«Qoftë i bekuar emri yt i lavdishëm!»NEH. 9:5.

1. Cilën mbledhje të popullit të Perëndisë do të shqyrtojmë dhe cilat pyetje lindin?

«NGRIHUNI, bekoni Jehovain, Perëndinë tuaj, për jetë e mot!» Me këto fjalë shumë nxitëse populli i lashtë i Perëndisë u mblodh për të ngritur zërat në një nga lutjet më të gjata në Bibël. (Neh. 9:4, 5) Ky grumbullim u bë në Jerusalem më 455 p.e.s, ditën e 24-t të tishrit, muajit të shtatë judaik. Ndërsa shqyrtojmë ngjarjet që i paraprinë kësaj dite të veçantë, pyet veten: «Cili zakon i mirë e bëri më të suksesshëm këtë rast? Ç’mësime të tjera mund të nxjerr nga kjo lutje e përgatitur mirë?»Psal. 141:2.

NJË MUAJ I VEÇANTË

2. Ç’shembull të shkëlqyer na lanë izraelitët kur u mblodhën pas rindërtimit të mureve të Jerusalemit?

2 Judenjtë kishin mbaruar rindërtimin e mureve të Jerusalemit një muaj para mbledhjes së lartpërmendur. (Neh. 6:15) Populli i Perëndisë e kreu këtë punë për vetëm 52 ditë. Pas kësaj u përqendrua veçanërisht në nevojat e tij frymore. Kështu, ditën e parë të muajit të ri, tishrit, u mblodhën në shesh për të dëgjuar Ezdrën i cili ishte me levitë të tjerë, teksa ai lexonte me zë dhe shpjegonte Ligjin e Perëndisë. Familjet, përfshirë ‘të gjithë ata që mund të dëgjonin e të kuptonin’, qëndronin në këmbë dhe dëgjonin «nga agimi deri në drekë». Ç’shembull i shkëlqyer për ne që ndjekim mbledhjet në Salla Mbretërie komode! Gjithsesi, a të ka ndodhur ndonjëherë të të hallakatet mendja dhe të fillosh të mendosh për gjëra me më pak rëndësi? Nëse po, shqyrto përsëri shembullin e këtyre izraelitëve të lashtë, të cilët jo vetëm dëgjonin me vëmendje, por edhe u prekën aq shumë sa filluan të qanin, ngaqë si komb  nuk ia kishin dalë t’i bindeshin Ligjit të Perëndisë.Neh. 8:1-9.

3. Cilit drejtim iu bindën izraelitët?

3 Megjithatë, nuk ishte momenti për të rrëfyer mëkatet. Kjo ditë feste duhej të ishte një rast i gëzueshëm në adhurimin e Jehovait. (Num. 29:1) Kështu, Nehemia i tha popullit: «Shkoni, hani gjëra të yndyrshme, pini pije të ëmbla, dërgojini racione atij për të cilin nuk është përgatitur asgjë, sepse kjo ditë është e shenjtë për Zotërinë tonë, dhe mos u hidhëroni, pasi gëzimi i Jehovait është kalaja juaj.» Lumturisht, populli u bind dhe atë ditë «fluturonte nga gëzimi».Neh. 8:10-12.

4. (a) Çfarë bënë krerët e familjeve izraelite dhe çfarë kuptuan? (b) Cili ishte një aspekt i rëndësishëm i kësaj feste të Kasolleve?

4 Ditën e nesërme, krerët e familjeve u mblodhën për të parë si të zbatonin më përpikërisht Ligjin e Perëndisë si komb. Nga shqyrtimi i Shkrimeve kuptuan se në muajin e shtatë, nga dita e 15-të deri në ditën e 22-të të tishrit, duhej kremtuar festa e Kasolleve e cila mbyllej me një asamble solemne, e kështu filluan përgatitjet. Ishte festa e Kasolleve më e suksesshme që nga ditët e Josiut, ndaj «pati një gëzim shumë të madh». Një aspekt i rëndësishëm i asaj feste ishte leximi me zë të lartë i Ligjit të Perëndisë, «ditë për ditë, nga dita e parë deri në ditën e fundit».Neh. 8:13-18.

NJË DITË RRËFIMI

5. Çfarë bëri populli i Perëndisë para se levitët t’i luteshin Jehovait për të?

