«Ti je i denjë, o Jehova, Perëndia ynë, të marrësh lavdinë, . . . sepse ti krijove gjithçka.»ZBUL. 4:11.

1. Çfarë duhet të bëjmë për t’u siguruar që besimi ynë të mbetet i patundur?

SHUMË veta thonë se besojnë vetëm atë që u shohin sytë. Si mund t’i ndihmojmë persona të tillë që të kenë besim te Jehovai? Në fund të fundit, Bibla thotë se «askush s’e ka parë asnjëherë Perëndinë». (Gjoni 1:18) Po ne, si mund të sigurohemi që besimi ynë te Jehovai, ‘Perëndia i padukshëm’, të mbetet i patundur? (Kolos. 1:15) Si fillim duhet të dallojmë mësimet që mjegullojnë të vërtetën për Jehovain. Pastaj duhet të përdorim Biblën me mjeshtëri që të përmbysim çfarëdolloj arsyetimi «që është ngritur kundër njohurisë së Perëndisë».2 Kor. 10:4, 5.

2, 3. Cilat janë dy mësime që i verbojnë njerëzit të mos kuptojnë të vërtetën për Perëndinë?

2 Një mësim i rremë i përhapur gjerësisht që i verbon njerëzit të mos e kuptojnë të vërtetën për Perëndinë është doktrina e evolucionit. Ky arsyetim njerëzor bie ndesh me Biblën dhe ua shuan shpresën njerëzve. Në thelb, evolucioni mëson se çdo gjallesë ka ardhur në ekzistencë vetvetiu, duke lënë të kuptohet se jeta e njeriut nuk ka ndonjë qëllim.

3 Në krahun tjetër, ata që e interpretojnë Biblën fjalë për fjalë mësojnë se universi, përfshirë tokën dhe çdo gjallesë, ka ekzistuar vetëm prej disa mijëra vjetësh. Edhe pse mund të kenë respekt të madh për Biblën, ata që mësojnë këtë doktrinë, të njohur si kreacionizëm, pohojnë se Perëndia krijoi çdo gjë në gjashtë ditë 24-orëshe, vetëm ca mijëra vjet më parë. Ata mohojnë dëshmi shkencore të besueshme që bien ndesh me pikëpamjet e tyre. Si pasojë, kjo doktrinë diskrediton Biblën e jep përshtypjen se ajo është e paarsyeshme dhe e pasaktë. Përkrahësit e këtyre mendimeve na sjellin ndër mend disa nga shekulli i parë që kishin zell për Perëndinë, «por jo sipas njohurisë së saktë». (Rom. 10:2) Si mund ta përdorim Fjalën e Perëndisë që të përmbysim doktrina  «të fortifikuara mirë», si evolucioni dhe kreacionizmi? * Mund t’ia dalim vetëm nëse bëjmë çmos të marrim njohuri të saktë për atë që mëson Bibla.

BESIMI TE PERËNDIA BAZOHET NË PROVA DHE ARSYETIM TË SHËNDOSHË

4. Ku duhet ta bazojmë besimin?

4 Bibla na mëson që ta ruajmë si thesar njohurinë. (Prov. 10:14) Jehovai do që besimi tek Ai të jetë i bazuar në prova e arsyetim të shëndoshë, jo në filozofi njerëzore ose tradita fetare. (Lexo Hebrenjve 11:1.) Që të kemi besim të patundur te Jehovai, së pari duhet të jemi të bindur se Ai ekziston. (Lexo Hebrenjve 11:6.) Nxjerrim këtë përfundim duke shqyrtuar faktet dhe duke përdorur ‘fuqinë tonë për të arsyetuar’ e jo se na pëlqen kështu.Rom. 12:1.

5. Cila është një arsye pse mund të besojmë se Perëndia ekziston?

5 Apostulli Pavël na jep një arsye pse mund të jemi të bindur që Perëndia ekziston edhe pse nuk e shohim. Ai shkroi për Jehovain: «Cilësitë e tij të padukshme, madje edhe fuqia e tij e përjetshme dhe Hyjnia e tij, shihen qartë që nga krijimi i botës, pasi dallohen nga gjërat e bëra.» (Rom. 1:20) Si mund ta ndihmosh dikë që dyshon në ekzistencën e Perëndisë të kuptojë se fjalët e frymëzuara të Pavlit janë të vërteta? Mund të shqyrtosh provat nga krijimi që zbulojnë fuqinë dhe mençurinë e Krijuesit, të cilat përmenden më poshtë.

