet nga një tjetër, bëhet skllav i tij.»2 Pjet. 2:13, 18, 19.

9 Një person nuk çlirohet duke kënaqur «dëshirat e syve». Përkundrazi, bëhet skllav i zotërisë së padukshëm të kësaj bote, Satana Djallit. (1 Gjon. 5:19) Skllavërimi nga materializmi është rrezik real, nga i cili vështirë të çlirohesh.

NJË KARRIERË QË TË KËNAQ

10, 11. Cilët janë veçanërisht shënjestra e Satanait sot dhe si mund t’u hapë probleme arsimimi në botën e tij?

10 Ashtu si në Eden, edhe sot Satanai ka në shënjestër të papërvojët. Të rinjtë sidomos janë preja e tij e preferuar. Satanai mërzitet kur një i ri, a kushdo tjetër, zgjedh vullnetarisht t’i shërbejë Jehovait si skllav. Armiku i Jehovait do që tërë ata që i janë kushtuar Atij të dështojnë, të mos mbeten të përkushtuar dhe besnikë.

11 Le të kthehemi te shembulli i skllavit që pranoi t’i shpohej veshi. S’diskutohet se për momentin ka ndier dhembje, por, pas kësaj i ka mbetur shenja e përhershme e skllavërisë. Po njësoj, për një të ri mund të jetë e vështirë, madje e dhimbshme të marrë një drejtim ndryshe nga bashkëmoshatarët. Satanai përhap idenë se do të gjenim kënaqësi po të bënim karrierë në botën e tij. Mirëpo, të krishterët duhet të marrin parasysh sa e rëndësishme është të kujdesen për gjendjen frymore. Jezui mësoi: «Lum ata që janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë!» (Mat. 5:3) Të krishterët e kushtuar jetojnë për vullnetin  e Perëndisë, jo të Satanait. Gjejnë kënaqësi në ligjin e Jehovait dhe meditojnë ditë e natë për të. (Lexo Psalmin 1:1-3.) Bëjmë mirë të kujtojmë se shumë nga kurset shtesë të marrin aq shumë kohë saqë zor se një shërbëtor i Jehovait mund të meditojë e të kujdeset për gjendjen e tij frymore.

12. Cila zgjedhje gjendet para shumë të rinjve?

12 Një zotëri jobesimtar mund t’ia nxinte jetën një skllavi të krishterë. Në letrën e tij të parë drejtuar korintasve, Pavli pyeti: «A u thirre kur ishe skllav?» Pastaj këshilloi: «Mos u merakos. Megjithatë, nëse mund të bëhesh i lirë, shfrytëzoje rastin.» (1 Kor. 7:21) Pra, parapëlqehej të mos ishe skllav. Sot, në shumë vende arsimimi është i detyruar deri në njëfarë moshe. Pastaj, nxënësit gjenden para një zgjedhjeje. Po të ndjekin shkollën e lartë për të bërë karrierë në këtë botë, mund t’u kufizohet liria për të shërbyer në kohë të plotë.Lexo 1 Korintasve 7:23.

Cilit zotëri do t’i shërbesh si skllav?

ARSIMIMI I LARTË APO MË I LARTI?

13. Cili lloj arsimimi i sjell më shumë dobi shërbëtorëve të Jehovait?

13 Pavli i paralajmëroi të krishterët në Kolose: «Ruhuni që të mos ju bëjë ndokush prenë e vet nëpërmjet filozofisë dhe mashtrimeve boshe, sipas traditës së njerëzve, sipas gjërave elementare të botës, e jo në përputhje me mësimet e Krishtit.» (Kolos. 2:8) ‘Filozofia dhe mashtrimet boshe, sipas traditës së njerëzve’, nxjerrin kokë nga mendimet jofrymore që përhapin shumë intelektualë. Arsimimi i lartë që përqendrohet te studimet akademike, shpesh nxjerr të diplomuar të cilët kanë pak ose aspak aftësi praktike dhe që janë të papërgatitur për realitetin e jetës. Ndryshe nga kjo, shërbëtorët e Jehovait zgjedhin një lloj arsimimi që i ndihmon të zhvillojnë aftësi të nevojshme për të pasur një jetë të thjeshtë në shërbim të Perëndisë. Marrin për zemër këshillën që Pavli i dha Timoteut: «Sigurisht, përkushtimi hyjnor bashkë me kënaqjen me atë që kemi, është një mjet për fitim të madh. . . . Prandaj, nëse kemi ç’të hamë, ç’të veshim e ku të futim kokën, le të kënaqemi me kaq.» (1 Tim. 6:6, 8) Në vend që të ndjekin disa shkolla ose të mbrojnë masterin, të krishterët e vërtetë bëjnë çmos të marrin «letra rekomandimi», duke u angazhuar sa më shumë në veprën e predikimit për të ndihmuar  të tjerë që të bëhen dishepuj të Krishtit.Lexo 2 Korintasve 3:1-3.