5 Dy ditë më vonë erdhi koha për rrëfimin e izraelitëve ngaqë nuk ia dolën të zbatonin Ligjin e Perëndisë. Kjo nuk ishte ditë feste me gosti. Përkundrazi, populli i Perëndisë agjëroi dhe u vesh me copë thesi si shenjë zie. Përsëri, për rreth tri orë në mëngjes, popullit iu lexua Ligji i Perëndisë. Pasdite «u rrëfyen e u përkulën para Jehovait, Perëndisë së tyre». Pastaj, levitët përfaqësuan popullin me një lutje të përgatitur mirë. Neh. 9:1-4.

6. Çfarë e bëri më domethënëse lutjen e levitëve dhe ç’mësim nxjerrim nga kjo?

6 Pa diskutim, leximi i shpeshtë i Ligjit të Perëndisë i ndihmoi levitët të përgatitnin këtë lutje domethënëse. Dhjetë vargjet e para përqendrohen vetëm te veprat dhe cilësitë e Jehovait. Në pjesën tjetër të lutjes theksohet herë pas here ‘mëshira e madhe’ e Perëndisë si edhe një rrëfim pa doreza që tregonte se izraelitët nuk ishin të denjë për këtë mirëdashje. (Neh. 9:19, 27, 28, 31) Edhe lutjet tona drejtuar Jehovait do të jenë domethënëse dhe jo mekanike nëse, ashtu si levitët, meditojmë çdo  ditë për Fjalën e Zotit, duke lejuar Jehovain të na flasë para se t’i lutemi gjerë e gjatë.Psal. 1:1, 2.

7. Çfarë i kërkuan levitët Perëndisë dhe ç’mësojmë nga kjo?

7 Në këtë lutje ka vetëm një kërkesë modeste. Gjendet në vargun 32, që thotë: «E tani, o Perëndia ynë, Perëndia i madh, i fuqishëm dhe që ngjall frikë, që e mban besëlidhjen dhe tregon dashamirësi, mos i shih si gjëra të vogla vështirësitë që kaluam ne, mbretërit, princat, priftërinjtë, profetët, paraardhësit tanë dhe tërë populli yt, që nga ditët e mbretërve të Asirisë e deri më sot.» Kështu, levitët na lanë një shembull të mirë si të lëvdojmë e të falënderojmë Jehovain para se t’i bëjmë ndonjë kërkesë personale kur i lutemi.

LËVDIM I EMRIT TË LAVDISHËM TË PERËNDISË

8, 9. (a) Në ç’mënyrë të përulur e filluan lutjen levitët? (b) Cilat janë dy ushtritë qiellore që përmendën levitët?

8 Edhe pse lutja e levitëve ishte e përgatitur mirë, u treguan të përulur dhe menduan se nuk gjenin dot fjalë për të shprehur plotësisht lëvdimin që meriton Jehovai. Prandaj, lutja për popullin hapet me këto fjalë të përulura: «Qoftë i bekuar emri yt i lavdishëm, që është lartësuar mbi çdo bekim dhe lëvdim!»Neh. 9:5.

9 Lutja vazhdon: «Ti, vetëm ti, je Jehovai! Ti i ke bërë qiejt, po, qiellin e qiejve dhe gjithë ushtrinë e tyre, tokën dhe gjithçka në të, detet dhe gjithçka në to. Ti i mban gjallë të gjitha ato dhe ushtria e qiejve të përkulet ty.» (Neh. 9:6) Po, Perëndia Jehova krijoi gjithë universin, përfshirë galaktikat e panumërta të yjeve. Po aq mrekullueshëm, krijoi gjithçka në planetin tonë të bukur me mundësi marramendëse për të mbështetur një larmi jete që të lë pa fjalë—që vazhdon të riprodhohet sipas llojit të vet. Dëshmitarë të gjithë kësaj ishin engjëjt e shenjtë të Perëndisë, të cilët përshkruhen edhe si ‘ushtri e qiejve’. (1 Mbret. 22:19; Jobi 38:4, 7) Por mendo, me përulësi engjëjt kryejnë vullnetin e Perëndisë duke u shërbyer njerëzve mëkatarë «që do të trashëgojnë shpëtimin». (Hebr. 1:14) Çfarë shembulli fantastik na lënë engjëjt ndërsa i shërbejmë së bashku Jehovait si një ushtri e stërvitur mirë!1 Kor. 14:33, 40.

10. Çfarë mësojmë nga mënyra si u soll Perëndia me Abrahamin?