KRIJIMI DËSHMON PËR FUQINË E PERËNDISË

6, 7. Si shihet qartë fuqia e Perëndisë nga dy mburojat mbrojtëse?

6 Fuqia e Jehovait shihet qartë nga dy mburojat mbrojtëse—atmosfera e Tokës dhe fusha e saj magnetike. Për shembull, atmosfera jo vetëm që na lejon të marrim frymë, por edhe na mbron nga breshëria e mbetjeve kozmike që vërtiten me shpejtësi në hapësirë. Blloqe shkëmbinjsh që mund të shkaktojnë dëme katastrofike zakonisht digjen sapo hyjnë në atmosferë dhe bëhen shirita drite plot shkëlqim që mund të shihen gjatë natës.

7 Edhe fusha magnetike e Tokës na ruan. Kjo mburojë buron nga thellësia e saj. Bërthama e jashtme e Tokës përbëhet nga hekuri i shkrirë, që krijon një fushë magnetike të fuqishme e cila na mbështjell e shtrihet tutje në hapësirë. Kjo fushë na mbron nga rrezatimet që përhapen nga shpërthimet diellore dhe shpërthimet në kurorën e diellit. Falë fushës magnetike, këto shpërthime të energjisë nuk zhuritin çdo gjë të gjallë në globin tonë. Përkundrazi, ajo i përthith dhe i shpërhap këto shpërthime. Spektakli i dritave shumëngjyrëshe që vallëzojnë lart në qiell afër poleve magnetike të tokës na jep prova të gjalla se fusha magnetike vepron. S’ka asnjë dyshim se Jehovai ka ‘fuqi të madhe’.Lexo Isainë 40:26.

NATYRA DËSHMON PËR MENÇURINË E PERËNDISË

8, 9. Si shihet qartë mençuria e Jehovait nga ciklet që mbështetin jetën?

8 Mençuria e Jehovait shihet qartë nga ciklet natyrore që mbështetin jetën në tokë. Ta ilustrojmë: imagjino të jetosh në një qytet të mbipopulluar, të rrethuar me mure, që nuk mund të furnizohet me ujë të pijshëm ose të nxjerrë jashtë mbeturinat. Fare shpejt ai do të bëhej i qelbur e i pabanueshëm. Në disa aspekte planeti ynë është si ai qytet i rrethuar me mure. Ka një sasi uji të pijshëm të kufizuar dhe s’mund t’i shkarkojë mbeturinat  në hapësirë. Megjithatë, ky «qytet i rrethuar me mure» mban gjallë miliarda gjallesa, brez pas brezi. Si? Falë aftësisë mahnitëse për të ricikluar ose shkëmbyer elementet e domosdoshme për jetën.

9 Mendo për ciklin e oksigjenit. Miliarda njerëz e kafshë thithin oksigjen dhe nxjerrin dyoksid karboni. Megjithatë, atmosfera nuk mbetet kurrë pa oksigjen dhe nuk mbingarkohet me «mbeturina», pra, me dyoksid karboni. Pse jo? Përgjigjja gjendet në një proces mahnitës që quhet fotosintezë. Në këtë proces bimët thithin dyoksidin e karbonit, ujin, rrezet e diellit dhe lëndët ushqyese, pastaj prodhojnë karbohidrate e oksigjen. Kur thithim oksigjen, ne e mbyllim këtë cikël. Në mënyrë të mirëfilltë, Jehovai përdor bimët që ka krijuar për t’u dhënë ‘të gjithëve jetë dhe frymë’. (Vep. 17:25) Çfarë mençurie e paparë!

10, 11. Si shihet qartë gjenialiteti i Jehovait nga flutura monarke dhe pilivesa?

10 Gjenialiteti i Jehovait shihet qartë edhe nga krijesat e shumta që banojnë në planetin tonë të jashtëzakonshëm. Lloji i gjallesave në tokë përllogaritet të jetë nga 2 deri në 100 milionë. (Lexo Psalmin 104:24.) Mendo për mençurinë që shihet në projektimin e disa prej këtyre krijesave.

