Një film i lezetshëm pa zë me titull Shëtitje në Rrugën e Pazarit (A Trip Down Market Street) i bëri për vete shikuesit me pamjet nga jeta e përditshme në San-Francisko, SHBA, në fillim të shekullit të 20-të. Kinematografët kishin montuar një kamerë të lëvizshme lart në pjesën e përparme të një tramvaji të drejtuar përgjatë rrugës që gëlonte nga njerëzit. Në film shiheshin karroca me kuaj, makina të modeleve të asaj kohe, psonisës dhe çuna që shpërndanin gazetat e përditshme.

Ajo që e bënte veçanërisht prekës këtë film ishte se u xhirua në prill 1906, pak ditë para se të binin tërmeti dhe zjarri vdekjeprurës më 18 prill të po atij viti, që vranë mijëra veta dhe thuajse e shkatërruan atë pjesë të qytetit. Pa dyshim, disa nga fytyrat e qeshura në film kishin vetëm pak ditë jetë. Një pasardhës i një prej kinematografëve, Skot Majlsi, thotë: «Shoh njerëz që s’e kanë idenë se çfarë do t’u ndodhë; nuk mund të bësh asgjë për ta veçse të ndjesh keqardhje.»

Befas, tërmeti i 1906-s dhe zjarri që erdhi si pasojë shkatërruan një pjesë të madhe të qytetit të San-Franciskos

Kur e krahasojmë këtë me ditët tona, na bën të mendojmë seriozisht. Edhe ne s’ka si të mos ndiejmë keqardhje për të tjerët. Ata janë zhytur kokë e këmbë në aktivitetet e tyre të çdoditshme, pa i kushtuar vëmendje gjëmës që do të vijë sa hap e mbyll sytë—zhdukja e këtij sistemi dhe e mënyrës së tyre të jetesës. Megjithatë, ndryshe nga një tërmet i paparashikueshëm, ne mund ta shfrytëzojmë këtë kohë të shkurtër që kemi për t’i paralajmëruar të tjerët për ditën e gjykimit të Jehovait. Mbase ke lënë mënjanë njëfarë kohe çdo javë që të predikosh shtëpi më shtëpi, por a mund të bësh më shumë për t’i paralajmëruar të tjerët?

JEZUI NUK RESHTI SË PUNUARI

Jezui është një shembull i shkëlqyer sepse nuk reshti së punuari. Ai i predikonte çdokujt që takonte, qoftë një taksambledhësi që hasi në rrugë a një gruaje që takoi në mesditë pranë një pusi. (Luka 19:1-5; Gjoni 4:5-10, 21-24) Jezui ishte i gatshëm të hiqte dorë nga planet e tij që të mësonte të tjerët, edhe kur pushonte. Dhembshuria për të afërmit e nxiste t’u jepte më shumë se një dëshmi sipërfaqësore. (Mar. 6:30-34) Si e imitojnë disa sot ndjenjën e urgjencës së Jezuit?

NUK ÇUAN DËM ASNJË MUNDËSI

Melika jeton në një pallat të sigurisë së lartë. Shumë nga fqinjët e saj janë studentë të huaj të cilët përdorin numra telefoni të paregjistruar dhe që emrat nuk i kanë në listën e banorëve. Ajo shfrytëzon më së miri mundësinë që t’u japë dëshmi qiraxhinjve në hyrje të pallatit dhe në ashensor. Melika thotë: «Në njëfarë mënyre e konsideroj territorin tim.» Melika mban me vete literaturë në disa gjuhë dhe shumë i pranojnë fletushkat dhe revistat. Gjithashtu, u tregon faqen tonë zyrtare, jw.org. Kështu ka filluar disa studime biblike.

Edhe Sonja përpiqet t’i dëshmojë kujtdo që mundet. Ajo është e punësuar në një klinikë mjekësore private dhe synon t’i japë dëshmi çdo kolegu. Së pari, merr kohë që të kuptojë nevojat dhe interesat e secilit. Pastaj, në pushimin e drekës përpiqet të gjejë mundësi të bëjë biseda frymore. Si rezultat, Sonja arriti të fillonte dy studime biblike. Gjithashtu, programoi që gjatë momenteve të pushimit të fliste me ata që pritnin radhën në recepsionin e klinikës.

SHFRYTËZO ÇDO MUNDËSI

Një i mbijetuar nga tërmeti i 1906-s e quajti atë «katastrofa më e tmerrshme që i ka ndodhur ndonjëherë një shteti ose qyteti». Megjithatë, të gjitha katastrofat që kanë ndodhur as që krahasohen me ditën e madhe të hakmarrjes që do të bjerë mbi tërë «ata që nuk e njohin Perëndinë». (2 Sel. 1:8) Jehovai ka dëshirë të madhe që njerëzit të ndryshojnë mendjen dhe zemrën dhe t’i përgjigjen mesazhit paralajmërues të Dëshmitarëve të tij.2 Pjet. 3:9; Zbul. 14:6, 7.

A mund të shfrytëzosh çdo mundësi që të japësh dëshmi gjatë aktiviteteve të përditshme?

Ke privilegjin t’u hapësh sytë njerëzve për kohët tona kritike dhe t’i ndihmosh të mos ndjekin më interesat egoiste, por të kërkojnë Jehovain. (Sof. 2:2, 3) A mund të shfrytëzosh çdo mundësi që t’u dëshmosh kolegëve, fqinjve dhe atyre që takon në aktivitetet e përditshme? A do të bësh më shumë për t’i paralajmëruar të tjerët?