«Tregoni kujdes se ç’lloj personash duhet të jeni në vepra të shenjta sjelljeje dhe në veprime të përkushtimit hyjnor.»2 PJET. 3:11.

1, 2. ‘Ç’lloj personash duhet të jemi’ që të fitojmë miratimin e Perëndisë?

ËSHTË normale të merakosemi për mendimin që kanë të tjerët për ne. Megjithatë, si të krishterë, a nuk duhet të merakosemi më tepër për mendimin që ka Jehovai për ne? Në fund të fundit, ai është Personi më i madh në univers dhe «burimi i jetës».Psal. 36:9.

2 Duke theksuar ç’lloj personash duhet të jemi nga këndvështrimi i Jehovait, apostulli Pjetër na nxit të angazhohemi në «vepra të shenjta sjelljeje dhe në veprime të përkushtimit hyjnor». (Lexo 2 Pjetrit 3:11.) Që të fitojmë miratimin e Perëndisë, ‘veprat tona të sjelljes’ duhet të jenë të shenjta, domethënë të pastra—moralisht, mendërisht dhe frymësisht. Për më tepër, duhet të kryejmë «veprime të përkushtimit hyjnor» me nderim të thellë dhe dashuri besnike për Perëndinë. Kështu, nëse duam të kemi miratimin e tij, nuk duhet t’i kushtojmë vëmendje vetëm sjelljes, por edhe personit tonë të brendshëm. Meqë Jehovai është «ai që shqyrton zemrën», e di nëse sjellja jonë është e shenjtë dhe nëse i jemi përkushtuar vetëm atij.1 Kron. 29:17.

3. Cilat pyetje duhet të shqyrtojmë në lidhje me marrëdhënien tonë me Perëndinë?

3 Satana Djalli nuk do që ne të kërkojmë miratimin e Perëndisë. Në fakt, ai bën çmos që ne ta ndërpresim marrëdhënien me Jehovain. Satanai nuk ngurron të përdorë gënjeshtra dhe mashtrime që të na joshë e të na largojë nga Perëndia që adhurojmë. (Gjoni 8:44; 2 Kor. 11:13-15) Prandaj, bëjmë mirë të pyesim veten: «Si i mashtron Satanai njerëzit? Ç’mund të bëj që të mbroj marrëdhënien me Jehovain?»

 SI I MASHTRON SATANAI NJERËZIT?

4. Teksa përpiqet të prishë marrëdhënien tonë me Perëndinë, çfarë ka në shënjestër Satanai dhe pse?

4 Dishepulli Jakov shkroi: «Secili sprovohet, i tërhequr dhe i joshur nga dëshira e vet. Pastaj dëshira, si bëhet pjellore, lind mëkatin, dhe mëkati, pasi kryhet, sjell vdekjen.» (Jak. 1:14, 15) Teksa përpiqet të thyejë lidhjen tonë të ngushtë me Perëndinë, Satanai ka në shënjestër burimin e dëshirave tona, zemrën.

5, 6. (a) Cilat mjete përdor Satanai për të goditur zemrën tonë? (b) Me cilat gjëra na josh Satanai teksa orvatet të korruptojë dëshirat tona të zemrës dhe ç’përvojë ka në këtë drejtim?

5 Cilat mjete përdor Satanai për të goditur zemrën tonë? Bibla thotë: «E gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut.» (1 Gjon. 5:19) Armët e Satanait përfshijnë «gjërat që janë në botë». (Lexo 1 Gjonit 2:15, 16.) Për mijëra vjet, Djalli e ka projektuar me mjeshtëri mjedisin ku gjendemi. Ngaqë jetojmë në këtë botë, duhet të ruhemi nga taktikat e tij tinëzare.Gjoni 17:15.

6 Satanai përdor metoda që synojnë të korruptojnë dëshirat e zemrës. Apostulli Gjon nxjerr në pah tri gjëra me të cilat na josh Satanai: (1) «dëshirat e mishit», (2) «dëshirat e syve» dhe (3) «kapardisja për t’u dukur me të mirat materiale». Satanai i përdori këto që të tundonte Jezuin në shkretëtirë. Për vite me radhë ka përdorur gracka të tilla, ndaj edhe sot i shfrytëzon ato me mjeshtëri, duke iu përshtatur prirjeve të secilit. Para se të shqyrtojmë masat që mund të marrim për t’u mbrojtur, le të shohim se si Djalli ia doli të joshte Evën me disa tundime, por dështoi me Birin e Perëndisë.