Mençuria e Perëndisë shihet në projektimin e syrit të pilivesës; fotografia e vogël tregon pamjen e zmadhuar (Shih paragrafin 11.)

11 Për shembull, flutura monarke ka një tru gati sa pika në fund të kësaj fjalie. Megjithatë, ajo është e aftë të shtegtojë rreth 3.000 kilometra nga Kanadaja te një pyll i veçantë në Meksikë, duke u orientuar sipas diellit. Por, si ia del mbanë kur dielli zhvendoset në qiell? Jehovai ia projektoi trurin tejet të vockël me aftësinë për t’u përshtatur me lëvizjet e diellit. Tani mendo për syrin e pilivesës. Ajo sheh me anë të dy syve të përbërë. Secili ka rreth 30.000 thjerra. Prapëseprapë, truri i vockël është në gjendje të deshifrojë sinjalet nga gjithë këto thjerra dhe të diktojë lëvizjet më të vogla përreth.

12, 13. Çfarë të bën përshtypje nga mënyra si i ka projektuar Jehovai qelizat që formojnë trupin tonë?

12 Akoma më mbresëlënëse është mënyra si Jehovai ka projektuar qelizat që formojnë çdo gjallesë. Për shembull, trupi ynë përbëhet nga rreth 100 trilionë qeliza. Brenda secilës gjendet një strukturë mikroskopike si litar, që quhet ADN (acidi dezoksiribonukleik). Ajo mban pothuajse të gjitha të dhënat që duhen për t’u formuar tërë trupi.

13 Sa informacion mban ADN-ja? Le të krahasojmë sa të dhëna mban një gram ADN me kapacitetin e një CD-je (kompakt disk). Një CD mban aq informacion sa një fjalor, që është goxha po të mendojmë se është vetëm një disk i hollë plastik. Megjithatë, vetëm një gram ADN mund të mbajë informacion sa afro një  trilion CD. E thënë ndryshe, një lugë çaji me ADN të tharë do të mbartte informacione të mjaftueshme për të formuar edhe 350 herë më shumë njerëz se sa numri i atyre që janë gjallë sot.

14. Çfarë ndien për Jehovain kur mëson për zbulimet e fundit të shkencëtarëve?

14 Mbreti David i përshkroi të dhënat e nevojshme për të formuar një trup njerëzor si të shkruara në një libër të figurshëm. Ai tha për Perëndinë Jehova: «Sytë e tu panë embrionin tim, dhe në librin tënd ishin shkruar tërë pjesët e tij, ditët kur ato u formuan, megjithëse ende nuk ekzistonte asnjë prej tyre.» (Psal. 139:16) Nuk habitemi që Davidi u shty të lëvdonte Jehovain teksa mendonte për mënyrën si ishte krijuar trupi i tij. Zbulimet e fundit të shkencëtarëve vetëm sa na e shtojnë admirimin që ndiejmë kur meditojmë për mënyrën si na ka bërë Jehovai. Këto zbulime na japin më shumë arsye të pajtohemi me këto fjalë të shkruara për Jehovain: «Do të të përlëvdoj, sepse jam krijuar në mënyrë të mrekullueshme e që të ngjall frikë. Veprat e tua janë të mrekullueshme, dhe unë e di shumë mirë këtë.» (Psal. 139:14) Çudi që njerëzit nuk shohin se krijimi zbulon ekzistencën e një Perëndie të gjallë!

NDIHMOJI TË TJERËT T’I JAPIN LAVDI PERËNDISË SË GJALLË

15, 16. (a) Si ta kanë rritur çmueshmërinë për aftësinë krijuese të Jehovait botimet tona? (b) A të ka bërë përshtypje ndonjë artikull i rubrikës «A është projektuar?»

15 Prej dekadash, revista Zgjohuni! ka ndihmuar miliona veta të dallojnë atë që zbulon krijimi për Perëndinë tonë të gjallë. Për shembull, numri i shtatorit 2006 titullohej «A ka një Krijues?» Gjithë revista u përgatit t’u hapte sytë atyre që janë verbuar nga doktrina e evolucionit dhe e kreacionizmit. Për këtë revistë një motër i shkroi zyrës së degës në Shtetet e Bashkuara: «Fushata për të ofruar këtë numër special shkoi jashtë mase mirë. Një grua kërkoi 20 kopje. Është mësuese biologjie dhe donte që çdo nxënës të kishte një revistë.» Një vëlla shkroi: «E kam filluar shërbimin në fund të viteve 40 dhe jam gati 75 vjeç, por asnjëherë s’isha kënaqur në shërbim aq sa këtë muaj, duke ofruar numrin special të revistës Zgjohuni!»