14. Sipas Filipianëve 3:8, si e konsideronte Pavli privilegjin për të shërbyer si skllav i Perëndisë dhe i Krishtit?

14 Mendoni për apostullin Pavël. U arsimua në këmbët e mësuesit të ligjit judaik, Gamalielit. Arsimimi që mori Pavli, sot mund të krahasohet me shkollën e lartë ose fakultetin. Por, si e konsideronte Pavli këtë arsimim kur e krahasonte me privilegjin për të shërbyer si skllav i Perëndisë dhe i Jezuit? Ai shkroi: «Çdo gjë e kam braktisur me dëshirë për shkak të vlerës së pashoqe të njohurisë së Krishtit Jezu, Zotërisë tim.» Pastaj shtoi: «Për shkak të tij pranova të humb çdo gjë dhe i konsideroj sikur të jenë shumë plehra, që të fitoj Krishtin.» (Filip. 3:8) Ky vlerësim mund t’i ndihmojë të rinjtë e krishterë dhe prindërit me frikë Perëndie të marrin një vendim të mençur për arsimimin. (Shih figurat.)

PËRFITONI NGA ARSIMIMI MË I LARTË

15, 16. Çfarë arsimimi ofron organizata e Jehovait dhe cili është boshti i tij?

15 Si është ambienti në shumë universitete të botës? A mos janë vatër e protestave politike e shoqërore? (Efes. 2:2) Krejt ndryshe, organizata e Jehovait siguron formën më të lartë të arsimimit në një ambient paqësor, në kongregacionin e krishterë. Çdo javë secili prej nesh mund të përfitojë nga Shkolla e Shërbimit Teokratik. Janë përgatitur kurse posaçërisht për pionierët beqarë (Shkolla Biblike për Vëllezërit Beqarë) dhe për çiftet që janë pionierë (Shkolla Biblike për Çiftet e Krishtere). Një arsimim i tillë teokratik na ndihmon t’i bindemi Jehovait, Zotërisë tonë qiellor.

16 Mund të gërmojmë për thesaret frymore te Treguesi i Botimeve Watch Tower ose te Biblioteka Watchtower në CD. Këto mjete arsimimi kanë si bosht adhurimin e Jehovait. Ato na mësojnë si t’i ndihmojmë të tjerët të pajtohen me Perëndinë. (2 Kor. 5:20) Dhe kjo i ndihmon ata që të mësojnë edhe të tjerë.2 Tim. 2:2.

SHPËRBLIMI I NJË SKLLAVI

17. Çfarë shpërblimesh vijnë kur zgjedh arsimimin më të lartë?

17 Në shëmbëlltyrën e Jezuit për talentat, dy skllevër të besueshëm merituan lavdërime dhe u gëzuan me zotërinë e tyre kur ai u besoi më shumë punë. (Lexo Mateun 25:21, 23.) Të zgjedhësh arsimimin më të lartë sot, të sjell gëzim dhe shpërblime. Mendoni për shembullin e Majkëllit. Ai ishte një nxënës aq i shkëlqyer, sa mësuesit e ftuan të bisedonin lidhur me ofertat për të ndjekur shkollën e lartë. Për habinë e tyre, Majkëlli zgjodhi një kurs profesional që i jepte mundësi të përballonte shpenzimet e veta si pionier i rregullt. A mendon Majkëlli se ka humbur gjë? Ai thotë: «Arsimimi teokratik që kam marrë si pionier, dhe tani si plak kongregacioni, s’ka të çmuar. Bekimet dhe privilegjet që gëzoj janë ku e ku më të vlefshme se paratë që mund të kisha fituar. Sa i lumtur jam që nuk zgjodha arsimimin e lartë!»

18. Çfarë të motivon të zgjedhësh arsimimin më të lartë?

18 Arsimimi më i lartë na mëson çfarë përfshin vullneti i Jehovait dhe na ndihmon t’i shërbejmë atij si skllevër. Na krijon mundësinë ‘të lirohemi nga skllavëria e prishjes’ dhe në fund të fitojmë «lirinë e lavdishme të fëmijëve të Perëndisë». (Rom. 8:21) Mbi të gjitha, mësojmë mënyra më të mira si t’i tregojmë Zotërisë tonë qiellor, Jehovait, se e duam vërtet.Dal. 21:5.