«DËSHIRAT E MISHIT»

«Dëshirat e mishit» e rrënuan Evën (Shih paragrafin 7.)

7. Si i përdori Satanai «dëshirat e mishit» për të tunduar Evën?

7 Që të jetojnë, njerëzit kanë nevojë për diçka thelbësore, për ushqim. Krijuesi e projektoi tokën të prodhonte ushqim me bollëk. Satanai mund të përpiqet të përfitojë nga dëshirat e natyrshme për ushqim, që të mos kryejmë vullnetin e Perëndisë. Të shohim si veproi me Evën. (Lexo Zanafillën 3:1-6.) Satanai i tha asaj se mund të hante nga fryti i ‘pemës së njohjes të së mirës dhe të së keqes’ pa vdekur, madje, ditën që do ta hante, do të bëhej si Perëndia. (Zan. 2:9) Kështu, larg e larg, Djalli tha se Eva s’kishte pse t’i bindej Perëndisë që të jetonte. Ç’gënjeshtër me bisht! Tani që ideja u mboll në mendjen e Evës, ajo kishte dy rrugë: ta hidhte poshtë ose t’i rrinte mendja aty, duke lejuar që dëshira për atë fryt të shtohej. Edhe pse mund të hante nga gjithë pemët e tjera në kopsht, zgjodhi ta mbante  mendjen tek ajo që i tha Satanai për pemën në mes të kopshtit dhe «mori nga fryti i pemës dhe hëngri». Kështu, Satanai i zgjoi dëshirën për diçka që Krijuesi i saj ia kishte ndaluar.

Jezui nuk lejoi asgjë ta shpërqendronte (Shih paragrafin 8.)

8. Si u përpoq Satanai të joshte Jezuin duke përdorur «dëshirat e mishit» dhe pse dështoi?

8 Satanai përdori të njëjtat taktika kur u përpoq të tundonte Jezuin në shkretëtirë. Pasi Jezui kishte agjëruar për 40 ditë e 40 net, Satanai u orvat të përfitonte nga dëshira e tij për të ngrënë. Ai tha: «Nëse je bir i Perëndisë, thuaji këtij guri të bëhet bukë.» (Luka 4:1-3) Jezui kishte dy rrugë: ta përdorte fuqinë e tij të mrekullueshme për të plotësuar nevojën për ushqim, ose të mos e përdorte. E dinte se nuk duhej ta përdorte fuqinë për qëllime egoiste. Edhe pse ishte i uritur, nuk e plotësoi këtë nevojë në kurriz të marrëdhënies me Jehovain. Jezui ia ktheu Satanait: «Është shkruar: ‘Njeriu s’jeton vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Jehovait.’»Mat. 4:4.

«DËSHIRAT E SYVE»

9. Ç’nënkupton shprehja «dëshirat e syve» dhe si përfitoi Satanai nga kjo në rastin e Evës?

9 Gjoni përmendi edhe «dëshirat e syve» si një nga gjërat që mund të na joshin. Shprehja nënkupton që dikush mund të fillojë të dëshirojë diçka thjesht duke ndalur shikimin tek ajo. Në rastin e Evës, Satanai përfitoi nga kjo dëshirë, duke thënë: «Sytë tuaj do të hapen.» Sa më shumë që Eva ia ngulte sytë frytit të ndaluar, aq më tërheqës i dukej. Ajo pa që pema ‘ishte e lakmueshme për sytë’.