16 Vitet e fundit, shumica e numrave të revistës Zgjohuni! përmbajnë një rubrikë që quhet «A është projektuar?» Këta artikuj të shkurtër nxjerrin në pah projektimin mbresëlënës që shohim në krijim dhe tregojnë përpjekjet e njerëzve për të kopjuar Kryeprojektuesin. Në vitin 2010, kur doli broshura A u krijua jeta?, morëm edhe më shumë material që na ndihmon të lëvdojmë Perëndinë. Figurat e bukura dhe diagramet mësimore në këtë botim kanë si qëllim të ngjallin çmueshmërinë për aftësinë krijuese të Jehovait. Pyetjet në fund të çdo pjese e ndihmojnë lexuesin të arsyetojë për atë që sapo ka lexuar. A je kënaqur kur e ke përdorur këtë broshurë në predikimin shtëpi më shtëpi, në dëshminë publike ose në rrethana joformale?

17, 18. (a) Prindër, si mund të ndihen më të sigurt fëmijët për të mbrojtur gjërat që besojnë? (b) Si e ke përdorur broshurën për krijimin si pjesë të adhurimit familjar?

17 Prindër, a e keni shqyrtuar me fëmijët këtë broshurë plot ngjyra si pjesë të adhurimit familjar? Po ta bëni këtë, do t’i ndihmoni të çmojnë edhe më shumë Perëndinë tonë të gjallë. Mbase keni fëmijë adoleshentë që janë në shkollë të mesme. Sidomos ata janë shënjestër e atyre që mësojnë doktrinën e rreme të evolucionit. Shkencëtarët, mësuesit, dokumentarët për natyrën, madje edhe bota e zbavitjes me shfaqjet televizive  dhe filmat e paraqesin evolucionin si një fakt. Mund t’i ndihmosh fëmijët e tu adoleshentë t’i bëjnë ballë kësaj propagande, duke përdorur një broshurë tjetër që doli në vitin 2010, Origjina e jetës: Pesë pyetje që ia vlen t’i bësh. Ashtu si broshura A u krijua jeta?, ky botim i nxit të rinjtë të zhvillojnë ‘aftësinë për të menduar’. (Prov. 2:10, 11) I stërvit si të provojnë nëse gjërat që mësojnë në shkollë janë logjike.

Prindër, përgatitini fëmijët që të mbrojnë besimin e tyre (Shih paragrafin 17.)

18 Broshura Origjina e jetës ka si qëllim t’i ndihmojë nxënësit të analizojnë reportazhe të bujshme në media për zbulimin e të ashtuquajturave «hallka të munguara» të fosileve. I nxit të gjykojnë vetë nëse këto reportazhe provojnë vërtet se njeriu ka evoluar nga krijesa më të ulëta. Gjithashtu, i mëson si t’u përgjigjen pohimeve që shkencëtarët kanë provuar në laboratorë se jeta mund të vijë vetvetiu. Prindër, nëse i përdorni këto broshura, fëmijët mund të ndihen më të aftë e më të sigurt t’i përgjigjen kujtdo që kërkon arsye për besimin e tyre te një Krijues.Lexo 1 Pjetrit 3:15.

19. Ç’privilegj kemi të gjithë ne?

19 Informacionet e bazuara në kërkime të sakta që marrim nga organizata e Jehovait na ndihmojnë të dallojmë cilësitë e bukura të Tij përreth nesh. Këto janë dëshmi të qarta që na shtyjnë të themi fjalë lavdie si një përrua gurgullues për Perëndinë tonë. (Psal. 19:1, 2) Ç’privilegj kemi t’i japim Jehovait, Krijuesit të gjithçkaje, nderimin dhe lavdinë që meriton!1 Tim. 1:17.

^ par. 3 Për më shumë informacion si të arsyetojmë me përkrahësit e kreacionizmit, shih faqet 24 deri 28 të broshurës A u krijua jeta?