10 Më pas, levitët theksuan mënyrën si u soll Perëndia me Abramin, i cili deri në moshën 99-vjeçare nuk pati fëmijë nga gruaja e tij shterpë, Saraja. Pikërisht në këtë kohë Jehovai i ndryshoi emrin në Abraham që do të thotë «atë i shumë kombeve». (Zan. 17:1-6, 15, 16)  Gjithashtu, Perëndia i premtoi Abrahamit se fara e tij do të trashëgonte Kanaanin. Njerëzit shpesh harrojnë atë që premtojnë, por jo Jehovai. Këtë e tregon edhe lutja e levitëve: «Ti je Jehovai, Perëndia i vërtetë. Ti e zgjodhe Abramin dhe e nxore nga Uri i Kaldeasve e i vure emrin Abraham. Ti e gjete zemrën e tij të besueshme, kështu që bëre me të një besëlidhje për t’i dhënë vendin e kananitëve, . . . për t’ia dhënë farës së tij. Ti i çove në vend fjalët e tua, sepse je i drejtë.» (Neh. 9:7, 8) Imitofshim Perëndinë tonë të drejtë teksa përpiqemi të mbajmë fjalën!Mat. 5:37.

KUJTOHEN BËMAT E JEHOVAIT

11, 12. Shpjegoni domethënien e emrit të Jehovait dhe se si u shpalos nga mënyra si veproi me pasardhësit e Abrahamit.

11 Emri Jehova do të thotë «Ai shkakton të bëhet», domethënë, Perëndia realizon premtimet përmes veprimeve progresive. Kjo shpaloset bukur nga mënyra si veproi me pasardhësit e Abrahamit kur ishin skllevër në Egjipt. Në atë kohë dukej e pamundur që i gjithë kombi të çlirohej dhe të vendosej në Tokën e Premtuar. Megjithatë, përmes një sërë veprimesh progresive Perëndia realizoi premtimin e tij dhe u tregua i denjë për emrin e pashoq e të madhërishëm, Jehova.

12 Lutja që regjistroi Nehemia thotë për Jehovain: «Ti e pe mundimin e paraardhësve tanë në Egjipt dhe e dëgjove klithmën e tyre në Detin e Kuq. Pastaj bëre shenja e mrekulli kundër faraonit, gjithë shërbëtorëve të tij dhe tërë popullit të vendit të tij, sepse e dije që ata vepruan kundër tyre me arrogancë. Ti i bëre një emër vetes si në këtë ditë. Ndave para tyre detin, kështu që ata kaluan përmes detit në tokë të thatë, kurse ndjekësit e tyre i hodhe në thellësi, si një gur në ujërat e furishme.» Më pas, lutja tregon edhe për gjëra të tjera që Jehovai kishte bërë për popullin: «Ti i bëre zap para tyre banorët e vendit, kananitët . . . Morën qytete të fortifikuara dhe tokë të majme, shtinë në dorë shtëpi me gjithë të mirat, sterna tashmë të hapura, vreshta, ullishte dhe pemë frutore me bollëk, dhe nisën të hanin, të ngopeshin, të majmeshin dhe të gëzonin mirëqenie falë mirësisë sate të madhe.»Neh. 9:9-11, 24, 25.

13. Ç’masa mori Jehovai për nevojat frymore të izraelitëve, por si u përgjigjën ata?

13 Përveç kësaj, Perëndia ndërmori shumë veprime të tjera progresive për të arritur qëllimin e tij. Për shembull, fill pas largimit të izraelitëve nga Egjipti, Jehovai mori masa për nevojat e tyre frymore. Në lutjen e tyre levitët kujtojnë: «Zbrite në malin e Sinait, fole me ta nga qiejt e u dhe vendime gjyqësore të drejta dhe ligje të bazuara tek e vërteta, rregulla dhe urdhërime të mira.» (Neh. 9:13) Jehovai u përpoq t’i mësonte që të ishin të denjë për emrin e tij të shenjtë si trashëgimtarë të Tokës së Premtuar, por ata i hodhën poshtë gjërat e mira që kishin mësuar.Lexo Neheminë 9:16-18.

NEVOJA PËR DISIPLINË

14, 15. (a) Si u kujdes Jehovai me mëshirë për popullin e tij mëkatar? (b) Çfarë mësojmë nga mënyra si u soll Perëndia me kombin e tij të zgjedhur?