10. Si u orvat Satanai të përdorte «dëshirat e syve» që të tundonte Jezuin dhe si iu përgjigj ai?

10 Por, ç’mund të themi për Jezuin? Satanai «për një çast i tregoi [Jezuit] gjithë mbretëritë e tokës së banuar dhe i tha: ‘Unë do të të jap autoritet mbi të gjitha këto dhe lavdinë e tyre.’» (Luka 4:5, 6) Me sytë fizikë Jezui nuk do t’i shihte të gjitha mbretëritë për një çast, por duket se Satanai mendonte se një vegim i lavdisë së tyre mund ta joshte Jezuin. Satanai vazhdoi paturpësisht: «Nëse bën një akt adhurimi përpara meje, do të jetë i gjithi yti.» (Luka 4:7) Jezui nuk donte kurrsesi të ishte ai lloj personi që pretendonte Satanai. Ia ktheu menjëherë: «Është shkruar: ‘Jehovain, Perëndinë tënd, adhuro dhe vetëm atij bëji shërbim të shenjtë.’»Luka 4:8.

«KAPARDISJA PËR T’U DUKUR ME TË MIRAT MATERIALE»

11. Si e joshi Satanai Evën?

11 Duke renditur gjërat e botës, Gjoni përmendi ‘kapardisjen për t’u dukur me të mirat materiale’. Kur Adami dhe Eva ishin të vetmit njerëz në tokë,  sigurisht që nuk mund ‘të kapardiseshin për t’u dukur me të mirat materiale’ para të tjerëve. Gjithsesi, nxori kokë krenaria. Kur tundoi Evën, Satanai tha larg e larg se Perëndia po e privonte nga diçka e mrekullueshme. Djalli i tha se ditën që do të hante «nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes» ajo ‘do të ishte si Perëndi, dhe do të njihte të mirën dhe të keqen’. (Zan. 2:17; 3:5) Kështu, Satanai la të kuptohej se Eva mund të fitonte pavarësinë nga Jehovai. Duket se krenaria ishte një nga faktorët që e shtynë të besonte gënjeshtrën. Ajo hëngri frytin e ndaluar, e bindur se nuk do të vdiste. Sa gabim!

12. Cila ishte një mënyrë tjetër me anë të së cilës Satanai u përpoq të tundonte Jezuin, dhe si iu përgjigj ai?

12 Ndryshe nga Eva, sa shembull të mrekullueshëm përulësie që la Jezui! Satanai u përpoq ta tundonte me një mënyrë tjetër, por atij as që i shkoi ndër mend të bënte diçka të bujshme, e cila do të vinte në provë Perëndinë. Kjo do të ishte krenari. Përkundrazi, Jezui iu përgjigj drejtpërdrejt e qartë: «Është thënë: ‘Mos e vër në provë Jehovain, Perëndinë tënd.’»Lexo Lukën 4:9-12.

SI MUND TA RUAJMË MARRËDHËNIEN ME JEHOVAIN?

13, 14. Shpjegoni disa mënyra përmes të cilave na josh Satanai sot.

13 Sot, Satanai na josh me gjëra të ngjashme, të cilat i përdori me Evën dhe Jezuin. Duke përfituar nga «dëshirat e mishit», Djalli përdor botën e tij për të nxitur imoralitetin dhe teprimin në të ngrënë e në të pirë. Me anë të pornografisë, sidomos në Internet, mund t’i tërheqë vëmendjen dikujt që është naiv dhe përfiton nga ‘dëshirat e tij të syve’. Veç këtyre, sa shumë i tundon materializmi, pushteti dhe fama krenarët dhe ata që priren ‘të kapardisen për t’u dukur me të mirat e tyre materiale’!

Cilat parime biblike duhet të sjellim ndër mend në këto rrethana? (Shih paragrafët 13, 14.)

14 «Gjërat që janë në botë» janë si karremat që përdor peshkatari. Ata janë tërheqës por, pas tyre, është gjithnjë një grep. Satanai përdor ato që njerëzit i shohin si nevoja normale që t’u ngjallë dëshirën të bëjnë ndonjë gjë që bie ndesh me ligjin e Perëndisë. Megjithatë, me tundime të tilla tinëzare ai përpiqet të ndikojë te dëshirat tona dhe të na korruptojë zemrën, për të na bindur se kanë më tepër përparësi nevojat dhe rehatitë tona se të bëjmë vullnetin e Perëndisë.  A do të na e hedhë edhe neve Satanai?