14 Lutja e levitëve nxjerr në pah dy mëkate specifike që kryen izraelitët pak pasi premtuan në malin Sinai se do të zbatonin Ligjin e Perëndisë. Ndaj, me të drejtë e meritonin të vdisnin të braktisur. Megjithatë, lutja lëvdon Jehovain: «Me mëshirën tënde të madhe nuk i le në shkretëtirë. . . . U sigurove ushqim për dyzet vjet . . . Nuk u mungonte  asgjë. Rrobat nuk iu vjetruan dhe këmbët nuk iu ënjtën.» (Neh. 9:19, 21) Edhe sot, Jehovai na siguron çdo gjë që na nevojitet për t’i shërbyer me besnikëri. Larg qoftë të jemi si mijëra izraelitët që vdiqën në shkretëtirë për shkak të mosbindjes dhe të mungesës së besimit! Në fakt, këto gjëra «u shkruan si një paralajmërim për ne, mbi të cilët ka mbërritur fundi i sistemeve».1 Kor. 10:1-11.

15 Mjerisht, pasi trashëguan Tokën e Premtuar, izraelitët përvetësuan adhurimin epshor e gjakatar të perëndive kananite. Prandaj, Jehovai i lejoi kombet fqinje të shtypnin kombin e tij të zgjedhur. Kur izraelitët pendoheshin, Jehovai i falte me mëshirë dhe i shpëtonte nga armiqtë. Kjo ndodhte «herë pas here». (Lexo Neheminë 9:26-28, 31.) Levitët rrëfyen: «Ti ishe zemërgjerë me ta për vite të tëra dhe i paralajmëroje me frymën tënde, përmes profetëve të tu, por ata nuk dëgjonin. Në fund ti i dhe në duart e popujve të vendeve të tjera.»Neh. 9:30.

16, 17. (a) Si ndryshonte situata e izraelitëve pas mërgimit nga ajo e paraardhësve të tyre në kohën kur trashëguan Tokën e Premtuar? (b) Çfarë rrëfyen izraelitët dhe çfarë premtuan të bënin?

16 Madje, edhe pas kthimit nga mërgimi, izraelitët u treguan sërish të pabindur. Me ç’ndryshim? Lutja e levitëve vazhdon: «Ja, ne jemi sot skllevër në vendin që ua dhe paraardhësve tanë për të ngrënë frytin dhe të mirat e tij. Prodhimi i bollshëm i tokës u përket mbretërve që ti vure mbi ne, për shkak të mëkateve tona. . . . dhe ne jemi në hall të madh.»Neh. 9:36, 37.

17 A po pohonin levitët se Perëndia ishte i padrejtë ngaqë i lejoi këto vuajtje? Sigurisht që jo. Ata rrëfyen: «Ti je treguar i drejtë në gjithçka që kemi kaluar ne, sepse ke vepruar me besueshmëri, kurse ne kemi vepruar me ligësi.» (Neh. 9:33) Tani, kjo lutje joegoiste mbyllet me një premtim solemn, sipas të cilit që sot e tutje kombi do t’i bindej Ligjit të Perëndisë. (Lexo Neheminë 9:38; 10:29) Kjo marrëveshje u hodh me shkrim dhe u vërtetua me vulë nga 84 krerë judenj.Neh. 10:1-27.

18, 19. (a) Për çfarë kemi nevojë që të kalojmë në botën e re të Perëndisë? (b) Për çfarë duhet të lutemi pareshtur dhe pse?

18 Na duhet disiplinë nga Jehovai që të jemi të mirëpërgatitur për të kaluar në botën e re të drejtë. Apostulli Pavël pyeti: «Cili është ai bir, që i ati nuk e disiplinon?» (Hebr. 12:7) Tregojmë se pranojmë drejtimin e Perëndisë kur qëndrojmë besnikërisht në shërbimin e tij dhe kur e lejojmë frymën e tij të na rafinojë. Gjithashtu, nëse kryejmë ndonjë mëkat të rëndë, mund të jemi të sigurt se Jehovai do të na falë nëse pendohemi vërtet dhe pranojmë përulësisht disiplinën.

19 Së shpejti, Jehovai do ta madhërojë emrin e tij akoma më shumë se kur çliroi izraelitët nga Egjipti. (Ezek. 38:23) Ashtu si populli i tij i lashtë hyri në Tokën e Premtuar, me siguri të gjithë të krishterët që qëndrojnë si adhurues besnikë të Jehovait do të trashëgojnë jetën në botën e tij të re e të drejtë. (2 Pjet. 3:13) Me këtë të ardhme të mrekullueshme që na pret, le të lutemi pareshtur për shenjtërimin e emrit të lavdishëm të Perëndisë! Artikulli vijues do të shqyrtojë një lutje tjetër me të cilën duhet të veprojmë në harmoni nëse duam të gëzojmë bekimet e Perëndisë tani dhe përgjithmonë.