15. Si mund të imitojmë Jezuin kur duhet t’u bëjmë ballë tundimeve të Satanait?

15 Edhe pse Eva u dorëzua para tundimeve të Satanait, Jezui arriti t’u bëjë ballë. Në çdo rast, ai dha një përgjigje nga Shkrimet, me fjalët «është shkruar» ose «është thënë». Nëse jemi studentë të zellshëm të Biblës, do t’i njohim mirë Shkrimet dhe do të jemi në gjendje të kujtojmë vargje që mund të na ndihmojnë të mos hutohemi përballë tundimeve. (Psal. 1:1, 2) Po të sjellim ndër mend shembuj biblikë të njerëzve me integritet që ishin besnikë ndaj Perëndisë, mund t’i imitojmë. (Rom. 15:4) Nderimi i thellë për Jehovain—duke dashur ato që do ai dhe duke urryer ato që urren ai—do të na mbrojë.Psal. 97:10.

16, 17. Ç’ndikim mund të ketë ‘fuqia jonë për të arsyetuar’ te lloji i personit që jemi?

16 Apostulli Pavël na inkurajon të përdorim ‘fuqinë për të arsyetuar’ që të bëhemi ata lloj personash që modelohen nga mendimet e Perëndisë, e jo të botës. (Rom. 12:1, 2) Duke theksuar sa e nevojshme është të mbajmë mirë nën kontroll mendimet tona, Pavli tha: «Po përmbysim arsyetime dhe çdo gjë të lartë, që është ngritur kundër njohurisë së Perëndisë, dhe po çojmë në robëri çdo mendim, që ta bëjmë të bindur ndaj Krishtit.» (2 Kor. 10:5) Mendimet tona ndikojnë fuqimisht te lloji i personit që jemi, ndaj duhet ‘të vazhdojmë të mendojmë’ për gjëra ndërtuese.Filip. 4:8.

17 Nuk mund të pretendojmë të jemi të shenjtë, nëse ushqehemi me mendime e dëshira të papërshtatshme. Duhet të duam Jehovain me ‘një zemër të pastër’. (1 Tim. 1:5) Sidoqoftë, zemra është e pabesë dhe as që mund ta dallojmë sa thellë ndikojnë te ne «gjërat që janë në botë». (Jer. 17:9) Prandaj, a nuk është me vend ‘të vazhdojmë të vëmë në provë veten nëse jemi në besim, të vazhdojmë të provojmë se çfarë jemi ne vetë’, duke bërë një vetëshqyrtim të ndershëm nën dritën e asaj që studiojmë në Bibël?2 Kor. 13:5.

18, 19. Pse duhet të bëjmë çmos të jemi ata lloj personash që Jehovai dëshiron?

18 Diçka tjetër që mund të na ndihmojë t’u bëjmë ballë ‘gjërave që janë në botë’ është të mbajmë parasysh fjalët e frymëzuara të Gjonit: «Bota po kalon, e po kështu edhe dëshirat e saj, kurse ai që bën vullnetin e Perëndisë, mbetet përgjithmonë.» (1 Gjon. 2:17) Në dukje, sistemi i Satanait është i patundshëm dhe i realizuar. Sidoqoftë, do të marrë fund një ditë. Bota e Satanait nuk na ofron asgjë të përhershme. Kur e kemi të qartë në mendje këtë, nuk do të dorëzohemi para joshjeve të Djallit.

19 Apostulli Pjetër na nxit të jemi ata lloj personash që kanë miratimin e Perëndisë, «duke pritur dhe duke e mbajtur gjithnjë në mend praninë e ditës së Jehovait, nëpërmjet së cilës qiejt, duke qenë në flakë, do të shpërbëhen dhe elementët, duke qenë tejet të nxehtë, do të shkrihen». (2 Pjet. 3:12) Kjo ditë do të vijë sa hap e mbyll sytë dhe Jehovai do të shkatërrojë çdo element të botës së Satanait. Deri atëherë, Satanai do të vazhdojë të përdorë «gjërat që janë në botë» për të na tunduar, siç bëri me Evën dhe Jezuin. Kurrë mos qofshim si Eva dhe mos plotësofshim dëshirat egoiste! Po të vepronim kështu, do të ishte sikur ta quanim Satanain perëndinë tonë. Duhet të jemi si Jezui dhe t’u bëjmë ballë joshjeve, pavarësisht sa tërheqëse mund të duken. Qofshim të vendosur të jemi ata lloj personash që Jehovai dëshiron!